Seminari
Isaia 54: “Me Mëshira të Mëdha Unë do të të Mbledh”


“Isaia 54: ‘Me Mëshira të Mëdha Unë do të të Mbledh’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Isaia 54: ‘Me Mëshira të Mëdha Unë do të të Mbledh’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Isaia 50–57: Mësimi 125

Isaia 54

“Me Mëshira të Mëdha Unë do të të Mbledh”

The Christus Statue

Njerëzit mund të ndihen të braktisur dhe të vetmuar herë pas here. Ndonjëherë njerëzit mund të mendojnë se Perëndia nuk është atje për ta. Për shkak se shtëpia e Izraelit e shkeli besëlidhjen që bëri me Jehovën, ata u shpërndanë. Ata mund të kenë menduar se Perëndia i kishte braktisur. Megjithatë, nëpërmjet profetit Isaia, Zoti i kujtoi popullit të Tij të besëlidhjes, edhe atëherë edhe tani, se Ai do t’i mblidhte ata me mëshira të mëdha dhe do t’u jepte paqe. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë dashurinë dhe zotimin e Shpëtimtarit ndaj tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Isaia 54, duke kërkuar fjalët dhe frazat që do t’ia jepnin dikujt që ndihet i vetmuar ose i braktisur.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të ndierit i braktisur

Merreni parasysh ta filloni orën mësimore me skenarin vijues. Nxënësit mund të përzgjedhin një variant të skenarit ku të përqendrohen individualisht ose një skenar për të gjithë klasën. Nxënësit do të kenë një mundësi për t’u përgjigjur për skenarin që zgjodhën në fund të mësimit.

Kleo ndihet i vetmuar dhe i braktisur sepse …

  • Ai ka mëkatuar dhe nuk beson se Perëndia do ta falë për atë që ai ka bërë.

  • Kohët e fundit ai u transferua në një zonë të re dhe e ka të vështirë të zërë shoqëri.

  • Ai mendon se lutjet e tij nuk po marrin përgjigje.

Mendo për atë që mund t’i thuash Kleos për ta ndihmuar. Reflekto mbi atë që do të doje të dinte ai rreth Jezu Krishtit.

Ju mund të doni edhe t’i ftoni nxënësit të mendojnë për rrethanat e tyre dhe mënyrën se si kanë reaguar nëse janë ndier të vetmuar ose të braktisur.

Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë kontekstin e kapitullit tek Isaia 54, mund të doni t’u tregoni nxënësve figurën “Mbretëritë e Izraelit dhe të Judës në një Vështrim të Shpejtë” ndërsa shpjegoni paragrafin vijues (shihni edhe Mësimin 88: 2 Mbretërve 17; 24–25).

Gjatë jetës së tij, Isaia dëshmoi shpërndarjen e Mbretërisë Veriore të Izraelit për shkak të ligësisë së saj (shih te 2 Mbretërve 17:6–23). Ai profetizoi edhe që, për shkak të ligësisë së Mbretërisë Jugore të Judës, edhe ajo do të pushtohej (shih tek Isaia 39:5–7). Për këtë arsye, shumë vetë në shtëpinë e Izraelit mund të jenë ndier të braktisur nga Perëndia.

Tek Isaia 54, Isaia profetizoi për atë që do të bënte Zoti për popullin e Tij të besëlidhjes. Shpëtimtari e përdori më vonë këtë kapitull për t’u mësuar nefitëve mënyrën se si Ai do ta mblidhte Izraelin në ditët e fundit (shih te 3 Nefi 22).

Ndërsa studion tek Isaia 54, dëgjo nxitjet nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar të dish se si ndihen Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në lidhje me marrëdhënien e Tyre me ty.

Premtimet e Zotit për popullin e Tij

Nëse dëshironi, mund t’u kujtoni nxënësve se Isaia shpesh përdorte gjuhë figurative në shkrimet e tij. Të ndalurit për të menduar rreth mësimeve të nxjerra nga gjuha figurative që përfshiu ai mund ta ftojë Frymën e Shenjtë që të na mësojë mesazhin e Zotit në këto shkrime të shenjta. Tek Isaia 54, Isaia e përdori gjuhën figurative të një marrëdhënieje martesore për të dhënë mësim rreth marrëdhënies së besëlidhjes së Zotit me shtëpinë e Izraelit. Bashkëshorti përfaqëson Shpëtimtarin dhe bashkëshortja përfaqëson shtëpinë e Izraelit. Nëse dëshironi, mund të ndani leximin e grupit të radhës të vargjeve në segmente më të vogla, të tilla si vargjet 1–4, 5–8, 9–10, 13, 17. Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë atë që po lexojnë, mund të ndaloni pas çdo grupi vargjesh dhe t’i ftoni nxënësit të bëjnë pyetje.

Mund të gjeni informacion mbi fjalë dhe fraza të caktuara në këto vargje në pjesën Burime Shtesë.

Lexo me kujdes tek Isaia 54:1–10, 13, 17, duke kërkuar atë që i premtoi Jezu Krishti popullit të Tij të besëlidhjes.

  • Çfarë të mëson gjuha figurative e një bashkëshorti dhe bashkëshorteje rreth marrëdhënies së Zotit me shtëpinë e Izraelit?

  • Çfarë na mësojnë emrat dhe titujt e Shpëtimtarit në vargun 5 rreth Tij?

    Nëse dëshironi, mund të caktoni kohë për t’i lejuar nxënësit të tregojnë fjalë dhe fraza kuptimplota nga këto vargje dhe për të diskutuar për atë që ato na mësojnë rreth Zotit. Ata mund ta bëjnë këtë si klasë ose në grupe të vogla.

    Shkruani Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë … në tabelë dhe ftojini nxënësit ta përfundojnë thënien duke përdorur atë që gjejnë tek Isaia 54:4–10, 13, 17.

  • Cilat janë disa mënyra se si mund ta përfundosh thënien Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë …?

    Nxënësit mund ta përfundojnë thënien në shumë mënyra, duke përfshirë:

    Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë …

    • do ta mbledhë popullin e Tij me mëshirë.

    • ka dashuri të përjetshme për popullin e Tij.

    • do të përmbushë besëlidhjen që Ai bëri me popullin e Tij.

    • premton paqe.

    Kur nxënësit i shohin shkrimet e shenjta si të lidhura me jetën e tyre, ka më shumë të ngjarë që ata ta kuptojnë mënyrën se si zbatohet doktrina e Shpëtimtarit për ata personalisht. Pyetjet vijuese, ose të tjera që mund t’ju vijnë në mendje, mund t’i ndihmojnë ata të diskutojnë rëndësinë e të vërtetave që përcaktuan.

  • Cila prej këtyre të vërtetave mendon se mund t’i ndihmojë më shumë të rinjtë sot? Përse?

Reflekto se cila prej këtyre të vërtetave është më kuptimplotë për ty personalisht.

  • Si mendon se i përmbush Jezu Krishti këto premtime sot?

Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi:

Official Portrait of Elder Jeffrey R. Holland.  Photographed January 2018.

“… Në një botë të ‘rrahur nga stuhia, [të] pangushëlluar’, siç e tha Jehova se ajo do të ishte, si mund ta gjejmë atë që Ai e quan ‘besëlidhja e paqes’? Ne e gjejmë duke u kthyer tek Ai i cili tha se do të kishte mëshirë për ne dhe ‘me mirësi të përhershme’ do t’u jepte paqe fëmijëve tanë.” (“Jo si e Jep Bota”, Liahona, maj 2021, f. 35)

  • Çfarë po mëson rreth mënyrës se si ndihen Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndaj teje?

Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin një shembull të mënyrës se si Zoti i mbledh njerëzit e Tij me mëshirë dhe i ndihmon të ndiejnë se i përkasin Kishës së Tij, merreni parasysh të shihni materialin filmik “Angels in the Mirror” [“Engjëj në Pasqyrë”] (5:47), që gjendet te ChurchofJesusChrist.org. Më pas, ftojini nxënësit të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje.

5:46

Demonstro të mësuarit

Veprimtaria vijuese ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të demonstrojnë atë që mësuan dhe ndien rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga studimi i kapitullit tek Isaia 54. Përzgjidhni një metodë të dhënies së përgjigjes që i plotëson më së miri nevojat e klasës suaj. Disa shembuj të asaj që mund të bëni përfshijnë t’i ftoni nxënësit që ta interpretojnë me role situatën, të shkruajnë një mesazh me tekst për ta dërguar, ose të shkruajnë një tregim vizatimor humoristik të një bisede me Kleon.

Kujto përse Kleo ndihet i braktisur dhe i vetmuar. Mendo për atë që mund t’i tregosh atij nga ajo që mësove tek Isaia 54. A ka ndonjë përvojë vetjake që mund t’ia tregosh atij?

  • Çfarë dëshiron të mbash mend rreth Shpëtimtarit nga studimi yt i kapitullit tek Isaia 54?

Nëse dëshironi, mund të jepni edhe dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe mendimet e ndjenjat tuaja ndërkohë që studioni tek Isaia 54.