Seminari
2 Mbretërve 21–23: Mbreti Josia dhe Libri i Ligjit


“2 Mbretërve 21–23: Mbreti Josia dhe Libri i Ligjit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“2 Mbretërve 21–23: Mbreti Josia dhe Libri i Ligjit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

2 Mbretërve 16–25: Mësimi 87

2 Mbretërve 21–23

Mbreti Josia dhe Libri i Ligjit

King Josiah Reads the Book of the Law to the people

A e ke pyetur veten ndonjëherë se si mund të ishte ndryshe jeta jote po të mos i kishe shkrimet e shenjta? Kur mbretëria e Judës u largua nga Perëndia, “libri [i] ligjit” (2 Mbretërve 22:8, 11) u shpërfill dhe përfundimisht humbi në tempull. Gjatë restaurimit të tempullit nga Josia, prifti i lartë Hilkiah e gjeti librin e ligjit, që Josia më pas ia lexoi popullit. Shkrimet e shenjta e ndihmuan mbretin Josia dhe popullin e tij të drejtoheshin përsëri te Zoti. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i drejtohen Zotit nëpërmjet studimit vetjak të shkrimeve të shenjta.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shqyrtojnë synimet e tyre vetjake për studimin e shkrimeve të shenjta dhe përpjekjet e tyre për të lexuar kapitujt e caktuar të Dhiatës së Vjetër. Inkurajojini ata të vazhdojnë të punojnë për synimet e tyre ose me lutje të bëjnë përshtatjet e nevojshme për të qenë të suksesshëm.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Jetë pa shkrimet e shenjta

Para orës mësimore, merreni parasysh të vendosni një shenjues libri në një Bibël te 2 Mbretërve 22:8. Fshiheni Biblën në klasë për ta përdorur më vonë në mësim.

Shkruajeni pyetjen e paplotë vijuese në tabelë:

  • Si do të ishte jeta jote pa ?

Merreni parasysh t’i jepni çdo nxënësi një copë të vogël letre. Ftojini ata të shkruajnë një send ose veprimtari të zakonshme që mund ta përfundonte pyetjen. Për shembull, ata mund të shkruajnë fjalë si këpucë, furça dhëmbësh, shkollë ose sporte. Vendosini nxënësit në grupe të vogla. Ftojini ata të diskutojnë mënyrën se si do t’i përgjigjeshin pyetjes nëse do të plotësohej me fjalët që ata kanë shkruar. Pasi nxënësit të kenë mbaruar së foluri, jepuni atyre kohë për të marrë parasysh në heshtje sa vijon:

Reflekto mbi përvojat e tua vetjake ndërsa përsiat për pyetjet vijuese:

  • Si do të ishte jeta jote pa shkrimet e shenjta?

  • Si ka ndikuar studimi yt i kohëve të fundit i shkrimeve të shenjta në marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Mund t’u kërkoni disa vullnetarëve t’i tregojnë përgjigjet e tyre. Për ta pasuruar diskutimin, mund të paraqitni thënien vijuese.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth nevojës sonë për shkrimet e shenjta.

Portrait of Elder D. Todd Christofferson.  Photographed in March 2020.

“Ata që ose nuk e kanë, ose e shpërfillin fjalën e dokumentuar të Perëndisë, përfundimisht pushojnë së besuari në Të dhe e harrojnë qëllimin e ekzistencës së tyre.” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 33)

Më vonë në mësim, nxënësit do të kenë një mundësi për të përcaktuar dhe treguar fragmentet e shkrimit të shenjtë dhe për të reflektuar mbi synimet vetjake të studimit. Mund të përshtatni pjesë të këtij mësimi për t’u dhënë nxënësve kohë të mjaftueshme për pjesët “Të shprehurit e nxënësve” dhe “Synimet për studimin e shkrimeve të shenjta”.

Ndikimi i shkrimeve të shenjta

Me kalimin e kohës, shkrimet e shenjta kishin humbur dhe mbretëria e Judës ishte larguar nga Zoti. Nën mbretërinë e mbretërve Manas dhe Amon, njerëzit u përfshinë në idhujtari dhe praktika të tjera të liga, duke përfshirë sakrifikimin e fëmijëve (shih te 2 Mbretërve 21). Pas vdekjes së Amonit, biri i tij, Josia, u bë mbret në moshën tetë vjeç. Josia ishte i drejtë. Në vitin e 18‑të të mbretërimit të tij, Josia siguroi pagesën që punëtorët të riparonin tempullin në Jerusalem (shih te 2 Mbretërve 22:1–7).

Nëse e fshehët një Bibël para orës mësimore, shpjegoni se ka shkrime të shenjta të humbura diku në klasë. Ftojini nxënësit t’i gjejnë ato. Kërkojini nxënësit që e gjen Biblën, të gjejë shenjuesin e librit. Më pas, jepni udhëzimet vijuese:

Lexo te 2 Mbretërve 22:8–13, duke kërkuar atë që ndodhi ndërsa tempulli po riparohej.

  • Çfarë zbuloi Hilkiahu, prifti i lartë?

  • Si u përgjigj mbreti Josia pasi dëgjoi fjalët e librit, ose shkrimet e shenjta?

Josia vendosi t’ua lexonte librin të gjithë njerëzve të Jerusalemit (shih te 2 Mbretërve 22:14–20; 23:1–2).

Mund t’i ndihmoni nxënësit të përfytyrojnë atë që kanë lexuar, duke parë materialin filmik “Josiah and the Book of the Law” [“Josia dhe Libri i Ligjit”] (12:25) nga kodi kohor 7:02 deri në 8:37. Ky material filmik është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

12:25

Lexo te 2 Mbretërve 23:1–3, duke kërkuar ndikimin që pati leximi i shkrimeve të shenjta te Josia dhe populli i tij. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth efektit të studimit të shkrimeve të shenjta në jetën tonë?

Ndër idetë që japin nxënësit, ata mund të përcaktojnë se studimi i shkrimeve të shenjta mund të na ndihmojë t’i drejtohemi Zotit me gjithë zemrën tonë. Kjo mund të shkruhet në tabelë dhe të përmendet gjatë të gjithë pjesës së mbetur të mësimit.

Për ta kuptuar më mirë këtë parim, nxënësit mund të plotësojnë sa vijon bashkë me një partner. Çdo nxënës mund të studiojë një grup vargjesh. Më pas partnerët mund t’ia tregojnë njëri‑tjetrit atë që mësuan, dhe të diskutojnë pyetjet shoqëruese.

Ndërsa Josia dhe populli i tij mësuan nga shkrimet e shenjta dhe u drejtuan te Zoti, ata u frymëzuan për të bërë ndryshime në jetën e tyre. Lexoji vargjet që të janë caktuar, duke kërkuar ndryshimet që ata bënë.

Nxënësi 1

2 Mbretërve 23:4, 24.

  • Përse mendon se nevojitej që populli t’i shkatërronte të gjithë idhujt e tij për t’iu drejtuar Zotit me gjithë zemrën e vet?

  • Si mund të na ndihmojë studimi i shkrimeve të shenjta që të largohemi nga ndikimet e liga në jetën tonë?

Nxënësi 2

2 Mbretërve 23:21–22.

  • Çfarë praktikash fetare ndoqën sërish Josia dhe populli i tij pasi lexuan shkrimet e shenjta?

  • Si mund të na ndihmojë studimi i shkrimeve të shenjta të kujtojmë Shpëtimtarin dhe ta jetojmë ungjillin e Tij?

Mund ta përmbyllni historinë e Josias duke parë materialin filmik “Josiah and the Book of the Law” [“Josia dhe Libri i Ligjit”] nga kodi kohor 8:37 deri në 10:20.

12:25

Të treguarit prej nxënësve

Kjo pjesë e mësimit është krijuar për reflektim vetjak dhe të treguar. Nxënësit mund të tregojnë se si shkrimet e shenjta i kanë ndihmuar (ose mund t’i ndihmojnë) t’i drejtohen Zotit.

Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha mësim për ndikimin që pati studimi i shkrimeve të shenjta në jetën e tij:

Portrait of President Spencer W. Kimball. He is holding an open book in his hands.

“Unë shoh se kur bëhem rastësor në marrëdhëniet e mia me hyjninë dhe kur duket sikur asnjë vesh hyjnor nuk po dëgjon dhe asnjë zë hyjnor nuk po flet, unë jam shumë, shumë larg. Nëse e zhyt veten time në shkrimet e shenjta, largësia shkurtohet dhe shpirtshmëria kthehet.” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 67)

Përcakto një fragment të shkrimit të shenjtë që të ka ndihmuar (ose mund të të ndihmojë) t’u drejtohesh Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Mund të jetë nga studimi vetjak ose familjar i shkrimeve të shenjta ose nga një mësim i mëparshëm i seminarit, ose mund të jetë një fragment i zotërimit doktrinor. Përgatitu të tregosh sa vijon:

  • Si të ka ndihmuar ky fragment (ose si mund të të ndihmojë) t’u drejtohesh Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit me gjithë zemër?

Kur nxënësit të jenë gati për të folur, ftojini të gjithë t’i shkruajnë në tabelë fragmentet e tyre rreth të vërtetës që e përcaktuan më herët. Kërkojuni shumë vullnetarëve ta lexojnë fragmentin dhe të japin idetë ose përvojat e tyre. Nëse është e nevojshme, mund të tregoni edhe fragmentet që ju kanë ndihmuar t’i drejtoheni Zotit.

Merreni parasysh t’i vini në dukje fragmentet në tabelë të cilët nuk janë përmendur. Mund të pyesni a do të ishin të gatshëm të flisnin nxënësit që i shkruan ato. Ose mund ta ftoni klasën ta lexojë fragmentin dhe të diskutojë se si ai mund të na ndihmojë t’i drejtohemi Zotit.

Ndërsa nxënësit shprehen, mund të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë për të inkurajuar diskutimin në klasë. Për shembull, mund të pyesni: “A ka pasur dikush tjetër një përvojë me atë fragment? A do të ishit të gatshëm të tregonit?” ose “Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni pasur ndërsa e dëgjuat njëri-tjetrin?”

Synimet për studimin e shkrimeve të shenjta

Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj që nxënësit të kenë një përvojë të ngjashme siç pati Josia ndërsa i studioi shkrimet e shenjta (shihni te 2 Mbretërve 23:25). Ftojini nxënësit t’i shqyrtojnë synimet e tyre për studimin vetjak të shkrimeve të shenjta dhe ecurinë e tyre në leximin e kapitujve të caktuar të Dhiatës së Vjetër. Jepuni atyre kohë për të reflektuar mbi pyetjet vijuese:

  • A e ndien se synimi yt i tanishëm për studimin e shkrimeve të shenjta po të ndihmon t’u drejtohesh plotësisht Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Nëse po, si e ke parë këtë gjë të ndodhë? Nëse jo, çfarë përshtatjesh do të bësh?

  • Çfarë përvojash domethënëse ke pasur me leximin e kapitujve të caktuar të Dhiatës së Vjetër? Çfarë do të bësh për t’u siguruar që do t’i përfundosh leximet që të janë caktuar?

Inkurajojini nxënësit t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë.