Transmetimet e Trajnimeve
Përgatitja dhe Mësimdhënia e Mësimeve nga “Përgatitja për Jetën”: Hyrja


4:41

Përgatitja dhe Mësimdhënia e Mësimeve nga “Përgatitja për Jetën”: Hyrja

Transmetimi i Trajnimit Vjetor të SeI‑së për Vitin 2025

E enjte, 23 janar 2025

Vëllai Xhejson Uillard: Përshëndetje, quhem Xhejson Uillard. Sikurse ju, unë i dua Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, me gjithë zemër. I dua rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore anembanë botës. Sikurse ju, dëshira ime më e madhe është t’i ndihmoj ata që ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, të kualifikohen për bekimet e tempullit dhe të përgatitin veten, familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell.

Prandaj, do të doja të shprehja disa mendime për t’jua bërë më të lehtë që t’i përgatitni dhe jepni mësimet nga “Përgatitja për Jetën”. Në janar 2024, Vëllai Çad Ueb, i paraqiti këto mësime tematike që do të jepeshin mësim një deri në dy herë në javë. Ato janë zhvilluar nga tema si misioni, përgatitja për tempullin dhe arsimimin, zotësitë e studimit të shkrimeve të shenjta, ripërtëritja emocionale, aftësitë për jetën dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme.

Ai na tregoi për vizionin dhe qëllimin e këtyre mësimeve nga “Përgatitja për Jetën” kur tha:

Vëllai Çad H Ueb: Shpresojmë të ndihmojmë të përgatitet një brez rinie që e di se si t’i studiojë shkrimet e shenjta dhe të mbërthehet te mësimet e profetëve të gjallë. Një brez rinie me ripërtëritje emocionale që ka zotësitë dhe aftësinë të dalë me sukses në shkollë dhe të bëhen etër e nëna të drejta dhe që do të udhëheqin në Kishë dhe në komunitetet e tyre. Shpresojmë të ndihmojmë një brez të përgatitet për t’i kuptuar besëlidhjet e tempullit, që është thellësisht i zotuar t’i mbajë ato, dhe një brez misionarësh të denjë, të kualifikuar, plot energji shpirtërore dhe të përgatitur për të përfaqësuar Shpëtimtarin në ftesën ndaj botës që të vijë tek Ai.

Shpresojmë të përgatitim një brez dishepujsh të Jezu Krishtit thellësisht të kthyer në besimin tek Ai dhe tek ungjilli i Tij i rivendosur, gjatë gjithë jetës.

Vëllai Xhejson Uillard: Teksa jemi takuar me mësues që i kanë dhënë mësim këto mësime tematike gjatë këtij viti, ne po zbulojmë se kjo shpresë po bëhet realitet. Mësuesit që e fillojnë me këtë qëllim në mendje, këtë vizion se çfarë shpresojmë të bëhet brezi i ri, po shohin mrekullitë e përfytyruara nga Vëllai Ueb. Me përse‑në e mësimeve të Përgatitjes për Jetën qartësisht të fiksuar në mendjen tonë, le të flasim për mënyrën se si t’i përgatitni dhe t’i jepni këto mësime tematike. Kohët e fundit, shkova në një klasë seminari për të dhënë njërin prej këtyre mësimeve. Ngaqë jam një patriark i shuguruar në kunjin tim, mendova se do të ishte e lehtë thjesht të jepja mësimin për bekimet patriarkale. Prandaj shkova në klasë me qëllimin që të jepja mësim për bekimet patriarkale.

Ishte një përvojë e mirë. Pasi e dhashë mësimin, po flisja me njërin nga shkruesit e programit mësimor dhe zbulova se ky mësim, së bashku me mësimet e tjera nga “Përgatitja për Jetën”, u shkruan në një mënyrë të tillë që ta ndihmojnë mësuesin të bëjë shumë më tepër sesa thjesht të japë mësim një temë të caktuar. Zbulova se secili mësim kishte tri elemente bazë: një qëllim të caktuar, një të vërtetë të theksuar me shkronja të zeza të bazuar në fjalën e Perëndisë dhe një veprimtari ku çdo nxënës do të kishte mundësinë për të treguar se ç’kishte mësuar.

Me këto tri gjëra kryesore në mendje, u përgatita ta jepja po atë mësim në një klasë tjetër seminari pak javë më pas. Ndryshimi në përvojën e të mësuarit ishte befasues. Nxënësit që e kishin marrë tashmë bekimin e tyre patriarkal, shprehën një dëshirë të çiltër për ta studiuar bekimin e tyre me më shumë vëmendje. Një i ri, që nuk do ta harroj kurrë, i tregoi klasës për dëshirën e tij që të përgatitej më me zell për misionin që përmendej në bekimin e tij.

Mes nxënësve që nuk e kishin marrë ende bekimin patriarkal, ishte një e re që tregoi me lot në sy për nevojën e ngutshme që ndjeu për ta marrë menjëherë bekimin e saj. Nuk isha më unë eksperti, patriarku, që po jepja mësim për bekimet patriarkale. Po bëja atë që mund të bënte cilido mësues kudo në botë për shkak të këtyre tri zotësive bazë. Për t’ju ndihmuar ju dhe nxënësit tuaj që të keni mësime jetëndryshuese nga “Përgatitja për Jetën”, le të shohim se si duket kjo në një mësim trajnimi, në përgatitjen vetjake të mësuesit për mësimin dhe së fundi në një klasë me nxënësit.