Fuqia Është në Ta
Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së për Vitin 2025
E enjte, 23 janar 2025
Hyrja
Ç’mesazh i shkëlqyer nga Vëllai Ueb! Është një kohë kaq emocionuese në Seminaret dhe Institutet. Kemi programin e ri mësimor “Përgatitja për Jetën”. Kemi nismën “Sjellja e Risive në Institut”. Regjistrimi po rritet në seminar; ai po rritet në institut. Mendoj se të gjitha këto gjëra që po bëjmë, po ndihmojnë për t’i zhvilluar dhe për t’i bërë mbresëlënëse orët mësimore dhe përvojat e studentëve tanë. Por jam vërtet dakord me Vëllanë Ueb; ka një masë të shtuar force që vjen nëpërmjet besëlidhjeve. Dhe ndërsa rinia – të rinjtë e të rejat në moshë madhore dhe të rinjtë e të rejat – hyjnë në besëlidhjet e tyre, i bëjnë dhe i ripërtërijnë ato, ka një fuqi në punën tonë që e shumëfishon gjithçka që bëjmë.
Do të doja të flisja sot diçka rreth thellimit të të mësuarit në klasat tona. Si Autoritet i Përgjithshëm, herë pas here kryej atë që quhet një turne misioni, ku shqyrtojmë përparimin e një misioni, vëzhgojmë udhëheqësit e misionit dhe vlerësojmë kulturën dhe shpirtin e misionarëve.
Në një vizitë të tillë, pata një çast domethënës duke vëzhguar Këshillin e Udhëheqjes së Misionit, të përbërë nga misionarët me detyra udhëheqjeje anembanë misionit. Këta udhëheqës të rinj në moshë ishin të gjithë besnikë, por po hasnin vështirësi me një vendim lidhur me atë që a t’i përfshinin disa prej misionarëve me më pak përvojë në përgjegjësitë që presidenti i misionit ia kishte dhënë të gjithë misionit. Njëri nga misionarët shprehu shqetësimin specifik se misionarët e tjerë thjesht nuk mund të mirëbesoheshin me këto pritshmëri të larta. Nuk ishte i sigurt që të tjerët ishin mjaft të aftë për ta kryer detyrën dhe se atyre u mungonte pjekuria shpirtërore për t’u përgjigjur me efektshmëri. Për të tjerët, përfshija e misionarëve me më pak përvojë thjesht dukej si shumë punë dhe pyesnin veten nëse thjesht do të ishte më e efektshme që grupi udhëheqës ta merrte vetë mbi vete përgjegjësinë.
M’u desh të buzëqeshja teksa i pashë këta misionarë të rinj në moshë të cilët, për nga kuadri më i gjerë i përvojës në Kishë, në të vërtetë nuk kishin shumë më tepër vjetërsi sesa shokët e tyre, të cilët po u jepnin kaq shumë shqetësim. Më pas, i kërkova grupit udhëheqës të reflektonte mbi mundësinë që Ati ynë Qiellor u jep të gjithë fëmijëve të Tij për të vepruar, për t’u rritur dhe për të marrë përgjegjësi në ungjill. Pranova që, nga këndvështrimi i tyre, ndoshta dukej se kishte një ndryshim domethënës midis përvojës dhe aftësive të tyre krahasuar me pjesën tjetër të misionarëve. Më pas u kërkova të merrnin parasysh se si mund të dukej nga pikëvështrimi i Perëndisë, teksa Ai sheh poshtë tek ne të gjithë.
Hendeku midis udhëheqjes së misionit dhe pjesës tjetër të misionarëve mund të duket i padallueshëm kur krahasohen nga gjendja e lartësuar e Perëndisë që sheh poshtë tek ne të gjithë. Prapëseprapë, Ai vazhdimisht delegon përgjegjësi të rëndësishme dhe i përfshin kaq shumë prej nesh si peshkopë, presidente të Shoqatës së Ndihmës, presidentë të kuorumeve të pleqve dhe, po, udhëheqës zone dhe udhëheqëse trajnuese të motrave.
Te Doktrina e Besëlidhje lexojmë: “Në të vërtetë unë them, njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi; [s]epse është në ta fuqia, me anë të së cilës ata janë veprues për veten. Dhe për aq sa njerëzit të bëjnë mirë, ata në asnjë mënyrë s’do ta humbasin shpërblimin e tyre.”
Sot do të doja të flisja rreth mirëbesimit të kërkuar që mësuesit t’i lejojnë studentët e tyre të përdorin lirinë e zgjedhjes për ta thelluar të mësuarin dhe kthimin vetjak në besim. Do të përdor shumë nga pjesa e titulluar “Ftoni të Mësuarit me Zell” te materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit.
Tek Ethëri, kapitulli 3, vëllai i Jaredit i përgjërohet Zotit: “Preki këta gurë, O Zot, me gishtin tënd dhe përgatiti që të ndriçojnë në errësirë; … që të kemi dritë, gjatë kohës që ne do të kalojmë detin”. Prej kohësh e kam lexuar këtë histori dhe ndërveprim personal si një veprim iniciative dhe lirie të zgjedhjes nga ana e vëllait të Jaredit, ashtu siç ishte. Por deri kohët e fundit nuk e kisha dalluar rolin që luajti Zoti duke e ftuar vëllanë e Jaredit që të merrte përgjegjësi fillimisht. Përpara se ky profet i Librit të Mormonit të përcaktonte gurët e mundshëm për të ndriçuar, ishte Zoti i cili e ftoi të merrte përgjegjësi, jo vetëm për ndërtimin e maunave, por edhe në zgjidhjen e mundshme dhe zbulimin e zgjidhjes për ndriçimin e maunave.
Përpara se të propozohej zgjidhja e sugjeruar nga vëllai i Jaredit, qe Zoti i cili e pyeti sa vijon: “Ç’doni që t’ju përgatis që të mund të keni dritë, kur të përpiheni në thellësitë e detit?” Atje ishte, pikërisht përpara meje. Nuk e kisha dalluar kurrë më parë. Por përpara se vëllai i Jaredit të ndërmerrte veprimin që e admirojmë shumë, ai u ftua që të vepronte, të merrte përgjegjësi për zgjidhjen. Po, vëllai i Jaredit mori iniciativë, por Mësuesi Mjeshtër e kishte rritur mundësinë dhe gjasën që kjo gjë të ndodhte duke e ftuar atë të mendonte, vepronte dhe gjente një zgjidhje.
Te materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit lexojmë: “Me siguri do të ketë qenë mahnitëse ta shihje Shpëtimtarin duke ecur mbi ujë. Por kjo nuk mjaftoi për Pjetrin. Ai donte të bënte atë që bëri Shpëtimtari, të ishte aty ku Ai ishte dhe ta përjetonte vetë atë përvojë.” Me fjalë të tjera, Shpëtimtari ftoi të mësuarit me zell prej dishepujve të Tij, po ashtu siç Ai e bën për ne të gjithë.
Sot do të bazohem tek tri mënyra si mund ta ftojmë të mësuarit me zell siç përvijohet te materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Së pari, “ftojini nxënësit të përgatiten për të mësuar”. Së dyti, “nxitini nxënësit të tregojnë të vërtetat që po mësojnë”. Dhe së treti, “ftojini nxënësit ta jetojnë atë që po mësojnë”.
Teksa e diskutoj secilën prej këtyre përpjekjeve për të ftuar të mësuarit me zell, shpresoj se mund të bëjmë dy gjëra: Së pari, shpresoj se mund t’i shohim studentët tanë në mënyrën siç i sheh Perëndia, duke dalluar se fuqia është në ta dhe se nga pikëvështrimi i Perëndisë ne jemi të gjithë të aftë të mësojmë kur na jepen mundësi të barabarta për të vepruar e për ta përdorur lirinë tonë të zgjedhjes. Së dyti, shpresoj që ju do të reflektoni mbi mënyrat se si mund ta ftoni të mësuarit me zell, sikur të ketë fusha që mund t’i përmirësoni. Dhe lutem që Shpirti do ndihmojë që t’i ndriçojë ato mundësi në vetë mësimdhënien tuaj.
Te manuali Predikoni Ungjillin Tim lexojmë: “Të mësuarit nga një mësues i mirë është i rëndësishëm, por gjithashtu është e rëndësishme që ju të keni përvoja kuptimplota të të mësuarit nga studimi juaj vetjak i shkrimeve të shenjta”. Një nga mënyrat si i ftojmë studentët tanë të përgatiten për të mësuar, është t’i ftojmë të studiojnë shkrimet e shenjta. Duhet t’i ndihmojmë studentët tanë që të jenë më pak të varur nga klasa për lartësimin vetjak teksa mësojnë të zhvillojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe vetjake me Zotin nëpërmjet shkrimeve të shenjta. Përpos ftesës sonë të përgjithshme për të frekuentuar seminarin ose institutin, ne e ftojmë secilin prej studentëve tanë që të lexojë shkrimet e shenjta dhe mesazhet e tjera profetike. Kjo është më e efektshme kur ndodh përpara një diskutimi në klasë, sepse përgatitja e thellon të mësuarit dhe e lartëson diskutimin qoftë me prani fizike, qoftë në internet.
Ka kaq shumë mënyra se si t’i ndihmojmë studentët që të përgatiten për të mësuar. Njëra nga mënyrat se si e bëj këtë, është duke e mbaruar çdo mësim me një kujtues për leximin për orën e ardhshme mësimore. Kur jam në klasë, shpesh e bëj këtë duke shkruar detyrën e leximit në cepin e sipërm në të djathtë të tabelës dhe duke iu referuar asaj në fund të orës mësimore. Sigurisht, në një mjedis në internet, kjo mund të bëhet automatikisht te modeli i vetë kursit. Mënyra të tjera për ta ftuar studimin e shkrimeve të shenjta përpara orës mësimore, mund të përfshijnë dërgimin studentëve të kujtuesve me postë elektronike ose mesazh celulari përpara diskutimit në klasë. Ju gjithashtu mund ta përforconi studimin e ardhshëm të shkrimeve të shenjta duke e vënë në dukje përgatitjen që kanë bërë studentët tuaj, duke e bërë dikë të tregojë diçka që e mësoi nga leximi i shkrimeve të shenjta, ose një pyetje për të cilën shpreson të marrë përgjigje teksa erdhi në orën mësimore atë mbrëmje.
Përveç studimit të shkrimeve të shenjta, ka mënyra të tjera për t’i ftuar nxënësit që të përgatiten për të mësuar. Kam parë mësues të efektshëm t’u dërgojnë studentëve të tyre pyetje për reflektim përpara një diskutimi në klasë. Një tjetër burim i efektshëm përgatitjeje, është të ftoni studentë me përzgjedhje që të përgatiten përpara orës mësimore për të dhënë mësim njërin nga konceptet në mësim ose për të treguar një përvojë që mund ta thellojë të mësuarit për të tjerët. Këto përpjekje kërkojnë më shumë kohë dhe përfshirje nga ana e instruktorit dhe shpesh kërkojnë që ju të dini më shumë rreth nevojave dhe përvojave të studentëve tuaj, por ato kanë një ndikim të stërmadh në thellimin e përvojave të të mësuarit për të gjithë klasën.
Gjithmonë mund ta dalloj kur mësuesit i kanë ftuar nxënësit të përgatiten që më parë, sepse ato ftesa pasohen nga përpjekja e studentëve; diskutimi është më i thellë, më domethënës dhe ka një masë të plotë të Shpirtit. Ju lutemi, merreni parasysh se si mund t’i ftoni nxënësit që të përgatiten për të mësuar që përpara një diskutimi ose veprimtarie në klasë.
Tani, të mësuarit e thellë kërkon më shumë sesa thjesht të dëgjuarit pasiv. Kemi nevojë që studentët tanë të jenë gjithë sy e veshë dhe nxënës të përfshirë. Një nga mënyrat se si ndodh kjo, është kur studentët lejohen t’u tregojnë të tjerëve atë që po mësojnë. Nëse e dini se pritet që ta tregoni atë që po ju mësohet, ju përgatiteni ndryshe. Kjo pritshmëri gjithashtu ju ndihmon të dëgjoni ndryshe dhe të jeni më aktivë në të dëgjuarit tuaj. Sigurisht, pikërisht veprimi i shprehjes së asaj që keni mësuar, i thellon ato ide dhe e qartëson atë që një student po mëson e përjeton.
Te Doktrina e Besëlidhje këshillohemi: “Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, [dhe] kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë”.
Sigurisht, instruktori i caktuar zakonisht do të ketë më shumë përvojë dhe supozohet që e ka studiuar materialin në një nivel më të thellë sesa shumica e studentëve. Por, a e mbani mend përvojën që tregova në fillim të mesazhit tim rreth misionarëve të cilët nuk u mirëbesonin të tjerëve që të merrnin përgjegjësi për vetë zhvillimin e tyre? Kur një mësues dominon përvojën e të mësuarit, ai mund të ketë një ndjenjë se është mësues i efektshëm ngaqë mesazhi i tij ndihet bindës dhe pasqyron ndjenjat e veta. Gjithsesi, duke mos i përfshirë studentët, ai ka të ngjarë që nuk e di se si udhëzimi në fakt po ndikon tek të mësuarit e tyre. Për më tepër, një burim i vetëm udhëzimi shpesh ua heq nxënësve të tjerë të njëjtat mundësi të thella për të treguar se çfarë po mësojnë.
Ka shumë mënyra për t’i lejuar studentët të tregojnë atë që po mësojnë. Një nga më të thjeshtat për ta bërë këtë gjë, është të lejojmë kohë për reflektim. Kjo mund të vijë nëpërmjet një ditari për të mësuarit ose madje një veprimtarie reflektuese si pjesë e një diskutimi. Kjo mund të bëhet edhe duke paraqitur një shëmbëlltyrë, një situatë nga jeta ose një zbatim vetjak dhe më pas duke i lejuar studentët të reflektojnë nëpërmjet një vëzhgimi me shkrim përpara se t’u tregojnë të tjerëve.
Një mënyrë tjetër që të gjithë të marrin privilegj të barabartë në përvojën e të mësuarit, është që të udhëhiqet një diskutim me pyetje që i fton studentët të mendojnë dhe të shprehin idetë e tyre. E kam pasur zakon të thosha që nëse kisha të paktën tri pyetje bindëse, mund t’i jepja mësim një klase për një orë. Në përgatitjen time për mësimdhënie, unë hartoj pyetje fillimisht duke u bazuar te tema dhe synimet e të mësuarit për mësimin. Unë vendos se cilat fragmente të shkrimit të shenjtë, thënie profetike ose cila përvojë vetjake mund të drejtojnë më mirë tek ato synime të të mësuarit, më pas shkruaj dhe rishkruaj një duzinë variantesh të ndryshme të pyetjeve që e ndiej se do t’i ndihmonin studentët të zbulojnë të vërtetat rreth atyre synimeve të të mësuarit. Disa prej pyetjeve që i shkruaj, janë më bindëse se të tjerat, por të tjerat janë të efektshme për t’i thelluar pyetjet për temën ose lëndën bazë.
Ka gjithashtu mënyra se si ju mund t’i bëni pyetjet dhe mjedisin tuaj të diskutimit më të efektshëm. Të pasurit e një ose dy studentëve që mbizotërojnë diskutimin, nuk është e ndryshme nga rasti kur instruktori e mbizotëron udhëzimin. Kur bëj pyetje në një grup, shpesh lejoj kohë pasi e bëj një pyetje dhe përpara se të kërkoj përgjigjet e studentëve. Kjo mund të ndihet e parehatshme për një mësues që shpesh dëshiron një përgjigje të menjëhershme, por lejimi i një çasti qetësie bën të paktën dy gjëra. Së pari, u jep studentëve kohë për të reflektuar. Së dyti, i jep mësuesit kohë shtesë për ta zgjeruar grupin që i përgjigjet diskutimit. Mbani mend, nuk duhet t’i drejtoheni të parit që e ngre dorën. Gjithashtu kam zbuluar se të pyeturit e studentëve që më parë për atë që mund të pyesim në klasë, i ndihmon të përgatiten dhe mund të jetë veçanërisht e efektshme për studentët që janë të turpshëm ose e ndiejnë se komentet e tyre mund të mos vlerësohen. Gjithashtu mbani mend se të ftuarit e pjesëmarrjes kërkon që të ndihet se mjedisi i të mësuarit është i sigurt në çdo mënyrë. Ndërtimi mbi komentin e një studenti ose madje dërgimi i një shënimi më pas, janë mënyra për ta përforcuar pjesëmarrjen dhe për t’i ndihmuar studentët të ndiejnë se u vlerësua pjesëmarrja e tyre.
Së fundi, edhe më i miri i diskutimeve në grup mund të mos lejojë që të gjithë ose shumica e studentëve të marrin pjesë në një periudhë të kufizuar kohore. Shpesh do ta marr njërën prej pyetjeve të mia bazë dhe t’u kërkoj studentëve që të tregojnë në dyshe ose grupe të vogla, në mënyra që sigurojnë që tërë nxënësit të kenë pasur të paktën një mundësi për t’u treguar të tjerëve të vërtetat që po mësojnë. Kur i nxitim nxënësit të tregojnë për të vërtetat që po mësojnë, ne po i ftojmë të marrin përgjegjësi për të mësuarit e tyre.
Nefi jep mësim se fuqia e lirisë së zgjedhjes është që të na lejojë të veprojmë për veten tonë dhe të mos detyrohemi të veprojmë. A i lejojnë mjediset e klasave tona studentët për të vepruar dhe marrë përgjegjësi për të mësuarit e tyre, apo janë mjedise pasive ku studentët thjesht detyrohen të veprojnë teksa qëndrojnë në heshtje? Nëse dikush viziton klasën tuaj këtë javë, a do të shihte studentë të cilëve po u jepej mundësi për t’u përfshirë në procesin e të mësuarit? Është e vështirë të ftoni të mësuarit me zell nëse nuk i lejoni studentët të shprehin idetë dhe frymëzimin e tyre vetjak dhe të vëzhgojnë të vërtetat. Ju lutemi, nxitini nxënësit që të tregojnë për të vërtetat që po mësojnë, dhe bëjeni atë pjesë të përvojës suaj në klasë.
Plaku Dejvid A. Bednar ka dhënë mësim: “Ftesa për të vepruar është e rëndësishme sepse besimi te Shpëtimtari është një parim veprimi dhe fuqie. Si shërbëtor i Zotit, roli im nuk është që thjesht të shpërndaj informacion. Nëse njerëzit duhet ta rritin besimin te Jezu Krishti, atëherë ata kanë nevojë të veprojnë në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit.”
Qëllimi i arsimimit fetar në Sistemin Arsimor të Kishës është që të “japë mësim ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit … në [mënyra] që [e ndihmojnë] secilin student … të bëhet dishepull i Jezu Krishtit për gjithë jetën, i cili bën dhe mban besëlidhje, i cili i do Perëndinë dhe të tjerët dhe i cili është i aftë, i gatshëm dhe i zotuar për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit”. Ai lloj dishepullimi nuk do të ndodhë nëse mësimdhënia jonë nuk përfshin ftesa për t’u bërë diçka më shumë dhe për ta jetuar atë që po mësojmë.
Pjesa vijuese vjen drejtpërsëdrejti nga materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: “‘Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve.’ ‘Dua[ji]ni armiqtë tuaj.’ ‘Lypni dhe do t’ju jepet.’ ‘Hyni nga dera e ngushtë.’ (Mateu 5:16, 44; 7:7, 13.) Disa nga ftesat më të gjalla e të paharrueshme në gjithë shërbesën tokësore të Shpëtimtarit u bënë teksa Ai i mësonte dishepujt e Tij në një shpat mali me pamje nga deti i Galilesë. Qëllimi i Shpëtimtarit ishte të ndryshonte jetë, siç u bë e qartë nga ftesa e Tij përmbyllëse: ‘Ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb’ (Mateu 7:24; theksimi i shtuar).” Ju lutemi, ftojini nxënësit në klasat tuaja që ta jetojnë atë që po mësojnë.
Në përgatitje për mesazhin tim i kam kërkuar secilit prej jush që të përgatitet duke studiuar pjesën “Ftoni të Mësuarit me Zell” në materialin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Ngaqë nuk jemi së bashku fizikisht, dhe disa prej jush mund të jeni duke e parë këtë të vetëm, ju nxis që t’i shprehni idetë për pyetjet vijuese me grupet tuaja të stafit të mësimdhënies në mjedise ku mblidheni ose në internet, që ne do t’ua kërkojmë udhëheqësve tuaj të stafit të mësimdhënies t’i bëjnë të mundura. Këto pyetje përfshijnë:
-
Përse është të mësuarit e ungjillit më i efektshëm kur përfshin veprim vetjak, përgatitje, shprehje dhe përgjigje ndaj ftesave vetjake?
-
Cilat thënie nga shkrimet e shenjta dhe profetët i pohojnë vëzhgimet tuaja ndaj pyetjes së mësipërme?
-
Dhe çfarë gjërash në këto thënie ju prekin ju personalisht?
Së fundi, ju lutemi të merrni parasysh secilin nga parimet vijuese që i kemi shqyrtuar, dhe se si mund ta ftojnë të mësuarit me zell te studentët tuaj: një, ftojini nxënësit që të përgatiten për të mësuar; dy, nxitini nxënësit për të folur për të vërtetat që po mësojnë; dhe tre, ftojini nxënësit që ta jetojnë atë që po mësojnë.
Ftesa ime e fundit është që të merrni parasysh se si mund ta forconi vetë mësimdhënien tuaj në secilën nga këto tri fusha:
-
Si mund t’i ftoj në mënyrë më të vazhdueshme dhe më me efektshmëri studentët e mi që të përgatiten përpara një përvoje të të mësuarit?
-
Në çfarë mënyrash mund t’i nxit studentët e mi që të tregojnë për atë që po mësojnë, dhe të jenë pjesëmarrës aktivë në klasën time?
-
Së fundi, çfarë ftesash do t’i forcojnë studentët e mi dhe do t’i ndihmojnë që ta jetojnë atë që po mësojnë?
Vëllezër e motra, ne ju duam kaq shumë dhe kemi mundësi ta ndjekim modelin e Shpëtimtarit për të ftuar të mësuarit me zell. Ju lutemi, mirëbesojuni studentëve tuaj. Kjo është e vetmja mënyrë se si ata do të bëhen njerëzit që Zoti ka nevojë që ata të bëhen. Ne nuk po shpërndajmë informacion, as nuk po i frymëzojmë thjesht studentët tanë me personalitetin dinamik dhe mësimet përfshirëse. Po i përgatitim studentët që të mbijetojnë shpirtërisht në një periudhë gjithnjë e më sfiduese. Mbijetesa shpirtërore do të varet nga aftësia për të dalluar drejtimin e Frymës së Shenjtë.
Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”.
Kur u japim mësim studentëve tanë që të mësojnë me zell nëpërmjet bërjes pjesëmarrës aktivë, ne gjithashtu po u mësojmë se si të kërkojnë dhe marrin drejtim nga Fryma e Shenjtë. Është ky grup zotësish që do t’i bekojë për shumë kohë pasi të jenë larguar nga klasat tona. Teksa përpiqeni fort ta ftoni këtë të mësuar me zell, premtoj se ju do të shihni të ndodhin mrekulli në jetën e studentëve tuaj. Fuqia është në ta, për këtë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.