“Mësimi 127 – Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8: Doktrina e Besëlidhje 95–115”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 127: Doktrina e Besëlidhje 111–115
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8
Reflektimi për të mësuarit tonë shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të na ndihmojnë të vijmë më pranë Shpëtimtarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kujtojnë dhe vlerësojnë se si përvojat e tyre të studimit të librit Doktrina e Besëlidhje i kanë ndihmuar të rriten shpirtërisht.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Vlerësoje përparimin tënd shpirtëror
Sillni disa gurë të madhësive të ndryshe në klasë dhe vërini nxënësit të krijojnë një shenjues shtegu. Ftojini nxënësit të vendosin disa gurë njëri mbi tjetrin dhe të shohin se çfarë e krijon një themel të qëndrueshëm. (Përndryshe, tregoni një figurë të një shenjuesi të shtegut.) Ju mund të përmendni se në lashtësi dhe sot, këta shenjues shtegu u ofrojnë siguri dhe drejtim udhëtarëve. Ju mund të bëni pyetjet vijuese rreth veprimtarisë.
-
Cilët janë disa shenjues të ndryshëm të shtegut që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na i kanë siguruar për të na udhërrëfyer përgjatë shtegut të besëlidhjeve për t’u kthyer në praninë e Tyre?
-
Si mund të jetë një shenjues shtegu një simbol i Shpëtimtarit?
Ndihmojini nxënësit ta dallojnë se fragmentet e shkrimit të shenjtë që i kanë studiuar, mësimet që i kanë mësuar dhe mësimet që i kanë zbatuar në studimin e tyre të librit Doktrina e Besëlidhje, mund të jenë si gurët e vendosur njëri mbi tjetrin, që ofrojnë siguri dhe drejtim ndërsa ata udhëtojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Ftojini nxënësit t’i shqyrtojnë shënimet që kanë mbajtur dhe shkrimet e shenjta që i studiuan gjatë disa javëve të fundit (Doktrina e Besëlidhje 95–115), duke përsiatur të vërtetat që kanë mësuar.
Ndërsa reflekton për përvojën tënde të studimit të librit Doktrina e Besëlidhje, ftoje me lutje Shpirtin që të të ndihmojë ta dallosh përparimin që po bën drejt Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit tënd, Jezu Krishtit.
Paraqitini pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi përparimin e tyre shpirtëror. Ftojini nxënësit t’u përgjigjen dy ose më shumë prej pyetjeve në ditarët e tyre të studimit.
-
Cilat janë disa prej të vërtetave shpirtërore që i ke mësuar ose zbatuar, që të kanë ndihmuar të ndihesh më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Si të kanë dhënë këto të vërteta drejtim dhe siguri përgjatë shtegut të besëlidhjeve?
-
Cilat fragmente të shkrimit të shenjtë nga libri Doktrina e Besëlidhje kanë qenë domethënëse për ty? Përse?
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i shënuar përgjigjet e tyre, ftojini disa vullnetarë të tregojnë reflektime që nuk janë tepër vetjake. Ata mund të tregojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë që ishin domethënëse për ta dhe përse. Ndërsa nxënësit tregojnë, ata mund të shtojnë gurë në shenjuesin e shtegut.
Merrini parasysh nxitjet e Shpirtit dhe nevojat e nxënësve tuaj ndërsa përzgjidhni se cilat prej veprimtarive vijuese të përdorni.
Shpjego se si priftëria e Shpëtimtarit dhe çelësat e priftërisë e bekojnë Kishën e Tij
Ndihmojini nxënësit ta vlerësojnë atë që kanë mësuar kohët e fundit rreth priftërisë së Shpëtimtarit dhe çelësave të priftërisë. Në studimin e tyre te Mësimi 119: Doktrina e Besëlidhje 107:1–20, nxënësit mund të kenë mësuar se ata që shërbejnë në Kishë, mund të përdorin fuqinë e Shpëtimtarit nëpërmjet priftërisë së Tij. Në studimin e tyre të mësimit Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 2, nxënësit mund të kenë mësuar rreth rivendosjes së çelësave të priftërisë për Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin në Tempullin e Kirtlandit.
Ju mund të jepni skenarin vijues. Për të shkruar përgjigjet e tyre, nxënësit mund të shqyrtojnë shënimet që kanë mbajtur në ditarët e tyre, ose shkrimet e shenjta që i kanë shenjuar.
Beki dhe Majkëlli janë motër e vëlla që i janë bashkuar së fundmi Kishës. Ata janë të vetmit pjesëtarë në familjen e tyre. Të dy ata kanë dëshmi të forta për Librin e Mormonit, Profetin Jozef Smith dhe Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit, por e pranojnë se kanë ende më shumë për të mësuar. Në kishë një të diel, ata dëgjuan dikë të fliste rreth mënyrës se si priftëria e Shpëtimtarit dhe çelësat e priftërisë e bekojnë çdo anëtar të Kishës. Ata vërtet nuk e dinin se çfarë do të thoshte kjo.
-
Çfarë mund të përdorësh nga studimi yt i fundit në librin Doktrina e Besëlidhje për t’i ndihmuar Bekin dhe Majkëllin ta kuptojnë më mirë se si fuqia e priftërisë së Shpëtimtarit dhe çelësat e priftërisë na bekojnë ne si anëtarë të Kishës?
Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë, nëse doni, mund ta vizatoni përsëri në tabelë pemën nga Mësimi 119: Doktrina e Besëlidhje 107:1–20 dhe t’i emërtoni degët sipas organizatave të ndryshme në Kishë. Nxënësit mund të tregojnë se burrat dhe gratë që marrin thirrje në Kishë, marrin fuqi nga Shpëtimtari për t’u shërbyer të tjerëve në Kishën e Tij. Si pjesë e shpjegimeve të tyre, nxënësit mund të përdorin vargjet nga seksioni 107 për të ilustruar që të gjitha autoritetet dhe detyrat në Kishën e Shpëtimtarit janë shtesa të Priftërisë Melkizedeke. Disa vargje që ata mund t’i përdorin, mund të përfshijnë vargjet 5, 8, 14, 18–20, ose vargje të tjera të zgjedhura prej tyre për ta dhënë këtë mësim.
Përndryshe, mund të paraqitni figura të vizitave të Moisiut, Eliasit dhe Elijas në Tempullin e Kirtlandit, të përshkruara te Doktrina e Besëlidhje 110. Ftojini nxënësit të tregojnë se kush ishin këta vizitorë dhe cilët çelësa rivendosën ata. Nxitini ata t’i përdorin vargjet nga seksioni 110 në shpjegimet e tyre.
Ndiej mirëbesim më të madh se Apostujt janë dëshmitarë të Jezu Krishtit
Në një mësim të fundit, nxënësit mund të kenë mësuar se si Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve janë dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit në mbarë botën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:23). Jepuni nxënësve një mundësi për të reflektuar për dëshminë e tyre që profetët dhe apostujt janë dëshmitarë të veçantë të Krishtit në kohën tonë dhe janë ngarkuar nga Jezu Krishti me detyrën për të na ndihmuar të vijmë më pranë Tij.
Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë të tregoni një fotografi të fundit të Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të bëni pyetjen vijuese. Mund t’u jepni kohë nxënësve për të përsiatur dhe për t’i shënuar mendimet e tyre në ditarët e tyre të studimit. Pas njëfarë kohe, lërini disa nxënës të gatshëm të flasin.
-
Çfarë ke bërë kohët e fundit që ka ndikuar në dëshminë tënde që profetët dhe apostujt janë vërtet dëshmitarë të veçantë të Krishtit?
Nëse e ndieni se nxënësit mund të përdorin një veprimtari shtesë për ta rritur mirëbesimin e tyre që profetët dhe apostujt janë dëshmitarë të veçantë të Krishtit, ju mund t’i ftoni ata të bëjnë njërën nga veprimtaritë vijuese:
-
Përzgjidh një mesazh të fundit nga Presidenca e Parë ose Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve që ishte domethënës për ty. Reflekto mbi mënyrën se si ai mesazh ndikoi në ndjenjat e tua rreth Jezu Krishtit.
-
Përgjigjju një ftese në mediat shoqërore të njërit prej anëtarëve të Presidencës së Parë ose Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Shpërndaje ftesën në faqen e rrjeteve tua sociale.
-
Në rrjetet sociale, përgjigjju ndaj një publikimi ose dërgoji një mesazh të drejtpërdrejtë një anëtari të Presidencës së Parë ose të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve duke shprehur mirënjohjen tënde për një mesazh të kohëve të fundit që të ndihmoi të ndihesh më pranë Shpëtimtarit Jezu Krisht.
Pas një kohe të përshtatshme, disa nxënës mund t’ia tregojnë klasës atë që shkruan ose publikuan.
Përgatitu ta adhurosh Zotin në tempull
Në mësimet e mëparshme, nxënësit patën mundësi që të përgatiteshin për ta adhuruar Zotin në tempullin e Tij. Ja tek janë disa përmbledhje të mësimeve të fundit që ndihmuan për këtë:
-
Në seksionin 95, nxënësit mund të kenë diskutuar bërjen e sakrificave për të adhuruar në tempull.
-
Në seksionin 97, ata mund të kenë shqyrtuar se si pyetjet e rekomandimit të tempullit na ndihmojnë të bëhemi të pastër në zemër.
-
Në seksionin 109, nxënësit zbuluan bekimet e lidhura me adhurimin në tempull dhe morën parasysh se si këto bekime mund t’u japin shtysë atyre në jetën e tyre.
-
Në seksionin 110, nxënësit mund të kenë diskutuar se si denjësia e tyre mund t’i ndihmojë ata të ndihen më afër Zotit në tempullin e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:5–10).
Ftojini nxënësit t’i shqyrtojnë qëllimet ose planet e veçanta që i kanë bërë për t’i ndihmuar ata të përgatiten për ta adhuruar Atë në tempullin e Tij.
-
Çfarë përpjekjesh ke bërë kohët e fundit për t’u përgatitur më mirë për ta adhuruar Zotin në tempull?
Nëse nxënësit do të përfitonin nga pyetje më të veçanta që ndjekin ecurinë e planeve ose qëllimeve për të cilat ata kanë punuar, mund të paraqitni tekstin vijues për nxënësit dhe t’i vini ata të përgjigjen në ditarët e tyre të studimit.
Kërko zbulesë vetjake për të të udhërrëfyer ndërsa i përgjigjesh njërës ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Cilat sakrifica ke bërë ose je i gatshëm të bësh për të demonstruar se adhurimi i Zotit në tempull është një përparësi në jetën tënde?
-
Çfarë bekimesh ke parë në jetën tënde ndërsa ke reflektuar për përgjigjet e tua ndaj pyetjeve të rekomandimit të tempullit në përgatitje për të hyrë në shtëpinë e Zotit?
-
Çfarë ke bërë për t’u përpjekur fort për të qenë i denjë për ta adhuruar Zotin në tempull?
Mendo se si je bekuar për përpjekjet e tua. Çfarë do të vazhdosh të bësh ose fillosh të bësh për t’u përgatitur më mirë për të adhuruar në tempullin e Tij?
Nxitini nxënësit të veprojnë sipas çdo ndryshimi që janë ndier të nxitur të bëjnë ndërsa e kanë shqyrtuar përparimin e tyre. Ju mund t’i përgëzoni përpjekjet e nxënësve për ta bërë Atin Qiellor, Shpëtimtarin tonë dhe ungjillin një përparësi në jetën e tyre. Mund ta përmbyllni duke dhënë një shembull të bekimeve që keni marrë nga përgatitjet tuaja për ta adhuruar Shpëtimtarin në tempullin e Tij.