“Mësimi 125 – Doktrina e Besëlidhje 111: ‘Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 111”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 125: Doktrina e Besëlidhje 111–114
Doktrina e Besëlidhje 111
“Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj”
Në vitin 1836, Kisha qe zhytur në borxhe. Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës udhëtuan për në Salem të Masaçusetsit, ku ata shpresonin se do të gjenin para për t’i paguar borxhet e Kishës. Më 6 gusht 1836, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 111. Në këtë zbulesë, Zoti e siguroi atë lidhur me borxhin e Kishës dhe mirëqenien e Sionit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë mirëbesim më të madh në Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Si do të shkojnë gjërat?
Fillojeni orën mësimore duke i ftuar nxënësit të mendojnë rreth sfidave me të cilat përballen zakonisht adoleshentët, që mund të bëjnë që ata të ndihen të shkurajuar ose të frikësohen se gjërat nuk do të bëhen më mirë. Më pas mund të vizatoni në tabelë një shkallë si ajo më poshtë dhe t’i ftoni nxënësit ta përdorin atë për t’iu përgjigjur pyetjes më poshtë.
-
Si mendon, sa të sigurt janë shumica e adoleshentëve se gjërat do të shkojnë për të mirën e tyre?
Përsiat se si do ta vlerësoje veten në këtë shkallë lidhur me problemet ose sfidat me të cilat po përballesh aktualisht ose mund të përballesh në të ardhmen.
Një kohë e trazuar për Jozef Smithin dhe të tjerët
Merreni parasysh ta ftoni një nxënës që ta lexojë sfondin kontekstual vijues, ose mund ta përmblidhni atë me vetë fjalët tuaja. Përndryshe, mund t’i ftoni nxënësit të lexojnë nga kapitulli 22 i materialit Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëll. 1, The Standard of Truth [Standardi i së Vërtetës], 1815–1846 ([2018], f. 258–259), ose mund të vini variantin zanor të atij kapitulli (në dispozicion në saints.ChurchofJesusChrist.org) nga kodi kohor 16:14 deri në 17:00. Mund të vini në dukje se ashtu siç ne në jetën tonë përballemi me sfida që mund të jenë shkurajuese, në vitin 1836 Jozef Smithi dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës u përballën me sfida që u shkaktuan atyre shqetësim të madh në lidhje me të ardhmen e Sionit.
Deri në vitin 1836, Kisha ishte zhytur në borxhe për shkak të kostove të ndërtimit të Tempullit të Kirtlandit dhe blerjes së tokave në Ohajo dhe Misuri. Në të njëjtën kohë, shenjtorët në Kontenë Klei në Misuri po i detyronin të transferoheshin. Në fund të korrikut të vitit 1836, me këto shqetësime që u rëndonin shumë në mendje, Jozef Smithi dhe Hajrëm Smithi, Oliver Kaudëri dhe Sidni Rigdoni udhëtuan më shumë se 600 milje (965 kilometra) nga Kirtlandi i Ohajos për në Salem të Masaçusetsit. Ndërkohë që arsyeja për udhëtimin e tyre nuk është e sigurt, ata mund të kenë vepruar sipas informacionit që menduan se mund t’i ndihmonte ta lehtësonin borxhin e Kishës. Një rrëfim thotë se një anëtar i Kishës i kishte treguar Jozef Smithit për një shtëpi në Salem në të cilën ishte fshehur një shumë e madhe parash. (Shih hyrjen historike të materialit “Revelation, 6 gusht 1836 [DeB 111]”, f. 35, josephsmithpapers.org.)
-
Si mendon, sa i sigurt ishte Jozef Smithi se problemet me të cilat po përballej Kisha, do të rregulloheshin për mirë?
Ndërsa nxënësit studiojnë seksionin te Doktrina e Besëlidhje 111, ftojini ata të kërkojnë zbulesë rreth mënyrave se si Zoti mund të na ndihmojë ta shtojmë vetëbesimin tonë se problemet dhe sfidat tona mund të rregullohen për të mirën tonë.
“Pavarësisht nga marrëzitë tuaja”
Merreni parasysh t’i shkruani grupimet vijuese të vargjeve në tabelë. Një mënyrë për t’i studiuar këto është ta lexoni grupimin e parë dhe më pas t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për dy pyetjet në një copë letër dhe më pas t’ia kalojnë atë një shoku të klasës. Diskutojeni atë që shkruan nxënësit. Përsëriteni këtë veprimtari me dy grupimet e mbetura të vargjeve. Kjo mund t’i ndihmojë nxënësit ta tregojnë atë që po mësojnë dhe të marrin mësim nga shokët e tyre të klasës.
Sipas nevojës, shpjegoni se marrëzia është një gabim në gjykim.
Përqendrohuni tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti: Për t’u ushtruar më shumë për këtë, shihni trajnimin e titulluar “Jepni mësim për titujt, rolet dhe cilësitë e Jezu Krishtit” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Përqendrohuni te Jezu Krishti. Merreni parasysh ta ushtroni këtë zotësi: “Krijoni pyetje kërkimore për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë rolet, titujt, simbolet, cilësitë dhe karakteristikat e Jezu Krishtit”. Pasi ta shqyrtoni trajnimin, nëse doni, mund t’i rregulloni ose t’i shtoni pyetjet që u bëni nxënësve rreth ndjekjes së fragmenteve të shkrimit të shenjtë.
Lexoji grupimet vijuese të vargjeve dhe për secilin grupim, përgjigju për dy pyetjet që i pasojnë:
-
Çfarë pyetjesh ke për këto vargje?
-
Çfarë të vërtetash mëson rreth Perëndisë nga këto vargje?
Në përgjigjet e tyre për pyetjen e dytë, nxënësit mund të përmendin një numër të vërtetash ose cilësish të Perëndisë. Ata mund të përfshijnë të vërteta si ato në vijim: Perëndia është i mëshirshëm me marrëzitë tona (shihni te vargu 1); Perëndia komunikon me ne nëpërmjet paqes dhe fuqisë së Shpirtit të Tij (shihni te vargu 8); Perëndia mund t’i urdhërojë të gjitha gjërat për të mirën tonë (shihni te vargu 11).
-
Si mund ta kenë ndihmuar Jozef Smithin të vërtetat që përcaktove, për sfidat dhe shqetësimet që pati?
-
Si mund të të ndihmojnë ty?
Perëndia mund t’i urdhërojë të gjitha gjërat për të mirën tonë
Ndiqni nxitjet e Shpirtit për të vërtetat që do të ishin të dobishme që nxënësit t’i studiojnë më thellësisht. Pjesa e mbetur e këtij mësimi do të përqendrohet në të vërtetën që Perëndia mund t’i urdhërojë të gjitha gjërat për të mirën tonë. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të shenjojnë te vargu 11 fjalët që e japin mësim atë.
Sipas nevojës, ndihmojini nxënësit të kuptojnë se fjala urdhëroj në këtë varg do të thotë “rregulloj”. Ju mund t’i referoheni shkallës në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të përsiatin se sa të sigurt janë se Perëndia mund t’i rregullojë “të gjitha gjërat” për të mirën e tyre.
Merreni parasysh të diskutoni me nxënësit se nëse ata do të donin ta besonin këtë të vërtetë më fort, ata mund të luten për ndihmë për ta thelluar kuptueshmërinë dhe besimin e tyre në këtë cilësi të Perëndisë.
-
Sipas vargut 11, çfarë kërkohet prej nesh në mënyrë që Perëndia t’i rregullojë të gjitha gjërat për të mirën tonë?
Sipas nevojës, shpjegoni se “të zgjuar sa gjarpërinjtë dhe përsëri pa mëkatuar” (vargu 11) i referohet idesë që dishepujt e Shpëtimtarit duhet ta ndërthurin urtësinë me pafajësi dhe pastërti.
Për veprimtarinë vijuese, ju mund t’i organizoni nxënësit në grupe me nga tre veta. Kërkojini secilit nxënës në grup të lexojë një fragment të ndryshëm më poshtë. Pasi nxënësit t’i kenë lexuar dhe diskutuar fragmentet, merreni parasysh t’i ftoni ata të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë diçka që gjetën. Ata mund ta shkruajnë atë përreth të vërtetës në tabelë, me një shigjetë të drejtuar drejt së vërtetës.
Studioji fragmentet vijuese, duke kërkuar atë që nevojitet të bëjmë që Perëndia t’i urdhërojë të gjitha gjërat për të mirën tonë. Merre parasysh t’i lidhësh vargjet vijuese me vargun te Doktrina e Besëlidhje 111:11.
-
Romakëve 8:28
Ftojini nxënësit ta lexojnë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli dhe më pas ta shtojnë atë që mësuan, në listën në tabelë:
Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dha mësim:
“Gjithçka shkon mirë. Mos u shqetëso. Këtë ia them vetes sime çdo mëngjes. Gjithçka do të shkojë mirë. Nëse bëni më të mirën tuaj, gjithçka do të shkojë mirë. Vëreni mirëbesimin tuaj te Perëndia dhe ecni përpara me besim e vetëbesim në të ardhmen. Zoti nuk do të na braktisë. Ai nuk do të na braktisë.” (“Latter‑day Counsel: Excerpts from Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, tetor 2000, f. 73)
Ftojini nxënësit t’i japin mësim njëri‑tjetrit rreth asaj që shkruan në tabelë. Ata mund të shpjegojnë arsyen përse është kuptimplotë për ta. Disa nga pyetjet vijuese mund ta përmirësojnë diskutimin:
-
Çfarë gjete që mund ta forcojë vetëbesimin tënd se Perëndia mund t’i urdhërojë të gjitha gjërat për të mirën tënde?
-
Si të ndihmon pasja e një këndvështrimi të përjetshëm të mirëbesosh se Perëndia mund t’i urdhërojë të gjitha gjërat për të mirën tënde?
-
Kur ose si i ka rregulluar Perëndia gjërat për të mirë në jetën tënde ose në jetën e dikujt që ti e njeh?
Veprimtaria vijuese u jep kohë nxënësve për të marrë parasysh se si ajo që kanë mësuar dhe ndier sot, mund të ndikojë në jetën e tyre dhe në marrëdhënien e tyre me Atin Qiellor. Pasi nxënësit të mbarojnë së shkruari në ditarët e tyre, ju mund t’i ftoni disa vetë t’ia tregojnë klasës.
Përfundoje një ose më shumë prej fjalive vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Vetëbesimi im se Perëndia mund t’i urdhërojë të gjitha gjërat për të mirën time është forcuar sot nëpërmjet …
Ajo që mësova sot, mund të më ndihmojë për një problem me të cilin po përballem, duke …
Kur të përballem me një vështirësi në të ardhmen, dua të mbaj mend …