Mësimi i Gjuhës Angleze
Si ta Drejtoj një Grup Bashkëbisedimi?


“Si ta Drejtoj një Grup Bashkëbisedimi?”, Programi EnglishConnect për Mësuesit (2023)

“Si ta Drejtoj një Grup Bashkëbisedimi?”, Programi EnglishConnect për Mësuesit

nxënëse të programit EnglishConnect që përshëndetin njëra‑tjetrën

Si ta Drejtoj një Grup Bashkëbisedimi?

Ju do të përdorni materialet EnglishConnect 1 për Nxënësit ose EnglishConnect 2 për Nxënësit për ta drejtuar grupin. Çdo mësim ndjek po këtë strukturë:

Mirëseardhja: Mirëpritini përzemërsisht nxënësit dhe paraqitni pjesëmarrësit e rinj. Vendoseni si pritshmëri që do të flisni anglisht dhe ftojini të gjithë ta përdorin gjuhën angleze sa më shumë të jetë e mundur. Shkurtimisht paraqiteni temën e mësimit.

Lutja: Ftoni një nxënës të lutet me zë të lartë. Përpiquni të zgjidhni një nxënës që ndihet rehat për t’u lutur në anglisht. Ju mund ta ftoni personin të përgatitet më përpara duke studiuar pjesën “Bërja e Lutjes në Anglisht” në shtojcën e manualeve të nxënësit.

Parimi i të Mësuarit: Lexojeni dhe diskutojeni parimin e të mësuarit që gjendet në pjesën “Personal Study” (Studimi Vetjak) në manualin e nxënësit. Synimi i parimit të të mësuarit është të ftoni Shpirtin ndërsa flisni dhe mësoni së bashku “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118).

Krijoni një model se si ta diskutoni parimin duke treguar shkurtimisht se si do t’i përgjigjeshit ju njërës prej pyetjeve për diskutim. Përdorni fjalë dhe fraza të thjeshta.

Ftojini nxënësit të shprehin mendimet e tyre dhe t’i tregojnë përvojat e tyre njëri-tjetrit. Nxënësit mund të diskutojnë në gjuhën e tyre amtare. Nëse ndihen rehat, nxënësit mund të zgjedhin të përdorin fjalë ose fraza në anglisht ndërsa diskutojnë.

Veprimtaria 1: Drejtojini nxënësit përgjatë veprimtarive në pjesën “Conversation Group” (Grupi i Bashkëbisedimit) të manualit të mësuesit. Çdo veprimtari i përgatit nxënësit për veprimtarinë e radhës. Veprimtaritë i ndihmojnë nxënësit të përparojnë nga ushtrimi i përsëritjes në krijimin e bashkëbisedimeve të tyre.

Në veprimtarinë 1 ndihmojini nxënësit t’i përsëritin fjalorin dhe modelet në pjesën “Studimi Vetjak” të manualit të nxënësit. Qëllimi është përgatitja e nxënësve për veprimtaritë 2 dhe 3 duke i ndihmuar ata të kuptojnë disa fjalë kyç dhe të thonë modelet.

Veprimtaria 2: Në veprimtarinë 2, nxënësit përdorin fjalorin dhe modelet për të ushtruar me një partner bërjen e pyetjeve dhe dhënien e përgjigjeve për pyetjet duke përdorur informacionin e dhënë. Synimi është që nxënësit të krijojnë sa më shumë fjali që të munden në anglisht.

Nxitini nxënësit t’i ndryshojnë partnerët për t’i rritur mundësitë për ushtrim. Ndërsa ndërveproni me nxënësit, përpiquni të gjeni ata persona që kanë nevojë për më tepër përkrahje. Jini inkurajues dhe lartësues.

Veprimtaria 3: Në veprimtarinë 3, nxënësit kanë mundësinë t’i përdorin fjalorin dhe modelet për të bërë një bashkëbisedim të plotë në një skenar nga jeta reale. Synimi është që nxënësit të kenë bashkëbisedime kuptimplota në anglisht.

Nxitini nxënësit t’i ndryshojnë partnerët shpesh për t’ju dhënë atyre më shumë mundësi për ushtrim. Deri në fund të veprimtarisë 3, në mënyrë ideale të gjithë nxënësit flasin anglisht pa iu referuar manualeve të tyre. Grupi duhet të ketë energji dhe gjallëri ndërsa nxënësit ndërveprojnë dhe ushtrohen së bashku. Ndërsa angazhoheni me nxënësit, mund të vini re se disa nxënës e kuptojnë mirë dhe po shkëlqejnë në këtë veprimtari. Merrni parasysh t’i sfidoni këta nxënës që ta thellojnë të mësuarit e tyre duke përfshirë më shumë hollësi ose duke bërë të njëjtën veprimtari në një kontekst tjetër. Për shembull, kur nxënësit ushtrohen për takimin me dikë, kërkojuni të ushtrohen për skenarë të ndryshëm si takimi me një mik të ri ose një shef të ri.

Për çdo veprimtari:

  • Demonstrojeni se si bëhet veprimtaria.

  • Caktojini nxënësit në dyshe apo grupe të vogla për t’u ushtruar.

  • Vëzhgojeni çdo grup dhe ofroni përkrahje.

Vlerësoni: Ndihmojini nxënësit t’i vlerësojnë përparimin dhe përpjekjet e tyre. Ndihmojini ata të ndihen të suksesshëm duke ua vënë në dukje se çfarë mund të bëjnë për t’u përmirësuar. Ndihmojini nxënësit të përdorin pjesën “Personal Study Tracker” (Gjurmuesi i Studimit Vetjak) për të vendosur synime për ushtrimin e përditshëm.

Veproni me Besim për ta Ushtruar Anglishten çdo Ditë: Lexojeni citimin me zë të lartë me grupin tuaj. Shprehni besimin tuaj se Zoti mund t’i ndihmojë ata ta mësojnë anglishten. Ftojini ata ta ushtrojnë anglishten çdo ditë dhe të përgatiten për mësimin e radhës duke përfunduar veprimtaritë “Personal Study” (Studimi Vetjak) .

Lutja: Ftojeni një nxënës të bëjë lutjen e mbylljes në anglisht. Zgjidhni një nxënës që ndihet vetëbesues ose një nxënës që e keni ftuar më parë.

Mësimet e programit EnglishConnect janë hartuar duke përdorur parime të provuara të mësimit të gjuhës. Ju do të jeni të suksesshëm ndërsa i ndiqni mësimet dhe krijoni një mjedis besimi, shoqërimi dhe rritjeje.

Grupet Virtuale

Nëse është e nevojshme, grupet mund të mblidhen nëpërmjet internetit duke përdorur një platformë për mbledhjet në distancë. Mbani në mendje se programi EnglishConnect është më i suksesshëm kur të gjithë nxënësit ndërveprojnë dhe ushtrohen me bashkëbisedime. Sigurohuni që të ketë ndërveprim gjatë përvojës. Mënyra më e mirë për ta lehtësuar ndërveprimin është t’i caktoni nxënësit në dyshe apo grupe të vogla. Përdorni dhoma virtuale të veçanta dhe mjete të tjera për t’i ndihmuar nxënësit të flasin me njëri-tjetrin sa më shumë që të munden. Për shembull, në vend që të vini një nxënës të flasë ndërsa i gjithë grupi dëgjon, ndajini nxënësit në grupe me nga dy ose më shumë veta për të bërë bashkëbisedime. Më pas rigrupojini për veprimtarinë e radhës. Nxitini të gjithë të përdorin kamerën nëse është e mundur.

Përdorni pjesën “Udhëzuesi për Drejtimin e Grupeve Virtuale” ndërsa i përgatitni dhe drejtoni grupet e EnglishConnect në internet.

Shpërndajuani pjesën “Udhëzuesi për Pjesëmarrësit e Grupit Virtual” nxënësve tuaj duke e vendosur hallkën lidhëse te veçoria e bashkëbisedimit gjatë mbledhjeve tuaja. Referojuni asaj sipas nevojës.

Përdorni pjesën e miratuar “Paraqitja e Grupit të Bashkëbisedimit” të materialeve EnglishConnect 1 dhe 2 në englishconnect.org/resources/teaching-materials. Ju mund ta shfaqni paraqitjen për të ndihmuar në udhërrëfimin e nxënësve nëpër veprimtaritë e çdo mësimi.