“Mësimi 122 – Doktrina e Besëlidhje 109: Tempulli i Zotit: Një Shtëpi e Lavdisë dhe Fuqisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 109”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 122: Doktrina e Besëlidhje 109–110
Doktrina e Besëlidhje 109
Tempulli i Zotit: Një Shtëpi e Lavdisë dhe Fuqisë
Shenjtorët punuan gati tre vjet për të ndërtuar tempullin e Kirtlandit, tempulli i parë i ndërtuar në këtë periudhë ungjillore. Doktrina e Besëlidhje 109 është lutja përkushtuese që iu zbulua Profetit Jozef Smith nga Zoti. Kjo lutje përmban bekimet që mund të marrim sot. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë më të madhe për ta frekuentuar tempullin dhe për të marrë bekimet e premtuara të Zotit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ndjenjat për tempullin
Merreni parasysh të paraqitni figura të tempujve të ndryshëm. Ju mund t’u kërkoni nxënësve shkurtimisht disa fakte rreth tempujve, si për shembull sa tempuj funksionojnë aktualisht, sa u shpallën në konferencën e përgjithshme të fundit, cili tempull është më afër vendndodhjes së klasës suaj e kështu me radhë.
-
Përse disa njerëz mund të ndihen të emocionuar për frekuentimin e tempullit? Përse disa veta mund të mos ndihen të emocionuar?
Paraqitini thëniet vijuese dhe nxitini nxënësit të përsiatin se sa fort bien dakord me secilën thënie. Përndryshe, ju mund t’i ftoni nxënësit t’i shënojnë ndjenjat e tyre rreth frekuentimit të tempullit në ditarët e tyre të studimit.
-
Tempulli është shtëpia e Perëndisë.
-
Përgatitja për tempullin ose frekuentimi i tij është i rëndësishëm për mua.
-
Unë besoj se ka bekime kuptimplota që Zoti do të m’i japë për përpjekjen për të qenë i denjë për të frekuentuar shtëpinë e Tij.
Përsiat çdo pyetje ose shqetësim që ke rreth përgatitjes për tempullin dhe frekuentimin e tij. Ndërsa studion sot, nëse do, mund t’i lutesh Atit Qiellor që të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë më të madhe për të frekuentuar tempullin e Tij të shenjtë.
Tempulli i Kirtlandit
Paraqitni një figurë të Tempullit të Kirtlandit, si ajo që përfshihet në fillim të mësimit. Tregoni shkurtimisht disa informacione historike rreth këtij tempulli me fjalët tuaja ose ftojini dy nxënës t’i lexojnë paragrafët vijues.
Midis qershorit 1833 dhe marsit 1836, anëtarët e Kishës sakrifikuan kohën, paratë dhe zotërimet që të ndihmonin në ndërtimin e tempullit të parë në këtë periudhë ungjillore. Burrat siguruan punë mjeshtërore për ndërtimin e ndërtesës dhe gratë bënë veshje dhe ofruan strehim për punëtorët. Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhuruan një pjesë të madhe të pasurisë së tyre për ndërtimin e tempullit. Tempulli kushtoi afërsisht 60 000 dollarë amerikanë – një shumë e jashtëzakonshme për atë kohë, duke marrë parasysh veçanërisht varfërinë e shenjtorëve.
Tempulli i Kirtlandit u përkushtua më 27 mars 1836. Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme që morën pjesë në ceremonitë dhe ngjarjet që lidheshin me përkushtimin, përjetuan manifestime shpirtërore të mëdha. Këto përfshinin dëgjimin e tingullit të një ere të fuqishme me shpejtësi, të folurit në gjuhë të ndryshme, të parit e vegimeve dhe dëshmimin e vizitës së engjëjve.
Doktrina e Besëlidhje 109 është lutja përkushtuese që Zoti ia zbuloi Profetit Jozef Smith. Kjo lutje u lexua me zë të lartë gjatë shërbesave përkushtuese. Ky model vazhdon edhe sot, me një lutje përkushtuese të frymëzuar që lexohet gjatë secilës seancë të përkushtimit të tempullit.
Ju mund të merrni parasysh të pyesni a ka marrë pjesë ndonjë nxënës në një përkushtim tempulli. Nëse ka marrë pjesë, një nxënës mund të tregojë atë që ai ose ajo mban mend rreth lutjes përkushtuese.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 109:1–4, duke kërkuar se si filloi kjo lutje përkushtuese e frymëzuar.
-
Çfarë qe kuptimplotë për ty në këto vargje?
Ndërsa nxënësit flasin, ju mund të bëni disa pyetje për ndjekjen e ecurisë si: “Çfarë zbulojnë këto vargje rreth Zotit?” ose “Çfarë ju bën përshtypje rreth qëndrimit të shenjtorëve?” (Për shembuj, shihni vargun 1 dhe 4.)
Qëllimet dhe bekimet e tempullit
Sigurohuni që nxënësit të kenë kohë të mjaftueshme për veprimtarinë vijuese të studimit. Ju mund t’i shkruani fjalët Qëllimet dhe Bekimet në tabelë.
Nxënësit mund të punojnë me një partner për të bërë sa vijon dhe për ta shënuar atë që gjejnë.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 109:5, 11–16, 20–24, duke kërkuar disa nga qëllimet e Zotit për ndërtimin e tempullit të Tij dhe bekimet e premtuara kur ai bëhet.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit të diskutojnë me partnerët e tyre se cilat qëllime dhe bekime janë më domethënëset për ta dhe përse.
Ftojeni secilën dyshe të krijojë një pohim të së vërtetës në bazë të njërës prej pikëpamjeve kuptimplota që ata gjetën. (Ose, në varësi të numrit të nxënësve të klasës, ju mund ta ftoni secilin nxënës të flasë.) Merreni parasysh t’u siguroni nxënësve një fletë letre të vogël ku ta shkruajnë pohimin e tyre dhe ta paraqitin atë në tabelë. Nxënësit mund ta tregojnë më pas pohimin e tyre, vargun ose vargjet ku bazohet ai dhe përse u duket i rëndësishëm.
Nxënësit mund të tregojnë të vërteta të ngjashme me ato në vijim:
-
Në tempull, Zoti mund të na e manifestojë Veten. (Vargjet 5, 12–13.) (Shënim: Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se ka shumë mënyra se si Zoti mund ta manifestojë Veten. Kjo do të diskutohet në mësimin e ardhshëm.)
-
Në tempull, Zoti mund të na armatosë me fuqinë, mbrojtjen dhe ndihmën e Tij. (Vargjet 13, 22.)
-
Tempulli është një vend të mësuari. (Vargjet 14–15.)
-
Adhurimi në tempull mund të na përgatistë për t’i shërbyer Zotit dhe për të predikuar fjalën e Tij. (Vargjet 22–23.)
-
Çfarë mund të na ndihmojnë këto të vërteta të mësojmë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Përse është me vlerë ajo për ty?
Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës t’i lexojnë thëniet vijuese nga të rinj e të reja rreth përvojave të tyre të tempullit. Ftojini nxënësit të kërkojnë shembuj të bekimeve të renditura më lart si edhe të bekimeve shtesë.
“Vetëm mendime lartësuese e mbushin mendjen time në tempull. Është një ndjenjë e mrekullueshme të mendosh për gjërat që mund të bësh për t’i ndihmuar të tjerët. [Kloi D.] …
… Vizitat e rregullta në tempull më kanë ndihmuar ta ndiej Shpirtin më shpesh. Me siguri i ka afruar miqtë e mi më shumë me njëri‑tjetrin. Gjithashtu, shumë nga shokët tanë të klasës pyesin për udhëtimet tona në tempull. …
… Një shoqe … pati mundësinë të merrte rekomandimin e saj të parë me përdorim të kufizuar dhe ka qenë gjë e mirë ta shohësh ndikimin pozitiv që kjo ka pasur në jetën e saj. [Analiza K.] …
… Vetëm nga mundësia për të hyrë [në tempull], e ndjeva se të gjitha telashet që po kaloja në shkollë dhe në vende të tjera, thjesht kishin ikur. Unë u ndjeva në paqe nga qëndrimi në tempull. U pushtova nga ndjenjat e lumturisë. Të qenit në tempull më ndihmoi të përqendrohesha në atë që ishte e nevojshme të bëja në kishë dhe në detyrat e tjera. Ishte kaq e pabesueshme që pata mundësi të shkoja dhe të largohesha nga të gjitha telashet që kisha. [Kol E.]” (“Youth Voices: Attending the Temple”, New Era, prill 2013, f. 5–7)
Frekuentimi i tempullit të shenjtë të Zotit
Merreni parasysh të shfaqni materialin filmik: “The Blessings of the Temple” [“Bekimet e Tempullit”] (3:37) ose “Strength beyond My Own” [“Forcë përtej Forcës Sime”] (3:47). Ftojini nxënësit t’i përsiatin bekimet që kanë ndier duke u përgatitur për të hyrë në tempull ose duke hyrë në të. Një mundësi tjetër mund të jetë të këndoni himnin “Shpirti i Perëndisë” (Himne, nr. 2), që u shkrua për përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit, ose një himn tjetër për tempullin.
Presidenti Rasëll M. Nelson, dëshmoi:
“[Tempulli] është shtëpia e Tij. Është e mbushur me fuqinë e Tij. Le të mos e humbasim kurrë nga sytë atë që Zoti po bën për ne tani. … Ju premtoj se kalimi i më shumë kohe në tempull do ta bekojë jetën tuaj në mënyra të tilla që asgjë tjetër nuk mundet ta bëjë.” (Rasëll M. Nelson, “Përqendrimi tek Tempulli”, Liahona, nëntor 2022, f. 121)
-
Kur i ke përjetuar ti ose dikush afër teje bekimet e tempullit?
Ftojini nxënësit t’i sjellin ndër mend përgjigjet e tyre nga fillimi i mësimit rreth arsyes përse disa njerëz mund të mos ndihen të emocionuar për të frekuentuar tempullin.
-
Çfarë ke mësuar ose ndier që mund ta ndihmojë dikë të përballet me shqetësimet e tij ose ta frymëzosh atë të ndihet ndryshe lidhur me tempullin?
-
Si janë ndikuar sot vetë ndjenjat e tua rreth Zotit dhe tempullit të Tij të shenjtë?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të vendosin një figurë të tempullit në një vend ku do ta shohin atë shpesh. Nxitini nxënësit të vazhdojnë t’i luten Atit Qiellor për dashuri dhe dëshirë më të madhe për të frekuentuar tempujt e Tij të shenjtë.