“Ushtrimi 6 i Zotërimit Doktrinor: Kupto Fragmentet e Shkrimit të Shenjtë për Zotërimin Doktrinor dhe Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ushtrimi 6 i Zotërimit Doktrinor: Kupto Fragmentet e Shkrimit të Shenjtë për Zotërimin Doktrinor dhe Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
2 Mbretërve 16–25: Mësimi 89
Ushtrimi 6 i Zotërimit Doktrinor
Kupto Fragmentet e Shkrimit të Shenjtë për Zotërimin Doktrinor dhe Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore
Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë jetën e tyre mbi themelin e Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kuptojnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të zgjedhin një fragment të zotërimit doktrinor që ata duan ta kuptojnë më mirë. Inkurajojini ata të përdorin një fjalor për të kërkuar fjalët në fragment. Programi kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] mund të jetë një burim i dobishëm. Nxënësit mund të gjejnë një listë të fragmenteve të zotërimit doktrinor te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përsëritja e zotërimit doktrinor: Kupto
Mund ta filloni orën mësimore duke diskutuar atë që bëjnë nxënësit kur nuk i kuptojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë.
-
A ke lexuar ndonjëherë një shkrim të shenjtë dhe je pështjelluar rreth kuptimit të tij – mbase edhe pasi e ke lexuar atë më shumë se një herë?
-
Si reagon ti kur kjo të ndodh?
-
Si mendon, pse Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kënaqen kur ne përpiqemi t’i kuptojmë shkrimet e shenjta?
Ndihmojini nxënësit të shohin se është normale të mos kuptosh gjithçka në shkrimet e shenjta. Shpjegoni se, me kalimin e kohës dhe me praktikë duke përdorur zotësitë e studimit të shkrimeve të shenjta, aftësia juaj për t’i kuptuar shkrimet e shenjta do të rritet.
Paraqitni një listë të fragmenteve të zotërimit doktrinor që nxënësit i kanë studiuar gjatë Dhiatës së Vjetër. Ftojini nxënësit të zgjedhin një fragment që do të donin ta kuptonin më mirë. Më pas kërkojuni nxënësve të përfundojë një nga veprimtaritë vijuese.
Veprimtaria A: Referencat‑kryq
Gjej shkrime të tjera të shenjta që mund të ta rritin kuptueshmërinë për fragmentin e zotërimit doktrinor. Mund të përcaktosh gjithashtu një doktrinë që jepet mësim në fragment dhe të përdorësh Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta për të gjetur shkrimet e shenjta që japin më shumë mësim rreth asaj doktrine. Merre parasysh të lidhësh ose të bësh referencë‑kryq të shkrimeve të tjera të shenjta që gjen, me fragmentin tënd të zotërimit doktrinor.
Mund ta shënosh gjithashtu në ditarin e studimit ose te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] mënyrën se si përdorimi i këtyre burimeve ndihmoi të rritej kuptueshmëria jote për fragmentin e zotërimit doktrinor.
Veprimtaria B: Përkufizo fjalët
Përcakto fjalë në fragmentin e zotërimit doktrinor të cilat nuk i kupton. Kërko përkufizimet e atyre fjalëve në burimet që janë në dispozicion. Mund të kontrollosh tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose një fjalor i përgjithshëm. Shënoji përkufizimet që zbulon, në ditarin e studimit, në anët e shkrimeve të shenjta ose te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Lexoje sërish fragmentin e shkrimit të shenjtë duke përdorur përkufizimet që gjete.
Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa nxënësve që të tregojnë se si është rritur kuptueshmëria e tyre për fragmentin e zotërimit doktrinor. Mund të bëni pyetje të tilla si:
-
Si e rritën referencat‑kryq që gjetët kuptueshmërinë tuaj për fragmentin e zotërimit doktrinor?
-
Si ju ndihmoi përkufizimi i fjalëve t’i shihni ndryshe këto shkrime të shenjta?
Mund t’i ftoni nxënësit t’i përdorin këto zotësi të studimit të shkrimeve të shenjta gjatë studimit të tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta.
Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore
Shqyrtimi i parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore mund t’i përgatitë nxënësit t’i zbatojnë ato në një situatë nga jeta reale. Përzgjidhni një prej veprimtarive nga pjesa “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”, që gjenden te shtojca. Nxënësit mund të gjejnë përshkrime të këtyre parimeve te paragrafët 5–12 te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
Nxënësit nuk kanë mësuar një fragment të ri të zotërimit doktrinor që nga libri Jozueut 24:15. Veprimtaria vijuese ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta zbatojnë përmbajtjen që kanë studiuar kohët e fundit, që mund të përfshijë vargjet te 1 Samuelit 3:4–10 ose 1 Mbretërve 19:9–13. Për të përfshirë fragmentet e zotërimit doktrinor, mund t’i ftoni nxënësit të përcaktojnë fragmente të zotërimit doktrinor nga libra të tjerë të shkrimeve të shenjta që mund të ndihmojnë në këtë skenar. Shembujt përfshijnë vargjet te Jakob [Bibël] 1:5–6; 2 Nefi 28:30 dhe Doktrina e Besëlidhje 8:2–3.
Përdoreni ose përshtateni skenarin vijues për t’i ndihmuar nxënësit t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
Gjatë një takimi të kohëve të fundit të klasës së Të Rejave, Kela dëgjoi shumë të reja të tregonin përvoja vetjake kur Perëndia i kishte drejtuar ato nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Kela ishte e lumtur për to, por nuk ndien se po merr drejtim vetjak nga Fryma e Shenjtë. Ajo ndien se duhet të marrë vendime të rëndësishme dhe ka nevojë për udhërrëfim qiellor.
-
Cilat janë disa arsye përse mund të jetë e vështirë për Kelën që ta dallojë zbulesën vetjake?
Nxënësit mund të renditin individë të ndryshëm të cilëve Kela mund t’u drejtohet për ndihmë. Shembujt përfshijnë një prind, një udhëheqës Kishe, një motër/vëlla ose një shok. Ftojini nxënësit të përzgjedhin secili një rol. Kërkojuni atyre të përgatiten për ta ndihmuar Kelën t’i zbatojë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore duke e përdorur atë rol.
Mund t’i organizoni nxënësit në grupe sipas roleve që përzgjodhën. Për të shmangur grupet e mëdha, mund të krijoni grupe të shumta me të njëjtin rol.
-
Çfarë mund t’i tregoje Kelës? Si mund ta inkurajoje atë që t’i përdorë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore?
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, ftojini ata të gjejnë thënie specifike nga paragrafët 5–12 të pjesëve Marrja e Njohurisë Shpirtërore të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Ata mund të studiojnë gjithashtu zërin “Pranojeni se Zbulesa Është një Proces” tek “Tema dhe Pyetje” në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Pyetjet vijuese mund t’i ndihmojnë gjithashtu nxënësit të përgatitin një përgjigje.
-
Çfarë mund të bëjë Kela për të vepruar me besim për të marrë drejtim nga Perëndia? Si mund ta ndihmojë bërja e kësaj atë?
-
Çfarë mund të dijë Kela tashmë rreth Atit Qiellor, planit të Tij dhe mënyrës se si Ai i trajton fëmijët e Tij? Si mund ta ndihmosh Kelën ta zbatojë këtë njohuri në situatën e saj të tanishme?
-
Cilat shkrime të shenjta, thënie nga një udhëheqës i Kishës, ose burime të tjera të ungjillit mund t’i jepje Kelës? Si mendon se mund ta ndihmojë atë ky burim?
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të përgatitur një përgjigje, ftojeni një nxënës/e që të sillet sikur është Kela. Kërkojini atij ose asaj të zgjedhë llojin e personit të cilit do t’i drejtohej për ndihmë. Ftojini nxënësit që e përzgjodhën atë rol, ta tregojnë atë që përgatitën. Për shembull, nëse nxënësi/ja që përfaqëson Kelën, tha se do t’u drejtohej prindërve, nxënësit që u përgatitën për t’u përgjigjur si një prind, mund t’ia tregojnë Kelës atë që përgatitën.
Nëse koha e lejon, përsëriteni ushtrimin me një nxënës/e tjetër që përfaqëson Kelën. Ky/kjo nxënës/e mund të përzgjedhë një rol të ndryshëm për t’i thënë përgjigjet e përgatitura.
Pas interpretimit me role, merreni parasysh të bëni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit ta përpunojnë atë që mësuan.
-
Çfarë mësove rreth marrjes së udhërrëfimit hyjnor nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Çfarë po mëson rreth përdorimit të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore?
Mund t’i ftoni nxënësit të përsiatin një situatë me të cilën po përballen. Ftojini ata të bëjnë diçka sot për të zbatuar një ose më shumë nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në atë situatë. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për mënyrën se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i ndihmojnë nxënësit në sfidat vetjake ndërsa kërkojnë drejtim tek Ata.