“Mësimi 126 – Doktrina e Besëlidhje 112: ‘Zoti, Perëndia Yt, do të të Udhëheqë [për Dore]’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 112”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 126: Doktrina e Besëlidhje 111–114
Doktrina e Besëlidhje 112
“Zoti, Perëndia Yt, do të të Udhëheqë [për Dore]”
Përulësia e Jezu Krishtit e ndihmoi Atë ta kuptonte dhe përmbushte vullnetin e Atit të Tij gjatë gjithë shërbesës së Tij në vdekshmëri (shih te Gjoni 5:30). Te Doktrina e Besëlidhje 112, Shpëtimtari i dha mësimin Tomas B. Marshit se përulësia mund të na ndihmojë të marrim drejtim nga Ati ynë Qiellor. Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të kërkojnë përulësisht udhërrëfim nga Ati Qiellor.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kërkimi i udhërrëfimit hyjnor
Për t’i përgatitur nxënësit për të mësuar rreth marrjes së udhërrëfimit nga Ati Qiellor, ju mund të paraqitni pyetjet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i përsiatin përgjigjet e tyre. Gjithashtu, mund t’i vini nxënësit të zgjedhin një ose dy prej pyetjeve për t’iu përgjigjur në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë udhërrëfimi të nevojitet nga Ati Qiellor në jetën tënde?
-
Çfarë të ndihmon të marrësh udhërrëfim nga Ati Qiellor?
-
Çfarë e pengon ndonjëherë marrjen e udhërrëfimit nga Ati Qiellor?
Ndërsa e diskutojmë njërin prej mësimeve të Shpëtimtarit rreth marrjes së udhërrëfimit hyjnor, kushtoji vëmendje asaj që të mëson Shpirti rreth mënyrës se si mund ta përmirësosh aftësinë tënde për t’u udhëhequr prej Tij.
Përulësia çon në udhërrëfim hyjnor
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë më shumë rreth kontekstit të seksionit te Doktrina e Besëlidhje 112 dhe përse Tomas B. Marshi po kërkonte udhërrëfim nga Zoti, mund të paraqitni informacionin vijues dhe ta ftoni një nxënës ta lexojë atë:
Në vitin 1837, Tomas B. Marshi po shërbente si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Një frymë e braktisjes së madhe dhe e gjetjes së fajit ishte zhvilluar ndër disa prej shenjtorëve të Kirtlandit, duke përfshirë disa anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në janar të vitit 1837, udhëheqësit e Kishës organizuan një bankë të quajtur Shoqëria e Sigurisë e Kirtlandit. Pasi u përball me një shumëllojshmëri sfidash, duke përfshirë një krizë financiare mbarëkombëtare, banka përfundimisht falimentoi, duke e përforcuar protestën kundër Profetit Jozef Smith. I shqetësuar për këto përçarje, Tomas B. Marshi u largua nga shtëpia e tij në Misuri dhe udhëtoi drejt Kirtlandit, i vendosur të takohej me Të Dymbëdhjetët dhe të tregonte përkrahje ndaj Jozefit. Megjithatë, pas mbërritjes së tij, Presidenti Marsh mësoi se Jozefi kishte dërguar dy anëtarë të Të Dymbëdhjetëve në Angli për misione. Si president i kuorumit, Presidenti Marsh u mërzit që Jozefi nuk kishte kërkuar në fillim këshillën e tij. Megjithatë, Tomas B. Marshi e vizitoi Jozef Smithin për të kërkuar drejtim nga Zoti.
Vendosni se cila metodë e leximit do t’i ndihmonte më mirë nxënësit t’i studiojnë vargjet vijuese. Mund t’i ndani vargjet mes nxënësve individualë ose grupeve të nxënësve. Ose nxënës të shumtë mund të dalin vullnetarë për të lexuar grupe vargjesh me zë të lartë ndërsa anëtarët e klasës i ndjekin.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 112:2–3, 10, 12–15, 20–22, 28, 33–34, duke kërkuar këshillën që Zoti ia dha Tomas B. Marshit, që do ta ndihmonte atë të merrte udhërrëfim nga Zoti.
-
Cilat fjalë ose fraza kuptimplota gjete?
-
Cilat janë disa parime që mund t’i përcaktojmë nga këto vargje?
Nxënësit mund të përcaktojnë shumë parime nga studimi i tyre. Ndiqini nxitjet nga Fryma e Shenjtë për të bërë pyetje për ndjekjen e ecurisë dhe për ta thelluar kuptueshmërinë e nxënësve për parimet që ata i përcaktojnë. Pjesa tjetër e këtij mësimi do të përqendrohet në të vërtetën që, nëse jemi të përulur, Ati Qiellor do të na drejtojë dhe do t’u përgjigjet lutjeve tona (shihni te vargu 10).
Për t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë parim, merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe për t’i diskutuar pyetjet vijuese. Ata mund të lexojnë më pas thënien e Plakut Soares dhe të diskutojnë pyetjen në vijim:
-
Si do ta përkufizoje përulësinë?
-
Si mendon se na ndihmon përulësia të marrim përgjigje për lutjet tona?
Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Unë besoj, vëllezër dhe motra, se vetëm ata që janë të përulur, janë në gjendje të njohin dhe të kuptojnë përgjigjet e Zotit ndaj lutjeve të tyre. Të përulurit janë të mësueshëm, duke njohur sa të varur janë nga Perëndia dhe duke dëshiruar të jenë të nënshtruar ndaj vullnetit të Tij. Të përulurit janë të bindur dhe kanë aftësinë të ndikojnë te të tjerët që të jenë po ashtu. Premtimi i Perëndisë për të përulurit është që Ai do t’i udhëheqë ata përdore. Unë vërtet besoj se ne do t’i shmangim devijimet dhe brengën në jetën tonë për sa kohë do të ecim përdore me Zotin.” (Ulises Soares, “Jini të Bindur dhe të Përvuajtur në Zemër”, Liahona, nëntor 2013, f. 10)
-
Çfarë tjetër gjete që të ndihmon ta thellosh kuptueshmërinë tënde për vargun 10?
Nëse dëshironi, mund t’u jepni një mundësi të shpejtë pak grupeve që ta tregojnë atë që mësuan nga diskutimi i tyre.
Mënyrat se si mund të jemi të përulur në lutjet tona
Mendoni për mënyra për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se si ne mund të demonstrojmë përulësi në lutjet tona. Nxënësit mund të renditin ide në tabelë. Ata gjithashtu mund të studiojnë dhe diskutojnë disa nga idetë vijuese. Jepuni nxënësve një mundësi për ta treguar atë që Shpirti po u jep mësim atyre.
Sa vijon janë disa mënyra se si ne mund të tregojmë përulësi kur lutemi:
-
Ne mund të shprehim mirënjohje (shih shembullin e Shpëtimtarit te 3 Nefi 19:19–20, 27–28).
-
Ne mund t’i pranojmë dobësinë tonë dhe fuqinë e Atit Qiellor (shih shembullin e vëllait të Jaredit tek Ethëri 3:1–6).
-
Ne mund të kërkojmë korrigjim (shih materialin filmik “How I #HearHim: Elder Neil L. Andersen” [“Mënyra se si e Dëgjoj Unë Atë: Plaku Nil L. Andersen #DëgjojeAtë”] [2:51], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org; shih gjithashtu te Hebrenjve 12:5–9).
Mund edhe t’i ftoni nxënësit të reflektojnë për kohët kur Ati Qiellor u është përgjigjur lutjeve të tyre për t’u dhënë udhërrëfimin dhe drejtimin që u nevojitej. Disa nxënës të gatshëm mund t’i tregojnë përvojat e tyre.
Sa vijon ka për qëllim t’u japë nxënësve një mundësi për të bërë një plan për të kërkuar me përulësi udhërrëfim nga Ati Qiellor:
Mbaj vesh për nxitje nga Fryma e Shenjtë ndërsa u përgjigjesh pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Çfarë udhërrëfimi ose drejtimi po kërkon nga Ati Qiellor?
-
Çfarë mund të bësh për ta kërkuar me përulësi udhërrëfimin e Tij?
Ftojini nxënësit që të veprojnë sipas mbresave që morën. Mund të tregoni një përvojë vetjake rreth marrjes së udhërrëfimit të Atit Qiellor në jetën tuaj.