“Mësimi 199 – Shpërndarja e Ungjillit Nisur nga Dashuria si e Krishtit: Dashuria për Perëndinë dhe të Tjerët”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Shpërndarja e Ungjillit Nisur nga Dashuria si e Krishtit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 199: Përgatitja e Misionarëve
Shpërndarja e Ungjillit Nisur nga Dashuria si e Krishtit
Dashuria për Perëndinë dhe të Tjerët
Ka shumë arsye përse ne mund të zgjedhim t’ua shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit të tjerëve. Dëshira jonë për ta shpërndarë ungjillin rritet ndërsa mësojmë ta duam Perëndinë dhe ata që na rrethojnë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë mënyrën se si dashuria e tyre për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe njerëzit e tjerë mund t’i shtyjë ta shpërndajnë ungjillin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shtysë për të shërbyer
Merreni parasysh t’i paraqitni fotografitë e të rinjve duke shërbyer në një larmi situatash. Ftojini nxënësit të tregojnë arsyet e shumta të mundshme pse të rinjtë në secilën fotografi mund të kenë zgjedhur të shërbejnë. (Arsyet e mundshme mund të përfshijnë detyrën, dashurinë, pritshmëritë prindërore, fajin ose ndërveprimin shoqëror.)
-
Megjithëse ka shumë arsye për t’u shërbyer të tjerëve, cilat arsye kanë më shumë të ngjarë të na ndihmojnë të bëhemi si Shpëtimtari? Përse?
Më pas mund të paraqitni një figurë të dikujt duke shpërndarë ungjillin ndërsa i ftoni nxënësit të diskutojnë pyetjet vijuese:
-
Cilat janë disa arsye pse dikush mund të zgjedhë t’ia shpërndajë ungjillin një shoku ose edhe të zgjedhë të shërbejë në një mision kohëplotë?
-
Cilat arsye kanë më shumë të ngjarë t’i ndihmojnë ata të jenë të efektshëm në sjelljen e të tjerëve te Perëndia?
Merreni parasysh t’u jepni nxënësve kohë për të përsiatur dhe shënuar ndjenjat e tyre në ditarët e tyre të studimit për sa vijon:
-
Si ndiheni në lidhje me shpërndarjen e ungjillit të Jezu Krishtit te të tjerët? Përse ndiheni në atë mënyrë?
-
A po planifikoni të shërbeni në një mision kohëplotë? Nëse po, çfarë ju shtyn?
Ftojini nxënësit të kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë gjatë mësimit ndërsa mendojnë rreth dëshirave të tyre për të shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit.
Shtysat e Perëndisë
Merreni parasysh t’u shpjegoni nxënësve se kur ne e dimë se çfarë e shtyn Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të na shërbejnë, ne mund t’u përngjasojmë më mirë shembujve të Tyre.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë këtë, mund të paraqitni referencat vijuese. Ftojeni secilin nxënës të zgjedhë një ose dy fragmente për t’i lexuar dhe përsiatur.
Lexoni një ose dy prej fragmenteve vijuese, duke kërkuar atë që japin mësim ata rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit:
-
Gjoni 3:16–17
-
Gjoni 15:12–13
Ftojini nxënësit të lëvizin nëpër klasë dhe t’ua tregojnë shokëve të klasës që zgjodhën fragmente të ndryshme atë që mësuan rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Kur nxënësit të mbarojnë së treguari, kërkoni vullnetarë ta përmbledhin atë që mësuan rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
Ftojini nxënësit të dallojnë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë shtysën të shërbejnë me anë të dashurisë.
Nxënësve mund t’u nevojitet kohë për të përsiatur për pyetjet vijuese përpara se të ndihen gati për t’u përgjigjur me zë të lartë. Nëse doni mund t’u jepni atyre kohë për t’i shkruar përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit përpara se t’u kërkoni vullnetarëve të flasin.
-
Çfarë përvojash të kanë ndihmuar ty ta ndiesh dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për ty?
-
Si mund të ndikojë kuptueshmëria e arsyes përse Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na shërbejnë në dëshirën tënde për t’ua shpërndarë ungjillin të tjerëve?
Dashuria mund të na shtyjë të shpërndajmë ungjillin
Kjo pjesë e mësimit përdor mësimet e Shpëtimtarit në kapitullin te Gjoni 21 për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se dashuria mund të na shtyjë ta shpërndajmë ungjillin.
Një mënyrë e ndryshme për ta arritur këtë është të ftoni dyshe që të studiojnë pjesën “Dashuria Hyjnore dhe Dashuria”, përfshirë idetë te “Studimi i Shkrimeve të Shenjta”, në faqen 122 të materialit Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2023), duke kërkuar mënyrën se si dashuria mund të na japë shtysë të shpërndajmë ungjillin.
Menjëherë pas Kryqëzimit të Jezu Krishtit, disa prej dishepujve të Tij dolën për peshk. Ndërsa po peshkonin, një njeri në breg i ftoi të hidhnin rrjetat e tyre në anën e djathtë të anijeve të tyre. Pasi e bënë këtë dhe kapën shumë peshk, dishepujt e kuptuan se njeriu ishte Shpëtimtari i ringjallur. Kur arritën në breg, Jezusi u shërbeu atyre duke i ushqyer me një vakt dhe duke u dhënë mësim.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të kërkojnë ftesat e përsëritura të Shpëtimtarit për Pjetrin duke lexuar te Gjoni 21:15–17 së bashku ose duke parë materialin filmik “Feed My Sheep” [“Kullotini Delet e Mia”] (5:47), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 2:46 deri në 4:29. (Mund të jetë e dobishme për nxënësit që të dinë se fjala këta në vargun 15 mund t’u referohet të gjithë peshqve që kapën dishepujt.)
-
Çfarë mëson nga mënyra se si Jezusi donte që Pjetri ta tregonte dashurinë e tij?
Lexo thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844), duke kërkuar se çfarë i shton ai kuptueshmërisë sate për ftesat e Jezusit te Gjoni 21.
“Dashuria është një prej karakteristikave kryesore të Hyjnisë dhe duhet të shfaqet prej atyre që dëshirojnë të jenë bij të Perëndisë. Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk kënaqet vetëm me bekimin e familjes së tij, por endet në të gjithë botën, i dëshiruar që të bekojë të gjithë racën njerëzore.” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 454)
-
Çfarë të bën përshtypje nga thënia e Jozef Smithit?
-
Çfarë mësove nga Gjoni 21 dhe thënia e Jozef Smithit që mund të të shtyjë të shpërndash ungjillin ose mbase të shërbesh në një mision?
-
Cilat mendon se janë mënyrat e efektshme për ta thelluar dashurinë tonë për Perëndinë? Për ta thelluar dashurinë tonë për njerëzit e tjerë?
Kapërcimi i ngurrimit për të shpërndarë ungjillin
Nxënësit mund të formojnë grupe për të plotësuar veprimtarinë vijuese. Mund të jetë e dobishme t’i jepni secilit grup letër.
-
Si grup, krijoni një skenar në të cilin një i ri ngurron të shërbejë në një mision kohëplotë ose një adoleshent ngurron t’ia shpërndajë ungjillin një shoku. Zgjidh një shkrues që ta shkruajë skenarin në një copë letër. Sigurohu që të përfshish arsyet përse ngurron personi në skenar.
Ja një shembull i një skenari që mund të krijojnë grupet: “Kohët e fundit Toni dëgjoi një bisedë konference që inkurajonte më shumë të rinj të përgatiten për të shërbyer si misionarë për Zotin. Ai e di se është gjëja e duhur për të bërë. Megjithatë, ai e ka të vështirë t’u flasë njerëzve që nuk i njeh dhe ndihet sikur nuk i njeh shkrimet e shenjta aq mirë sa t’ua mësojë njerëzve të tjerë. Ai shqetësohet se nuk do të jetë një misionar i efektshëm.”
Pasi grupet t’i kenë shkruar skenarët që krijuan, merreni parasysh t’u kërkoni t’i shkëmbejnë skenarët me grupet e tjera përpara se të përfundojnë hapin vijues.
-
Duke përdorur atë që mësove dhe ndjeve sot, kërkoji një shkruesi të shkruajë atë që grupi yt do të thoshte për ta ndihmuar personin në skenar. Përfshi sugjerime të asaj që mund të bëjë personi për ta shtuar dashurinë e tij ose të saj për Shpëtimtarin dhe të tjerët. Mund të duash të përfshish diçka rreth mënyrës se si të ndjerit e dashurisë së Shpëtimtarit mund të ndihmojë të rritet dëshira e këtij personi për të shërbyer.
Merreni parasysh t’i ftoni grupet t’i tregojnë klasës se si iu përgjigjën skenarit të grupit tjetër.
Për ta përfunduar mësimin, merreni parasysh t’u jepni nxënësve kohë për të shënuar në ditarët e tyre të studimit mënyrën se si dashuria për Perëndinë dhe të tjerët mund t’i ndihmojë të kapërcejnë çdo ngurrim që mund të ndiejnë rreth shpërndarjes së ungjillit të Jezu Krishtit.