“Mësimi 123 – Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 1: Shpëtimtari do t’u Shfaqet Shenjtorëve të Tij në Tempull”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 1”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 123: Doktrina e Besëlidhje 109–110
Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 1
Shpëtimtari do t’u Shfaqet Shenjtorëve të Tij në Tempull
Më 3 prill 1836, Zoti Jezu Krisht iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit, duke e përmbushur premtimin e Tij për t’ia “manifest[uar] [Veten] popullit [të Tij] … në këtë shtëpi” (Doktrina e Besëlidhje 110:7). Ky premtim mund të gjejë zbatim te ne sot. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si denjësia jonë na përgatit për t’u afruar më pranë Zotit në tempullin e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Nëse mund të jesh me Shpëtimtarin
Për ta filluar orën mësimore, ftojini nxënësit të imagjinojnë sikur e kanë pasur mundësinë ta shohin Shpëtimtarin Jezu Krisht personalisht.
Përndryshe, ju mund të paraqitni një figurë të shërbesës së Shpëtimtarit ndër njerëzit e kontinentit të lashtë amerikan ose të shfaqni materialin filmik “Jesus Christ Appears in the Ancient Americas” [“Jezu Krishti Shfaqet në Kontinentin e Lashtë Amerikan”] nga kodi kohor 11:52 deri në 14:05. Ftojini nxënësit të imagjinojnë sikur ishin atje. Pas materialit filmik, mund të bëni pyetje si vijueset:
-
Cilat janë disa bekime që mund të marrësh nga të qenit me Shpëtimtarin?
-
Si mund të ndikojnë këto bekime në jetën tënde?
Ndërsa studion sot, kërko mënyrat se si mund të afrohesh më pranë me Zotin shpirtërisht dhe të shijosh bekimet që Ai dëshiron të të japë.
Shpëtimtari shfaqet në Tempullin e Kirtlandit
Për t’i përgatitur nxënësit për ta studiuar shfaqjen e Shpëtimtarit në Tempullin e Kirtlandit, të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 110, merreni parasysh t’u kujtoni atyre bekimet që Zoti ua premtoi shenjtorëve nëse do të ndërtonin një tempull (shihni te Doktrina e Besëlidhje 97:15–16). Nxënësit mund të shqyrtojnë edhe disa nga bekimet për të cilat u lut Jozef Smithi në përkushtimin e tempullit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 109:12).
Paragrafi vijues mund të lexohet me zë të lartë ose të përmblidhet për të dhënë kontekstin historik për kapitullin te Doktrina e Besëlidhje 110. Ftojini nxënësit t’i përfytyrojnë këto ngjarje dhe se si mund të ishin ndier po të kishin qenë atje.
Në pasditen e Pashkës më 3 prill 1836, u mbajt një mbledhje e sakramentit në Tempullin e sapopërkushtuar të Kirtlandit. Pasi bashkësisë iu administrua sakramenti, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri shkuan pas perdes që mbulonte altarin për t’u lutur në heshtje. Atje ata panë serinë e vizitave hyjnore të shënuara te Doktrina e Besëlidhje 110. (Shih te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 [2018], f. 239–240.)
Shënim: Mësimi i radhës (“Doktrina e Besëlidhje 110, Pjesa 2”) trajton vizitat qiellore që e pasuan shfaqjen e Shpëtimtarit në tempull.
Ndërsa lexon te Doktrina e Besëlidhje 110:1–4, përsiat për atë që mund të kishe menduar ose ndier po të kishe qenë me Jozefin dhe Oliverin gjatë këtij vegimi.
-
Çfarë të bëri përshtypje rreth mënyrës se si Shpëtimtari e paraqiti Veten te vargu 4?
-
Çfarë do të thotë për ty që Shpëtimtari është Avokati ynë me Atin? (Shih te Doktrina e Besëlidhje 45:3–5.)
Shpëtimtari premton se do të na e manifestojë Vetveten në tempull
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 110:5–10, duke kërkuar arsyet përse Shpëtimtari tha se të gjithë shenjtorët e Tij duhet të gëzojnë.
Përqendrohuni te parimet që kthejnë në besim: Ky ushtrim mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë një parim që kthen në besim. Për t’u ushtruar më shumë me përqendrimin në parimet që kthejnë në besim, shihni trajnimin e titulluar “Përqendrohuni tek të vërtetat që çojnë drejt kthimit në besim dhe ndërtojnë besimin te Jezu Krishti” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Jepeni Mësim Doktrinën. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë “Bëni pyetje që i ndihmojnë nxënësit t’i përcaktojnë dhe thonë parimet e kthimit në besim”.
-
Cilat fjalë ose fraza në këto vargje ishin kuptimplota ose interesante për ty?
-
Si mund të na ndihmojnë vargjet 5 dhe 8 të përgatitemi për t’u afruar më pranë Zotit në tempull?
Ndër të vërtetat që nxënësit mund të zbulojnë nga këto vargje, ndihmojini ata të kuptojnë se, nëse i mbajmë urdhërimet dhe përpiqemi fort të jemi të pastër përpara Zotit, Ai do të na e manifestojë Vetveten në tempullin e Tij.
-
Përveç se të shfaqej fizikisht, cilat janë disa mënyra të tjera se si Shpëtimtari mund të na e manifestojë Vetveten në tempull? (Disa shembuj shfaqen në vargjet 8–9.)
Mënyrat e tjera se si Shpëtimtari mund të na e manifestojë Vetveten mund të përfshijnë të folurit me zërin e Tij (vargu 8) dhe dhënien e bekimeve dhe një dhurimi [indaumenti] ose dhurate të fuqisë shpirtërore nga lart (vargu 9). Në tempull, ne mund të marrim disa nga po ato bekime që nxënësit mund t’i kenë menduar në fillim të mësimit. Këto bekime mund të përfshijnë arritjen në njohjen më të mirë të Shpëtimtarit dhe marrjen e udhërrëfimit, paqes dhe shërimit.
Mbajtja e urdhërimeve të Zotit dhe të qenit të pastër
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë më shumë rreth mbajtjes së urdhërimeve dhe përpjekjes së fortë për të qenë të pastër, ju mund t’i vini ata t’i shqyrtojnë pyetjet e rekomandimit të tempullit, duke kërkuar atë që Zoti pret nga ne përpara se të mund të hyjmë në shtëpinë e Tij (shihni te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve ([2022], f. 36–37). Nxënësit mund të kenë bërë tashmë diçka të ngjashme kur e studiuan mësimin “Doktrina e Besëlidhje 97”.
Ju mund të vizatoni ose ta ftoni një nxënës ta vizatojë diagramin vijues në tabelë. Nxënësit mund ta kopjojnë figurën në ditarët e tyre të studimit. Ata mund ta renditin përgjatë shtegut atë që mësojnë nga shqyrtimi i pyetjeve të rekomandimit të tempullit.
-
Si mendon, përse Zoti dëshiron që ne të përpiqemi fort që t’i mbajmë urdhërimet me qëllim që të vijmë më pranë Tij në tempull?
-
Çfarë do të thotë për ty të jesh i pastër ose i denjë përpara Zotit?
Vëllai Bredli R. Uilkoks, i Presidencës së Përgjithshme të Të Rinjve, dha mësim:
“Mesazhi i Perëndisë është se denjësia nuk është të jesh i patëmetë. Denjësia është të jesh i ndershëm dhe të përpiqesh. Ne duhet të jemi të ndershëm me Perëndinë, udhëheqësit e priftërisë dhe të tjerët që na duan, dhe duhet të përpiqemi fort që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe të mos heqim kurrë dorë ngaqë rrëshqasim. …
… Mbajeni mend që ndryshimi është i mundur, pendimi është një proces dhe denjësia nuk është të jesh i patëmetë. Më e rëndësishmja, mbajeni mend që Perëndia dhe Krishti janë të gatshëm të na ndihmojnë pikërisht këtu dhe tani. …
… Plaku Diter F. Uhtdorf ka thënë: ‘Perëndia nuk ka nevojë për njerëz që janë pa të meta. Ai kërkon ata që do të ofrojnë “zemrën dhe një mendje të gatshme” [Doktrina e Besëlidhje 64:34] dhe Ai do t’i bëjë ata “të përsosur në Krisht” [Moroni 10:32–33].’” (Bredli R. Uilkoks, “Denjësia Nuk Është të Jesh i Patëmetë”, Liahona, nëntor 2021, f. 62, 67)
-
Si mund ta ndihmojë ky mesazh dikë që pyet veten nëse është i denjë për të qenë në tempull dhe në praninë e Shpëtimtarit?
Demonstroje kuptueshmërinë tënde
Për t’i ndihmuar nxënësit ta demonstrojnë kuptueshmërinë e tyre, ju mund të jepni skenarë si ata në vijim:
Imagjino sikur një shok pyet veten a ia vlen të përpiqesh fort për të qenë i denjë për të adhuruar në tempull. Një shok tjetër pyet veten a është e mundur që ai të bëhet ndonjëherë i denjë mjaftueshëm për të qenë në tempull. Përzgjidh njërën nga këto situata dhe përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Nga ajo që ke mësuar sot, si do t’u përgjigjeshe shqetësimeve të shokut tënd?
-
Çfarë shpreson se do të kuptonte shoku yt rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe tempullit?
Ftojini nxënësit të japin mendimet e tyre. Merreni parasysh të tregoni ndjenjat tuaja rreth premtimit të Shpëtimtarit për të na e manifestuar Vetveten në tempujt e Tij ndërsa përpiqemi fort t’i mbajmë urdhërimet dhe të jemi të pastër.