“Mësimi 200 – Jep Dashuri, Trego dhe Fto: Mbledhja e të Tjerëve te Jezu Krishti”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Jep Dashuri, Trego dhe Fto”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 200: Përgatitja e Misionarëve
Jep Dashuri, Trego dhe Fto
Mbledhja e të Tjerëve te Jezu Krishti
Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, është përgjegjësia e besëlidhjes sonë t’ua shpërndajmë ungjillin e Shpëtimtarit “fundeve të botës” (Doktrina e Besëlidhje 1:23). Ne mund të marrim pjesë në këtë punë të mrekullueshme duke i dashur të tjerët, duke e treguar mesazhin e Jezu Krishtit dhe duke i ftuar ata të na bashkohen në afrimin te Shpëtimtari. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të bëjnë një plan për ta shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit duke përdorur parimet: jep dashuri, trego dhe fto.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mos e masko dritën tënde të ungjillit
Për ta filluar orën mësimore, tregojuni nxënësve një figurë të një kafshe që është e maskuar mirë. Ftojini nxënësit të tregojnë përse të fshehurit në këtë mënyrë është e dobishme për kafshën.
-
Në cilat situata mund të dojë një person të jetë i maskuar?
Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi diçka që ne nuk duam ta maskojmë lidhur me veten tonë:
“Një pjesë thelbësore e kësaj përpjekjeje misionare është që anëtarët individualë të bëhen shembuj të dritës së fanarit kudo ku ne jetojmë. Ne s’mund të jemi të maskuar. …
… Zoti pret që ata që e kanë marrë ungjillin e Tij të përpiqen fort dhe me ngut që të jenë një shembull i dritës së fanarit që do t’i ndihmojë të tjerët të vijnë te Perëndia. Kjo gjë i lejon vëllezërit dhe motrat tona të dashura anekënd rruzullit tokësor që të gëzojnë bekimet dhe ordinancat e jashtëzakonshme të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe që të mblidhen të sigurt në shtëpi.” (Kuentin L. Kuk, “Të Mblidhen të Sigurt në Shtëpi”, Liahona, maj 2023, f. 23)
-
Çfarë ishte kuptimplotë për ty nga mesazhi i Plakut Kuk?
Për t’i ndihmuar zemrat dhe mendjet e nxënësve të përgatiten për këtë mësim, ju mund t’i ftoni ata ta tregojnë historinë e një pjesëtari të familjes ose shoku që iu bashkua Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ata gjithashtu mund të tregojnë historinë e tyre të kthimit në besim. Nëse disa nxënës kanë histori për të treguar, ju mund t’i ftoni ata t’ia tregojnë partnerëve ose në grupe të vogla.
Ftojini nxënësit të shënojnë në ditarët e tyre të studimit mënyrat se si ata mund të jenë “të maskuar” dhe mënyrat se si përpjekjet e tyre misionare vetjake mund të jenë “shembuj të dritës së fanarit”.
Inkurajojini nxënësit ta ftojnë me lutje Shpirtin t’i ndihmojë të dallojnë se si ata mund ta japin haptazi dritën e ungjillit të Shpëtimtarit.
Mandati misionar i Shpëtimtarit
Merreni parasysh ta paraqitni thënien vijuese nga Plaku Kuentin L. Kuk. Ftojini nxënësit të kërkojnë këshillë për mënyrën se si ta shpërndajnë në mënyrë të efektshme ungjillin e Jezu Krishtit.
Plaku Kuk gjithashtu dha mësim:
“Shpëtimtari plot hir na fton të jemi zëri i Tij dhe duart e Tij. Dashuria e Shpëtimtarit do të jetë drita jonë udhërrëfyese. Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij: ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt’ [Mateu 28:19]. …
Që mandati i Shpëtimtarit për përhapjen e ungjillit të bëhet pjesë e personit që jemi, … na nevojitet t’i duam të afërmit tanë, ta shpërndajmë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe t’i ftojmë të gjithë të vijnë e të shohin.” (Kuentin L. Kuk, “Kthimi në Besim te Vullneti i Perëndisë”, Liahona, maj 2022, f. 56)
-
Si do ta shpjegoje mesazhin e Plakut Kuk me fjalët e tua?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë si kjo: Ne ndihmojmë për përpjekjet misionare të Shpëtimtarit duke i dashur të afërmit tanë, duke e shpërndarë ungjillin e tij dhe duke i ftuar të tjerët të vijnë tek Ai.
Nëse doni, mund t’i shkruani fjalët jep dashuri, trego dhe fto në krye të tri kolonave në tabelë. Ndërsa nxënësit i tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese, ftojini ata të nisin në secilën kolonë një listë të ideve për mënyrën se si t’i sillni të tjerët te Shpëtimtari nëpërmjet dhënies së dashurisë, të të treguarit dhe të të ftuarit.
-
Cilat janë disa mënyra të efektshme se si i ke parë të tjerët ta shpërndajnë ungjillin e Jezu Krishtit?
-
Çfarë përvojash ke pasur me shpërndarjen e ungjillit të Shpëtimtarit tek të tjerët?
Jep dashuri, trego dhe fto
Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë më mirë parimet: jep dashuri, trego dhe fto, është t’u jepni atyre një kopje të fletushkës të titulluar “Jep Dashuri, Trego, Fto”. Vërini nxënësit të krijojnë grupe të vogla studimi për të studiuar materialin nën “Jep Dashuri”. Ata mund të formojnë grupe të reja për të studiuar “Trego” dhe më pas grupe të reja për të studiuar “Fto”.
Përndryshe, nxënësit mund t’i studiojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë tek ideja “Studimi i Shkrimeve të Shenjta” në faqen 223 te Predikoni Ungjillin Tim (2023).
Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet vijuese në tabelë që nxënësit t’i diskutojnë me grupet e tyre ndërsa studiojnë.
-
Çfarë pikëpamjesh fitove rreth shpërndarjes së ungjillit?
-
Si e demonstroi Shpëtimtari këtë parim në ndërveprimet e Tij me të tjerët?
-
Cilat janë disa mënyra se si adoleshentët mund të veprojnë sipas këtij parimi ndërsa përpiqen fort ta shpërndajnë ungjillin e Shpëtimtarit?
Jep Dashuri, Trego, Fto
Jep Dashuri
Gjoni 13:34–35; Mosia 18:20–22; Doktrina e Besëlidhje 12:7–9; 121:41–42
Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Sa herë që tregojmë dashuri si të Krishtit ndaj të afërmit tonë, ne predikojmë ungjillin – edhe nëse nuk shqiptojmë asnjë fjalë të vetme.
Dashuria për të tjerët është shprehje elokuente e urdhërimit të dytë të madh për të dashur të afërmin tonë, ajo tregon procesin e përmirësimit prej Shpirtit të Shenjtë që vepron brenda vetë shpirtrave tanë. Duke demonstruar dashuri si të Krishtit për të tjerët, ne mund të bëjmë që ata që i shohin veprat tona të mira, ta ‘lëvdojnë Atin [tonë] që është në qiej’ [Mateu 5:16].” (Geri E. Stivenson, “Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni”, Liahona, maj 2022, f. 85)
Trego
2 Nefi 2:6–8; Mosia 28:1–3; Alma 31:5; Doktrina e Besëlidhje 60:2
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Nëse dikush ju pyet për fundjavën, mos ngurroni të flisni për atë që keni përjetuar në kishë. Flisni për fëmijët e vegjël, të cilët qëndruan përpara një bashkësie dhe kënduan me zell se si po përpiqen të jenë si Jezusi. Flisni për grupin e të rinjve që shpenzuan kohë duke ndihmuar të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve për të përpiluar historitë vetjake. …
Në çfarëdo mënyre që duket e natyrshme dhe normale për ju, tregojuni njerëzve përse Jezu Krishti dhe Kisha e Tij janë të rëndësishme për ju.” (Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 17)
Fto
Gjoni 1:35–46; 4:28–30, 39–41; Alma 5:62; Moroni 10:3–5
Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ka qindra ftesa që mund t’ua bëjmë të tjerëve. Ne mund t’i ftojmë të tjerët ‘të vijnë e të shohin’ një shërbesë sakramenti, një aktivitet lagjeje, një material filmik në internet që shpjegon për ungjillin e Jezu Krishtit. ‘Ejani dhe shikoni’ mund të jetë një ftesë për të lexuar Librin e Mormonit ose për të vizituar një tempull të ri gjatë shtëpisë së hapur përpara përkushtimit të tij. Ndonjëherë ftesa është diçka që e bëjmë përbrenda – një ftesë për veten, që na jep ndërgjegjësim dhe largpamësi për mundësitë që na rrethojnë, që të veprojmë.” (Geri E. Stivenson, “Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni”, Liahona, maj 2022, f. 86)
Mënyra të efektshme për të dhënë dashuri, treguar dhe ftuar
Ndihmojini nxënësit të rrahin ide shtesë të mënyrës se si ta shpërndajnë ungjillin duke përdorur parimet: jep dashuri, trego dhe fto. Përfshijini idetë e tyre në tabelë nën kolonat përkatëse. Disa prej burimeve vijuese mund të ndihmojnë për krijimin e ideve:
-
Artikull – “20 Easy Ways to ‘Love, Share, Invite’ Your Neighbors”, newsroom.ChurchofJesusChrist.org
-
Material filmik – “Simple Ways to Love, Share, and Invite” [“Mënyra të Thjeshta për të Dhënë Dashuri, Treguar dhe Ftuar”] (2:45), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org
-
Material filmik – “2021 Broadcast: Principles of Love, Share, Invite” [“Transmetim i Vitit 2021: Parimet: Jep Dashuri, Trego dhe Fto”] nga kodi kohor 0:00 deri në1:35, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org
Zbatoje atë që ke mësuar
Merreni parasysh të tregoni për një kohë kur e ndihmuat dikë duke përdorur parimet: jep dashuri, trego dhe fto. Ose mund të tregoni për një rast kur dikush jua ka bekuar jetën duke përdorur këto parime.
Ftojini nxënësit ta ndjekin çdo nxitje që ndien sot për të krijuar një plan për ta shpërndarë ungjillin. Planet e tyre mund të përfshijnë zbatimin e një ose më shumë prej ideve të renditura në tabelë. Për t’i ndihmuar me detajet e planeve të tyre, ju mund të paraqitni udhëzimet dhe nxitjet vijuese që nxënësit t’i plotësojnë në ditarët e studimit.
Përzgjidh një ose më shumë nga nxitjet vijuese për ta përfunduar në ditarin tënd të studimit:
-
Do të tregoj dashuri ndaj dikujt duke .
-
Do ta tregoj atë që di ose ndiej rreth ungjillit të Shpëtimtarit duke .
-
Do ta ftoj (emri i dikujt) në .
Për nxitjen(t) që zgjodhe të përgjigjesh, plotëso sa vijon në ditarin tënd të studimit:
-
Hapi i radhës që do të ndërmarr për plotësimin e planit tim është .
-
Do të përpiqem ta bëj këtë brenda datës (data).
Disa nxënës mund të ndihen të shkurajuar nëse përpjekjet e sinqerta për ta shpërndarë ungjillin nuk priten mirë. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Zoti i admiron përpjekjet që ata po bëjnë, edhe nëse nuk duken të suksesshme tani. Ftojini ata të vazhdojnë të veprojnë me besim pavarësisht rezultateve të menjëhershme.