Seminari
Mësimi 112 – Ushtrimi 7 i Zotërimit Doktrinor: Mëso Përmendsh; Marrja e Njohurisë Shpirtërore


“Mësimi 112 – Ushtrimi 7 i Zotërimit Doktrinor: Mëso Përmendsh; Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Ushtrimi 7 i Zotërimit Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 112: Doktrina e Besëlidhje 94–97

Ushtrimi 7 i Zotërimit Doktrinor

Mëso Përmendsh; Marrja e Njohurisë Shpirtërore

grup miqsh duke ecur

Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë themelin për jetën e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim do t’u japë mundësi nxënësve për të ushtruar zotërimin e fragmenteve të zotërimit doktrinor dhe doktrinën që mësohet tek ato. Ai do t’i ndihmojë ata gjithashtu t’i mësojnë dhe zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përsëritja e zotërimit doktrinor: mëso përmendsh

Merreni parasysh ta nisni orën mësimore me një veprimtari të shkurtër që mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë rëndësinë e mësimit përmendsh të referencave të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimeve të shenjta. Për shembull, ju mund të paraqitni para, ushqim, një ditar ose sende të tjera që njerëzit mund t’i ruajnë. Ftojini nxënësit të diskutojnë për pyetjet vijuese me një partner.

  • Përse njerëzit mund t’i grumbullojnë ose ruajnë këto sende?

  • Cilat janë disa gjëra të tjera që njerëzit mund t’i grumbullojnë dhe ruajnë për t’i përdorur në të ardhmen?

  • Si mund të lidhet kjo me mësimin përmendsh të referencave të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë?

Nëse dëshironi, mund t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që diskutuan me partnerët e tyre. Plotësojeni sa vijon si klasë.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 84:85. Kërkoje premtimin që jep Zoti nëse do ta mbajmë ose ruajmë si thesar fjalën e Tij në mendjen tonë.

  • Çfarë nënkuptohet me “fjalët e jetës”?

  • Cilat janë disa mënyra të ndryshme se si ti ke provuar ta ruash fjalën e Perëndisë si thesar në mendjen tënde?

  • Si të kanë ndihmuar këto përpjekje ta ndiesh dashurinë ose fuqinë e Perëndisë në jetën tënde?

    Ftojini nxënësit të mendojnë për rastet në jetën e tyre kur një fragment i zotërimit doktrinor ose shkrim tjetër i shenjtë u ka ardhur në mendje në një kohë nevoje, si për shembull kur po përballeshin me një vendim të vështirë ose po kërkonin përgjigje për një pyetje. Merreni parasysh të tregoni shembuj të mënyrës se si mësimi përmendsh i shkrimeve të shenjta e ka bekuar jetën tuaj.

  • Si të ka bekuar Zoti duke të të ndihmuar të sjellësh ndër mend një shkrim të shenjtë pikërisht në çastin kur kishe nevojë për të?

    Jepuni kohë nxënësve për ta ruajtur si thesar fjalën e Perëndisë në mendjen e tyre duke mësuar përmendsh referencat e zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë. Në vijim është një mënyrë për ta bërë këtë gjë. (Ide shtesë për mësimin përmendsh gjenden në shtojcën në fund të këtij manuali, nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”. Veprimtaria që zgjodhët të përdorni, nuk duhet të zgjatë më shumë se 10 ose 15 minuta që nxënësit të kenë kohë për ta ushtruar zbatimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore më vonë në mësim.)

    Merreni parasysh të përgatitni shumë letra të vogla ose karta për nxënësit dhe t’u jepni atyre udhëzimet vijuese.

  • Zgjidh tre deri në pesë fragmente të zotërimit doktrinor që ti e ndien se do të ishin me vlerë për t’u “ruajtur si thesar” ose mësuar përmendsh.

  • Reflekto mbi mënyrën se si ruajtja si thesar e këtyre referencave mund të të ndihmojë të ndjekësh Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij.

  • Krijo një kartë ilustrimi për secilin fragment që ke zgjedhur, duke e shkruar referencën në pjesën e përparme të letrës dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë në pjesën e pasme.

  • Ushtroje mësimin përmendsh të përmbajtjes në të dyja anët e secilës kartë ilustrimi.

Pas njëfarë kohe, nxënësit mund t’i shkëmbejnë kartat e ilustrimit me një shok klase dhe të ushtrojnë mësimin përmendsh të referencave shtesë të zotërimit doktrinor. Ata gjithashtu mund të pyetin njëri-tjetrin duke përdorur kartat e ilustrimit që krijuan.

Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore

Pjesa tjetër e mësimit përqendrohet te ndihma ndaj nxënësve për t’i shqyrtuar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe tek ushtrimi i përdorimit të tyre me një skenar rreth Fjalës së Urtësisë.

Merreni parasysh t’ua jepni nxënësve skenarin vijues. Ju mund t’i ftoni nxënësit të ndihmojnë që ta përshtatin skenarin për ta bërë atë më të lidhur me situatat me të cilat mund të përballen në lidhje me Fjalën e Urtësisë.

Disa prej shokëve të tu që nuk janë anëtarë të Kishës, të kanë pyetur se përse ti nuk pi kafe, çaj ose alkool. Pasi e shpjegon shkurtimisht atë që di rreth Fjalës së Urtësisë, shokët e tu përmendin se sa kufizuese mendojnë se është dhe të pyetin: “Përse do të donte dikush të jetonte në atë mënyrë?”

  • Cili parim i marrjes së njohurisë shpirtërore ndien se do të ishte më i dobishëm për t’u marrë parasysh ndërsa u përgjigjesh shokëve të tu? Përse?

Ndërsa nxënësit i përgjigjen pyetjes së mëparshme, ju mund të jeni në gjendje të vlerësoni se sa mirë i kuptojnë ata parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Mund të përdorni më pas veprimtarinë vijuese ose ta përshtatni atë sipas nevojës.

Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe të vogla. Ftojeni secilin grup të përzgjedhë një parim të marrjes së njohurisë shpirtërore për ta studiuar. Ftojini nxënësit ta studiojnë parimin e zgjedhur prej tyre nga paragrafët 5–12 te materiali Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Ndërsa ata studiojnë, ftojeni secilin grup të shkruajë një ose dy pyetje të lidhura me parimin e tyre. Këto mund të jenë pyetje që mund t’i ndihmojnë ata t’u përgjigjen shokëve të tyre në skenarin e mëparshëm. Ju mund t’i përdorni pyetjet vijuese si shembuj ose nëse nxënësve u nevojitet ndihmë.

Veproni me besim

  • Në ç’mënyrë është zotimi yt për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 89) një vepër besimi te Jezu Krishti?

  • Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij që mund të të ndihmojë t’i bindesh Fjalës së Urtësisë edhe nëse nuk e kuptove plotësisht atë?

Shqyrtojini konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Si ndikon kuptueshmëria e planit të shpëtimit të Perëndisë në këndvështrimin tënd për Fjalën e Urtësisë?

  • Cilat janë disa dobi afatshkurtra që njerëzit mund të besojnë se do t’i marrin duke mos iu bindur Fjalës së Urtësisë? Si krahasohen këto përfitime me bekimet afatgjata të premtuara nga Shpëtimtari ndërsa i bindemi Fjalës së Urtësisë? (Shih te Doktrina e Besëlidhje 89:18–21.)

Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Cilat janë disa gjëra që mësove gjatë studimit te Doktrina e Besëlidhje 89, që mund të jenë të dobishme ndërsa u përgjigjesh shokëve të tu?

  • Cilat janë disa fragmente shtesë të zotërimit doktrinor që mund të ndihmojnë?

  • Si kanë ndikuar burimet e caktuara në mënyrë hyjnore si Fryma e Shenjtë, prindërit e tu ose udhëheqësit e Kishës në dëshirën tënde për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë?

Kur nxënësit të kenë mbaruar, ftojini ata t’i shkëmbejnë pyetjet me një grup tjetër. Jepuni kohë atyre për të diskutuar me grupin e tyre se si ata do t’u përgjigjeshin pyetjeve të njëri-tjetrit. Nxënësit mund të ushtrojnë më pas interpretimin me role të mënyrës se si ata do të përgjigjeshin në skenar duke i përdorur përgjigjet e tyre.

Pas veprimtarisë, ftojini nxënësit të tregojnë idetë që iu kanë ardhur nga pyetjet ose përgjigjet e anëtarëve të grupit të tyre. Nëse ka kohë, ju gjithashtu mund t’i ftoni nxënësit t’i tregojnë përvojat që kanë pasur duke u dhënë mësim ose dëshmuar të tjerëve për Fjalën e Urtësisë.