“Bekimet Patriarkale: Një Shprehje e Dashurisë së Perëndisë dhe Deklaratë e Prejardhjes Familjare”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Bekimet Patriarkale: Një Shprehje e Dashurisë së Perëndisë dhe Deklaratë e Prejardhjes Familjare”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Për Forcën e Rinisë: Bërja e Zgjedhjeve: Mësimi 175
Bekimet Patriarkale
Një Shprehje e Dashurisë së Perëndisë dhe Deklaratë e Prejardhjes Familjare
Marrja e një bekimi patriarkal mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën tonë. Nëpërmjet bekimeve tona patriarkale, Ati Qiellor zbulon vullnetin e Tij për ne, na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Tij dhe shpall prejardhjen tonë familjare në shtëpinë e Izraelit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si bekimet patriarkale janë një shprehje e dashurisë së Perëndisë dhe shpallin prejardhjen e tyre familjare në shtëpinë e Izraelit.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë një nga sa vijon përpara orës mësimore: 1) të lexojnë bekimet e tyre patriarkale ose 2) t’u kërkojnë njerëzve që i kanë marrë bekimet patriarkale, të tregojnë se si bekimet e tyre i kanë ndihmuar ata.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Bekimet patriarkale
Shënim: Disa nxënës kanë marrë një bekim patriarkal, ndërkohë që të tjerët mund të jenë duke u përgatitur për të marrë një të tillë. Ky mësim u drejtohet të dy grupeve të nxënësve. Kërkoni ndihmë nga Fryma e Shenjtë për të ditur se si mund t’i plotësoni nevojat e ndryshme të nxënësve tuaj. Ndërsa nxënësit flasin rreth bekimeve të tyre patriarkale, kujtojuni atyre të mos japin hollësi specifike të bekimit të tyre.
Përpara se të studiojnë rreth Jakobit që bekoi familjen e tij, nëse doni, mund ta filloni mësimin duke i bërë nxënësit të mendojnë rreth kuptueshmërisë së tyre të tanishme për bekimet patriarkale. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë është të shkruani frazën bekimet patriarkale në tabelë, së bashku me tri kolonat e përshkruara më poshtë.
Ftojini nxënësit të reflektojnë mbi atë që dinë rreth bekimeve patriarkale dhe çfarë pyetjesh mund të kenë. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i ftoni nxënësit të krijojnë tri kolona në një faqe në ditarin e tyre të studimit.
-
Kolona e parë: Çfarë di rreth bekimeve patriarkale
-
Kolona e dytë: Çfarë dua të di rreth bekimeve patriarkale
-
Kolona e tretë: Çfarë po mësoj rreth bekimeve patriarkale
Nxënësit mund t’i plotësojnë dy kolonat e para tani. Nxënësit do ta plotësojnë kolonën e tretë gjatë gjithë mësimit.
Para vdekjes së tij, profeti dhe patriarku Jakob mblodhi familjen e tij.
Lexo te Zanafilla 48:8–9 dhe Zanafilla 49:1–2, duke kërkuar atë që ai bëri për ta. (Shënim: Fjala njoftoj i referohet asaj që do të thoshte ai në bekimet e tij.)
-
Çfarë gjete?
Bekimet që Jakobi ua dha bijve të tij, ishin bekime patriarkale (shih te Zanafilla 48:9–22; 49:1–28). Në kohën tonë, “çdo anëtar i denjë dhe i pagëzuar ka të drejtën të marrë një bekim patriarkal, i cili jep një drejtim të frymëzuar nga Ati Qiellor” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 18.17, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi arsyet përse ne marrim bekime patriarkale në kohën tonë:
“Në të gjithë botën, patriarkët fisnikë përgatiten shpirtërisht për të dhënë bekime patriarkale. Teksa patriarku vendos duart e tij mbi kokën tuaj, ai ndien dhe shpreh dashurinë e Perëndisë për ju. Ai shqipton prejardhjen tuaj në shtëpinë e Izraelit. Ai dëfton bekimet nga Zoti.” (“Përkatësia në Besëlidhje”, Liahona, nëntor 2019, f. 81–82)
-
Çfarë mëson rreth bekimeve patriarkale nga kjo thënie?
Nxënësit mund të përgjigjen me të vërteta si vijueset:
Nëpërmjet bekimit tim patriarkal, unë mund:
-
të ndiej dashurinë e Perëndisë për mua.
-
të mësoj prejardhjen time familjare në shtëpinë e Izraelit.
-
të zbuloj bekimet që Perëndia ka për mua.
Kujtojuni nxënësve ta shtojnë atë që mësuan rreth bekimeve patriarkale, në kolonën “Të mësuarit”. Gjithashtu, ata mund t’i shkruajnë pyetjet që mund të kenë në kolonën “Dua të di”.
Pjesa tjetër e mësimit përqendrohet te mënyra se si bekimet patriarkale na ndihmojnë ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe mënyra se si ato e shpallin prejardhjen tonë familjare në shtëpinë e Izraelit. Te Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit për këtë mësim, te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], do të gjeni material mbi mënyrën se si bekimet patriarkale na ndihmojnë t’i zbulojmë bekimet e Perëndisë për ne.
Bekimet patriarkale janë një shprehje e dashurisë së Perëndisë
Plaku Kazuhiko Jamashita, i Të Shtatëdhjetëve, dëshmoi për mënyrën se si bekimet patriarkale janë një shprehje e dashurisë së Perëndisë:
“Vëllezër dhe motra, jap dëshminë time se Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur dhe i Vetëmlinduri, Zoti Jezu Krisht, jetojnë. Ata na duan. Bekimet patriarkale janë dhurata të shenjta nga Ata. Kur të merrni bekimin tuaj, do të kuptoni dhe ndieni se sa Ata ju duan dhe se si Ata përqendrohen tek ju individualisht.” (“Koha Kur ta Merrni Bekimin Tuaj Patriarkal”, Liahona, maj 2023, f. 90)
-
Si mendon, në ç’mënyrë janë bekimet patriarkale një shprehje e dashurisë së Perëndisë?
Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin një shembull të mënyrës se si bekimet patriarkale janë një shprehje e dashurisë së Perëndisë, ju mund të shfaqni “Bethany’s Story” [“Historia e Bethanisë”] nga kodi kohor 7:02 deri në 8:55. Ftojini nxënësit të kërkojnë se si studimi i bekimit të saj patriarkal e ndihmoi atë të ndiente se Perëndia kishte dijeni për të dhe e donte atë.
11:8 -
Si e ke ndier dashurinë e Perëndisë nëpërmjet bekimit tënd patriarkal?
Kujtojuni nxënësve ta shtojnë atë që mësuan rreth bekimeve patriarkale, në kolonën “Të mësuarit”.
Bekimet patriarkale shpallin prejardhjen tonë familjare
Para se ta filloni këtë pjesë, mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth deklaratës së prejardhjes familjare dhe përse ajo është e rëndësishme. Nxënësit gjithashtu mund t’i shkruajnë pyetjet që kanë rreth deklaratës së prejardhjes familjare, në kolonën “Dua të di” dhe t’i kërkojnë përgjigjet ndërsa studiojnë.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth deklaratës së prejardhjes familjare:
“Një nga arsyet e para pse ne marrim një bekim patriarkal, është që të na ndihmojë të kuptojmë më plotësisht se cilët jemi ne si pasardhës të Abrahamit dhe të njohim përgjegjësinë që qëndron mbi ne. … Ne u parashuguruam në ekzistencën para lindjes dhe u lindëm në jetën e vdekshme që të përmbushim besëlidhjen dhe premtimin që Perëndia i bëri Abrahamit.” (“Becoming a Missionary”, Liahona, nëntor 2005, f. 47)
-
Cila është një gjë nga kjo thënie që mund ta shtosh në kolonën “Të mësuarit”?
Në varësi të asaj që dëshirojnë të tregojnë nxënësit, mund të lexoni ose të përmblidhni paragrafin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë lidhjen ndërmjet Abrahamit dhe prejardhjes familjare në bekimet e tyre patriarkale.
Perëndia bëri një besëlidhje me profetin Abraham e quajtur besëlidhja e Abrahamit. Perëndia e ripërtëriu këtë besëlidhje me Isakun dhe Jakobin – i cili gjithashtu quhet Izrael (shih te Zanafilla 26:3–4; 28:12–15). Bijtë e Jakobit njihen si fiset e Izraelit. Bekimet tona patriarkale tregojnë se si ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe anëtarë të shtëpisë së Izraelit. Çdo pjesëtar i shtëpisë së Izraelit, pavarësisht nga fisi i tij, mund të marrë bekime dhe të jetë pjesëtar në përgjegjësitë e besëlidhjes së Abrahamit.
Nëse nxënësit studiuan Mësimin 23: “Zanafilla 12:17” ose Mësimin 24: “Abraham 2:9–11”, ju mund t’i ftoni ata të tregojnë atë që mbajnë mend rreth besëlidhjes së Abrahamit.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i studiojnë vargjet vijuese në grupe të vogla dhe të bëjnë një listë në tabelë të asaj që gjejnë.
Lexo tek Abraham 2:9–11, duke kërkuar bekimet dhe përgjegjësitë që Zoti i premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij.
-
Çfarë bekimesh dhe përgjegjësish kemi si pasardhës të Abrahamit?
-
Çfarë mund të mësojmë nga bekimi ynë patriarkal për të na ndihmuar t’i përmbushim këto përgjegjësi?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit që kanë marrë një bekim patriarkal, të shqyrtojnë atë që mësojnë në të rreth talenteve ose karakteristikave që Perëndia u ka dhënë atyre për t’i përmbushur këto përgjegjësi. Nëse është e mundur, nxënësit mund t’i qasen bekimit të tyre te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Kujtojuni nxënësve ta shtojnë atë që mësuan rreth bekimeve patriarkale, në kolonën “Të mësuarit”.
Ajo që mësova
Ftojini nxënësit ta shqyrtojnë atë që shkruan në kolonën “Të mësuarit”. Ata madje mund të qarkojnë një ose dy gjëra që u bënë atyre më shumë përshtypje. Nxënësit mund t’i tregojnë klasës ose në grupe të vogla disa nga ato që shkruan.
Nxënësit mund t’i përgjigjen një ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ke mësuar ose ndier rreth Atit Qiellor?
-
Çfarë ke mësuar që të jep shtysë ta studiosh bekimin tënd patriarkal?
-
Çfarë ke mësuar që të jep shtysë të përgatitesh për të marrë bekimin tënd patriarkal?
Merreni parasysh të jepni mendimet dhe ndjenjat tuaja rreth bekimeve patriarkale. Ftojini nxënësit që nuk kanë marrë një bekim, të marrin parasysh me lutje se kur është koha e duhur për ta për të marrë një të tillë. Ftojini nxënësit që e kanë marrë një të tillë, ta studiojnë atë rregullisht.
Nëse nxënësit kanë ende pyetje rreth bekimeve patriarkale, inkurajojini ata të vazhdojnë të kërkojnë përgjigje. Ata mund të studiojnë Tema dhe Pyetje: Patriarchal Blessings [Bekimet Patriarkale] ose të flasin me një prind apo udhëheqës të Kishës.