Transmetimet e Trajnimeve
Kualifikohuni për Bekimet e Tempullit


14:57

Kualifikohuni për Bekimet e Tempullit

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së për Vitin 2025

E enjte, 23 janar 2025

Vëllai Çad H Ueb: Jam shumë mirënjohës për këtë trajnim mbi mësimet nga “Përgatitja për Jetën”. Mendoj se të gjithë mund ta vlerësojmë faktin se sa lidhje praktike do të kenë këto mësime për rininë tonë. Dhe, teksa pamë materialin filmik, m’u kujtua se sa të përqendruara te Krishti mund të jenë këto mësime. Përdorimi i shembullit të përsosur të Shpëtimtarit, të jetuarit e këtyre parimeve të ungjillit dhe diskutimi se si Ai është në gjendje t’i ndihmojë studentët tanë në rrethanat e tyre, ishte vërtet i fuqishëm.

Më pëlqen edhe që mësimet janë të rrënjosura në fjalën e Perëndisë, duke përdorur shembuj nga shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve bashkëkohorë. Besoj se të njëjtat metoda që na ndihmojnë të japim mësim me efektshmëri shkrimet e shenjta, mund të përshtaten për të dhënë mësim me efektshmëri mesazhet e frymëzuara të udhëheqësve të Kishës. Faleminderit për atë model të mrekullueshëm dhe trajnim të spikatur.

Do të doja të ndryshoja dhe të kaloja te një temë tjetër që më ka rënduar në mendje e zemër. Që të gjithë jemi bekuar nga mësimet dhe shërbesa e Presidentit Rasëll M. Nelson. Jam kaq mirënjohës për të dhe jap dëshmi se ai është profeti i zgjedhur i Zotit. I jam mirënjohës Zotit që e ka ruajtur atë dhe për njohurinë, drejtimin e forcën që kam marrë personalisht nëpërmjet frymëzimit që ka ardhur nga Zoti te Presidenti Nelson.

Një prej ftesave që Presidenti Nelson e ka përsëritur shpesh, është që ne të mësojmë të përdorim fuqinë e Zotit nëpërmjet besëlidhjeve dhe tempujve. Prandaj në Konventën tonë më të fundit të Drejtorëve Zonalë, vendosëm ta fillonim çdo mëngjes duke studiuar atë që Presidenti Nelson dhe udhëheqës të tjerë të Kishës na kanë mësuar rreth besëlidhjeve dhe shtëpisë së Zotit. Isha kaq i prekur nga ajo përvojë sa u kërkova disa prej pjesëmarrësve që të tregonin për atë që mësuan.

Vëlla: Ndërsa Presidenti Nelson na ka mësuar se çfarë do të thotë të jemi në besëlidhje me Perëndinë, unë kam mësuar se nuk duhet ta shoh Atë si një drejtor ekzekutiv qendror apo kryetar korporate në qiell, i cili po pret që ndoshta unë të shkel një kontratë. Përkundrazi, është një marrëdhënie besëlidhëse me një Atë të dashur dhe prandaj Ai kurrë nuk do të lodhet në përpjekjet e Tij për të më përkrahur dhe unë nuk do ta shter kurrë durimin e Tij të mëshirshëm. Ngaqë kam mësuar se, për shkak të besëlidhjes, unë kam një vend të veçantë në zemrën e Perëndisë. Kjo e ka ndryshuar mënyrën se si i shoh gjërat, si p.sh. lutjet e mia, ku në vend që të ndihem se do bie në gjunjë në fund të ditës e pendohem dhe kjo do të jetë një barrë për Të, unë tërhiqem drejt Tij dhe dua t’i flas Atij, dhe e di se gjithçka tjetër që dua të bëj, është që t’ia kthej po atë dashuri që më ka treguar Ai.

Motër: Kur mendoj për besëlidhjet, mendoj për atë që na ka mësuar Presidenti Nelson, që gjithçka që besojmë dhe çdo premtim që Perëndia ia ka bërë popullit të Tij të besëlidhjes, gërshetohen në tempull. Nuk mund ta ndaj tempullin nga besëlidhjet e mia sepse atje mësoj kuptimin e atyre besëlidhjeve që i kam bërë me Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Është nëpërmjet atyre premtimeve besëlidhëse të bëra në tempull që të gjitha bekimet e qiellit do të më jepen si bijë e Perëndisë. Më është rritur njohuria gjatë viteve teksa kam arritur të kuptoj më mirë dhurimin dhe sidomos atë dhuratë të veçantë nga Ati ynë Qiellor për ne.

Vëlla: Atëherë, mësova nga Presidenti Nelson se pasi bëjmë një besëlidhje me Atin tonë Qiellor, marrëdhënia jonë me Të ndryshon përgjithmonë. Kjo është domethënëse për mua ngaqë e di se Ati Qiellor më do dhe se Ai ka krijuar një shteg nëpërmjet të cilit do të jem në gjendje të afrohem më pranë Tij, ta njoh më mirë Atë dhe së fundi të kem potencialin që të bëhem si Ai. Gjëja rreth besëlidhjeve është që pavarësisht nga ajo që po kaloni në jetë, Ati Qiellor është me ju, Ai po ecën pranë jush, Ai po ju mban dorën, Ai po ju drejton përgjatë shtegut. E gjitha kjo vjen për shkak të besëlidhjeve.

Vëlla: Ndihem kaq mirënjohës për bekimet e pasjes së një profeti. Nëpërmjet mësimeve të tij e kuptoj më mirë dashurinë e veçantë që Perëndia ka për ata që kanë hyrë në besëlidhje me Të. Edhe atë fakt, që Ai nuk do ta braktisë kurrë atë marrëdhënie; për më tepër, Ai nuk do të pushojë kurrë së dhëni mundësi për ne që të pendohemi e ndryshojmë. Njohja e natyrës së Perëndisë ka qenë një fashë shprese dhe shërimi për zemrën time.

Vëlla: Kur jemi të lidhur te Krishti, siç na e ka mësuar vërtet Presidenti Nelson, ne shkojmë atje ku shkon Ai, bëjmë atë që bën Ai. Nëse lidhem me Të në zgjedhë dhe Ai është kau më me përvojë, atëherë unë – përfundimisht – shkoj ku shkon Ai, them çfarë thotë Ai, bëj atë që bën Ai. Dhe shpresoj që ai shoqërim do të më ndihmojë të jem siç është Ai. Më shumë se gjithçka në jetën time, unë dua ta kënaq Atë. Dua të arrij në atë pikë në të cilën, në vetë jetën time e në zemër, ta kënaq Atë në gjithçka që bëj. Nuk e di se si t’ia shpërblej Shpëtimtarit atë që Ai ka bërë për mua, përveçse të bëj atë që Ai ma ka kërkuar të bëj.

Vëlla: Kur e kam dëgjuar Presidentin Nelson, kam dëgjuar se kur hyjmë në një marrëdhënie besëlidhëse me Atin tonë Qiellor, na jepet fuqi shtesë në jetën tonë. Ajo është një fuqi e prekshme. Është diçka që mund të na sjellë shpresë, shërim e besim dhe mund të jetë diçka që na ngre shpirtërisht në çastet tona më të vështira. Pjesa e bukur e kësaj lidhjeje besëlidhëse është se kemi një Atë Qiellor, i cili nuk do të na braktisë kurrë. Kur ndeshemi me dyshimin, Ai do të na ndihmojë ta zëvendësojmë atë me besim. Kur ndeshemi me varësinë, Ai do të na ndihmojë ta zëvendësojmë atë me lirinë. Kur ndeshemi me dëshpërimin, Ai do të ndihmojë që të na i mbushë shpirtrat me dritë. Mrekullia e Shpëtimtarit Jezu Krisht është që Ai na ofron një lloj të veçantë dashurie dhe mëshire, që gjithnjë po na tërheq sërish drejt Tij.

Vëllai Ueb: Ju ndoshta keni shumë mësime ose thënie të veçanta të Presidentit Nelson që janë bërë të parapëlqyerat tuaja vetjake. Për shembull, mund të kujtoni se në konferencën e tij të parë të shtypit si President i Kishës në vitin 2018, Presidenti Nelson na kërkoi ta fillojmë me përfundimin në mendje. Duke folur nga Tempulli i Solt-Lejkut, ai tha: “Përfundimi për të cilin përpiqet fort secili prej nesh, është të na dhurohet fuqi në një shtëpi të Zotit”.

Në vitin 2021, ai tha: “Vendi më i sigurt për të qenë shpirtërisht është të jetoni brenda besëlidhjeve tuaja”.

Në vitin 2024, ai dha mësim: “Asgjë nuk do t’ju ndihmojë më shumë që të mbaheni fort te shufra e hekurit, sesa adhurimi në tempull. … Asgjë nuk do t’ju mbrojë më shumë. … Asgjë nuk do ta përforcojë më shumë dëshminë tuaj për Zotin Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij ose t’ju ndihmojë ta kuptoni planin e madhërishëm të Perëndisë.”

Gjatë bisedës së tij në Konferencën më të fundit të Përgjithshme, ai tha: “Ky është premtimi im për ju: Çdo kërkues i sinqertë i Jezu Krishtit do ta gjejë Atë në tempull.

Dhe së fundi, në artikullin e tij të revistës Liahona të quajtur “Besëlidhja e Përjetshme”, ai na mësoi: “Kur bëjmë një besëlidhje me Perëndinë, ne largohemi përgjithmonë nga qëndrimi asnjanës. Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me ata që kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të. Në fakt, të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, marrin një lloj të veçantë dashurie e mëshire. … Ai do të vazhdojë të punojë me ta dhe t’u ofrojë mundësi për të ndryshuar. Ai do t’i falë ata kur pendohen. Dhe nëse e humbasin udhën, Ai do t’i ndihmojë ta gjejnë udhën e tyre të kthimit tek Ai. … Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne.”

Presidenti Nelson, jo vetëm që dha mësim rreth tempullit dhe besëlidhjeve si Presidenti i Kishës por, më shumë se 15 vjet më parë, ndërsa po mundoheshim të gjenim fjalët për një deklaratë të re të synimit për SeI‑në, qe Plaku Rasëll M. Nelson, që në atë kohë shërbente si Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Bordit të Arsimit, që na nxiti të përfshijmë frazën e dytë të synimit tonë, e cila thotë: “[Ne duhet ta] ndihmojmë rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që … të kualifikohen për bekimet e tempullit”.

Pyes veten nëse në përpjekjet tona për ta shkurtuar deklaratën tonë të synimit, mos kemi folur vetëm për thellimin e kthimit në besim? Ndërkohë që përparimi që po bëjmë është i mrekullueshëm dhe ai theksim duhet të vazhdojë, unë besoj se ka më shumë që mund të bëjmë për ta theksuar edhe pjesën e dytë të synimit tonë dhe të ndihmojmë më shumë të rinj e të reja në moshë madhore dhe të rinj e të reja që të kualifikohen për bekimet e tempullit. Nuk po sugjeroj që të gjithë ju të shkruani një mësim të ri ose të krijoni programe të reja, por po ju kërkoj të mendoni thellë, madje plot lutje, se çfarë mund të bëni më shumë brenda kontekstit të asaj që po bëni tashmë.

Teksa ua kam bërë njerëzve këtë pyetje, kam dëgjuar shumë përgjigje të shkëlqyera. Ndër to janë këto sugjerime: Një, të jemi në dijeni të theksimeve dhe mësimeve profetike të kohëve të fundit lidhur me besëlidhjet dhe shtëpinë e Zotit. Dy, të jemi të qëllimshëm në të lidhurit e dashurisë sonë për Jezu Krishtin dhe të besimit tonë tek Ai me kualifikimin për bekimet e tempullit. Tre, t’u drejtohemi pyetjeve të rekomandimit të tempullit kur është me vend. Katër, t’u referohemi besëlidhjeve specifike ndërkohë që japim mësim parimet e ungjillit, duke i ndihmuar studentët ta kuptojnë doktrinën e besëlidhjeve. Dhe pesë, të shprehim dashurinë dhe vlerësimin tonë vetjak për tempullin dhe t’i ndihmojmë studentët të dallojnë bekimet që u kanë ardhur në jetën e tyre nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve të tyre. Do t’ju vijnë shumë ide të tjera; ju lutemi, vazhdoni ta diskutoni këtë si trupë pedagogjike dhe në grupet e trajnimit dhe të tregoni se çfarë po mësoni.

Si shembull i asaj që besoj se mund dhe do të ndodhë, do të doja t’ju tregoja vetëm për një zhvillim të kohëve të fundit. Disa vite më parë, isha në Guam me drejtorët tanë zonalë dhe rajonalë nga Azia dhe Paqësori. Në një nga mbledhjet, diskutuam se si mund të ndihmonim më shumë studentë që të kualifikoheshin për bekimet e tempullit. Pas atyre mbledhjeve, drejtori ynë zonal në Filipine, Xhulius Barientos, u takua me Këshillin e tij të Drejtorëve Rajonalë dhe vendosën se do të punonin më nga afër me udhëheqësit e Kishës për të ndihmuar më shumë të rinj e të reja dhe të rinj e të reja në moshë madhore që të mbanin një rekomandim aktual tempulli. Ata u nxitën nga Presidenca e Zonës së tyre, të cilët tashmë e kishin një synim për t’i shtuar rekomandimet e tempullit si pjesë e planit të tyre të zonës. Udhëheqësit dhe bashkërenduesit e SeI‑së u takuan edhe me udhëheqësit vendorë të Kishës në të gjitha nivelet dhe së bashku diskutuan për përpjekjet e tyre dhe raportuan përparimin e tyre.

Dua të jem i qartë për këtë pikë: Ata nuk vepruan në mënyrë të pavarur nga udhëheqësit e Kishës. Ata i ndihmuan udhëheqësit të cilët tashmë kishin një synim e një plan dhe të cilët po ndiqnin udhëzimin e Presidencës së tyre të Zonës. Por SeI‑ja ndihmoi duke u përqendruar te besëlidhjet dhe tempulli duke i dhënë mësim këto gjëra në mënyrë të natyrshme në çdo mundësi dhe duke folur shpesh për bekimet e tempullit.

Në tre vjet, me përpjekjet e ndërthurura të udhëheqësve të Kishës, prindërve dhe mësuesve të SeI‑së, numri i të rinjve e të rejave mbajtës/e të rekomandimit në Filipine është rritur në 277 përqind. Por bekimi nuk gjendet thjesht te numrat, ndikimi te rinia dhe familjet e tyre ka qenë i jashtëzakonshëm. Sikurse ka qenë për familjen Topiador nga Kunji i Bajambangut, këtu në foto. Si shumë familje të tjera në Filipine, Topiadorët tani e frekuentojnë tempullin rregullisht së bashku. Bekimi i një familjeje që shkon në tempull së bashku, ka domethënie të përjetshme dhe është qendror për atë që Zoti dëshiron për fëmijët e Tij. Besoj se nëpërmjet përpjekjeve tona për t’u përqendruar te bekimet e shtëpisë së Zotit, ne mund të ndihmojmë më shumë të rinj e të reja në moshë madhore dhe të rinj e të reja anembanë botës për t’i bërë dhe mbajtur besëlidhjet me Zotin.

Në përfundim, do të doja të tregoja një mësim të thjeshtë me sende. Kam menduar rreth fuqisë së besëlidhjeve dhe se si mund ta shpjegojmë këtë kaq qartë sa edhe një fëmijë mund ta kuptojë. Teksa mendoja, m’u kujtua një mësim me sende që disa prej jush e kanë parë. Mendoj se fillimisht kam parë Vëllanë Çad Uilkinson ta përdorte.

Nëse do t’i kërkoja dikujt të vinte dhe ta thyente këtë laps, secili prej jush do të ishte në gjendje ta bënte. Por, po sikur të merrja një laps dhe ta ngjitja te ky shkop bejsbolli? Tani, a do të ishit në gjendje ta thyenit lapsin? Në këtë ilustrim të thjeshtë, çfarë ose kush është lapsi? Çfarë ose kush është shkopi i bejsbollit? Dhe çfarë është shiriti ngjitës? Mësimi me sende sugjeron se lapsi ju përfaqëson ju dhe mua, shkopi i bejsbollit përfaqëson Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe shiriti ngjitës simbolizon besëlidhjet tona.

Fuqia e besëlidhjeve është se ato na lidhin te Jezu Krishti. Mbani mend, asgjë nuk do t’ju mbrojë më shumë. Vendi më i sigurt për të qenë, është të jetojmë brenda besëlidhjeve tona. Sa më shumë që i ripërtërijmë besëlidhjet tona, aq më e fortë bëhet lidhja. Edhe po të thyhet lapsi, nëpërmjet besëlidhjeve, Shpëtimtari mund të na shërojë. Dhe nëse dy njerëz duan të jenë së bashku përgjithmonë, besëlidhjet do t’i lidhin ata së bashku dhe te Zoti.

Jam kaq mirënjohës që Zoti na do aq sa të na bekojë me besëlidhje. Qofshim mbajtës të besëlidhjeve dhe ndihmofshim gjithnjë e më shumë të rinj e të reja në moshë madhore dhe të rinj e të reja që të kualifikohen për bekimet e shtëpisë së Zotit, ku çdo kërkues i sinqertë i Jezu Krishtit do ta gjejë Atë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Është tani privilegji im që t’ju paraqes Plakun Klark G. Gilbert. Plaku Gilbert u thirr si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në vitin 2021. Ai aktualisht shërben si Komisioneri i Sistemit Arsimor të Kishës. Ai mori diploma nga UBJ-ja, Stenfordi e Harvardi dhe e filloi karrierën e vet si profesor në Universitetin e Harvardit. Ai ishte Drejtori Ekzekutiv Kryesor i gazetës “Deseret News” dhe grupit “Deseret Digital Media”. Ai shërbeu edhe si Presidenti i UBJ–Ajdahos dhe programit “UBJ–Pathway”. Është i martuar me Kristin Kalderin dhe janë prindër të tetë fëmijëve.

Jam mirënjohës për Plakun Gilbert. Ai ka qenë një këshillues mbresëlënës. Ai kujdeset thellësisht për punën e Seminareve dhe Instituteve. E vlerësoj se sa në harmoni është ai me Presidentin Nelson dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës dhe se si gjithmonë kërkon mundësi për t’i përforcuar mësimet e tyre. Ai e do Zotin dhe punon pa u lodhur për t’i shërbyer Atij dhe e përdor çdo mundësi për të dëshmuar për Shpëtimtarin Jezu Krisht. Jam i emocionuar dhe mirënjohës sot për mundësinë që të mësojmë prej tij.