“Mësimi 201 – Zgjedhja për të Shërbyer në një Mision: Bekimet e Shërbimit Misionar”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Zgjedhja për të Shërbyer në një Mision”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 201: Përgatitja e Misionarëve
Zgjedhja për të Shërbyer në një Mision
Bekimet e Shërbimit Misionar
Një mënyrë se si Ati Qiellor i bekon fëmijët e Tij është nëpërmjet punës misionare. Ai i bekon misionarët ndërsa shërbejnë dhe u japin mësim njerëzve në komunitetet e tyre dhe anembanë botës. Ai gjithashtu bekon ata që e pranojnë mesazhin e ungjillit dhe marrin shërbimin e ofruar nga misionarët. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë për t’i shërbyer Zotit si misionarët e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përgjegjësia jonë për të shërbyer si misionarë
Merreni parasysh të shpjegoni se gjatë këtij mësimi rreth punës misionare, nxënësit do të punojnë me një shok ose shoqe. Një mënyrë për të krijuar dyshe është të përgatitni një shportë me shembuj detyrash misioni të shkruara në copa letre. Këto mund të përfshijnë vendet ku mund të caktohen misionarë për të dhënë mësim, si për shembull Guatemalë ose Hungari. Ata mund të përfshijnë gjithashtu detyra të mundshme të misioneve të shërbimit, si për shembull punëtorët e ordinancave të tempullit ose në një organizatë vendore që shpërndan ushqim falas. Sigurohuni që në shportë të ketë dy kopje të secilës detyrë. Ftojeni secilin nxënës të marrë një copë letër nga shporta dhe më pas të ulet me shokët e klasës që tërhoqën të njëjtën detyrë.
Jepini çdo dysheje një kopje të thënies vijuese dhe paraqitni tre udhëzimet që vijojnë.
Presidenti Rasëll M. Nelson ripohoi thirrjen e Zotit për të shërbyer si misionarë:
“Sot e ripohoj fuqishëm se Zoti i ka kërkuar çdo të riu të denjë dhe të aftë të përgatitet dhe të shërbejë në një mision. Për të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, shërbimi misionar është një përgjegjësi priftërie. Ju të rinj jeni ruajtur për këtë kohë kur po ndodh mbledhja e premtuar e Izraelit. Ndërsa shërbeni në misione, ju luani një rol vendimtar në këtë ngjarje të pashembullt!
Për motrat e reja dhe të afta, misioni është gjithashtu një mundësi e fuqishme, por me dëshirë. Ne i duam motrat misionare dhe i mirëpresim me gjithë zemër. Ajo që ju jepni në këtë punë, është madhështore. Lutuni për të ditur a do të donte Zoti që të shërbeni në një mision dhe Fryma e Shenjtë do të përgjigjet në zemrën dhe mendjen tuaj.” (Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6)
-
Lexoje deklaratën me shokun tënd.
-
Diskuto çfarë të bën përshtypje nga deklarata.
-
Përgatitu t’ia tregosh pikëpamjet e tua klasës.
Ftojini disa dyshe që t’ia tregojnë pikëpamjet e tyre klasës. Nëse nxënësit kanë pyetje rreth deklaratës, merreni parasysh t’i ndihmoni të gjejnë përgjigje ose t’i drejtoni t’i diskutojnë pyetjet e tyre me Zotin, prindërit e tyre ose udhëheqësit e Kishës. Sigurohuni që nxënësit i kuptojnë pritshmëritë e Zotit për të rinjtë dhe të rejat lidhur me shërbimin misionar.
Reflektimi vetjak
Paraqitni thënien dhe pyetjet vijuese dhe ftojini nxënësit të reflektojnë për ndjenjat e tyre vetjake rreth shërbimit misionar. Dhënia e kohës që nxënësit të përsiatin dhe t’u përgjigjen pyetjeve mund të ftojë Frymën e Shenjtë dhe mund të përgatitë mendjet dhe zemrat e tyre që të jenë të frymëzuara ndërsa studiojnë.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Të dashur miq të rinj në moshë, secili prej jush është jetik për Zotin. Ai ju ka ruajtur deri më tani që të ndihmoni për të mbledhur Izraelin. Vendimi juaj për të shërbyer në një mision, qoftë një mision predikimi apo shërbimi, do t’ju bekojë ju dhe shumë të tjerë.” (Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6–7)
Përsiat dhe shkruaji përgjigjet e tua për pyetjet e mëposhtme në ditarin tënd të studimit:
-
Cilat pjesë të kësaj deklarate janë më kuptimplotat për ty? Përse?
-
Çfarë mësimi dha Presidenti Nelson që mund të ndikojë në dëshirën tënde për të shërbyer në një mision?
Ftojini disa vullnetarë t’i tregojnë përgjigjet e tyre. Ndërsa nxënësit flasin, disa mund të shprehin të vërtetën vijuese me fjalët e tyre: Zoti do të na bekojë ne dhe shumë të tjerë ndërsa zgjedhim të shërbejmë si misionarët e Tij. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë. Inkurajojini nxënësit të kërkojnë ndihmë nga Fryma e Shenjtë për të ditur se si do të donte Ati Qiellor që ata ta zbatojnë këtë të vërtetë në jetën e tyre.
Nëse e ndieni se nxënësit do të kishin dobi nga të mësuarit më shumë rreth misioneve të shërbimit, merreni parasysh të përdorni materialin në dispozicion te “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”.
Bekimet e shërbimit misionar
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë më mirë bekimet që Zoti mund t’u japë atyre dhe të tjerëve ndërsa zgjedhin të shërbejnë në një mision.
Si dyshe, kërkoni në shkrimet e shenjta, fjalimet e konferencave të përgjithshme, himne ose programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], duke kërkuar sa vijon:
-
Bekimet që Zoti mund t’u japë të tjerëve nëpërmjet përpjekjeve tona misionare.
-
Bekimet që mund të na japë Zoti prej shërbimit në mision.
Nëse e ndieni se nxënësit mund të përdorin udhërrëfim më specifik, merreni parasysh t’i siguroni secilës dysheje fletushkën e titulluar “Bekimet e Shërbimit Misionar”.
Bekimet e Shërbimit Misionar
Studioji fragmentet dhe thëniet vijuese të shkrimeve të shenjta. Teksa studion, kërkon sa vijon:
-
Bekimet që Zoti mund t’u japë të tjerëve nëpërmjet përpjekjeve tona misionare.
-
Bekimet që mund të na japë Zoti prej shërbimit në mision.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Vëllezër dhe motra, ungjilli i Jezu Krishtit nuk është dashur kurrë më shumë sesa sot. Grindja shkel gjithçka që përfaqësoi dhe dha mësim Shpëtimtari. Unë e dua Zotin Jezu Krisht dhe dëshmoj se ungjilli i Tij është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për paqe. Ungjilli i Tij është ungjill paqeje [shih te Doktrina e Besëlidhje 27:16]. …
Të gjithë misionarët japin mësim dhe dëshmojnë për Shpëtimtarin. Errësira shpirtërore në botë bën që drita e Jezu Krishtit të nevojitet më shumë se kurrë. Të gjithë e meritojnë mundësinë që të dinë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Çdo njeri meriton të dijë se ku mund ta gjejë shpresën dhe paqen që ‘ia tejkalon çdo zgjuarsie’ [Filipianëve 4:7].” (Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6–7)
Plaku Markus B. Nash, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:
“Shpërndarja e ungjillit ndez gëzim dhe shpresë në shpirtin e dhënësit dhe të marrësit. Me të vërtetë, ‘sa i madh do të jetë gëzimi juaj’ [Doktrina e Besëlidhje 18:15] teksa e përhapni ungjillin! Shpërndarja e ungjillit është gëzim mbi gëzimin, shpresë mbi shpresën. …
Zgjedhja për të mos e mbajtur lart dritën e ungjillit na zhvendos në hije, ku jemi më të prekshëm nga tundimi. Më e rëndësishmja, e kundërta është e vërtetë: zgjedhja për ta mbajtur lart dritën e ungjillit na sjell më plotësisht në atë dritë dhe mbrojtjen që ajo siguron ndaj tundimit. Çfarë bekimi i jashtëzakonshëm në botën e sotme!” (Markus B. Nash, “Mbajeni Lart Dritën Tuaj”, Liahona, nëntor 2021, f. 71–72)
Kur nxënësit ta kenë mbaruar studimin, ftojeni secilën dyshe të shkruajë përreth të vërtetës në tabelë të paktën një bekim të punës misionare. Pasi të jenë renditur bekime të shumta, merreni parasysh të bëni pyetje si vijueset për t’u dhënë nxënësve një mundësi për të treguar ose dëshmuar për atë që mësuan:
-
Cilat bekime në tabelë ke marrë ti ose të tjerë që ti njeh nëpërmjet punës misionare?
-
Cili është një shkrim i shenjtë ose thënie që e lexon, që të ka ndihmuar ta rritësh dëshirën tënde për t’i shërbyer Zotit si një misionar?
-
Si mendon se mund të ndikojë puna misionare në marrëdhënien tënde me Zotin? Përse?
Merreni parasysh të tregoni përvojat që keni pasur ose dëshminë tuaj të punës misionare. Mund të doni gjithashtu të shfaqni materialin filmik “Value of a Full-Time Mission” [“Vlera e një Misioni Kohëplotë”] (5:22), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org dhe t’i ftoni nxënësit të kërkojnë arsyet pse dikush do të zgjidhte të shërbente në një mision.
Merreni parasysh t’i drejtoni nxënësit sërish te thënia e Presidentit Nelson nga fillimi i mësimit. Ftojini të rinjtë të luten vazhdimisht që Zoti ta rritë dëshirën dhe aftësinë e tyre për të shërbyer në një mision kohëplotë. Ftojini të rejat të luten për të ditur a do të donte Zoti që ato të shërbejnë në një mision kohëplotë.