“Isaia 51–52: ‘Dëgjomëni’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Isaia 51–52: ‘Dëgjomëni’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Isaia 50–57: Mësimi 123
Isaia 51–52
“Dëgjomëni”
Nëpërmjet Isaias, Zoti i foli popullit të Tij të besëlidhjes edhe në lashtësi, edhe sot. Ai u dha atyre premtime të bukura nëse zgjidhnin t’i dëgjonin ftesat e Tij të dashura. Si populli i Tij i besëlidhjes, Zoti na jep neve të njëjtat premtime dhe ftesa. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i dëgjojnë ftesat e Shpëtimtarit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për kohën kur ata ose dikush që ata njohin iu bindën njërës prej ftesave ose urdhërimeve të Zotit dhe u bekuan. Mësimi do t’u sigurojë një mundësi nxënësve të gatshëm që të flasin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kë dëgjon ti?
Merreni parasysh të renditni në tabelë individët e përmendur më poshtë ose të tjerë që mendoni se janë me ndikim për adoleshentët.
Prindi, Shoku, Mësuesi, Trajneri, Person me Ndikim në Rrjetet Sociale, Person me Famë
-
Kë mendon se ka më shumë gjasa ta dëgjojnë adoleshentët dhe t’ia ndjekin këshillën? Përse?
-
Përse është e rëndësishme se kë dëgjojmë dhe ndjekim?
Ndërsa nxënësit lexojnë vargjet vijuese, mund të doni të vini në dukje se shkruesit në shkrimet e shenjta shpesh përsërisnin fjalë dhe ide kyç për të theksuar ide të rëndësishme. Nxënësit tuaj mund ta ushtrojnë gjetjen e fjalëve dhe të frazave kyç të përsëritura me vargjet vijuese.
Lexo tek Isaia 51:1, 4, 7, duke kërkuar se kë këshilloi Zoti të dëgjonte dhe të ndiqte populli i Tij i besëlidhjes. Shenjoje atë që gjen nëse dëshiron.
Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që gjetën. Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për të kuptuar fjalën dëgjomëni, merreni parasysh të shpjegoni se Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi se të dëgjosh [të mbash vesh] do të thotë “t’ia vini veshin me qëllimin që të bindeni” (“Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89).
-
Përse mund të dojë dikush ta dëgjojë dhe ta ndjekë këshillën e Shpëtimtarit dhe jo të kujtdo tjetër?
Përsiat çdo sfidë, shqetësim ose pyetje që mund të kesh në jetën tënde pikërisht tani. Merri parasysh mënyrat se si mund të kesh dobi nga dëgjimi i këshillave dhe ftesave të Shpëtimtarit ndërsa studion tek Isaia 51–52.
“Dëgjomëni”
Lexo tek Isaia 51:1–2, duke kërkuar figurat dhe simbolet që përdori Isaia për të përshkruar një ftesë nga Zoti.
Ftojini nxënësit ta tregojnë atë që gjetën dhe atë që mendojnë se nënkuptojnë këto figura.
Shpjegoni se frazat “shikoni shkëmbin nga i cili jeni prerë” dhe “shikoni Abrahamin … dhe Sarën” (Isaia 51:1–2) i referohen ftesës së Zotit për të kujtuar Abrahamin dhe Sarën, me të cilët Perëndia bëri besëlidhjen e Tij (e quajtur edhe besëlidhja e Abrahamit). Kjo nënkupton që ne duhet të kujtohemi të mbajmë po këtë besëlidhje me Perëndinë.
Mund t’i ftoni nxënësit ta shkruajnë thënien vijuese të paplotë në ditarët e tyre të studimit: Ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona me Zotin, Ai do të …
-
Çfarë do të thotë për ty t’i mbajmë besëlidhjet tona me Zotin?
Lexo tek Isaia 51:3, duke kërkuar bekimet që premton Shpëtimtari nëse e dëgjojmë Atë për t’i mbajtur besëlidhjet tona.
-
Çfarë gjete?
Nxënësit mund të shtojnë … na bekojë me ngushëllim, gëzim dhe hare në thënien e paplotë.
-
Si mendon se na ndihmon mbajtja e besëlidhjeve tona me Zotin që të marrim ngushëllimin, gëzimin ose harenë e Tij?
Ftesat dhe bekimet
Krijoni ose paraqiteni grafikun vijues në tabelë. Nxënësit mund edhe ta kopjojnë atë në ditarët e tyre të studimit. Si model, mund të doni të shtoni atë që zbuluan nxënësit tek Isaia 51:1–3. Për shembull, mund të shtoni “mbajmë besëlidhjet tona me Zotin” në kolonën e majtë dhe “na bekojë me ngushëllim, gëzim dhe hare” në kolonën e djathtë.
Isaia shënoi shumë ftesa dhe premtime nga Zoti tek Isaia 51–52. Ndërsa i studion këta kapituj, shëno në ditarin tënd ftesat dhe premtimet që gjen.
|
Ftesat e Zotit për popullin e Tij të besëlidhjes |
Premtimet e Zotit për popullin e Tij të besëlidhjes |
|---|---|
Ftesat e Zotit për popullin e Tij të besëlidhjes | Premtimet e Zotit për popullin e Tij të besëlidhjes |
Fletushka “Ftesat dhe Premtimet e Zotit për Popullin e Tij të Besëlidhjes” mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë dhe të kuptojnë ftesat dhe bekimet e Zotit për ne.
Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit që ta studiojnë fletushkën është t’i organizoni ata në grupe të vogla. Secili grup mund të përzgjedhë një pjesë të fletushkës për ta studiuar dhe të përgatitet për ta treguar atë që mësoi. Pasi të ketë kaluar një kohë e mjaftueshme, organizojeni klasën në grupe të reja me nxënës që studiuan një grup vargjesh të ndryshëm. Më pas, secili nxënës mund t’ia tregojë atë që mësoi grupit të tij të ri.
Ndërsa grupet e diskutojnë atë që zbuluan, ftojini ata të shtojnë te grafiku në tabelë. Merreni parasysh të diskutoni ftesat ose bekimet specifike që nxënësve iu dukën kuptimplota. Pyetje si vijueset mund të ndihmojnë:
-
Çfarë të mësojnë këto ftesa rreth asaj se ç’do të thotë t’i mbash besëlidhjet e tua?
-
Cilin prej bekimeve të Zotit e dëshiron vërtet? Përse?
-
Cila prej ftesave të Zotit mendon se do të të ndihmojë të marrësh bekimin që kërkon?
Ndërsa nxënësit përgjigjen, dëgjojeni me kujdes atë që thonë dhe mendoni për mënyra për të përfshirë më shumë nxënës në diskutim. Kur mësuesit i rezistojnë prirjes për t’u përgjigjur për çdo koment dhe pyetje dhe në vend të kësaj e ftojnë klasën që të përgjigjet, ata mund të ndihmojnë të krijohet një model ku nxënësit i përgjigjen njëri-tjetrit. Kjo mund të ndihmojë që përqendrimi të mbetet te nxënësit dhe të rritet pjesëmarrja e tyre.
Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë duke bërë pyetje për ndjekjen e ecurisë si:
-
Kush ka një përvojë që lidhet me atë që u tha?
-
Çfarë ju bëri përshtypje rreth atij komenti?
(Për trajnim shtesë mbi rezistimin e prirjes për t’u përgjigjur për çdo koment dhe pyetje, shihni: “Resist the tendency to respond to every comment and question and invite the class to respond” [“Rezistojini prirjes për t’iu përgjigjur çdo komenti dhe pyetjeje dhe ftojeni klasën të përgjigjet”] te Teacher Development Skills [Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve]).
Të Dëgjosh Zotin
Ftojini nxënësit të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar nga Ati i tyre në Qiell nëpërmjet Frymës së Shenjtë gjatë mësimit. Sa vijon është një mënyrë se si mund ta bëni këtë.
Përsiat atë që mësove sot dhe çdo ftesë ose këshillë që mendon se të dhanë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Në ditarin tënd të studimit, merre parasysh t’i përgjigjesh pyetjes vijuese:
-
Çfarë mendon se po të fton Zoti të bësh për të marrë ndihmën e Tij për sfidat, shqetësimet ose pyetjet e tua?