“Mësimi 111 – Doktrina e Besëlidhje 97: Sioni – Të Kulluarit në Zemër”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 97”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 111: Doktrina e Besëlidhje 94–97
Doktrina e Besëlidhje 97
Sioni – Të Kulluarit në Zemër
Megjithëse përjetuan përndjekje të rëndë, shenjtorët në tokën e Sionit (konteja Xhekson në Misuri) donin të dinin vullnetin e Zotit për ta. Zoti u dha atyre mësim rreth bekimeve të të qenit të kulluar në zemër. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të bëhen të kulluar në zemër.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ujë i pastër
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore me një mësim me sende duke përdorur ujin. Tregojini klasës ujë të pastër dhe diskutoni bekimet e ujit të pastër dhe pasojat e përdorimit të ujit të papastër. Ju mund t’i ndihmoni nxënësit t’i krahasojnë bekimet e ujit të pastër me bekimet e pasjes së një zemre të kulluar.
-
Cilat janë disa përfitime të pasjes së ujit të pastër dhe të kulluar?
-
Kur uji është i papastër, cilat janë disa mënyra për ta pastruar atë?
-
Si mund të krahasohet uji i pastër me një zemër të kulluar?
Te Doktrina e Besëlidhje 97, Zoti shpreh dëshirat e Tij që populli i Tij të ketë zemër të kulluar. Ndërsa studion sot, mendo rreth gjendjes së zemrës sate. Kërko frymëzim për të kuptuar bekimet e lejimit që Zoti ta pastrojë zemrën tënde.
Sioni është të kulluarit në zemër
Një grup pleqsh në “Sion”, një emër që në atë kohë përdorej kur i referoheshin kontesë së Xheksonit në Misuri, donin të dinin vullnetin e Zotit për ta, prandaj ata i shkruan një letër Jozef Smithit për të kërkuar përgjigje. Si përgjigje, Zoti përshkroi planet e mëdha për shkollën, Kishën dhe madje tempullin në tokën e Sionit. Që t’i shtynte shenjtorët për të qenë të kulluar dhe pranues të Tij, Zoti krahasoi dy pemë: një që do të pritej dhe një tjetër që ishte e frytshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 97:1–10). Ashtu siç Zoti e quajti popullin e Enokut Sion (shih te Moisiu 7:18), Zoti donte që t’i quante shenjtorët e Tij në ditët e mëvonshme Sion. Ai donte që ata të bëheshin si Ai, jo vetëm të jetonin në një vend të quajtur Sion.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 97:21, duke kërkuar mënyrën se si Zoti e përshkroi Sionin.
Nëse dëshironi, mund të shkruani Sioni është të kulluarit në zemër në tabelë. Ju mund t’i ftoni nxënësit të shenjojnë fjalë në shkrimet e tyre të shenjta që e japin mësim këtë të vërtetë.
Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për t’iu përgjigjur pyetjes vijuese, ju mund t’i drejtoni ata te Mosia 5:2 ose Alma 13:12.
-
Çfarë mendon se do të thotë të jesh i kulluar në zemër?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim rreth asaj që mund të bëjmë për të qenë të kulluar:
“Zoti nuk pret përsosuri prej nesh në këtë pikë të përparimit tonë të përjetshëm. Por Ai vërtet pret që ne të bëhemi gjithnjë e më të pastër. Pendimi i përditshëm është shtegu drejt pastërtisë dhe pastërtia sjell fuqi.” (Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 68)
-
Çfarë të ndihmon kjo thënie të kuptosh rreth pastërtisë?
Bekimet e Zotit në dispozicion në tempuj
Te Doktrina e Besëlidhje 97:10–21, Zoti i dha popullit të tij udhëzime që do ta ndihmonin të ishte i kulluar në zemër. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 97:10–12, duke kërkuar se çfarë udhëzimesh i dha Zoti popullit të Tij.
-
Çfarë di ti rreth tempujve të Zotit që të ndihmon të kuptosh përse ata mund ta ndihmojnë popullin e Tij të jetë i kulluar në zemër?
Ky mund të jetë një rast i mirë për t’i ndihmuar nxënësit të ushtrojnë zotësinë e studimit të shkrimeve të shenjta të gjetjes së listave në shkrimet e shenjta. Nxënësit mund t’i renditin bekimet që do të vinin nga ndërtimi i tempullit.
Ju gjithashtu mund të vizatoni një përvijim të një tempulli në tabelë. Ftojini nxënësit ta plotësojnë atë me fjalë dhe fraza që i përshkruajnë bekimet e Zotit.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 97:13–21, duke kërkuar bekimet që përshkroi Zoti, që janë të lidhura me adhurimin në tempujt e Tij.
-
Si mund të na shtyjnë këto bekime të jemi të kulluar në zemër?
Nxënësit mund të kenë vënë re se një nga bekimet që Zoti premtoi, ishte se të kulluarit në zemër “do ta shohin Perëndinë” (vargu 16). Nëse dëshironi, ju mund t’i ftoni nxënësit ta lidhin këtë varg me vargjet te Psalmeve 24:3–5 dhe Mateu 5:8 dhe t’i pyesni ata se çfarë lidhjesh vënë re në këto vargje ndërmjet të qenit i kulluar në zemër dhe të parit të Perëndisë.
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, citoi vargun te Doktrina e Besëlidhje 97:15–17 dhe dha mësim se çfarë domethënie mund të ketë ta shohësh Perëndinë në tempull:
“Presidenti Rasëll M. Nelson na e qartësoi se ne mund ta ‘shohi[m]’ Shpëtimtarin në tempull, në kuptimin që Ai nuk është më i panjohur për ne. Presidenti Nelson tha këtë: ‘Ne e kuptojmë Atë. E kuptojmë veprën e Tij dhe lavdinë e Tij. Dhe fillojmë ta ndiejmë ndikimin e pafundmë të jetës së Tij të pakrahasueshme’ [Teachings of Russell M. Nelson (2018), f. 369].
Nëse ju apo unë do të shkonim në tempull jo mjaftueshëm të pastër, ne nuk do të ishim në gjendje të shihnim, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, mësimin shpirtëror rreth Shpëtimtarit që mund ta marrim në tempull.” (Henri B. Ajring, “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh”, Liahona, maj 2021, f. 30)
-
Si mund ta shtyjë ky premtim dikë të bëhet i kulluar në zemër?
-
Përse mendon se Zoti kërkon një zemër të kulluar për të hyrë në tempull?
Të bëhesh i kulluar në zemër
Ju mund t’i ndihmoni nxënësit të diskutojnë se si intervista për rekomandimin e tempullit mund të na ndihmojë të vlerësojmë a jemi të kulluar në zemër. Mbase disa nxënës që u intervistuan kohët e fundit për të marrë një rekomandim tempulli, mund të tregojnë se si ishte për ta t’u përgjigjeshin atyre pyetjeve. Mund të jepni edhe ftesën vijuese:
Pyetjet e intervistës për rekomandimin e tempullit mund të gjenden te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve. Shpenzo kohë për ta përsiatur secilën prej pyetjeve të rekomandimit të tempullit. Mendo se si përgjigjet e tua e reflektojnë gjendjen e zemrës sate.
Jepuni kohë nxënësve të reflektojnë mbi këto pyetje në orën mësimore. Pasi nxënësit ta kenë përsiatur secilën pyetje, ju mund t’i nxitni ata të zgjedhin një ose dy gjëra që ata mund t’i bëjnë që mund të ndihmojnë për t’i pastruar zemrat e tyre. Mund t’u kërkoni nxënësve të përgjigjen për pyetjet vijuese në ditarët e tyre:
-
Çfarë do të bësh për ta lejuar Zotin ta pastrojë zemrën tënde?
-
Si mendon, përse është kaq e rëndësishme edhe për Atin Qiellor, edhe për Jezu Krishtin që zemra jote të jetë e pastër?