Përgatitja dhe Mësimdhënia e Mësimeve nga “Përgatitja për Jetën”: Trajnim me Mësuesit
Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së për Vitin 2025
E enjte, 23 janar 2025
Vëllai Xherën Dajreng: Epo, jemi të lumtur që jemi këtu sot dhe për mundësinë që kemi që të bisedojmë së bashku. Ndoshta keni dëgjuar shumë për këto mësime nga “Përgatitja për Jetën” dhe gjërat për të cilat do të flasim sot. Aftësitë për të cilat do të diskutojmë në praktikë, do të jenë një ndihmë e pamasë teksa përgatitemi t’i zhvillojmë këto mësime nga “Përgatitja për Jetën” këtë vit.
Kështu që, për të paraqitur trajnimin tonë sot, do të doja ta ftoja Vëllanë Kavano që të lexojë hyrjen. Secilit prej jush i është dhënë një fletushkë dhe do të doja ta ftoja Vëllanë Kavano të lexojë hyrjen e saj, e cila do të na japë disi kontekstin e asaj që do të diskutojmë sot së bashku. Vazhdoni.
Vëllai Kavano: Mësimet “Përgatitja për Jetën” ndihmojnë në pajisjen e studentëve me aftësitë për t’u përgatitur si për sfidat e jetës, ashtu edhe për mundësitë e mrekullueshme. Ashtu si të gjitha mësimet e Kurseve të tjera mbi Shkrimet e Shenjta, mësimet “Përgatitja për Jetën” janë hartuar për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatitin veten, familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell.
Këto mësime janë të qendërzuara te Jezu Krishti, të rrënjosura te fjala e Perëndisë dhe të përqendruara në plotësimin e nevojave të nxënësve. Ka disa aftësi të rëndësishme që mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni në mënyrë të efektshme për të dhënë mësim në mënyrë që të përmbushni Objektivin e SeI‑së. Merrni parasysh analogjinë e mëposhtme: Një trajneri për gjuajtjen me hark që po përgatitet të japë udhëzime, do t’i duhet të sigurojë një objektiv, një hark e shigjetë dhe mundësitë që çdo nxënës të ushtrohet.
Le ta zbatojmë këtë analogji për përgatitjen për të dhënë një mësim në seminar.
Vëllai Dajreng: Shumë faleminderit. Atëherë, e nxit gjithsecilin prej nesh të mbajë një lutje në zemrën e vet ndërsa bëjmë këtë diskutim sot. Siç thashë, jam shumë i emocionuar për këtë mundësi dhe e di se ky do të jetë një bekim i pamasë për ne dhe nxënësit tanë ndërsa i vëmë këto aftësi në zbatim. Pra, le të fillojmë duke folur për objektivin dhe atë që ai përfaqëson në këtë analogji.
Do të doja ta ftoja Vëllanë Simons që të lexojë pjesën e parë të fletushkës që ndodhet poshtë qëllimit të mësimit.
Vëllai Simons: Qëllimi i mësimit siguron një objektiv të qartë për atë që ne shpresojmë se nxënësit do të dinë, ndiejnë ose bëjnë si rezultat i përvojës së të mësuarit. Kur kemi një qëllim të qartë të mësimit për të mësuarit e nxënësve, ne mund të jemi më të përqendruar tek ajo që planifikojmë t’i ftojmë nxënësit të bëjnë gjatë mësimit. Aftësia numër një: Përcaktoni dhe shenjoni qëllimin e mësimit që gjendet në fjalinë e fundit të paragrafit hyrës të mësimit.
Vëllai Dajreng: Mirë; pra, në përgatitje të mësimit 177, që është “Marrja nën Kontroll e Teknologjisë”, secili prej jush ka një kopje të tij, shoh paragrafin hyrës dhe fjalia e fundit fare pohon qëllimin e këtij mësimi. Dhe thotë: “Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të zbatojnë masa mbrojtëse për të marrë nën kontroll përdorimin e teknologjisë prej tyre”. Kështu që e shenjoj qartë atë në mësim.
Tani do ta ushtrojmë këtë aftësi të thjeshtë. Mësimi 185 është mësimi vijues në udhëzuesin tonë për ritmin dhe ai është “Ndërtimi i Forcës Emocionale te Zoti”. Atëherë; do të doja t’i jepja secilit prej jush veç një çast për të parë paragrafin hyrës dhe për të përcaktuar e shenjuar qartë qëllimin e këtij mësimi.
Vëllai Dajreng: Tani do të kalojmë tek aftësia e dytë. Atëherë; do të ftoj Vëllanë Alkala; a mund të lexoni, ju lutem, përkufizimin e aftësisë sonë të dytë në pjesën “E Vërteta e Theksuar me Shkronja të Zeza”? Tani po kalojmë te harku dhe shigjeta.
Vëllai Alkala: E vërteta e theksuar me shkronja të zeza që gjendet në shkrimet e shenjta dhe mësimet e udhëheqësve të Kishës, ashtu si harku dhe shigjeta, u jep nxënësve mjetet e nevojshme për të përmbushur qëllimin e mësimit. Kur përvoja e të mësuarit është e ankoruar te fjala e Perëndisë, ne i rrisim gjasat që nxënësit të mësojnë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Aftësia numër dy: Gjeni të vërtetën e theksuar me shkronja të zeza në mësim dhe shenjoni se ku gjendet në shkrimet e shenjta dhe mësimet e udhëheqësve të Kishës.
Vëllai Dajreng: Shumë faleminderit. Atëherë, le t’i kthehemi mësimit 177. Ndërsa e përgatit këtë mësim, përcaktoj të vërtetat e theksuara me shkronja të zeza dhe vërej se në këtë mësim të veçantë ka dy të vërteta. E para thotë: “Zoti dëshiron që të përfshihemi me zell në bërjen e së mirës dhe të mos e harxhojmë kohën tonë me përtaci”. Dhe e vërteta e dytë pohon: “Ajo që të ndërton dhe të bind për të bërë të mirën, është prej Perëndisë”.
Më pas, studioj shkrimet e shenjta dhe dy citimet nga Plaku Bednar dhe shenjoj fjalët e frazat që i japin mësim këto të vërteta në këto burime. Pra, si shembull, le të shohim të vërtetën e parë: “Zoti dëshiron që të përfshihemi me zell në bërjen e së mirës dhe të mos e harxhojmë kohën tonë me përtaci”. Dhe do të lexojmë shkrimet e shenjta që lidhen me këtë të vërtetë.
Pra, nëse mundeni, le të shkojmë bashkë te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 58, vargjet 26 dhe 27.
Dhe, teksa i lexoj këto shkrime të shenjta, shenjoj frazën “njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë”. Tani, le të shkojmë te shkrimi tjetër i shenjtë, që është Doktrina e Besëlidhje, seksioni 60, vargu 13. Dhe, në këtë shkrim të shenjtë, shenjoj frazën: “Mos e harxho kohën tënde me përtaci”. Dhe më pas, e bëj këtë me shkrimet e tjera të shenjta që janë renditur në mësim.
Tani, le të kalojmë te citimi nga Plaku Bednar që lidhet me këtë të vërtetë. Dhe, teksa e shikoj këtë citim dhe shikoj të vërtetën, kam zgjedhur të shenjoj dy fraza. E para ndodhet atje ku Plaku Bednar pohon: “Një individ i papjekur apo i keqmësuar mund t’iu kushtojë një sasi të tepruar kohe lojërave elektronike, bashkëbisedimit në internet, apo lejimit me mënyra të tjera që bota digjitale të mbizotërojë gjërat ashtu siç janë në të vërtetë”.
Dhe më pas, në fund fare të atij citimi, shenjoj edhe pjesën ku thotë: “Me kohë, zbavitja në dukje e pafajshme mund të bëhet një formë e skllavërimit shkatërrues”. Le të kthehemi te mësimi 185 dhe t’ju ofrojmë tani mundësinë për ta ushtruar këtë aftësi. Pra, mundësisht të përcaktoni të vërtetën e theksuar me shkronja të zeza në këtë mësim dhe më pas shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve që lidhen me atë të vërtetë, si dhe të shenjoni se ku në fjalën e Perëndisë jepet mësim qartë kjo e vërtetë.
Epo, kjo na çon tek aftësia jonë e tretë. Do të doja ta ftoja Motrën Robins, nëse mundeni, të lexojë përkufizimin e aftësisë sonë të tretë.
Motra Robins: Demonstroni të Mësuarit. Veprimtaria e të mësuarit nga fundi i mësimit i lejon secilit nxënës të demonstrojë të mësuarit e vet, ose një mundësi për të provuar të gjuajë një shigjetë në objektiv. Disa shembuj të asaj që nxënësit mund të bëjnë në këtë veprimtari të të mësuarit, mund të përfshijnë: të shkruajnë në një ditar, të shpjegojnë, të shprehen, të hartojnë një plan, të ushtrojnë një aftësi ose të krijojnë diçka. Aftësia numër tre është: Përcaktoni dhe shenjoni veprimtarinë në mësim ku nxënësve u jepet mundësia të demonstrojnë të mësuarit e tyre në përputhje me qëllimin e mësimit.
Vëllai Dajreng: Pra, ne kemi vendosur një objektiv. Kemi pajisjet – harkun dhe shigjetën. Dhe tani, nxënësve do t’u jepet mundësia ta gjuajnë atë shigjetë në objektiv. Pra, duke u kthyer te mësimi 177, shikoj nga fundi i mësimit dhe përcaktoj se ku i jepet mundësia çdo studenti që të demonstrojë qëllimin e mësimit. Dhe vërej se, në këtë mësim të veçantë, ka dy mundësi që i ndihmojnë nxënësit të vënë në zbatim masa mbrojtëse për përdorimin e teknologjisë prej tyre.
Njëra nga këto i ndihmon nxënësit të ushtrojnë bërjen e një plani paraprakisht se si do të marrin nën kontroll përdorimin e teknologjisë prej tyre. Dhe pastaj tjetra është një mundësi që ata të bëjnë një plan se si do të ndalojnë ta përdorin teknologjinë kur ndeshen me media të papërshtatshme. Kështu që, i shenjoj qartë në mësim të dyja ato mundësi për nxënësit.
Tani do të kthehemi te mësimi 185 dhe do t’ju japim një mundësi për ta ushtruar këtë aftësi. Pra, ju lutem të shikoni nga fundi i mësimit dhe të përcaktoni se ku u jepet nxënësve mundësia të demonstrojnë qëllimin e mësimit, dhe më pas shenjojeni atë. Do t’ju jap një minutë për ta kërkuar atë.
Dua ta ftoj secilin prej jush: A do t’i zbatoni ju këto tri aftësi për të cilat kemi diskutuar sot, ndërsa i përgatitni dhe i jepni këto mësime nga “Përgatitja për Jetën” këtë vit?
TË GJITHË: Po.
Vëllai Dajreng: E di që, ndërsa e bëjmë këtë, do t’i ndihmojmë nxënësit tanë ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Shpëtimtari, Jezu Krishti. Dhe në atë proces, diçka do të ndodhë edhe në zemrat tona.
Kam një dëshmi se ne drejtohemi dhe udhëhiqemi nga Ati ynë në Qiell dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe se Ata do të na bekojnë ndërsa i ndjekim e i dëgjojmë udhëheqësit që Ata kanë caktuar për të na drejtuar e udhëhequr në këto ditë të mëvonshme. Jam mirënjohës për këtë program mësimor që na është dhënë, dhe mundësinë që na jep për të ndihmuar në thellimin e kthimit në besim te Shpëtimtari, Jezu Krishti.
Dhe jua jap këtë dëshmi sot në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.