“38. Rregulloret dhe Orientimet e Kishës”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“38. Rregulloret dhe Orientimet e Kishës”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm
38.
Rregulloret dhe Orientimet e Kishës
38.1
Pjesëmarrja në Kishë
Ati ynë në Qiell i do fëmijët e Tij. “Të gjithë janë njësoj para Perëndisë” dhe Ai i fton të gjithë “të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij” (2 Nefi 26:33).
38.1.1
Frekuentimi i Mbledhjeve të Kishës
Të gjithë njerëzit janë të mirëpritur që të frekuentojnë mbledhjen e sakramentit, mbledhje të tjera të së dielës dhe ngjarje shoqërore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Drejtuesi kryesues është përgjegjës për të siguruar që të gjithë njerëzit që frekuentojnë, të tregojnë respekt për mjedisin e shenjtë.
Njerëzit që frekuentojnë, duhet të shmangin ndërprerjet ose shpërqendrimet që janë në kundërshtim me adhurimin apo qëllimet e tjera të mbledhjes. Duhet të respektohen të gjitha kërkesat për moshën dhe sjelljen në mbledhjet dhe ngjarjet e ndryshme të Kishës. Kjo kërkon shmangien e sjelljes së dukshme romantike dhe të veshjes ose pamjes së jashtme që shkakton tërheqje të vëmendjes. Kjo gjithashtu përjashton bërjen e deklaratave politike ose të folurën për orientimin seksual apo karakteristika të tjera vetjake në një mënyrë që e largon vëmendjen nga mbledhjet që përqendrohen te Shpëtimtari.
Nëse ka sjellje të papërshtatshme, peshkopi ose presidenti i kunjit jep këshillë në mënyrë private dhe me një frymë dashurie. Ai i inkurajon njerëzit sjellja e të cilëve nuk është e duhur për rastin, që të përqendrohen te ndihma për të ruajtur një hapësirë të shenjtë për çdo njeri të pranishëm, me theksin e veçantë tek adhurimi i Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit.
Shtëpitë e mbledhjeve të Kishës mbeten pronësi private që u nënshtrohen rregulloreve të Kishës. Njerëzve që nuk dëshirojnë t’i ndjekin këto orientime, do t’u kërkohet në mënyrë të respektueshme që të mos i frekuentojnë mbledhjet dhe ngjarjet e Kishës.
38.2
Rregulloret për Ordinancat dhe Bekimet
Informacioni i përgjithshëm rreth ordinancave dhe bekimeve jepet në kapitullin 18. Informacioni rreth ordinancave të tempullit jepet në kapitujt 27 dhe 28. Peshkopët mund të vihen në kontakt me presidentin e kunjit nëse kanë pyetje. Presidentët e kunjeve mund të vihen në kontakt me Presidencën e Zonës, në qoftë se kanë pyetje.
38.3
Martesa Civile
Udhëheqësit e Kishës i nxitin anëtarët që të kualifikohen për martesën në tempull dhe të martohen e vulosen në tempull. Nëse lejohet nga ligjet vendore, udhëheqësit e Kishës, gjithsesi, mund të kryejnë martesa civile.
Martesat civile duhet të kryhen në përputhje me ligjet e vendit ku kryhet martesa.
38.3.1
Kush Mund të Kryejë një Martesë Civile
Kur lejohet nga ligji vendor, drejtuesit vijues që shërbejnë aktualisht në Kishë, mund të veprojnë sipas thirrjes së tyre për të kryer një ceremoni të martesës civile:
-
Presidenti i misionit
-
Presidenti i kunjit
-
Presidenti i distriktit
-
Peshkopi
-
Presidenti i degës
Këta drejtues mund të kryejnë vetëm një martesë civile midis një burri dhe një gruaje. Të gjitha kushtet vijuese gjithashtu duhet të zbatohen:
-
Nusja ose dhëndri është anëtar/e i/e Kishës ose ka një datë pagëzimi.
-
Dokumenti i anëtarësisë së nuses ose të dhëndrit është, ose do të jetë pas pagëzimit, në njësinë e Kishës mbi të cilën kryeson drejtuesi.
-
Drejtuesi i Kishës autorizohet ligjërisht për të kryer një martesë civile brenda juridiksionit ku do të ndodhë martesa.
38.3.4
Martesat Civile që Zhvillohen në Ndërtesat e Kishës
Një ceremoni dasme mund të zhvillohet në një ndërtesë të Kishës, në qoftë se nuk e prish orarin e funksioneve të rregullta të Kishës. Dasmat nuk duhet të zhvillohen të dielave ose në mbrëmjet e të hënave. Dasmat që kryhen në ndërtesat e Kishës, duhet të jenë të thjeshta dhe me dinjitet. Muzika duhet të jetë e shenjtë, nderuese dhe e gëzueshme.
Martesat mund të kryhen në sallën e sakramentit, në sallën kulturore ose në ndonjë dhomë tjetër të përshtatshme. Martesat duhet të ndjekin orientimet për përdorimin e duhur të shtëpive të mbledhjeve.
38.3.6
Ceremonia e Martesës Civile
Për të kryer një martesë civile, një drejtues i Kishës i drejtohet çiftit dhe i thotë: “Ju lutem, jepini njëri‑tjetrit dorën e djathtë”. Më pas ai thotë: “[Emri i plotë i dhëndrit] dhe [emri i plotë i nuses], ju i keni dhënë njëri‑tjetrit dorën e djathë si shenjë e betimeve që ju do të bëni tani në prani të Perëndisë dhe të këtyre dëshmitarëve”. (Çifti mund t’i zgjedhë ose caktojë këta dëshmitarë që më parë.)
Drejtuesi më pas i drejtohet dhëndrit dhe e pyet: “[Emri i plotë i dhëndrit], a e merr [emri i plotë i nuses] si bashkëshorten tënde të martuar ligjërisht dhe a premton solemnisht me vullnetin tënd të lirë dhe zgjedhjen tënde, si shoqëruesi i saj dhe bashkëshorti i saj i martuar ligjërisht, që do të kapesh pas saj dhe askujt tjetër; që do t’i respektosh të gjitha ligjet, përgjegjësitë dhe detyrimet që i përkasin gjendjes së shenjtë të martesës; dhe që do ta duash, nderosh dhe kujdesesh për të për aq kohë sa ju të dy do të jetoni?”
Dhëndri përgjigjet: “Po”.
Drejtuesi i Kishës më pas i drejtohet nuses dhe e pyet: “[Emri i plotë i nuses], a e merr [emri i plotë i dhëndrit] si bashkëshortin tënd të martuar ligjërisht dhe a premton solemnisht me vullnetin tënd të lirë dhe zgjedhjen tënde, si shoqëruesja e tij dhe bashkëshortja e tij e martuar ligjërisht, që do të kapesh pas tij dhe askujt tjetër; që do t’i respektosh të gjitha ligjet, përgjegjësitë dhe detyrimet që i përkasin gjendjes së shenjtë të martesës; dhe që do ta duash, nderosh dhe kujdesesh për të për aq kohë sa ju të dy do të jetoni?”
Nusja përgjigjet: “Po”.
Drejtuesi i Kishës më pas i drejtohet çiftit dhe thotë: “Me anë të autoritetit ligjor që më është dhënë si një plak i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, unë ju shpall ju [emri i dhëndrit] dhe [emri i nuses] bashkëshort e bashkëshorte, të martuar zyrtarisht dhe ligjërisht për periudhën e jetës suaj në vdekshmëri”.
(Formulimi alternativ për një kapelan që nuk shërben si drejtues kryesues i Kishës: “Me anë të autoritetit ligjor që më është dhënë si një kapelan në [degën e ushtrisë ose organizatën civile], unë ju shpall ju [emri i dhëndrit] dhe [emri i nuses] bashkëshort e bashkëshorte, të martuar zyrtarisht dhe ligjërisht për periudhën e jetës suaj në vdekshmëri”.)
“Perëndia e bekoftë lidhjen tuaj me gëzim në pasardhësit tuaj dhe një jetë të gjatë e të lumtur së bashku dhe Ai ju bekoftë që t’i mbani të shenjta betimet që keni bërë. Këto bekime i kërkoj për ju në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.”
Ftesa për ta puthur njëri‑tjetrin si bashkëshort dhe bashkëshorte është jo e detyrueshme, bazuar në normat kulturore.
38.4
Rregulloret për Vulosjen
Ordinancat e vulosjes në tempull i bashkojnë familjet për përjetësinë ndërkohë që anëtarët përpiqen fort t’i nderojnë besëlidhjet që bëjnë kur e marrin ordinancën. Ordinancat vulosëse përfshijnë:
-
Vulosjen e një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje.
-
Vulosjen e fëmijëve te prindërit.
Ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do t’i ruajnë bekimet individuale që sigurohen nga vulosja. Kjo është e vërtetë edhe nëse bashkëshorti/ja i/e personit i ka shkelur besëlidhjet ose është larguar nga martesa.
Fëmijët besnikë që vulosen te prindërit ose linden në besëlidhje, e ruajnë bekimin e linjës së përjetshme familjare. Kjo është e vërtetë edhe nëse prindërit e tyre e anulojnë vulosjen e martesës së tyre, heqin dorë nga anëtarësia e tyre në Kishë ose atyre u hiqet anëtarësia në Kishë.
Anëtarët duhet të këshillohen me peshkopin e tyre nëse kanë pyetje rreth rregulloreve për vulosjen. Peshkopi vihet në kontakt me presidentin e kunjit nëse ka pyetje. Presidentët e kunjeve mund të vihen në kontakt me presidencën e tempullit në distriktin e tyre të tempullit, me Presidencën e Zonës ose Zyrën e Presidencës së Parë nëse kanë pyetje.
38.5
Veshjet e Tempullit dhe Veshjet e Brendshme të Tempullit
38.5.1
Veshjet e Tempullit
Gjatë ordinancave të dhurimit dhe vulosjes në tempull, anëtarët e Kishës veshin veshje të bardha. Gratë veshin veshjet e bardha vijuese: një fustan me mëngë të gjata ose treçerekëshe (ose një fund dhe një bluzë me mëngë të gjata ose treçerekëshe), çorape të holla dhe këpucë ose papuçe.
Burrat veshin veshjet e bardha vijuese: një këmishë me mëngë të gjata, kravatë ose papion, pantallona, çorape dhe këpucë ose papuçe.
Gjatë ordinancave të dhurimit dhe vulosjes, anëtarët veshin veshje ceremoniale shtesë mbi veshjet e tyre të bardha.
38.5.2
Sigurimi i Veshjeve të Tempullit dhe i Veshjeve të Brendshme të Tempullit
Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve i nxitin anëtarët që e kanë marrë ordinancën e dhurimit, që të marrin veshjet e tyre vetjake të tempullit. Veshjet e tempullit dhe veshjet e brendshme të tempullit mund të blihen nga një dyqan i Kishës për Shpërndarjet ose te store.ChurchofJesusChrist.org. Nëpunësit e kunjeve dhe të lagjeve mund t’i ndihmojnë anëtarët që të porositin veshjet.
38.5.5
Mbajtja Veshur e Veshjeve të Brendshme të Tempullit
Presidenca e Parë ka dhënë orientimin vijues lidhur me mbajtjen veshur të veshjeve të brendshme të tempullit:
“Veshja e brendshme e priftërisë së shenjtë na kujton për velin në tempull dhe ai vel është një simbol për Jezu Krishtin. Kur e vishni veshjen tuaj të brendshme, ju vishni një simbol të shenjtë të Jezu Krishtit. Veshja e saj është një shprehje e jashtme e zotimit tuaj të brendshëm për ta ndjekur Atë. Veshja e brendshme është gjithashtu një kujtues i besëlidhjeve tuaja të tempullit. Ju duhet ta vishni atë veshje ditë e natë gjatë gjithë jetës suaj. Kur duhet të hiqet për veprimtari që nuk mund të kryhen në mënyrë të arsyeshme teksa e mbani të veshur atë, përpiquni ta vishni sërish sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërkohë që i mbani besëlidhjet tuaja, përfshirë privilegjin e shenjtë për të veshur veshjen e brendshme të tempullit siç udhëzohet në ordinancat nistore, ju do të keni qasje më të madhe te mëshira, mbrojtja, forca dhe fuqia e Shpëtimtarit.”
Veshja e brendshme të tempullit duhet të mbahet poshtë veshjeve të jashtme. Është një çështje parapëlqimi vetjak nëse veshje të tjera të brendshme vishen mbi ose nën veshjet e brendshme të tempullit.
Anëtarët nuk duhet t’i modifikojnë ose ndryshojnë veshjet e brendshme për t’iu përshtatur stileve të ndryshme të rrobave.
Shihni te 26.3.3.
38.5.7
Heqja nga Përdorimi i Veshjeve të Brendshme të Tempullit dhe Veshjeve Ceremoniale të Tempullit
Që t’i heqin nga përdorimi veshjet e brendshme, të grisura të tempullit, anëtarët duhet t’i presin dhe t’i shkatërrojnë shenjat. Më pas anëtarët e presin pëlhurën që mbetet, që të mos dallohet si një veshje e brendshme e tempullit. Coha e mbetur mund të hidhet.
Anëtarët mund t’ua japin veshjet e brendshme dhe veshjet ceremoniale të tempullit që janë në gjendje të mirë, anëtarëve të tjerë që e kanë marrë dhurimin në tempull.
38.5.8
Veshjet e Tempullit për Varrimin
Nëse është e mundur, anëtarët e vdekur që e kanë marrë ordinancën e dhurimit, duhet të varrosen ose të digjen të veshur me veshjet e tempullit. Nëse traditat kulturore ose praktikat e varrimeve e bëjnë këtë gjë të papërshtatshme ose të vështirë, veshja mund të paloset dhe të vendoset pranë trupit në arkivol.
Trupi i një burri vishet me veshjet e brendshme të tempullit dhe veshjet e bardha vijuese: një këmishë me mëngë të gjata, kravatë ose papion, pantallona, çorape dhe këpucë ose papuçe. Trupi i një gruaje vishet me veshjet e brendshme të tempullit dhe veshjet e bardha vijuese: një fustan me mëngë të gjata ose treçerekëshe (ose një fund dhe një bluzë me mëngë të gjata ose treçerekëshe), çorape të holla dhe këpucë ose papuçe.
Veshjet ceremoniale të tempullit vishen mbi trupin siç udhëzohet në ordinancën e dhurimit. Rroba vendoset në shpatullën e djathtë dhe lidhet me kordon në të majtë në pjesën e belit. Përparësja vihet përreth belit. Shiriti vendoset përreth belit dhe lidhet si fjongo mbi ijën e majtë. Kapela e një burri zakonisht vihet pranë trupit të tij derisa është koha për ta mbyllur arkivolin ose qivurin. Kapela më pas vendoset me fjongon mbi veshin e majtë. Velloja e një gruaje mund të shtrihet mbi jastëk prapa kokës së saj. Mbulimi me vello i fytyrës së një gruaje përpara varrimit ose djegies është jo i detyrueshëm, si të vendoset nga familja.
38.6
Rregulloret për Çështjet Morale
38.6.1
Aborti
Zoti urdhëroi: “Mos vrit, as mos bëj diçka të ngjashme” (Doktrina e Besëlidhje 59:6). Kisha është kundër abortit me dëshirë, për voli vetjake ose shoqërore. Anëtarët nuk duhet t’i nënshtrohen, të kryejnë, organizojnë për kryerjen, të paguajnë, të japin pëlqimin ose të nxitin një abort. Të vetmet përjashtime të mundshme janë kur:
-
Shtatzënësia ndodhi si pasojë e një përdhunimi me forcë ose incesti.
-
Një mjek kompetent përcakton që jeta ose shëndeti i nënës është në rrezik të rëndë.
-
Një mjek kompetent përcakton se fetusi ka defekte të rënda që nuk do ta lejojnë foshnjën të jetojë pas lindjes.
Edhe këto përjashtime nuk e justifikojnë abortin automatikisht. Aborti është një çështje shumë serioze. Ai duhet të merret në konsideratë vetëm pasi personat përgjegjës të kenë marrë konfirmim nëpërmjet lutjes. Anëtarët mund të këshillohen me peshkopët e tyre si pjesë e këtij procesi.
38.6.2
Keqtrajtimi
Keqtrajtimi është trajtimi i gabuar ose shpërfillja e të tjerëve në një mënyrë që shkakton dëmtim fizik, seksual, emocional ose financiar. Qëndrimi i Kishës është që keqtrajtimi nuk mund të tolerohet në asnjë formë. Ata që i keqtrajtojnë bashkëshortet/ët, fëmijët, pjesëtarët e tjerë të familjes së tyre ose dikë tjetër, shkelin ligjet e Perëndisë dhe të njeriut.
Të gjithë anëtarët, veçanërisht prindërit dhe udhëheqësit, nxiten të jenë vigjilentë e të kujdesshëm dhe të bëjnë gjithçka munden për t’i mbrojtur fëmijët dhe të tjerët nga keqtrajtimi. Nëse anëtarët vihen në dijeni për raste keqtrajtimi, ata ia raportojnë atë keqtrajtim autoriteteve civile dhe këshillohen me peshkopin. Udhëheqësit e Kishës duhet t’i konsiderojnë raportimet për keqtrajtimin me seriozitet dhe kurrë të mos i shpërfillin ato.
Të gjithë personat në moshë madhore që punojnë me fëmijët ose rininë, duhet ta kryejnë trajnimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinisë brenda një muaji nga dita e mbështetjes (shihni te ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org). Ata duhet ta përsëritin trajnimin çdo tre vjet.
Kur ndodh keqtrajtimi, përgjegjësia e parë dhe e menjëhershme e udhëheqësve të Kishës është t’i ndihmojnë ata që janë keqtrajtuar, dhe të mbrojnë personat e cenueshëm nga keqtrajtimi në të ardhmen. Udhëheqësit/et nuk duhet ta inkurajojnë një person që të qëndrojë në një shtëpi ose gjendje ku keqtrajtohet ose është i pasigurt.
38.6.2.1
Shërbimi Telefonik i Ndihmës ndaj Keqtrajtimit
Në disa vende, Kisha ka ngritur një shërbim telefonik konfidencial të ndihmës ndaj keqtrajtimit që t’iu vijë në ndihmë presidentëve të kunjeve dhe peshkopëve. Këta udhëheqës duhet të marrin në telefon menjëherë shërbimin telefonik të ndihmës për çdo situatë në të cilën një person mund të jetë keqtrajtuar – ose është në rrezik të keqtrajtohet. Ata duhet të marrin në telefon gjithashtu nëse vihen në dijeni se një anëtar/e shikon, blen ose shpërndan materiale pornografike që përfshijnë fëmijë.
Në vendet që nuk kanë një shërbim telefonik të ndihmës, një peshkop, i cili mëson për keqtrajtimin, duhet të vihet në kontakt me presidentin e tij të kunjit. Presidenti i kunjit duhet të kërkojë orientime nga këshilli ligjor i zonës në zyrën zonale.
38.6.2.2
Këshillimi në Rastet e Keqtrajtimit
Viktimat e keqtrajtimit shpesh vuajnë trauma të rënda. Presidentët e kunjeve dhe peshkopët përgjigjen me dhembshuri e ndjeshmëri të përzemërt. Ata japin këshillim dhe përkrahje shpirtërore që t’i ndihmojnë viktimat për t’i kapërcyer pasojat shkatërruese të keqtrajtimit.
Nganjëherë viktimat kanë ndjenja turpi ose faji. Viktimat nuk janë fajtorë për mëkatin. Udhëheqësit i ndihmojnë ata dhe familjet e tyre që ta kuptojnë dashurinë e Perëndisë dhe shërimin që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shihni tek Alma 15:8; 3 Nefi 17: 9).
Presidentët e kunjeve dhe peshkopët duhet t’i ndihmojnë ata që kanë kryer keqtrajtim, që të pendohen dhe ta ndalojnë sjelljen e tyre keqtrajtuese. Nëse një person në moshë madhore ka kryer një mëkat seksual ndaj një fëmije, sjellja mund të jetë shumë e vështirë të ndryshojë. Procesi i pendimit mund të jetë shumë i gjatë. Shihni te 38.6.2.3.
Përveç marrjes së ndihmës së frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës, viktimat, keqtrajtuesit dhe familjet e tyre mund të kenë nevojë për këshillim profesional. Për informacion, shihni te 31.3.6.
38.6.2.3
Keqtrajtimi i një Fëmije, një të Riu ose të Reje
Keqtrajtimi i një fëmije, të riu ose të reje është një mëkat veçanërisht i rëndë (shihni te Lluka 17:2). Siç përdoret këtu, keqtrajtimi i një fëmije, një të riu ose të reje përfshin sa vijojnë:
-
Keqtrajtimi fizik: Shkaktimi i dëmtimit të rëndë të trupit nëpërmjet dhunës fizike. Një pjesë e dëmtimit mund të mos jetë e dukshme.
-
Keqtrajtimi ose shfrytëzimi seksual: Të pasurit e çfarëdo marrëdhënieje seksuale me një fëmijë, një të ri ose të re apo lejimi ose ndihma qëllimisht për të tjerët që ta kenë një marrëdhënie të tillë. Siç përdoret këtu, keqtrajtimi seksual nuk përfshin marrëdhënie seksuale me dëshirë midis dy të miturve që kanë mosha të përafërta.
-
Keqtrajtimi emocional: Përdorimi i veprimeve dhe fjalëve për ta dëmtuar rëndë ndjenjën e një fëmije, të riu ose të reje për respektin ndaj vetes ose vlerën e vetvetes. Ky zakonisht përfshin fyerje, manipulime dhe kritika të përsëritura e të vazhdueshme që poshtërojnë e nënvleftësojnë. Gjithashtu mund të përfshijë shpërfillje të madhe.
-
Pornografia që përfshin fëmijë: Shihni te 38.6.6.
Nëse një peshkop ose president kunji mëson ose dyshon për keqtrajtimin e një fëmije, të riu ose të reje, ai menjëherë ndjek udhëzimet te 38.6.2.1. Ai gjithashtu ndërmerr veprim që të ndihmojë për ta mbrojtur [viktimën] nga keqtrajtimi i mëtejshëm.
Kërkohen një këshill i Kishës për anëtarësinë dhe një shënim shpjegues në dokument nëse një anëtar në moshë madhore e keqtrajton një fëmijë, një të ri ose të re, siç përshkruhet në këtë pjesë. Shihni edhe te 38.6.2.5.
38.6.2.4
Keqtrajtimi i një Bashkëshorteje/i apo një Personi Tjetër në Moshë Madhore
Shpesh nuk ka një përkufizim të vetëm për keqtrajtimin që mund të zbatohet në të gjitha situatat. Në vend të kësaj, ka një diapazon të ashpërsisë në sjellje keqtrajtuese. Ky diapazon shtrihet nga përdorimi herë pas here i fjalëve të vrazhda deri te shkaktimi i dëmtimit të rëndë.
Nëse një peshkop ose president kunji mëson për keqtrajtimin e një bashkëshorteje/i ose një personi tjetër në moshë madhore, ai menjëherë ndjek udhëzimet te 38.6.2.1. Ai gjithashtu ndërmerr veprim që të ndihmojë për ta mbrojtur [viktimën] nga keqtrajtimi i mëtejshëm.
Udhëheqësit kërkojnë drejtimin e Shpirtit për të përcaktuar nëse këshillimi vetjak ose një këshill për anëtarësinë është mjedisi më i përshtatshëm për ta diskutuar keqtrajtimin. Ata gjithashtu mund të këshillohen me udhëheqësin e tyre të drejtpërdrejtë të priftërisë rreth mjedisit. Gjithsesi, çfarëdo keqtrajtimi i një bashkëshorteje/i ose një personi tjetër në moshë madhore që ngrihet në nivelet e përshkuara më poshtë, kërkon mbajtjen e një këshilli për anëtarësinë.
-
Keqtrajtimi fizik: Shkaktimi i dëmtimit të rëndë të trupit nëpërmjet dhunës fizike. Një pjesë e dëmtimit mund të mos jetë e dukshme.
-
Keqtrajtimi seksual: Shihni situatat e specifikuara te 38.6.18.3.
-
Keqtrajtimi emocional: Përdorimi i veprimeve dhe fjalëve për ta dëmtuar rëndë ndjenjën e një personi për respektin ndaj vetes ose vlerën e vetvetes. Ky zakonisht përfshin fyerje, manipulime dhe kritika të përsëritura e të vazhdueshme që poshtërojnë e nënvleftësojnë.
-
Keqtrajtimi financiar: Përfitimi financiarisht prej dikujt tjetër. Ky mund të përfshijë përdorimin e paligjshëm ose të paautorizuar të pronësisë, parave ose gjërave të tjera me vlerë të një personi. Gjithashtu mund të përfshijë arritjen me mashtrim të fuqisë financiare mbi dikë tjetër. Mund të përfshijë përdorimin e fuqisë financiare për ta detyruar një person se si të sillet.
38.6.2.5
Thirrjet në Kishë, Rekomandimet e Tempullit dhe Shënimet Shpjeguese të Dokumenteve të Anëtarësisë
Anëtarëve që i kanë keqtrajtuar të tjerët, nuk duhet t’u jepen thirrje në Kishë dhe nuk u lejohet të kenë rekomandim tempulli derisa të jenë penduar dhe t’u jenë hequr kufizimet për anëtarësinë në Kishë.
Nëse një person keqtrajtoi seksualisht një fëmijë, një të ri ose të re apo keqtrajtoi rëndë fizikisht ose emocionalisht një fëmijë, një të ri ose të re, shënim shpjegues do t’i vihet dokumentit të tij ose të saj të anëtarësisë. Atij ose asaj nuk duhet t’i jepet asnjë thirrje ose detyrë që përfshin fëmijët ose rininë. Kjo përfshin të mos i jepet një caktim për dhënie shërbese te një familje me të rinj, të reja ose fëmijë në shtëpi. Kjo përfshin gjithashtu të mos ketë një të ri ose të re si shoqërues/e shërbestar/e. Këto kufizime duhet të mbeten në dokument në qoftë se Presidenca e Parë nuk autorizon heqjen e shënimit shpjegues.
38.6.2.6
Këshillat e Kunjeve dhe të Lagjeve
Në mbledhjet e këshillit të kunjeve dhe të lagjeve, presidencat e kunjeve dhe peshkopatat i shqyrtojnë rregullisht rregulloret dhe orientimet e Kishës lidhur me parandalimin dhe përgjigjen ndaj keqtrajtimit. Udhëheqësit dhe anëtarët e këshillit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit ndërsa japin mësim dhe diskutojnë për këtë temë delikate.
Anëtarët e këshillit gjithashtu duhet të kryejnë trajnimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinisë (shihni te 38.6.2).
38.6.2.7
Çështjet Ligjore që Lidhen me Keqtrajtimin
Në qoftë se veprimtaritë keqtrajtuese të një anëtari/eje e kanë shkelur ligjin e zbatueshëm, peshkopi ose presidenti i kunjit duhet ta nxitë anëtarin/en për t’ua raportuar këto veprimtari personelit për zbatimin e ligjit ose autoriteteve të tjera të duhura qeveritare.
Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës duhet t’i përmbushin të gjitha detyrimet ligjore për t’ua raportuar keqtrajtimin autoriteteve civile.
38.6.4
Kontrolli i Lindjeve
Është privilegji i çifteve të martuara që janë në gjendje të lindin fëmijë, për të siguruar trupa të vdekshëm për fëmijët shpirtërorë të Perëndisë, të cilët më pas janë përgjegjës t’i ushqejnë dhe t’i rritin (shihni te 2.1.3). Vendimi se sa fëmijë të kenë dhe kur t’i kenë ata, është jashtëzakonisht vetjak e privat. Duhet të lihet midis çiftit dhe Zotit.
38.6.5
Dëlirësia dhe Besnikëria Bashkëshortore
Ligji i Zotit për dëlirësinë është:
-
Heqja dorë nga marrëdhëniet seksuale jashtë një martese të ligjshme midis një burri dhe një gruaje.
-
Besnikëria bashkëshortore brenda martesës.
Intimiteti fizik midis bashkëshortit e bashkëshortes synohet që të jetë i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis bashkëshortit e bashkëshortes.
38.6.6
Pornografia që Përfshin Fëmijë
Kisha e dënon pornografinë në çfarëdolloj forme. Nëse një peshkop ose president kunji mëson se një anëtar/e merr pjesë në pornografinë që përfshin fëmijë, ai menjëherë ndjek udhëzimet te 38.6.2.1.
38.6.8
Gjymtimi Gjenital i Femrave
Kisha e dënon gjymtimin gjenital të femrave.
38.6.10
Incesti
Kisha e dënon çfarëdolloj forme të incestit. Siç përdoret këtu, incesti është marrëdhënie seksuale midis:
-
Një prindi dhe një fëmije.
-
Një gjyshi/eje dhe një nipi ose mbese.
-
Vëllezërve e motrave.
-
Një xhaxhai ose tetoje dhe një mbese ose nipi.
Siç përdoren këtu, fjalët fëmijë, nip, mbesë, vëlla dhe motër përfshijnë marrëdhënie midis njerëzve të lidhur biologjikisht, të birësuar, të lidhur nga një martesë tjetër ose të marrë nën kujdestari të përkohshme.
Kur një i mitur është viktimë e incestit, peshkopi ose presidenti i kunjit i telefonon shërbimit telefonik të Kishës për ndihmën ndaj keqtrajtimit në vendet ku është në dispozicion (shihni te 38.6.2.1). Në vende të tjera, presidenti i kunjit duhet të kërkojë udhërrëfim nga këshilli ligjor i zonës në zyrën zonale. Ai nxitet edhe që të këshillohet me personelin e sektorit Shërbimet Familjare ose me përgjegjësin për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja në zyrën zonale.
Kërkohen një këshill i Kishës për anëtarësinë dhe një shënim shpjegues në dokumente në qoftë se një anëtar kryen incest. Incesti pothuajse gjithmonë kërkon që Kisha t’ia heqë anëtarësinë personit.
Nëse një i mitur kryen incest, presidenti i kunjit vihet në kontakt me Zyrën e Presidencës së Parë për udhëzim.
Viktimat e incestit shpesh vuajnë trauma të rënda. Udhëheqësit përgjigjen me dhembshuri e ndjeshmëri të përzemërt. Ata japin përkrahje shpirtërore dhe këshillim që t’i ndihmojnë viktimat për t’i kapërcyer pasojat shkatërruese të incestit.
Nganjëherë viktimat kanë ndjenja turpi ose faji. Viktimat nuk janë fajtorë për mëkatin. Udhëheqësit i ndihmojnë ata dhe familjet e tyre që ta kuptojnë dashurinë e Perëndisë dhe shërimin që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shihni tek Alma 15:8; 3 Nefi 17: 9).
Përveç marrjes së ndihmës së frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës, viktimat dhe familjet e tyre mund të kenë nevojë për këshillim profesional. Për informacion, shihni te 38.6.18.2.
38.6.12
Okultja
Okultja përqendrohet tek errësira dhe çon drejt mashtrimit. Ajo e shkatërron besimin te Krishti.
Okultja përfshin adhurimin e Satanit. Gjithashtu përfshin veprimtari mistike që nuk janë në harmoni me ungjillin e Jezu Krishtit. Veprimtari të tilla përfshijnë (por nuk kufizohen te) parashikimin e fatit, mallkimet dhe praktikat shëruese që janë imitime të fuqisë së priftërisë së Perëndisë (shihni te Moroni 7:11–17).
Anëtarët e Kishës nuk duhet të përfshihen në ndonjë formë të adhurimit të Satanit ose të marrin pjesë në ndonjë mënyrë me okulten. Ata nuk duhet të përqendrohen te një errësirë e tillë në bashkëbisedime ose në mbledhjet e Kishës.
38.6.13
Pornografia
Kisha e dënon pornografinë në çfarëdolloj forme. Përdorimi i pornografisë i çfarëdo lloji dëmton jetën e individëve, familjet dhe shoqërinë. Ajo gjithashtu e largon Shpirtin e Zotit. Anëtarët e Kishës duhet t’u shmangen të gjitha formave të materialit pornografik dhe të kundërshtojnë prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin e tij.
Këshillimi vetjak dhe kufizimet joformale të anëtarësisë zakonisht janë të mjaftueshme kur ndihmohet një njeri që të pendohet për përdorimin e pornografisë. Zakonisht nuk mblidhen këshillat për anëtarësinë. Sidoqoftë, një këshill mund të jetë i nevojshëm për përdorim intensiv dhe me fiksim të pornografisë që i ka shkaktuar dëmtim të madh martesës ose familjes së një anëtari/eje (shihni te 38.6.5). Një këshill kërkohet nëse një anëtar/e bën, shpërndan, zotëron ose shikon në mënyrë të përsëritur materiale pornografike që përfshijnë fëmijë (shihni te 38.6.6).
38.6.14
Paragjykimi
Të gjithë njerëzit janë fëmijë të Perëndisë. Të gjithë janë vëllezër e motra që janë pjesë e një familjeje hyjnore (shihni te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Perëndia i “ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat” (Veprat e Apostujve 17:26). “Të gjithë janë njësoj” para Tij (2 Nefi 26:33). Çdo qenie është “po aq e çmueshme në pamjen e tij sa tjetra” (Jakobi [LiM] 2:21).
Paragjykimi nuk është në përputhje me fjalën e zbuluar nga Perëndia. Miratimi ose mosmiratimi nga Perëndia varet nga përkushtimi ndaj Tij dhe urdhërimeve të Tij, jo nga ngjyra e lëkurës apo cilësi të tjera të një personi.
Kisha u bën thirrje të gjithë njerëzve që t’i braktisin qëndrimet dhe veprimet paragjykuese kundrejt çfarëdo grupi ose individi. Anëtarët e Kishës duhet të prijnë udhën në nxitjen e respektit për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Anëtarët ndjekin urdhërimin e Shpëtimtarit për t’i dashur të tjerët (shihni te Mateu 22:35–39). Ata përpiqen fort të jenë njerëz me mirëdashje kundrejt të gjithëve, duke e hedhur poshtë paragjykimin e çfarëdo lloji. Kjo përfshin paragjykimin bazuar te raca, etnia, kombësia, fisi, gjinia, mosha, aftësia e kufizuar, gjendja shoqërore‑ekonomike, besimi ose mosbesimi fetar dhe orientimi seksual.
38.6.15
Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini dhe Sjellja ndaj së Njëjtës Gjini
Kisha i inkurajon familjet dhe anëtarët që t’u qëndrojnë pranë me ndjeshmëri, dashuri e respekt personave që tërhiqen ndaj njerëzve të tjerë të së njëjtës gjini. Kisha gjithashtu nxit mirëkuptim në shkallë të gjerë në shoqëri, gjë që pasqyron mësimet e saj rreth zemërbutësisë, përfshirjes, dashurisë për të tjerët dhe respektit për të gjitha qeniet njerëzore. Kisha nuk mban asnjë qëndrim në lidhje me shkaqet e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini.
Urdhërimet e Perëndisë i ndalojnë të gjitha sjelljet e padëlira, qoftë midis gjinive të ndryshme si edhe së njëjtës gjini. Udhëheqësit e Kishës i këshillojnë anëtarët që e kanë shkelur ligjin e dëlirësisë. Udhëheqësit i ndihmojnë ata që të kenë një kuptim të qartë për besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, procesin e pendimit dhe qëllimin e jetës në tokë.
Të ndiesh tërheqje ndaj së njëjtës gjini nuk është mëkat. Anëtarët që i kanë këto ndjenja dhe nuk i ndjekin apo nuk veprojnë sipas tyre, po jetojnë në përputhje me planin e Atit Qiellor për fëmijët e Tij dhe me doktrinën e Kishës. Udhëheqësit i përkrahin dhe i nxitin ata në vendosmërinë e tyre për të jetuar në përputhje me urdhërimet e Zoti. Anëtarët me këto ndjenja mund të marrin thirrje në Kishë, të kenë rekomandime tempulli dhe të marrin ordinanca në tempull nëse janë të denjë. Anëtarët meshkuj të Kishës mund ta marrin dhe ushtrojnë priftërinë.
Të gjithë anëtarët që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do të marrin të gjitha bekimet e premtuara në përjetësitë pavarësisht nëse rrethanat e tyre i lejojnë ose jo që t’i marrin bekimet e martesës së përjetshme dhe të qenit prindër në këtë jetë (shihni te Mosia 2:41).
38.6.16
Martesa mes së Njëjtës Gjini
Si parim doktrinor, i bazuar te shkrimet e shenjta, Kisha pohon se martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore në planin e Krijuesit për fatin e përjetshëm të fëmijëve të Tij. Kisha gjithashtu pohon se ligji i Perëndisë e përcakton martesën si bashkimin zyrtar dhe të ligjshëm midis një burri dhe një gruaje.
38.6.17
Edukimi Seksual
Prindërit kanë përgjegjësi kryesore për edukimin seksual të fëmijëve të tyre. Prindërit duhet të kenë bashkëbisedime të ndershme, të qarta dhe të vazhdueshme me fëmijët e tyre rreth seksualitetit të shëndetshëm dhe të drejtë.
38.6.18
Keqtrajtimi Seksual, Përdhunimi dhe Forma të Tjera të Sulmit Seksual
Kisha e dënon keqtrajtimin seksual. Sikurse përdoret këtu, keqtrajtimi seksual përkufizohet si imponimi i çfarëdo marrëdhënieje të padëshiruar seksuale mbi një person tjetër. Marrëdhënia seksuale me një person që nuk jep ose nuk mund të japë miratim të ligjshëm, konsiderohet keqtrajtim seksual. Keqtrajtimi seksual mund të ndodhë edhe me një bashkëshort/e ose në një marrëdhënie takimesh romantike. Për informacion rreth keqtrajtimit seksual të një fëmije, një të riu ose të reje, shihni te 38.6.2.3.
Keqtrajtimi seksual mbulon një gamë të gjerë veprimesh, nga ngacmimi te përdhunimi dhe forma të tjera të sulmit seksual. Ai mund të ndodhë fizikisht, gojarisht dhe në mënyra të tjera. Për orientime rreth këshillimit të anëtarëve që kanë përjetuar keqtrajtim seksual, përdhunim ose forma të tjera të sulmit seksual, shihni te 38.6.18.2.
Nëse anëtarët dyshojnë ose bëhen të vetëdijshëm për keqtrajtimin seksual, ata ndërmarrin veprim për t’i mbrojtur viktimat dhe të tjerët sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky veprim përfshin raportimin tek autoritetet civile dhe paralajmërimin e peshkopit ose të presidentit të kunjit. Nëse një fëmijë është keqtrajtuar, anëtarët duhet të ndjekin udhëzimet te 38.6.2.
38.6.18.2
Këshillimi për Viktimat e Keqtrajtimit Seksual, Përdhunimit dhe Formave të Tjera të Sulmit Seksual
Viktimat e keqtrajtimit seksual, përdhunimit ose formave të tjera të sulmit seksual shpesh vuajnë trauma të rënda. Kur i tregojnë në mirëbesim një peshkopi ose presidenti kunji, ai përgjigjet me dhembshuri e ndjeshmëri të përzemërt. Ai jep këshillim dhe përkrahje shpirtërore që t’i ndihmojë viktimat për t’i kapërcyer pasojat shkatërruese të keqtrajtimit. Ai gjithashtu i telefonon shërbimit telefonik të Kishës për ndihmën ndaj keqtrajtimit për udhërrëfim atje ku është në dispozicion.
Nganjëherë viktimat kanë ndjenja turpi ose faji. Viktimat nuk janë fajtorë për mëkatin. Udhëheqësit nuk ia vënë fajin viktimës. Ata i ndihmojnë viktimat dhe familjet e tyre që të kuptojnë dashurinë e Perëndisë dhe shërimin që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shihni tek Alma 15:8; 3 Nefi 17: 9).
Ndërkohë që anëtarët mund të zgjedhin që të japin informacione rreth keqtrajtimit ose sulmit seksual, udhëheqësit nuk duhet të përqendrohen më tepër seç duhet te hollësitë. Kjo mund të jetë e dëmshme për viktimat.
Përveç marrjes së ndihmës së frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës, viktimat dhe familjet e tyre mund të kenë nevojë për këshillim profesional. Për informacion, shihni te 31.3.6.
38.6.18.3
Këshillat për Anëtarësinë
Mund të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë për një person që ka sulmuar ose ka keqtrajtuar dikë seksualisht. Kërkohet një këshill për anëtarësinë në qoftë se një anëtar kreu një përdhunim ose është dënuar për një formë tjetër të sulmit seksual.
38.6.20
Vetëvrasja
Jeta në vdekshmëri është një dhuratë e çmuar nga Perëndia – një dhuratë që duhet të vlerësohet dhe mbrohet. Kisha e përkrah fuqimisht parandalimin e vetëvrasjes.
Shumica e njerëzve që kanë menduar për vetëvrasje, dëshirojnë të gjejnë çlirim nga dhembja fizike, mendore, emocionale ose shpirtërore. Individë të tillë kanë nevojë për dashuri, ndihmë dhe përkrahje nga familja, udhëheqësit e Kishës dhe profesionistë të kualifikuar.
Peshkopi siguron përkrahje kishtare nëse një anëtar po merr parasysh vetëvrasjen ose e ka tentuar atë. Ai gjithashtu menjëherë e ndihmon anëtarin/en që të marrë ndihmë profesionale.
Pavarësisht nga përpjekjet më të mira të njerëzve të dashur, udhëheqësve dhe profesionistëve, vetëvrasja nuk është gjithmonë e parandalueshme. Ajo lë pas thyerje të thellë të zemrës, trazirë emocionale dhe pyetje pa përgjigje për njerëzit e dashur dhe njerëz të tjerë. Udhëheqësit duhet ta këshillojnë dhe ngushëllojnë familjen. Ata ofrojnë ushqyerje shpirtërore dhe përkrahje.
Nuk është e drejtë për një person që t’i japë fund jetës së vet. Megjithatë, vetëm Perëndia është në gjendje t’i gjykojë mendimet, veprimet dhe nivelin e përgjegjshmërisë së personit (shihni te 1 Samuelit 16:7; Doktrina e Besëlidhje 137:9).
Ata që kanë humbur një njeri të dashur për shkak të vetëvrasjes, mund të gjejnë shpresë dhe shërim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.
38.6.23
Individët Transgjinorë
Individët transgjinorë përballen me sfida të ndërlikuara. Anëtarët dhe joanëtarët që e përcaktojnë vetveten si transgjinorë – si dhe familjet dhe miqtë e tyre – duhet të trajtohen me ndjeshmëri, zemërbutësi, dhembshuri dhe me dashuri të bollshme si të Krishtit. Të gjithë njerëzit janë të mirëpritur që të frekuentojnë mbledhjen e sakramentit, mbledhje të tjera të së dielës dhe ngjarje shoqërore të Kishës (shihni te 38.1.1).
Gjinia është një karakteristikë thelbësore e planit të Atit Qiellor për lumturinë. Kuptimi i synuar i fjalës gjini në proklamatën mbi familjen është seksi biologjik në lindje. Disa njerëz përjetojnë ndjenja mospajtimi midis seksit të tyre biologjik dhe identitetit të tyre gjinor. Si rrjedhojë, ata mund të përcaktohen si transgjinorë. Kisha nuk mban një qëndrim në lidhje me shkaqet pse njerëzit e përcaktojnë veten si transgjinorë.
Pjesa më e madhe e pjesëmarrjes në Kishë dhe disa ordinanca të priftërisë janë neutrale për sa i përket gjinisë. Personat transgjinorë mund të pagëzohen dhe konfirmohen sikurse përvijohet te 38.2.8.10. Ata gjithashtu mund ta marrin sakramentin dhe të marrin bekime të priftërisë. Megjithatë, shugurimi në priftëri dhe ordinancat e tempullit merren sipas seksit biologjik në lindje.
Udhëheqësit e Kishës këshillojnë të mos bëhen ndërhyrje mjekësore ose kirurgjikale me dëshirë, me qëllimin e përpjekjes për të ndryshuar në gjininë e kundërt me seksin biologjik të një personi në lindje (“ndryshimi i seksit”). Udhëheqësit këshillojnë se ndërmarrja e këtyre veprimeve do të jetë shkak për kufizime të anëtarësisë në Kishë.
Udhëheqësit gjithashtu këshillojnë kundër përpjekjeve për një ndryshim shoqëror. Një përpjekje për ndryshim shoqëror përfshin ndryshimin e veshjes ose të pamjes së jashtme, apo ndryshimin e një emri ose të përemrave, për ta paraqitur veten si dikush tjetër nga seksi i tij ose i saj biologjik në lindje. Udhëheqësit këshillojnë se ata që bëjnë përpjekje për një ndryshim shoqëror, do të përjetojnë disa kufizime të anëtarësisë në Kishë për sa kohë zgjat kjo përpjekje për të ndryshuar.
Kufizimet përfshijnë mosmarrjen ose mosushtrimin e priftërisë, mosmarrjen ose mospërdorimin e një rekomandimi të tempullit dhe mosmarrjen e disa thirrjeve në Kishë. Edhe pse kufizohen disa privilegje të anëtarësisë në Kishë, mirëpritet pjesëmarrja në veprimtari të tjera në Kishë.
Nëse një anëtar/e vendos ta ndryshojë emrin ose përemrat e tij ose të saj të parapëlqyer për t’iu drejtuar atij ose asaj, parapëlqimi i emrit mund të shënohet në fushën e emrit të parapëlqyer në dokumentin e anëtarësisë. Personit mund t’i drejtohen në lagje me emrin e parapëlqyer.
Rrethanat ndryshojnë shumë nga njësia në njësi dhe nga personi në person. Anëtarët dhe udhëheqësit këshillohen së bashku dhe me Zotin. Presidencat e Zonave do t’i ndihmojnë udhëheqësit vendorë që t’i diskutojnë me ndjeshmëri situatat individuale. Peshkopët këshillohen me presidentin e kunjit. Presidentët e kunjeve dhe presidentët e misioneve duhet të kërkojnë këshillë nga Presidenca e Zonës (shihni te 32.6.3).
38.7
Rregulloret Mjekësore dhe Shëndetësore
38.7.2
Varrimi dhe Djegia e Trupit
Familja e personit të vdekur vendos nëse trupi i tij ose i saj duhet të varroset ose digjet. Ata i respektojnë dëshirat e individit.
Në disa vende, ligji e kërkon djegien e trupave. Në raste të tjera, varrimi nuk është praktik ose i përballueshëm ekonomikisht për familjen. Në të gjitha rastet, trupi duhet të trajtohet me respekt dhe nderim. Anëtarët duhet të sigurohen që fuqia e Ringjalljes gjithmonë gjen zbatim (shihni tek Alma 11:42–45).
Atje ku është e mundur, trupi i një anëtari të vdekur që e ka kryer ordinancën e dhurimit, duhet të vishet me veshjet ceremoniale në tempull, kur të varroset ose digjet (shihni te 38.5.8).
38.7.3
Fëmijët që Vdesin para se të Lindin (Fëmijët që Lindin të Vdekur dhe Fëmijët e Vdekur prej Dështimit të Barrës)
Prindërit mund të vendosnin që të mbajnë ose jo shërbesë përkujtimore ose shërbesë në varrezë.
Ordinancat e tempullit nuk janë të nevojshme ose nuk kryhen për fëmijët që vdesin para lindjes. Kjo nuk e mohon mundësinë që këta fëmijë të mund të jenë pjesë e familjes në përjetësitë. Prindërit nxiten që të mirëbesojnë te Zoti dhe të kërkojnë ngushëllimin e Tij.
38.7.4
Eutanazia
Jeta në vdekshmëri është një dhuratë e çmuar nga Perëndia. Eutanazia është mbarimi me dëshirë i jetës së një personi që po vuan nga një sëmundje apo gjendje tjetër e pashërueshme. Një njeri që merr pjesë në eutanazi, përfshirë të ndihmuarit e dikujt që të vdesë me anë të vetëvrasjes, dhunon urdhërimet e Perëndisë dhe mund të shkelë ligjet vendore.
Ndërprerja ose heqja dorë nga masat ekstreme të mbështetjes së jetës për një person në fund të jetës, nuk konsiderohet si eutanazi (shihni te 38.7.11).
38.7.5
Infeksioni me HIV dhe SIDA
Anëtarët që janë të infektuar me HIV‑in (virusin e imunodefiçencës njerëzore) ose ata që kanë SIDA‑n (sindromën e imunodefiçencës së fituar) duhet të mirëpriten në mbledhjet dhe veprimtaritë e Kishës. Pjesëmarrja e tyre nuk rrezikon shëndetin e të tjerëve.
38.7.8
Kujdesi Mjekësor dhe Shëndetësor
Të kërkuarit e ndihmës kompetente mjekësore, ushtrimi i besimit dhe marrja e bekimeve të priftërisë veprojnë së bashku për shërim, në përputhje me vullnetin e Zotit.
Anëtarët nuk duhet të përdorin ose nxitin praktika mjekësore apo shëndetësore që janë të diskutueshme nga ana etike, shpirtërore ose ligjore. Njerëzit që kanë probleme shëndetësore, duhet të këshillohen me profesionistë kompetentë mjekësorë, të cilët janë të licencuar në fushat ku e ushtrojnë mjekësisë.
38.7.9
Marijuana Mjekësore
Kisha është kundër përdorimit të marijuanës për qëllime jomjekësore. Shihni te 38.7.14.
38.7.11
Zgjatja e Jetës (Përfshirë Përkrahjen e Jetës)
Anëtarët nuk duhet të ndihen të detyruar që ta zgjatin jetën në vdekshmëri me anë të mjeteve ekstreme. Këto vendime merren më mirë nga personi, nëse është e mundur, ose nga pjesëtarë të familjes. Ata duhet të kërkojnë këshillë mjekësore kompetente dhe udhërrëfim hyjnor nëpërmjet lutjes.
38.7.13
Vaksinimet
Vaksinimet e administruara nga profesionistë mjekësorë kompetentë e mbrojnë shëndetin dhe e shpëtojnë jetën. Anëtarët e Kishës nxiten të ruajnë vetveten, fëmijët e tyre dhe komunitetet e tyre nëpërmjet vaksinimit.
Përfundimisht, individët janë përgjegjës për t’i marrë vetë vendimet e tyre në lidhje me vaksinimin. Nëse anëtarët kanë shqetësim, ata duhet të këshillohen me profesionistë kompetentë mjekësorë dhe gjithashtu të kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë.
38.7.14
Fjala e Urtësisë dhe Praktikat e Shëndetshme
Fjala e Urtësisë është një urdhërim nga Perëndia. Profetët kanë sqaruar se mësimet te Doktrina e Besëlidhje 89 përfshijnë mospërdorimin e duhanit, pijeve të forta (alkoolit) dhe pijeve të nxehta (çajit dhe kafes).
Ka substanca dhe praktika të tjera të dëmshme që nuk specifikohen te Fjala e Urtësisë ose nga udhëheqësit e Kishës. Anëtarët duhet të përdorin urtësi dhe gjykim plot lutje në bërjen e zgjedhjeve për të nxitur shëndetin e tyre fizik, shpirtëror dhe emocional.
38.8
Rregulloret Administrative
38.8.1
Birësimi dhe Mbajtja nën Kujdestari
Birësimi i fëmijëve dhe mbajtja nën kujdestari mund t’i bekojnë fëmijët dhe familjet. Nëpërmjet birësimit mund të krijohen familje plot dashuri e të përjetshme. Qoftë nëse fëmijët vijnë në familje nëpërmjet birësimit apo lindjes, ata janë një bekim po aq i çmuar.
Anëtarët që kërkojnë të birësojnë ose të mbajnë fëmijë nën kujdestari, duhet t’u binden të gjitha ligjeve që gjejnë zbatim në shtetet dhe qeveritë e përfshira.
38.8.4
Autografet dhe Fotografitë e Autoriteteve të Përgjithshme, Drejtuesve të Përgjithshëm dhe Të Shtatëdhjetëve Zonalë
Anëtarët e Kishës nuk duhet të kërkojnë autografe nga Autoritetet e Përgjithshme, Drejtuesit e Përgjithshëm ose Të Shtatëdhjetët Zonalë. Bërja e kësaj gjëje tërheq vëmendjen nga thirrjet e tyre të shenjta dhe fryma e mbledhjeve. Gjithashtu mund t’i pengojë që të përshëndetin anëtarë të tjerë.
Anëtarët nuk duhet të bëjnë fotografi të Autoriteteve të Përgjithshme, Drejtuesve të Përgjithshëm ose Të Shtatëdhjetëve Zonalë në godinat kishtare.
38.8.7
Revistat e Kishës
Revistat e Kishës përfshijnë:
-
Miku për fëmijët.
-
Për Forcën e Rinisë për të rinjtë dhe të rejat.
-
Liahona për të rriturit.
Presidenca e Parë i nxit të gjithë anëtarët që t’i lexojnë revistat e Kishës. Revistat mund t’i ndihmojnë anëtarët që të mësojnë ungjillin e Jezu Krishtit, të studiojnë mësimet e profetëve të gjallë, të ndihen të lidhur me familjen mbarëbotërore të Kishës, t’i përballojnë sfidat me besim dhe të afrohen më shumë te Perëndia.
38.8.8
Emri, Marka Emërore Dalluese dhe Simboli i Kishës
Emri, marka emërore dalluese dhe simboli i Kishës janë përcaktues kyç të Kishës.
Marka emërore dalluese dhe simboli. Marka emërore dalluese dhe simboli i Kishës (shihni ilustrimin më lart) duhet të përdoren vetëm siç miratohet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ato nuk lejohet të përdoren si elemente zbukurues. As nuk mund të përdoren në një mënyrë personale, tregtare ose reklamuese.
38.8.10
Kompjuterat
Kompjuterat dhe programet kompjuterike që përdoren në shtëpitë e mbledhjeve të Kishës, sigurohen dhe administrohen nga zyrat qendrore të Kishës ose zyra zonale. Udhëheqësit dhe anëtarët i përdorin këto burime për të përkrahur qëllimet e Kishës, përfshirë punën për historinë familjare.
Të gjithë programet kompjuterikë në këta kompjutera duhet të jenë të licencuar siç duhet nga Kisha.
38.8.12
Materialet e Programit Mësimor
Kisha siguron materiale për t’i ndihmuar anëtarët të mësojnë dhe ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit. Këto përfshijnë shkrimet e shenjta, mesazhet e konferencave të përgjithshme, revistat, manualet, librat dhe burime të tjera. Udhëheqësit i nxitin anëtarët t’i përdorin shkrimet e shenjta dhe burime të tjera sipas nevojës për ta studiuar ungjillin në shtëpi.
38.8.14
Veshja dhe Pamja e Jashtme
Anëtarët e Kishës nxiten që të tregojnë respekt për trupin nëpërmjet zgjedhjeve të tyre rreth veshjes dhe pamjes së jashtme. Ajo që është e përshtatshme, ndryshon sipas kulturave dhe për raste të ndryshme.
38.8.16
Dita e Agjërimit
Anëtarët mund të agjërojnë në çdo kohë. Megjithatë, ata zakonisht e mbajnë Shabatin e parë të muajit si një ditë agjërimi.
Një ditë e zakonshme agjërimi përfshin lutje, mosngrënie ushqimi dhe mospirje uji për një periudhë 24‑orëshe (nëse mund t’ia dilni fizikisht) dhe dhënien e një oferte bujare të agjërimit. Një ofertë agjërimi është një dhurim për të ndihmuar njerëzit nevojtarë (shihni te 22.2.2).
Nganjëherë mbledhjet anembanë Kishës ose mbledhjet vendore mbahen në Shabatin e parë të muajit. Kur kjo ndodh, presidenca e kunjit përcakton një Shabat tjetër për ditën e agjërimit.
38.8.17
Kumari dhe Lotaritë
Kisha e kundërshton kumarin dhe këshillon kundër kumarit në çfarëdo formë. Kjo përfshin vënien e basteve për sportet dhe lotaritë e financuara nga qeveritë.
38.8.19
Imigrimi
Anëtarët që qëndrojnë në vendlindjet e tyre, shpesh kanë mundësi për ta ngritur dhe forcuar Kishën atje. Sidoqoftë, imigrimi në një shtet tjetër është zgjedhje vetjake.
Anëtarët që shpërngulen në një shtet tjetër, duhet t’u binden të gjitha ligjeve që zbatohen atje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:21).
Misionarët nuk duhet të ofrojnë që të financojnë imigrimin e të tjerëve.
38.8.22
Ligjet e Vendit
Anëtarët duhet t’u binden, t’i nderojnë dhe t’i mbështetin ligjet në cilindo vend që jetojnë ose udhëtojnë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:21–22; Nenet e Besimit 1:12). Kjo përfshin ligjet që e ndalojnë predikimin fetar.
38.8.25
Komunikimi i Anëtarëve me Zyrat Qendrore të Kishës
Anëtarët e Kishës nuk inkurajohen që t’i marrin në telefon, t’u dërgojnë mesazhe elektronike ose t’u shkruajnë letra Autoriteteve të Përgjithshme rreth pyetjeve doktrinore, sfidave ose kërkesave vetjake. Anëtarët nxiten që t’u drejtohen udhëheqësve të tyre vendorë, përfshirë presidentes së tyre të Shoqatës së Ndihmës ose presidentit të tyre të kuorumit të pleqve, kur kërkojnë udhërrëfim shpirtëror (shihni te 31.3).
38.8.27
Anëtarët me Aftësi të Kufizuara
Udhëheqësit dhe anëtarët nxiten për t’i trajtuar nevojat e të gjithë njerëzve që jetojnë brenda njësisë së tyre. Anëtarët me aftësi të kufizuara vlerësohen dhe mund të japin ndihmesë në mënyra kuptimplote. Aftësitë e kufizuara mund të jenë intelektuale, shoqërore, emocionale ose fizike.
38.8.29
Besimet e Tjera Fetare
Shumë gjëra që janë frymëzuese, fisnike dhe të denja për respektin më të lartë, gjenden në shumë besime të tjera fetare. Misionarët dhe anëtarët e tjerë duhet të jenë të ndjeshëm dhe plot respekt kundrejt bindjeve fetare dhe traditave të të tjerëve.
38.8.30
Veprimtaria Politike dhe Civile
Anëtarët e Kishës nxiten të marrin pjesë në çështje politike dhe qeveritare. Në shumë shtete kjo mund të përfshijë:
-
Votimin.
-
Anëtarësimin ose shërbimin në partitë politike.
-
Dhënien e përkrahjes financiare.
-
Komunikimin me zyrtarë dhe kandidatë të partive.
-
Shërbimin në pozicione të caktuara nëpërmjet zgjedhjeve ose emërimit në qeverinë vendore dhe kombëtare.
Anëtarët gjithashtu nxiten që të marrin pjesë aktivisht në kauza të denja për t’i bërë komunitetet e tyre vende të shëndetshme për të jetuar dhe për të rritur familjet.
Udhëheqësit vendorë të Kishës nuk duhet t’i organizojnë anëtarët që të marrin pjesë në çështje politike. Udhëheqësit nuk duhet as të përpiqen të ndikojnë mbi mënyrën se si marrin pjesë anëtarët.
Udhëheqësit dhe anëtarët gjithashtu duhet t’i shmangin deklaratat ose sjelljet që mund të interpretohen si dhënie miratimi nga Kisha për ndonjë parti, platformë, rregullore ose kandidat politik.
38.8.31
Privatësia për Anëtarët
Udhëheqësit e Kishës janë të detyruar ta mbrojnë privatësinë për anëtarët. Nuk lejohet që dokumentet, direktoritë dhe materiale të ngjashme të Kishës të përdoren për qëllime personale, tregtare ose politike.
38.8.35
Refugjatët
Si pjesë e përgjegjësisë së tyre për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë (shihni te Mosia 4:26), anëtarët e Kishës ofrojnë kohën, talentet dhe miqësinë e tyre për t’i mirëpritur refugjatët si pjesëtarë të komuniteteve të tyre.
38.8.36
Kërkesat për Ndihmë Financiare nga Kisha
Anëtarët nevojtarë nxiten për të folur me peshkopin e tyre në vend që të vihen në kontakt me zyrat qendrore të Kishës apo të kërkojnë para nga udhëheqës ose anëtarë të tjerë të Kishës.