Seminari
2 Mbretërve 17; 24–25: Shpërndarja e Izraelit


“2 Mbretërve 17; 24–25: Shpërndarja e Izraelit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“2 Mbretërve 17; 24–25: Shpërndarja e Izraelit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

2 Mbretërve 16–25: Mësimi 88

2 Mbretërve 17; 24–25

Shpërndarja e Izraelit

A group of youth reading scriptures together in Florida.

Profetët dhe të tjerë shpesh flasin rreth mbledhjes së Izraelit. Në mënyrë që të kuptohet mbledhja, fillimisht duhet kuptuar pse u shpërnda Izraeli. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta përdorin shpërndarjen e Izraelit për të përcaktuar cilësitë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë te Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: “Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj’” nga Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Dhiata e Vjetër 2026. Kërkojuni atyre të vijnë të përgatitur për të dhënë mendime ose për të bërë pyetje rreth shpërndarjes së Izraelit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shpërndarja e Izraelit

Para orës mësimore, nëse doni, mund të emërtoni zona të ndryshme në klasë si Mbretëria Veriore (Izraeli), Mbretëria Jugore (Juda), Asiria, Kontinenti Amerikan dhe Babilonia/Persia.

  • Si dhe kur mund të jetë disiplinimi i një fëmije një shenjë e dashurisë nga prindërit e tij?

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 95:1, duke kërkuar mënyrën se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndihen për njerëzit që u nevojitet t’i korrigjojnë ose qortojnë.

Disa herë në Dhiatën e Vjetër, Izraeli u rebelua kundër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe pati nevojë për korrigjim. Kjo solli si rezultat atë që quhet shpërndarja e Izraelit. Ndërsa e studion shpërndarjen e Izraelit, kërko mënyrën se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e demonstruan dashurinë e Tyre.

Gjatë gjithë dy pjesëve të radhës të mësimit, nxënësit do të lëvizin rreth e rrotull klasës për të kuptuar mënyrën se si u shpërnda Izraeli.

Ndajini nxënësit në dy grupe në mënyrë të barabartë. Vëreni njërin grup të lëvizë afër zonës së klasës të emërtuar Mbretëria Veriore (Izraeli) dhe grupin tjetër afër zonës Mbretëria Jugore (Juda).

Në vend që t’i vini nxënësit të lëvizin nëpër klasë, mund të paraqitni grafikun “Mbretëritë e Izraelit dhe të Judës në një Vështrim të Shpejtë”. Nxënësit mund të lexojnë të njëjtat vargje dhe të diskutojnë të njëjtat pyetje nga mësimi, por thjesht ta ndjekin këtë grafik.

Mbretëria Veriore e Izraelit

Rreth vitit 975 pr.K., pasi vdiq Salomoni, i biri, Roboami, u bë mbret. Roboami vendosi barrë të mëdha mbi njerëzit. Dhjetë nga fiset u rebeluan kundër Roboamit dhe shkuan pas Jeroboamit (shih te 1 Mbretërve 12:6–11, 19–20). Kjo ndarje krijoi Mbretëritë Veriore dhe Jugore.

Lexo te 2 Mbretërve 17:7–18, 22–23, duke kërkuar atë që i ndodhi Mbretërisë Veriore të Izraelit.

  • Çfarë u ndodhi atyre dhe përse ndodhi ajo?

    Shpjegoni se, kur Asiria e pushtoi Mbretërinë Veriore të Izraelit dhe i çoi shumë izraelitë në Siri, kjo nisi shpërndarjen e Izraelit. Kërkojini shumicës së nxënësve që qëndrojnë afër zonës Mbretëria Veriore (Izraeli), të lëvizin te pjesa e dhomës e emërtuar Asiria. Vini në dukje se ne shpesh i quajmë këto fise “fiset e humbura të Izraelit”. Mund t’u jepni nxënësve që lëvizin te zona Asiria, një etiketë ku thuhet Fiset e Humbura. Mund t’u jepni nxënësve që mbeten në Izrael, një etiketë ku thuhet Samaritanët. Nëse doni, mund të shpjegoni se samaritanët ishin pjesërisht izraelitë dhe pjesërisht johebrenj (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Samaritanë”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  • Si do ta përmblidhje arsyen përse u shpërnda Izraeli?

Nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë si: Për shkak se Izraeli i refuzoi profetët dhe e shkeli besëlidhjen e tij me Zotin, Ai i shpërndau ata ndër kombe.

Mbretëria Jugore e Judës

  • Çfarë ke mësuar deri tani rreth Mbretërisë Jugore të Judës, duke përfshirë mbretërit që kanë mbretëruar atje?

Ftojini nxënësit të tregojnë çdo tregim që mbajnë mend. Për shembull, ata mund të përmendin mbretin Ezekia ose mbretin Josia. Nëse e bëjnë, mund të krijoni një etiketë për secilin mbret dhe t’i vini nxënësit t’i ngrenë lart ato. Inkurajojini nxënësit të tregojnë mënyrën se si Zoti i bekoi këta mbretër dhe njerëzit për besimin tek Ai. Të dy këta mbretër të drejtë mbretëruan pasi Asiria e pushtoi Mbretërinë e Izraelit.

Nxënësit mund të përmendin gjithashtu Lehin dhe familjen e tij. Nëse e bëjnë, ftojini ata ta tregojnë atë që dinë. Nëse nuk e bëjnë, mund t’i vini ata të bëjnë sa vijon. Mund të krijoni një etiketë Lehi dhe familja e tij që disa nxënës ta ngrenë lart.

Lexo te 1 Nefi 1:4, duke kërkuar se kush tjetër jetonte në Mbretërinë e Judës.

Lexo te 1 Nefi 2:1–4; 18:22–23, duke kërkuar atë që ndodhi me këtë familje.

  • Çfarë bekimesh nga Ati Qiellor kemi marrë për shkak se Zoti e drejtoi Lehin dhe familjen e tij larg nga Jerusalemi si pjesë e shpërndarjes?

Kërkojuni nxënësve që mbajnë në dorë etiketën Lehi dhe familja e tij, të largohen nga Mbretëria e Judës për te pjesa e klasës e emërtuar Kontinenti Amerikan.

Lexo te 2 Kronikave 36:17–20, duke kërkuar atë që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, u bëri banorëve të Jerusalemit pak pasi Lehi dhe familja e tij u larguan.

Kërkojuni nxënësve të mbetur te Mbretëria e Judës që të lëvizin për te zona e klasës që përfaqëson Babiloninë/Persinë. Afërsisht ndërmjet vitit 605 dhe 587 pr.K., babilonasit çuan shumë judenj në Babiloni dhe e rrethuan dhe përfundimisht e shkatërruan Jerusalemin (shihni te 2 Mbretërve 24:8–16; 25:1–12, 21; Jeremia 52).

Nëse doni, mund t’u kërkoni nxënësve të përmendin disa individë që përfunduan në Babiloni. Nëse atyre u nevojitet ndihmë, mund t’u jepni disa nxënësve etiketa si Danieli, Shadraku, Meshaku, Abed‑negoja (shihni te Daniel 1:1–7) dhe Ezekieli (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ezekiel”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

Lexojeni përmbledhjen vijuese. Shpjegoni se disa judenj qëndruan në Persi (shihni tek Esterit 2:5–7). Kërkojuni disa nxënësve tek etiketa Babilonia/Persia të kthehen te zona e klasës që përfaqëson Mbretërinë e Judës. Mund të krijoni etiketat Ezdra dhe Nehemia që t’i mbajnë disa nxënës që lëvizin te Mbretëria e Judës. Nxënësit do të mësojnë më shumë rreth Ezdras dhe Nehemias më vonë.

Persianët e pushtuan Babiloninë kur mbret ishte Kiri. Rreth vitit 537 pr.K., Zoti e frymëzoi mbretin Kir të Persisë t’i lejonte judenjtë të ktheheshin në Jerusalem dhe të rindërtonin tempullin (shih te 2 Kronikave 36:22–23; Jeremia 29:10–14; Ezdras 1:1–3). Në vitet që pasuan, Ezdra, Nehemia dhe të tjerët u kthyen në Jerusalem për të ndihmuar të rindërtohej qyteti dhe të përfundonte tempulli (shih tek Ezdras 7:6–8; Nehemias 2:1–11).

Fëmijët e Atit Qiellor nuk janë kurrë të humbur për Të

Nëse doni, mund të vini në dukje se shumë prej këtyre grupeve nuk e dinin se çfarë po u ndodhte grupeve të tjera. Nga këndvështrimi i tyre, grupet e tjera kishin humbur.

Lexo tek 3 Nefi 17:4, duke kërkuar atë që u tha Shpëtimtari nefitëve gjatë shërbesës së Tij mes tyre.

  • Çfarë të bën përshtypje në këtë varg?

Mund të vini në dukje se, megjithëse Izraeli ishte shpërndarë, Zoti e përdori shpërndarjen e popullit të besëlidhjes së Tij për t’i bekuar kombet ku ata u shpërndanë (shihni te “Shpërndarja e Izraelit” në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Izrael”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Mund të vini në dukje se fjala “dhembshuri” tek Isaia 54:8 është përkthim i fjalës hesed. Për më shumë mbi kuptimin e fjalës hesed shihni artikullin e Presidentit Nelson “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 5–6, Mesazhi i Përmuajshëm për revistën Liahona, tetor 2022, f. 5.

Lexo te Ligji i Përtërirë 4:27–31 dhe Isaia 54:7–10, duke kërkuar atë që premtoi të bënte Zoti për Izraelin e shpërndarë.

  • Çfarë cilësish sheh tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndërsa mëson rreth shpërndarjes së Izraelit?

Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për dashurinë e Atit Qiellor për të gjithë fëmijët e Tij dhe për premtimin e Tij për të mbledhur Izraelin e shpërndarë.