Seminari
Mësimi 203 – Zell në Punën Misionare: Përgatitja për t’u Bërë një Misionar i Zellshëm


“Mësimi 203 – Zell në Punën Misionare: Përgatitja për t’u Bërë një Misionar i Zellshëm”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Zell në Punën Misionare”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 203: Përgatitja e Misionarëve

Zell në Punën Misionare

Përgatitja për t’u Bërë një Misionar i Zellshëm

misionare duke dhënë një mësim

Jezu Krishti na dha shembullin e përsosur të zellit që duhet të përpiqemi fort t’i përngjasojmë ndërsa u shërbejmë të tjerëve. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kërkojnë ndihmën e Zotit për t’u bërë më të zellshëm në jetën e tyre dhe në përgatitjen e tyre për të shërbyer si misionarët e Tij.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Kati i katërt, dera e fundit

Merreni parasysh ta nisni mësimin duke i ndihmuar nxënësit të përsiatin rëndësinë e zellit në punën misionare. Mund ta paraqitni figurën vijuese dhe të jepni rrëfimin më poshtë. Ose mund të shfaqni materialin filmik “Fourth Floor, Last Door” [“Kati i Katërt, Dera e Fundit”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 14:17 deri në 17:27. Mund ta ndaloni materialin filmik në kodin kohor 16:03 për nxënësit që të marrin parasysh se si mund të kishin reaguar në këtë pikë. Më pas shfaqeni pjesën tjetër të materialit filmik.

21:33
pallat

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tregoi përvojën vijuese të misionarëve në Evropë, të cilët ndien mbresën për t’ua shpërndarë ungjillin banorëve të një pallati katërkatësh.

Plaku Diter F. Uhtdorf

“Ata filluan në katin e parë dhe trokitën në secilën derë, duke paraqitur mesazhin e tyre shpëtues rreth Jezu Krishtit dhe Rivendosjes së Kishës së Tij.

Askush në katin e parë nuk do t’i dëgjonte. …

… Trokitën në çdo derë në katin e dytë.

Sërish, askush nuk do të dëgjonte.

Në katin e tretë ishte njësoj.” (Diter F. Uhtdorf, “Kati i Katërt, Dera e Fundit”, Liahona, nëntor 2016, f. 17)

  • Çfarë mendimesh mund të kenë pasur këta misionarë në këtë pikë?

Plaku Uhtdorf vazhdoi:

Plaku Diter F. Uhtdorf

“Dhe kështu ishte në të katërtin – domethënë, derisa trokitën në derën e fundit të katit të katërt.

Kur ajo derë u hap, një vajzë e vogël u buzëqeshi dhe i pyeti nëse mund të prisnin ndërkohë që ajo fliste me nënën e saj. …

… Misionarët e dhanë mesazhin e tyre dhe i dhanë nënës një libër për ta lexuar – Librin e Mormonit.

Pasi u larguan ata, nëna vendosi se duhej të lexonte të paktën disa faqe.

Ajo e mbaroi të gjithë librin brenda pak ditësh.

Jo shumë kohë më pas, kjo familje e mrekullueshme me vetëm një prind hyri në ujërat e pagëzimit.” (Diter F. Uhtdorf, “Kati i Katërt, Dera e Fundit”, Liahona, nëntor 2016, f. 17–18)

  • Çfarë cilësish të ngjashme me të Krishtit dallon te këta misionarë?

Cilësi të ngjashme me të Krishtit te misionarët

Merreni parasysh t’i caktoni gjysmës së klasës t’i lexojë vargjet më poshtë te Doktrina e Besëlidhje seksioni 4 dhe gjysmës së klasës të lexojë vargjet te seksioni 75. Pas leximit, nxënësit mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet më poshtë dikujt që lexoi referencën tjetër.

Përndryshe, mund t’i ftoni partnerët të studiojnë pjesën “Zelli” duke përfshirë idetë në pjesën “Studimi i Shkrimeve të Shenjta”, në faqet 129 të materialit Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023).

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 4:2–6; 75:2–5, 29, duke kërkuar fjalët dhe frazat që Zoti i përdori për të përshkruar ata që dëshirojnë t’i shërbejnë Atij, përfshirë misionarët e Tij.

  • Çfarë pret Shpëtimtari nga ata që dëshirojnë t’i shërbejnë Atij si misionarë kohëplotë? Përse?

  • Si mund të na ndihmojnë këto cilësi dhe veprime në rrethanat sfiduese me të cilat mund të përballemi?

Ndër të vërtetat që tregojnë nxënësit, ata mund të përcaktojnë se Zoti pret që misionarët e Tij të punojnë me zell në shpërndarjen e ungjillit të Tij.

Çfarë është zelli?

Shkruajeni nxitjen vijuese në tabelë dhe ftojini nxënësit të shkruajnë se si mund ta përfundojnë atë.

Zelli është …

Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për të përkufizuar zellin, mund t’u tregoni se një përkufizim i mundshëm është “përpjekja e vazhdueshme, plot dëshirë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit [2023], f. 128).

  • Cilat janë disa situata që mund t’i hasësh ti ose moshatarët e tu të tjerë, që kërkojnë zell?

Nëse doni, mund t’i renditni përgjigjet e nxënësve në tabelë. Pasi të mblidhni disa ide nga nxënësit, jepuni atyre një mundësi për të menduar më me kujdes rreth mënyrës se si ata tregojnë zell në jetë.

Një mënyrë për ta bërë këtë është të paraqitni vetëvlerësimin vijues dhe t’u jepni nxënësve kohë për të reflektuar në heshtje mbi mënyrën se si do të reagonin. Merreni parasysh t’u shpjegoni nxënësve se, ndërsa e plotësojnë këtë vetëvlerësim, Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë të dallojnë se çfarë po bëjnë mirë dhe se si mund të përmirësohen. Nxënësit mund të kenë dobi nga shënimi i mendimeve të tyre në ditarët e studimit. (Shënim: Mund të zgjidhni t’i paraqitni këto thënie sërish në fund të mësimit.)

Reflekto në heshtje se sa mirë të përshkruan secila prej thënieve vijuese:

  • Unë punoj fort derisa një punë të përfundojë me sukses, edhe nëse është e vështirë.

  • Unë punoj me efektshmëri, edhe kur nuk jam nën mbikëqyrje nga afër.

  • Njerëzit mund të mbështeten tek unë dhe përpjekjet e mia për të përmbushur një detyrë.

  • Unë gjej gëzim në bërjen e përpjekjeve më të mira.

Merreni parasysh t’i paraqitni udhëzimet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit të punojnë në grupe të vogla për të plotësuar veprimtarinë. Pasi nxënësit ta kenë përfunduar veprimtarinë, ftojini ata t’ua tregojnë grupeve të tjera atë që mësuan.

  1. Gjej një referencë të shkrimit të shenjtë ose thënie profetike që tregon rëndësinë e zellit.

  2. Diskuto se si Jezu Krishti është një shembull i të qenit i zellshëm.

  3. Trego një përvojë kur ti ose dikush që e njeh është bekuar nëpërmjet zellit.

  4. Diskuto përse mendon se është e rëndësishme që misionarët të jenë të zellshëm.

  5. Diskuto fusha të tjera të jetës sate në të cilat zelli do të ishte i rëndësishëm.

Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë të vërtetat të zhyten thellë në zemrat e nxënësve dhe t’i përgatitë ata që t’i zbatojnë ato të vërteta. Një mënyrë se si mund t’i ndihmoni nxënësit ta ftojnë Frymën e Shenjtë është të siguroni mundësi që ata të shohin se si Shpëtimtari dhe të tjerët kanë treguar zell. Për shembujt e mënyrës se si Shpëtimtari tregoi zell, nxënësit mund të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 19:16–19 ose Lluka 22:39–44. Për një shembull të dikujt tjetër që tregon zell, merreni parasysh të paraqitni “Preparation of Gordon B. Hinckley: Forget Yourself and Go to Work” [“Përgatitja e Gordon B. Hinklit: Harroni Veten dhe Shkoni të Punoni”] (2:03), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

2:4

Bekimet e zellit

Kujtojuani nxënësve rrëfimin e Plakut Diter F. Uhtdorf për dy misionarët në Evropë që trokitën në derën e fundit të katit të katërt. Shpjegoni se përpjekjet e tyre të zellshme përfunduan duke e bekuar Plakun Uhtdorf. Merreni parasysh të shfaqni figurën vijuese të misionarëve dhe familjes që jetonte në apartamentin pas derës së fundit në katin e katërt. Vëreni në dukje se njëra nga dy vajzat e reja është Herrieta, bashkëshortja e Plakut Uhtdorf.

familje e mbledhur në një dhomë

Plaku Diter F. Uhtdorf tregoi ndjenjat për këta dy misionarë:

21:33
Plaku Diter F. Uhtdorf

“Sa shpesh më është lartësuar zemra në mirënjohje për dy misionarët që nuk ndaluan te kati i parë! Sa shpesh më gufon zemra me mirënjohje për besimin dhe punën e tyre. Sa shpesh kam dhënë falënderim që ata vazhduan të ecnin – madje deri te kati i katërt, dera e fundit.” (Diter F. Uhtdorf, “Kati i Katërt, Dera e Fundit”, Liahona, nëntor 2016, f. 18)

  • Nëse ata misionarë mund t’i tregojnë klasës sonë diçka rreth zellit, çfarë imagjinon se do të thoshin ata?

Zelli në jetën time

Merreni parasysh t’i paraqitni thëniet rreth zellit vetjak për të cilat nxënësit reflektuan më herët në mësim. Nxënësit mund të kenë ndier mbresën nga Shpirti për t’u përqendruar te një thënie më shumë se sa tek të tjerat. Ftojini nxënësit të mendojnë për atë thënie ndërsa shkruajnë përgjigje për pyetjet vijuese në ditarët e studimit.

  • Çfarë ndryshimesh mund të bëj për t’u bërë më i/e zellshëm/me?

  • Si do të më përgatitë më mirë zelli për të shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit si misionar/e kohëplotë dhe në jetën time të përditshme?

  • Si do të më ndihmojë zelli që të bëhem më shumë si Shpëtimtari?

Ndërsa nxënësit i shënojnë përgjigjet e tyre, inkurajojini të mos ngurrojnë të hartojnë një plan për të bërë diçka që do t’i vërë në provë dhe do të kërkojë punë të madhe të vazhdueshme dhe zell.