“Zanafilla 12; 17: Besëlidhja e Abrahamit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zanafilla 12; 17: Besëlidhja e Abrahamit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 12–17; Abraham 1–2: Mësimi 23
Zanafilla 12; 17
Besëlidhja e Abrahamit
Zoti dhe Abrahami hynë në një besëlidhje që tani njihet si besëlidhja e Abrahamit. Ndërsa i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet me Perëndinë sot, ne mund të marrim të njëjtat bekime prej Tij si Abrahami. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të shpjegojnë besëlidhjen e Abrahamit dhe mënyrën se si ajo lidhet me ta.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë fjalët “Besëlidhje e Abrahamit” te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe të vijnë të përgatitur për ta treguar atë që gjetën.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Besëlidhja e Abrahamit
Ftojini nxënësit të përfytyrojnë sikur iu kërkua të japin një bisedë në mbledhjen e sakramentit rreth besëlidhjes së Abrahamit. Për t’i ndihmuar të vlerësojnë se sa të përgatitur mund të jenë për ta bërë këtë, ftojini t’i shkruajnë pyetjet vijuese dhe t’u përgjigjen atyre në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë është besëlidhja e Abrahamit?
-
Si mund ta marr besëlidhjen e Abrahamit?
-
Pse ka rëndësi për mua besëlidhja e Abrahamit?
Sigurojini nxënësit se nuk ka problem nëse nuk dinë shumë rreth besëlidhjes së Abrahamit. Bëjuani të ditur se ata do të jenë në gjendje t’i zgjerojnë përgjigjet e tyre gjatë orës mësimore. Inkurajojini të kërkojnë konfirmim nga Fryma e Shenjtë rreth vërtetësisë së asaj që po mësojnë.
Shënim: Ky mësim përqendrohet tek ajo se çfarë janë bekimet e besëlidhjes së Abrahamit dhe pse ato kanë rëndësi për ne. Mësimi 24: “Abraham 2:9–11” do të përqendrohet te përgjegjësitë tona në besëlidhjen e Abrahamit.
Çfarë është besëlidhja e Abrahamit?
Kujtoni se Abrahami dëshiroi “bekimet e etërve” dhe të ishte një “ndjekës i drejtësisë” (Abraham 1:2). Zoti premtoi se do t’i vinte Abrahamit emrin e Tij dhe se do t’i jepte priftërinë (shih tek Abraham 1:18).
Merreni parasysh ta krijoni tabelën vijuese në dërrasë. Ftojini nxënësit të studiojnë vargjet në kolonën e parë dhe të renditin bekimet që gjejnë në krah të vargjeve përkatëse në dërrasë. Ata do t’i studiojnë vargjet në kolonën e dytë më vonë gjatë mësimit.
|
Bekimet që Zoti i premtoi Abrahamit |
Bekimet që Zoti më premtoi mua |
|
Zanafilla 12:2; 17:1–2, 4–6 Zanafilla 12:3; 17:7 Zanafilla 12:7; 17:8 |
Doktrina e Besëlidhje 132:19–22, 30–31 |
Lexo te Zanafilla 12:2–3, 7; 17:1–8; Abraham 2:11, duke kërkuar bekimet që Perëndia i dha Abrahamit.
Teksa nxënësit i lexojnë shkrimet e shenjta, merreni parasysh të lëvizni nëpër klasë. Disa nxënës kanë më të ngjarë të bëjnë pyetje kur një mësues është pranë tyre, ndaj lëvizja nëpër klasë ndërkohë që nxënësit lexojnë, mund t’ua bëjë më të lehtë disa nxënësve që t’ju kërkojnë ndihmë. Kur nxënësit të kenë mbaruar, ftojini ata ta tregojnë atë që gjetën.
-
Çfarë gjete?
-
Çfarë të mësojnë këto premtime rreth Perëndisë?
Në vijim është një listë me disa nga bekimet që mund të gjejnë nxënësit:
-
Zanafilla 12:2; 17:1–2, 4–6: baba i një shumice kombesh; shumuar fort; shumë frytdhënës (Në hebraisht, emri Abram do të thotë “baba i ekzaltuar” dhe emri Abraham do të thotë “baba i shumë vetave”.)
-
Zanafilla 12:3; 17:7: të gjitha familjet e tokës bekohen nga pasardhësit e tij; besëlidhja e Perëndisë vazhdon me pasardhësit e Abrahamit
-
Zanafilla 12:7; 17:8: toka e Kanaanit
-
Abraham 2:11: priftëria
Nxënësit mund të përcaktojnë edhe frazën “prej teje kanë për të dalë mbretër” (Zanafilla 17:6). Kjo u referohet mbretërve që do të sundonin edhe Izraelin, edhe Judën, por më e rëndësishmja, i referohet Jezu Krishtit (shihni te Mateu 1:1; Zbulesa 19:16).
Nëse doni, mund të vini në dukje se besëlidhja që Perëndia bëri me Abrahamin, njihet si besëlidhja e Abrahamit. Shpjegoni se kjo është mënyra se si Perëndia ua ofron bekimet e Tij më të mëdha fëmijëve të Tij. Perëndia e ripohoi këtë besëlidhje me Abrahamin shumë herë në jetën e tij (shihni te Zanafilla 13:14–17; 15:5, 18; 22:15–18; Abraham 2:8–12; 3:14).
Si mund ta marr besëlidhjen e Abrahamit?
Tregojeni thënien vijuese nga Presidenti Nelson për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se si lidhet besëlidhja e Abrahamit me ta (shihni edhe te Galatasve 3:27–29; Abraham 2:10).
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se si secili prej nesh mund të marrë gjithashtu po këto bekime që Perëndia ia premtoi Abrahamit:
“Kur e pranojmë ungjillin dhe pagëzohemi, ne marrim mbi vete emrin e shenjtë të Jezu Krishtit. Pagëzimi është porta që na çon drejt bërjes bashkëtrashëgimtarë të të gjitha premtimeve që iu dhanë nga Zoti Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre në lashtësi.
‘Besëlidhj[a] e re dhe [e] përjetshme’ (Doktrina e Besëlidhje 132:6) dhe besëlidhja e Abrahamit janë në thelb të njëjta – dy mënyra për ta quajtur besëlidhjen që Perëndia bëri me burra dhe gra të vdekshme në kohë të ndryshme. …
… [J]u dhe unë personalisht hymë në shtegun e besëlidhjeve në pagëzim. Më pas ne hyjmë më plotësisht në atë shteg në tempull. Bekimet e besëlidhjes së Abrahamit jepen në tempujt e shenjtë. Këto bekime na lejojnë, kur të ringjallemi, që të ‘trashëgo[jmë] frone, mbretëri, fuqi, principata dhe sundime deri në ‘ekzaltimin dhe lavdinë [tonë] në të gjitha gjërat’ [Doktrina e Besëlidhje 132:19].” (“Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 4, 6; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, f .1, 2–3)
-
Si do ta përmblidhje atë që mund të mësojmë nga Presidenti Nelson rreth bekimeve të Abrahamit?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë si: Ndërsa bëjmë besëlidhje me Perëndinë dhe i mbajmë ato, ne bëhemi trashëgimtarë të bekimeve që iu dhanë Abrahamit.
Pse ka rëndësi për mua besëlidhja e Abrahamit?
Ftojini nxënësit të studiojnë referencat në kolonën e dytë dhe të renditin në ditarët e studimit se si bekimet që iu premtuan Abrahamit, iu premtohen edhe atyre. Mund të jetë më mirë që nxënësit t’i studiojnë këto vargje në dyshe apo në grupe të vogla.
Në vijim janë disa nga bekimet që mund të gjejnë nxënësit:
-
Doktrina e Besëlidhje 132:19–22, 30–31: familjet e përjetshme (“vazhdimësi e farës” dhe “vazhdimësi të jetëve”)
-
Abraham 2:9–11: ungjilli do t’u shpërndahet të gjitha familjeve të tokës; shpëtimi dhe ekzaltimi
-
Doktrina e Besëlidhje 88:18–20 (“ajo” i referohet tokës): trashëgimia në mbretërinë çelestiale (shihni edhe te Hebrenjve 11:8, 13–16)
-
Doktrina e Besëlidhje 84:33–38: bekimet e priftërisë, përfshirë gjithçka që ka Ati
-
Në ç’mënyrë janë kuptimplota për ty këto bekime të premtuara?
-
Çfarë mëson nga këto bekime rreth ndjenjave të Perëndisë për ty?
Për ta vendosur besëlidhjen e Abrahamit në kontekstin e planit të Atit Qiellor, nëse doni, mund t’i pyesni nxënësit se çfarë na e bën të mundur marrjen e bekimeve që ata renditën. Mund t’i vini nxënësit të përsiatin ose japin disa nga mendimet e tyre. Mund të tregoni edhe këtë thënie nga Presidenti Nelson.
Presidenti Rasëll M. Nelson vuri në dukje se çfarë e bën të mundur që ne t’i marrim bekimet e besëlidhjes së Abrahamit:
“Flijimi shlyes i Shpëtimtarit bëri të mundur që Ati t’i përmbushte premtimet e Tij të bëra fëmijëve të Tij. … Përmbushja e besëlidhjes së Abrahamit bëhet e realizueshme për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, Zotit Jezu Krisht. Jezu Krishti është në qendër të besëlidhjes së Abrahamit.” (“Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 7; Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, tetor 2022, f. 3).
Shpjego besëlidhjen e Abrahamit
Ftojini nxënësit t’i zgjerojnë përgjigjet e tyre të fillimit të orës mësimore:
-
Çfarë është besëlidhja e Abrahamit?
-
Si mund ta marr besëlidhjen e Abrahamit?
-
Pse ka rëndësi për mua besëlidhja e Abrahamit?
Për ta përforcuar kuptueshmërinë e tyre, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të vendosen në dyshe dhe t’ia shpjegojnë njëri‑tjetrit besëlidhjen e Abrahamit. Inkurajojini të shohin a mund t’i thonë shkurt, por të plota përgjigjet e tyre. Shpjegimi i kësaj besëlidhjeje me sa më pak fjalë që të jetë e mundur, mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë atë më qartë.
Dëshmoni për bekimet dhe premtimet që na ofron Perëndia nëpërmjet besëlidhjes së Abrahamit.