“Mësimi 124 – Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 2: Rivendosja e Çelësave të Priftërisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 2”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 124: Doktrina e Besëlidhje 109–110
Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 2
Rivendosja e Çelësave të Priftërisë
Pas vegimit të Jezu Krishtit në Tempullin e Kirtlandit më 3 prill 1836, “qiejt u hapën përsëri” (Doktrina e Besëlidhje 110:11) për Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin. Tre profetë të lashtë u shfaqën dhe u dhanë atyre çelësat thelbësorë të priftërisë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si çelësat e priftërisë që iu rivendosën Profetit Jozef Smith, mund ta bekojnë jetën e tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Si do të ishte jeta ndryshe?
Për ta filluar orën mësimore, merreni parasysh ta shkruani pyetjen vijuese të papërfunduar në tabelë:
Si do të ishte jeta jote pa ?
Ftojini nxënësit ta përfundojnë pyetjen në ditarët e tyre të studimit me diçka pa të cilën e ndiejnë se do të ishte e vështirë të jetonin. Ftojini disa nxënës të tregojnë se si ata e përfunduan pyetjen dhe të shpjegojnë shkurtimisht se përse jeta e tyre do të ishte sfiduese pa të.
Pasi nxënësit të kenë folur, përfundojeni pyetjen në tabelë me fraza të tilla si “punën misionare”, “plotësinë e ungjillit”, “punën në tempull dhe për historinë familjare” dhe “mundësinë për t’u vulosur me familjen tënde”. Ftojini anëtarët e klasës të përsiatin në heshtje se si jeta do të ishte ndryshe pa këto bekime nga Ati Qiellor dhe ta shënojnë çdo ndjenjë që mund të kenë. Nxitini nxënësit të vazhdojnë të përsiatin për domethënien e këtyre bekimeve në jetën e tyre ndërsa mësojnë rreth ngjarjeve të shenjta që ndihmuan për t’i bërë ato të mundura.
Rivendosen çelësat e priftërisë
Nëse doni, mund të paraqitni një figurë të shfaqjes së Shpëtimtarit në Tempullin e Kirtlandit më 3 prill 1836 (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:1–10). Nëse nxënësit e kanë bërë mësimin “Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 1”, mund t’u bëni atyre pyetjen vijuese:
-
Çfarë mban mend rreth këtij vegimi të shenjtë?
Merreni parasysh ta shkruani të vërtetën vijuese të theksuar me ngjyrë të zezë në tabelë: Zoti dërgoi lajmëtarë qiellorë për t’ia rivendosur çelësat e priftërisë Profetit Jozef Smith. Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë domethënien e kësaj të vërtete, kopjojeni tabelën vijuese në dërrasë dhe ftojini nxënësit ta rikrijojnë atë në ditarët e tyre të studimit. (Shpjegoni se nxënësit duhet të lënë vend të mjaftueshëm për të shtuar një pyetje shtesë në fund të secilës kolonë më vonë në këtë mësim.) Ftojini nxënësit t’i përdorin shkrimet e tyre të shenjta për ta plotësuar tabelën.
Tempulli i Kirtlandit – 3 prill 1836
|
Kush u shfaq? Çfarë rivendosi ai? |
Kush u shfaq? Çfarë rivendosi ai? |
Kush u shfaq? Çfarë rivendosi ai? |
Pasi t’u keni dhënë nxënësve kohë të mjaftueshme për të studiuar, ftoni vullnetarë të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë në secilën kolonë atë që mësuan. Nëse është e nevojshme, kujtojuani nxënësve sa vijon:
Mbaj mend që “çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë në emër të fëmijëve të Perëndisë. Përdorimi i të gjithë autoritetit të priftërisë në Kishë drejtohet nga njerëzit që mbajnë çelësat e priftërisë” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 3.4.1, ChurchofJesusChrist.org; shih gjithashtu te Doktrina e Besëlidhje 65:2).
Për t’i ndihmuar nxënësit që t’i kuptojnë më mirë çelësat që u rivendosën, ftojini ata t’i studiojnë këta çelësa duke përdorur fragmente të tjera të shkrimit të shenjtë, biseda të konferencës së përgjithshme ose burime të tjera hyjnore. Ata mund të studiojnë poshtëshënime ose të kërkojnë “çelësat e priftërisë”, fjalë të panjohura ose ndonjë nga emrat e vizitorëve qiellorë tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Ata mund t’i kërkojnë “çelësat e rivendosur në Tempullin e Kirtlandit” në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ose ndajini nxënësit në grupe të vogla dhe jepini secilit grup njërën prej veprimtarive të studimit nga fletushka e titulluar “Çelësat e Priftërisë të Rivendosura në Tempullin e Kirtlandit”. Ftojeni secilin grup ta diskutojë fletushkën së bashku dhe të shtojë pikëpamje në grafikun e tij.
Çelësat e Priftërisë të Rivendosura në Tempullin e Kirtlandit
Veprimtaria A e studimit
Moisiu rivendosi çelësat e “mbledhjes së Izraelit” (Doktrina e Besëlidhje 110:11). Çelësat e mbledhjes i autorizojnë ata shërbëtorë që e mbajnë këtë autoritet, t’ua predikojnë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit kombeve të tokës.
Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli:
“Kur flasim për mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit, ne po i referohemi, sigurisht, punës misionare, punës në tempull dhe për historinë familjare. Gjithashtu po i referohemi ndërtimit të besimit dhe të dëshmisë në zemrat e atyre me të cilët jetojmë, punojmë dhe shërbejmë.” (Rasëll M. Nelson “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92)
-
Si mund të ndihmosh për të ndërtuar besim dhe dëshmi në zemrat e atyre me të cilët shoqërohesh çdo ditë?
-
Si është ndikuar jeta jote ose jeta e dikujt që ti e njeh, nga Zoti që na afrohet nëpërmjet punës misionare?
Veprimtaria B e studimit
Eliasi dorëzoi “periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit” (shih te Doktrina e Besëlidhje 110:12). Kjo përfshin rivendosjen e besëlidhjes së Abrahamit.
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:
“Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin … përmbante disa premtime, përfshirë … të gjitha kombet e tokës do të bekohen nga pasardhësit e tij. …
… Ne kemi marrë, siç bënë njerëzit e kohëve të vjetra, priftërinë e shenjtë dhe ungjillin e përjetshëm. Ne kemi të drejtën të marrim plotësinë e ungjillit, të gëzojmë bekimet e priftërisë dhe të kualifikohemi për bekimin më të madh të Perëndisë – që është jeta e përjetshme.” (Rasëll M. Nelson, “Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 87–88)
-
Cilat janë disa mënyra se si Zoti po i bekon individët, familjet dhe kombet nëpërmjet ungjillit të Tij dhe priftërisë së Tij?
-
Çfarë bekimesh të Zotit po përjeton nëpërmjet ungjillit të Tij dhe priftërisë së Tij?
Veprimtaria C e studimit
Elija i rivendosi çelësat vulosës që përfshijnë autoritetin për t’i vulosur familjet së bashku në tempull.
Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Çelësat vulosës, të rivendosur nga profeti i Dhiatës së Vjetër, Elija, bëjnë të mundura ordinancat që ndodhin në tempujt e shenjtë. Ordinancat e kryera në këta tempuj i aftësojnë individët dhe familjet që të kthehen në praninë e prindërve tanë qiellorë.” (Geri E. Stivenson, “Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?”, Liahona, maj 2016, f. 31)
-
Cilat janë disa mënyra se si Zoti na bekon nëpërmjet punës në tempull dhe vulosjeve?
-
Si ka bekuar Zoti ose si mund të bekojë Ai ty dhe familjen tënde nëpërmjet ordinancave të tempullit?
Merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve atë për të cilën reflektuan në fillim të mësimit. Ftojini ata të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit: “Përse janë këta çelësa të rëndësishëm për mua?” Jepuni atyre kohë për të reflektuar dhe për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje bazuar në studimin e tyre ose në atë që mësuan në veprimtari.
“Para ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit”
Shqyrtoji vargjet te Doktrina e Besëlidhje 110:14–16, duke kërkuar ndonjë fjalë ose frazë që lidhet me Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.
-
Çfarë zbulove?
Nxitini nxënësit ta shenjojnë në shkrimet e tyre të shenjta çdo fjalë ose frazë të rëndësishme që zbuluan.
-
Si po na përgatit Shpëtimtari për Ardhjen e Tij të Dytë nëpërmjet çelësave të priftërisë që rivendosën Moisiu, Eliasi dhe Elijah?
-
Përse mendon se toka do të “goditej me një mallkim” (Doktrina e Besëlidhje 110:15) në ardhjen e Zotit pa rivendosjen e këtyre çelësave të priftërisë?
Për ta mbyllur, ftojini nxënësit të plotësojnë sa vijon në ditarët e tyre të studimit. Mund t’u kërkoni disa nxënësve ta tregojnë atë që shkruan.
Imagjino sikur një shoqe të thotë se ajo mësoi rreth çelësave të priftërisë të rivendosura në Tempullin e Kirtlandit. Më pas shoqja jote thotë: “Nuk jam e sigurt se çfarë lidhje ka secila nga këto gjëra me mua”. Duke përdorur atë që mësove sot, shpjegoji se cilët çelësa u rivendosën dhe se si ata e kanë bekuar ose mund ta bekojnë shoqen tënde.