“Vendosja e Synimeve: Vendosja dhe Arritja e Efektshme e Synimeve”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Vendosja e Synimeve: Vendosja dhe Arritja e Efektshme e Synimeve”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Për Forcën e Rinisë: Bërja e Zgjedhjeve: Mësimi 172
Vendosja e Synimeve
Vendosja dhe Arritja e Efektshme e Synimeve
Megjithëse shumë njerëz janë bekuar nga vendosja dhe arritja e synimeve, të tjerët mund t’i lënë mënjanë synimet ose të shkurajohen kur nuk i arrijnë. Zoti do që ne të bëhemi madje siç janë Ai dhe Ati Qiellor (shih tek 3 Nefi 12:48). Ai do të na ndihmojë ndërsa përpiqemi të mësojmë dhe të rritemi. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të afrohen më pranë Zotit ndërsa mësojnë t’i vendosin dhe arrijnë synimet e tyre vetjake me ndihmën e Tij.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin synimet afatgjata dhe afatshkurtra që do të donin t’i arrinin. Ata mund të pyesin edhe njerëzit që njohin se çfarë kanë mësuar ata rreth vendosjes dhe përmbushjes së synimeve.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Synimet dhe zgjedhjet
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke vizatuar diagramin vijues në tabelë. Ftojini nxënësit të bëjnë të njëjtën gjë në ditarët e tyre të studimit.
Nxënësit mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese pranë çdo figure njeriu në të djathtë.
-
Çfarë shpreson të arrish brenda tre muajve? Brenda një viti? Brenda pesë vjetësh?
Ftojini nxënësit t’i përsiatin pyetjet vijuese. Nxënësit e gatshëm mund t’ia tregojnë më pas përgjigjet e tyre klasës.
-
Çfarë mendimesh ose ndjenjash ke ndërsa mendon rreth këtyre synimeve? Pse?
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duan që ti të bëhesh vetja jote më e mirë – duke u bërë përfundimisht siç janë Ata (shih tek 3 Nefi 12:48). Në mësimin e sotëm, kërko udhërrëfimin e Shpirtit për të parë se si Ata mund të të ndihmojnë t’i vendosësh dhe t’i arrish synimet e tua vetjake.
Ndihma e Zotit
Lexoje thënien vijuese nga Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar atë që mëson rreth vendosjes dhe arritjes së synimeve tona:
“Ndihma që mund të marrim nga Zoti për objektivat dhe synimet tona të drejta, është e pakufizuar dhe Ai na përkrah në çdo përpjekje të mirë dhe të drejtë. … Unë ju ftoj të merrni parasysh mënyrat për të synuar përpjekjet e drejta në jetën tuaj pavarësisht nga rrethanat tuaja. Unë ju siguroj se Zoti e do secilin prej nesh dhe Ai është gjithnjë aty për të na ndihmuar, pavarësisht nga situata me të cilën po përballemi.” (“Goals, Growth, and Progress – Recent Messages from Prophets and Apostles”, [artikull vetëm në formatin elektronik], Liahona, janar 2023, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit])
-
Si mund të gjejë zbatim mesazhi i Plakut Soares për vendosjen dhe arritjen e synimeve tona?
Megjithëse nxënësit mund të përdorin fjalë të ndryshme, ndihmojini ata të kuptojnë se Zoti do të na ndihmojë t’i vendosim dhe arrijmë synimet tona të drejta. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.
Më pas shkruani Zoti në tabelë, mbi diagramin nga fillimi i mësimit dhe bëni pyetjen vijuese.
-
Çfarë ndryshimi bën për ty dijenia se Zoti do të të ndihmojë ndërsa i vendos dhe kërkon t’i arrish synimet e tua?
Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se ne mund të vendosim synime në shumë fusha të jetës sonë, duke përfshirë synimet për arsimimin, marrëdhëniet dhe shëndetin tonë fizik. Çdo përpjekje për t’u rritur, përmirësuar dhe përparuar, në një mënyrë të ngjashme me të Krishtit, mund të jetë një synim i drejtë.
Disa nxënës mund të ndihen të shkurajuar në lidhje me vendosjen e synimeve për shkak se ata më shpesh ndiejnë sikur nuk i arrijnë ato sesa ia dalin me sukses. Për t’i ndihmuar këta nxënës, merrni parasysh të bëni pyetjen vijuese.
-
Kur nuk i arrijmë synimet tona, përse është e rëndësishme të kujtojmë se Zoti na do dhe është aty për të na ndihmuar, siç dha mësim Plaku Soares?
Ju mund t’i ftoni nxënësit të lexojnë te 2 Nefi 4:17–21, 26–28 dhe të kërkojnë mënyrën se si Nefi u drejtua te Zoti kur mendoi se nuk i kishte arritur ato.
Për një shembull të mënyrës se si Zoti mund të na ndihmojë t’i arrijmë synimet tona, edhe kur duket e pamundur, merreni parasysh të përdorni shembullin e Abrahamit. Nxënësit mund ta kenë shqyrtuar tashmë këtë histori te Mësimi 22: “Abraham 1”. Nëse po, mund ta rregulloni veprimtarinë më poshtë për të plotësuar nevojat e nxënësve.
Disa vjet para thirrjes së tij si profeti i Zotit, Abrahami u rrit në një tokë ligësie dhe idhujtarie. Edhe babai i tij vendosi t’ia “m[errte] jetën” (Abraham 1:30).
Lexo tek Abraham 1:1–2, 4, duke kërkuar synimet që kishte vendosur Abrahami për vete.
-
Çfarë gjete?
-
Duke marrë parasysh rrethanat e Abrahamit, sa e vështirë mund të ketë qenë t’i arrinte synimet e tij?
Zoti e shpëtoi jetën e Abrahamit në mënyrë të mrekullueshme dhe premtoi ta ndihmonte t’i arrinte synimet e tij të drejta (shih tek Abraham 1:15–20).
Lexo tek Abraham 1:18–19, duke kërkuar mënyrën se si Zoti do ta ndihmonte Abrahamin.
-
Si mund të ndikojë përvoja e Abrahamit në mënyrën se si ti mendon rreth synimeve të tua?
-
Si të kanë ndihmuar Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ty ose dikë që ti njeh, që të vendosësh ose të arrish një synim të drejtë?
Procesi për vendosjen e synimeve
Jepini çdo nxënësi fletushkën “Parimet e Vendosjes dhe Përmbushjes së Synimeve”. Nxënësit mund t’i qasen këtij informacioni edhe duke shkuar te faqja 151 te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023).
Nxënësit mund ta studiojnë fletushkën individualisht dhe më pas t’i diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet më poshtë në dyshe ose grupe të vogla.
Shqyrtoji parimet në fletushkë dhe përgatitu t’u përgjigjesh pyetjeve vijuese:
-
Cilat pjesë të këtij procesi i bën mirë? Cilat pjesë janë më të vështirat për ty? Pse?
-
Si mund të duket ta përfshish Zotin dhe të kërkosh ndihmën e Tij gjatë gjithë këtij procesi?
Pas një kohe të mjaftueshme, disa nxënës mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Ushtroni vendosjen e synimeve
Nëse ka kohë në dispozicion, merreni parasysh t’i ndihmoni nxënësit tuaj të ushtrojnë vendosjen dhe arritjen e synimeve duke përdorur këtë proces. Ata mund ta bëjnë veprimtarinë vijuese në dyshet e tyre ose në grupe të vogla. Ose mund të shkoni drejt e te pjesa “Synimi yt”.
Rendit në ditarin e studimit disa shembuj të synimeve të drejta dhe të vlefshme që adoleshentët mund t’i vendosin për jetën e tyre.
Më pas, zgjidh njërin nga këto synime dhe, duke përdorur parimet në fletushkë, krijo një skenar në të cilin një individ mund ta bëjë në mënyrë realiste secilin hap. Merre parasysh se si mund ta përfshish Zotin në këtë proces.
Mund të përdorësh skenarin vijues si model:
-
Jetmiri i kërkon ndihmë Atit Qiellor për të vendosur një synim. Ai vendos ta studiojë Librin e Mormonit çdo ditë për 10 minuta.
-
Ai vendos të zgjohet më herët në mënyrë që të studiojë para shkolle.
-
Pas një jave, Jetmiri vëren se fle më shumë se zakonisht. Ai lutet për ndihmë.
-
Pas dy javësh, Jetmiri mendon se nuk e arriti synimin e tij. Ai i kërkon Atit Qiellor ta ndihmojë të ndiejë dashurinë e Tij dhe të Jezu Krishtit për të. Ai ndihet i inkurajuar dhe vendos ta provojë sërish, duke mirëbesuar se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do ta ndihmojnë. Ai vendos qëllimisht të bjerë në gjumë më herët çdo natë në mënyrë që të mund të zgjohet më lehtë.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa nxënës të flasin për skenarët e tyre.
Synimi yt
Veprimtaria vijuese është një mënyrë se si nxënësit mund të bëjnë një plan për ta përfshirë Zotin në synimet e tyre. Ata mund t’i shkruajnë synimet dhe planin e tyre në ditarët e tyre të studimit ose në fletushkë.
Përsiati synimet e tua vetjake duke përdorur hapin e parë nga fletushka. Për ta bërë këtë, mund të reflektosh mbi vizatimin tënd nga fillimi i mësimit.
Shkruaj një ose dy synime që do të doje t’i arrije. Krijo një plan të hollësishëm që përvijon hapat që do të doje të ndërmerrje për t’i arritur ato. Sigurohu të përfshish në planin tënd mënyrën se si mund ta përfshish Zotin te synimet e tua.
Inkurajojini nxënësit në përpjekjet e tyre për t’i arritur synimet dhe kujtojuni atyre ndihmën prej Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Merreni parasysh të lexoni sërish thënien e Plakut Soares dhe të jepni dëshmi për atë që dha mësim ai.