“Pranimi dhe Përmbushja e Thirrjeve në Kishë: Shërbimi si Shpëtimtari”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Pranimi dhe Përmbushja e Thirrjeve në Kishë: Shërbimi si Shpëtimtari”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Për Forcën e Rinisë: Mësimi 176
Pranimi dhe Përmbushja e Thirrjeve në Kishë
Shërbimi si Shpëtimtari
Thirrjet janë mundësi të mëdha për t’u rritur në aftësi dhe për t’u afruar më pranë Zotit. Por disa nxënës mund të ndihen ngurrues për t’i pranuar thirrjet tani ose në të ardhmen. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të shërbejnë si Shpëtimtari në thirrjet e tyre.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’u jepni nxënësve skenarin dhe pyetjet vijuese. Ftojini ata të imagjinojnë atë që do të thoshin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Si do të ndiheshe?
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke treguar skenarin vijues dhe duke bërë pyetjet më poshtë. Mund të jetë e përshtatshme ta ndryshoni skenarin për ta bërë atë të ketë më shumë lidhje me nxënësit.
Një e re, e quajtur Eva, do të takohet me një anëtar të peshkopatës. Kur e ftoi të takohej me të, ai tha se kishte një thirrje që donte që ajo ta merrte parasysh. Ajo nuk ka marrë kurrë më parë një thirrje.
Nëse është e nevojshme, shpjegoni se “Zoti thërret burra dhe gra për të shërbyer sot në Kishë nëpërmjet ftesave të frymëzuara nga shërbëtorët e Tij. Këto mundësi për të shërbyer njihen si thirrje” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 30.0, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
-
Cilat mund të jenë disa nga thirrjet që mund t’i kërkohen Evës të përmbushë?
Disa përgjigje të mundshme janë në një presidencë klase, në komitetet për misionarët dhe për historinë familjare në lagjen tuaj dhe si shërbestare për dikë në lagjen e saj.
-
Si mund të ndihet Eva? Pse?
Disa shembuj që mund të japin nxënësit, mund të përfshijnë që ajo është në ankth se mund të mos dalë mirë, se është e shqetësuar rreth marrjes së një përgjegjësie tjetër ndërkohë që është tashmë e ngarkuar me punë, ose që ajo pret me padurim të shërbejë sepse ka kërkuar mënyra të tjera për t’i ndihmuar të tjerët.
-
Çfarë do të donit që të dinte Eva rreth pranimit dhe përmbushjes së thirrjeve në Kishë?
Ndalu një çast për të përsiatur se sa i/e përgatitur ndihesh për të pranuar dhe përmbushur një thirrje. Ndërsa e studion këtë mësim, kërko drejtim nga Zoti për të mësuar dhe ndier atë që do të të ndihmojë më mirë t’i pranosh dhe të shërbesh në thirrje.
Përse i pranojmë dhe i përmbushim thirrjet
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim një nga arsyet përse ne i pranojmë dhe i përmbushim thirrjet:
“Në veprën e Shpëtimtarit, shpesh ndodh që ‘nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen’ [Alma 37:6].
Ne e dimë se kërkohet ushtrim i përsëritur për t’u bërë të zotë për çfarëdolloj gjëje. Qoftë nëse është për rënien e klarinetës, goditjen e një topi në rrjetë, riparimin e një makine ose madje pilotimin e një avioni, veç nëpërmjet ushtrimit mund të bëhemi gjithnjë e më të zotë.
Organizata që Shpëtimtari ynë krijoi në tokë – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – na ndihmon të bëjmë pikërisht atë. Na ofron një vend për ta ushtruar të jetuarit sipas mënyrës që na mësoi Ai, dhe bekimin e të tjerëve ashtu siç bëri Ai.
Si anëtarë të Kishës, na jepen thirrje, përgjegjësi dhe mundësi për t’u shkuar në ndihmë të tjerëve me dhembshuri dhe për t’u dhënë shërbesë.” (“Beso, Duaj, Bëj”, Liahona, nëntor 2018, f. 48)
-
Si do ta përmblidhje atë që dha mësim Plaku Uhtdorf?
Nxënësit mund të tregojnë një larmi të vërtetash. Kërkojuni atyre të shpjegojnë përse këto të vërteta janë të rëndësishme. Nëse nxënësit nuk e përmendin vetvetiu, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Thirrjet në Kishë janë një mundësi për t’i bekuar dhe për t’u shërbyer të tjerëve siç bëri Shpëtimtari.
Merrni parasysh të paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe të bëni pyetjet vijuese. Nxënësit mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre rreth figurës së Shpëtimtarit.
-
Kur të ka shërbyer dikush siç do të bënte Shpëtimtari? Çfarë ndikimi pati ai tek ti?
-
Përse mund të dojë dikush t’u shërbejë të tjerëve siç bëri Shpëtimtari, megjithëse mund të jetë në ankth në lidhje me pranimin e një thirrjeje?
-
Në ç’mënyra na ndihmojnë thirrjet të mësojmë t’i bekojmë dhe t’u shërbejmë të tjerëve si Shpëtimtari?
Shërbimi si Shpëtimtari
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kapërcejnë rezervat që mund të kenë në lidhje me shërbimin në thirrje, ose të kërkojnë mënyra se si mund t’i përmirësojnë përpjekjet e tyre për t’i përmbushur thirrjet. Ata mund ta plotësojnë atë individualisht ose në grupe të vogla:
Studio një ose më shumë nga shembujt në fletushkë që ti mendon se mund të të ndihmojnë ndërsa merr parasysh t’i pranosh dhe t’i përmbushësh thirrjet në Kishën e Shpëtimtarit.
Jepini çdo nxënësi një ose më shumë prej veprimtarive në fletushkë: “Shërbimi si Shpëtimtari”.
Pasi nxënësit ta kenë mbaruar veprimtarinë, ftojini ata ta tregojnë atë që mësuan dhe se si ajo ndikoi në dëshirën e tyre për t’i pranuar dhe për t’u përpjekur t’u shërbejnë të tjerëve në thirrje si Shpëtimtari.
Merreni parasysh ta këndoni ose ta dëgjoni këngën “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41). Më pas, ftojini nxënësit të shkruajnë një gjë që do të donin ta bënin për të shërbyer si Shpëtimtari në thirrjet e tyre tani ose në të ardhmen.