“27. Ordinancat e Tempullit për Të Gjallët”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“27. Ordinancat e Tempullit për Të Gjallët”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm
27.
Ordinancat e Tempullit për Të Gjallët
27.0
Parathënia
Tempulli është shtëpia e Zotit. Ai na drejton për te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Në tempuj ne marrim pjesë në ordinanca të shenjta dhe bëjmë besëlidhje me Atin Qiellor që na lidhin me Të dhe me Shpëtimtarin tonë. Këto besëlidhje dhe ordinanca na përgatitin që të kthehemi në praninë e Atit Qiellor dhe të lidhemi së bashku si familje për përjetësinë.
Në besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit “fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (Doktrina e Besëlidhje 84:20).
Besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit janë të shenjta. Simbolet që lidhen me besëlidhjet e tempullit, nuk duhet të diskutohen jashtë tempullit. As nuk duhet ta diskutojmë informacionin e shenjtë për të cilin premtojmë në tempull se nuk do ta zbulojmë. Gjithsesi, ne mund të diskutojmë qëllimet bazë dhe doktrinën e besëlidhjeve dhe ordinancave të tempullit, si dhe ndjenjat shpirtërore që kemi në tempull.
Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve e diskutojnë informacionin në këtë kapitull me anëtarët që po përgatiten për të kryer ordinancat e dhurimit ose të vulosjes.
27.1
Kryerja e Ordinancave të Tempullit
27.1.1
Përgatitja për të Kryer Ordinancat e Tempullit
Anëtarët duhet të përgatiten shpirtërisht për të kryer ordinancat e tempullit dhe për t’i bërë e nderuar besëlidhjet në tempull.
Prindërit kanë përgjegjësinë kryesore për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që të përgatiten për të kryer ordinancat e tempullit. Udhëheqësit e kunjeve dhe të lagjeve, vëllezërit e motrat shërbestare dhe pjesëtarët e rrethit familjar i përkrahin prindërit në këtë rol.
Burimet për t’i ndihmuar anëtarët që të përgatiten për të kryer ordinancat e tempullit janë në dispozicion tek temples.ChurchofJesusChrist.org.
Anëtarët që po përgatiten për të kryer ordinancën e dhurimit për veten e tyre ose që të vulosen me një bashkëshort/e, nxiten që të marrin pjesë në një kurs të përgatitjes për frekuentimin e tempullit (shihni te 25.2.8).
27.1.3
Anëtarët që Kanë Aftësi të Kufizuara Fizike
Anëtarët e denjë që kanë aftësi të kufizuara fizike, mund t’i marrin të gjitha ordinancat e tempullit. Këta anëtarë inkurajohen që ta frekuentojnë tempullin bashkë me familjarë apo miq të së njëjtës gjini që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të cilët mund t’i ndihmojnë. Nëse anëtarët nuk mund të frekuentojnë me një pjesëtar të familjes ose një mik, ata mund të marrin në telefon tempullin që më parë për të kuptuar se çfarë rregullimesh mund të bëhen.
27.1.4
Ndihma për Përkthimin ose Interpretimin
Nëse anëtarët kanë nevojë për ndihmë lidhur me përkthimin ose interpretimin në tempull, ata duhet të vihen në kontakt me tempullin që më parë për të kuptuar nëse një ndihmë e tillë është në dispozicion.
27.1.5
Veshjet që Vishen në Tempull
Kur shkojnë në tempull, anëtarët duhet të veshin llojin e veshjeve që zakonisht veshin në mbledhjen e sakramentit.
Shihni te 27.3.2.6 për informacion rreth veshjeve që vishen për një martesë ose vulosje në tempull.
Shihni te 38.5 për informacion rreth:
-
Veshjeve për t’u veshur gjatë ordinancave të dhurimit dhe vulosjes.
-
Marrjes, veshjes dhe përkujdesjes për veshjet ceremoniale dhe veshjet e brendshme të tempullit.
27.1.6
Kujdesi për Fëmijët
Fëmijët duhet të kenë mbikëqyrjen e një personi në moshë madhore, në qoftë se janë në mjedisin përreth tempullit. Punonjësit e tempullit janë në dispozicion për të mbikëqyrur fëmijët vetëm në rrethanat vijuese:
-
Nëse fëmijët po vulosen te prindërit
-
Nëse fëmijët po shohin vulosjen e vëllezërve dhe motrave të gjalla, të fëmijëve të njerkut/ës ose gjysmëvëllezërve e gjysmëmotrave të tyre te prindërit e tyre
27.1.7
Takimi me Anëtarët pasi i Kryejnë Ordinancat e Tempullit
Anëtarët shpesh kanë pyetje pasi kryejnë ordinancat e tempullit. Pjesëtarë të familjes që e kanë kryer dhurimin, peshkopi, udhëheqës të tjerë të lagjes dhe vëllezërit e motrat shërbestare mund të takohen me anëtarët për të diskutuar për përvojën e tyre në tempull.
Burime për t’i ndihmuar që t’u japin përgjigje pyetjeve, janë në dispozicion tek temples.ChurchofJesusChrist.org.
27.2
Dhurimi
Fjala dhurim do të thotë dhënie e “një dhurate”. Ordinanca e dhurimit në tempull është në mënyrë të mirëfilltë një dhuratë nga Perëndia nëpërmjet së cilës Ai i bekon fëmijët e Tij. Disa nga dhuratat që anëtarët i marrin nëpërmjet ordinancës së dhurimit në tempull, përfshijnë:
-
Njohuri më të madhe për qëllimet dhe mësimet e Zotit.
-
Fuqi për të bërë gjithçka që Ati Qiellor dëshiron që të bëjnë fëmijët e Tij.
-
Drejtim hyjnor kur u shërbejnë Zotit, familjeve të tyre dhe të tjerëve.
-
Shpresë, ngushëllim dhe paqe më të madhe.
Përmbushja e këtyre bekimeve varet nga besnikëria ndaj ungjillit të Jezu Krishtit.
Dhurimi merret në dy pjesë. Në pjesën e parë, një person kryen ordinanca paraprake të quajtura nistorja. Nistorja përbëhet nga tre ordinanca: larja, vajosja dhe veshja (shihni tek Eksodi 29:4–9). Ajo përfshin bekime të veçanta që lidhen me prejardhjen dhe potencialin hyjnor të personit.
Gjatë nistores, anëtari besëlidh që të veshë veshjet e brendshme të tempullit. Veshjet e brendshme të tempullit përfaqësojnë marrëdhënien e tij ose të saj vetjake me Perëndinë dhe zotimin për t’iu bindur besëlidhjeve të bëra në tempull. Kur anëtarët janë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre dhe i veshin siç duhet veshjet e brendshme të tempullit gjatë gjithë jetës së tyre, ato gjithashtu shërbejnë si mbrojtje. Për informacion rreth veshjes dhe përkujdesjes për veshjet e brendshme të tempullit, shihni te 38.5.5.
Në pjesën e dytë të dhurimit jepet mësim plani i shpëtimit, përfshirë Krijimin, Rënien e Adamit dhe të Evës, Shlyerjen e Jezu Krishtit, Braktisjen dhe Rivendosjen. Anëtarët gjithashtu marrin udhëzim lidhur me mënyrën se si të kthehen në praninë e Zotit.
Në ordinancën e dhurimit, anëtarët ftohen të bëjnë besëlidhje të shenjta si vijon:
-
Të jetojnë ligjin e bindjes dhe të përpiqen fort që t’i zbatojnë urdhërimet e Atit Qiellor.
-
T’i binden ligjit të sakrificës, që do të thotë sakrifikimin për ta përkrahur veprën e Zotit dhe pendimin me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar.
-
T’i binden ligjit të ungjillit të Jezu Krishtit.
-
Të zbatojnë ligjin e dëlirësisë, që do të thotë të heqin dorë nga marrëdhëniet seksuale jashtë një martese të ligjshme midis një burri dhe një gruaje, që është sipas ligjit të Perëndisë.
-
Të zbatojnë ligjin e përkushtimit, që do të thotë se anëtarët ia përkushtojnë kohën, talentet e tyre dhe gjithçka me të cilën Zoti i ka bekuar, ndërtimit të Kishës së Jezu Krishtit në tokë.
Si këmbim, Ati Qiellor premton se ata që u qëndrojnë besnikë besëlidhjeve të tyre të tempullit, do të dhurohen me “fuqi nga lart” (Doktrina e Besëlidhje 38:32, 38; shihni edhe te Lluka 24:49; Doktrina e Besëlidhje 43:16).
27.2.1
Kush Mund ta Kryejë Ordinancën e Dhurimit
Të gjithë anëtarët e përgjegjshëm në moshë madhore të Kishës ftohen të përgatiten për ordinancën e dhurimit për veten e tyre dhe ta kryejnë atë. Të gjitha ordinancat paraprake duhet të kryhen dhe shënohen përpara se anëtarët të mund të kryejnë ordinancën e dhurimit (shihni te 26.3.1).
27.2.1.1
Anëtarët e Sapopagëzuar
Anëtarët e rinj që janë në moshë madhore dhe të denjë, mund ta kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre të paktën pas një viti të plotë nga data e konfirmimit të tyre.
27.2.1.2
Anëtarët që Kanë një Bashkëshort/e që Nuk e Ka Kryer Ordinancën e Dhurimit
Një anëtar/e i/e denjë bashkëshortja/i e/i të cilit nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit, mund ta marrë dhurimin e vet kur plotësohen kushtet vijuese:
-
Bashkëshorti/ja që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit, e jep miratimin e vet.
-
Anëtari/ja, peshkopi dhe presidenti i kunjit kanë vetëbesim se përgjegjësia e marrë me besëlidhjet e tempullit nuk do të jetë një problem për martesën.
Këto kushte gjejnë zbatim qoftë nëse bashkëshorti/ja është anëtar/e i/e Kishës apo jo.
27.2.1.3
Anëtarët që Kanë Aftësi të Kufizuara Intelektuale
Anëtarët që kanë aftësi të kufizuara intelektuale, mund ta kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre në qoftë se:
-
Ata i kanë kryer të gjitha ordinancat paraprake (shihni te 26.3.1).
-
Ata kanë aftësinë intelektuale për t’i kuptuar, bërë dhe mbajtur besëlidhjet që lidhen me to.
Peshkopi këshillohet me anëtarin/en dhe, atje ku gjen zbatim, prindërit e tij ose të saj. Ai gjithashtu kërkon drejtimin e Shpirtit. Ai mund të këshillohet me presidentin e kunjit.
27.2.2
Vendimi se Kur të Kryhet Ordinanca e Dhurimit
Vendimi për të kryer ordinancën e dhurimit është vetjak dhe duhet të bëhet plot lutje. Dhurimi është një bekim fuqie dhe zbulese për të gjithë ata që përgatiten për ta kryer atë. Anëtarët mund të zgjedhin që të kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre, kur i plotësojnë të gjitha kushtet vijuese:
-
Janë të paktën 18 vjeç.
-
E kanë përfunduar ose nuk po vazhdojnë më një shkollë të mesme, një shkollë profesionale apo një të barasvlershme me to.
-
Një vit i plotë ka kaluar që nga konfirmimi i tyre.
-
Ndiejnë dëshirë për t’i marrë dhe nderuar besëlidhjet e shenjta të tempullit gjatë gjithë jetës së tyre.
Anëtarët që kanë marrë një thirrje misioni ose po përgatiten për t’u vulosur në tempull, duhet ta kryejnë ordinancën e dhurimit.
Përpara se të lëshojnë një rekomandim tempulli për një anëtar që të kryejë ordinancën e dhurimit, peshkopi dhe presidenti i kunjit duhet të ndiejnë se personi po përgatitet për të kuptuar dhe mbajtur besëlidhje të shenjta tempulli. Ky kualifikim përcaktohet individualisht për secilin person.
27.2.3
Planifikimi dhe Caktimi i një Takimi për Ordinancën e Dhurimit
27.2.3.1
Marrja e një Rekomandimi për Ordinancat për të Gjallët
Një anëtar duhet të marrë një rekomandim për ordinanca për të gjallët që të shkojë në tempull dhe të kryejë ordinancën e dhurimit. Për informacion rreth këtyre rekomandimeve, shihni te 26.5.1.
27.2.3.2
Vënia në Kontakt me Tempullin
Anëtarët që po planifikojnë të kryejnë ordinancën e dhurimit, duhet të vihen në kontakt me tempullin përpara se të caktojnë një takim për ordinancën.
27.2.3.3
Shoqëruesit për Anëtarët që po Kryejnë Ordinancën e Dhurimit
Anëtarët që kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre, mund të ftojnë një anëtar të së njëjtës gjini që e ka kryer ordinancën e dhurimit, që të veprojë si shoqërues/e dhe t’i ndihmojë gjatë sesionit të ordinancës së dhurimit. Një shoqërues/e duhet të ketë një rekomandim aktual tempulli. Tempulli mund të sigurojë një shoqërues/e nëse nevojitet.
27.3
Vulosja e Bashkëshortit dhe Bashkëshortes
Një vulosje në tempull i lidh një bashkëshort e një bashkëshorte së bashku për kohën dhe gjithë përjetësinë. Ata do t’i marrin këto bekime nëse janë besnikë ndaj besëlidhjeve që i bëjnë në tempull. Nëpërmjet kësaj ordinance, fëmijët e tyre gjithashtu mund të jenë pjesë e familjes së tyre të përjetshme.
Udhëheqësit e Kishës i nxitin anëtarët që të përgatiten për t’u martuar dhe vulosur në tempull. Atje ku martesat në tempull nuk njihen ligjërisht, udhëheqësit e autorizuar të Kishës ose të tjerë mund të kryejnë martesa civile të cilat pasohen nga një vulosje në tempull (shihni te 38.3). Ky model mund të ndiqet edhe kur një martesë në tempull mund të bënte që prindërit ose pjesëtarët e afërt të familjes të ndihen të lënë jashtë ngaqë nuk mund të frekuentojnë ceremoninë e tempullit.
27.3.1
Kush Mund të Vuloset në Tempull
Të gjithë anëtarët e përgjegjshëm, të pamartuar të Kishës ftohen të përgatiten për një vulosje në tempull. Ata që janë të martuar me martesë civile, nxiten që të vulosen për kohën dhe përjetësinë në tempull sapo të përgatiten. Anëtarë duhet ta kenë kryer ordinancën e dhurimit përpara se të mund të vulosen (shihni te 27.2).
Çiftet që po vulosen në tempull, duhet të jenë ose 1) të martuar me martesë civile përpara se të vulosen, ose 2) të martohen dhe vulosen në të njëjtën ceremoni në tempull. Shihni te 27.3.2.
27.3.1.2
Anëtarët që Kanë Aftësi të Kufizuara Intelektuale
Anëtarët që kanë aftësi të kufizuara intelektuale, mund të vulosen me bashkëshortin/en ose të fejuarin/ën e tyre, në qoftë se:
-
Ata i kanë kryer të gjitha ordinancat paraprake përfshirë dhurimin (shihni te 27.2.1.3).
-
Ata kanë aftësinë intelektuale për t’i kuptuar, bërë dhe mbajtur besëlidhjet që lidhen me to.
Peshkopi këshillohet me anëtarin/en dhe bashkëshorten/in ose të fejuarin/ën e vet. Ai gjithashtu kërkon drejtimin e Shpirtit. Ai mund të këshillohet me presidentin e kunjit.
27.3.2
Planifikimi dhe Caktimi i një Takimi për një Martesë ose Vulosje në Tempull
27.3.2.1
Marrja e një Rekomandimi për Ordinancat për të Gjallët
Një anëtar/e duhet të marrë një rekomandim për ordinanca për të gjallët që të vuloset me bashkëshorten/in e vet. Për informacion rreth këtyre rekomandimeve, shihni te 26.3.
27.3.2.2
Vënia në Kontakt me Tempullin
Anëtarët që po planifikojnë të martohen ose vulosen me një bashkëshort/e, duhet të vihen në kontakt me tempullin përpara se të caktojnë një takim për ordinancën.
27.3.2.3
Marrja e një Lejeje për Martesë
Përpara se të martohet, një çift duhet të marrë një leje të ligjshme për martesën, që është e vlefshme në vendin ku do të kryhet martesa. Nëse çifti planifikon që të martohet dhe vuloset gjatë së njëjtës ceremoni, ata duhet të sjellin në tempull një leje të vlefshme për martesë.
Çiftet që po vulosen pas një martese civile, nuk nevojitet që të sjellin në tempull një leje për martesë. Në vend të kësaj, ata japin datën dhe vendin e martesës së tyre civile si pjesë të procesit të verifikimit të dokumentit.
27.3.2.4
Shoqëruesit për Nusen dhe Dhëndrin
Një motër që e ka kryer ordinancën e dhurimit, mund të shoqërojë nusen që ta ndihmojë në dhomën e veshjes. Një vëlla që e ka kryer ordinancën e dhurimit, mund të bëjë të njëjtën gjë për dhëndrin. Një shoqërues/e duhet të ketë një rekomandim aktual tempulli. Tempulli mund të sigurojë një shoqërues/e nëse nevojitet.
27.3.2.5
Kush e Kryen një Martesë ose Vulosje në Tempull
Një martesë ose vulosje në tempull zakonisht kryhet nga një vulosës që është i caktuar në tempullin ku do të martohet ose vuloset çifti. Në qoftë se një pjesëtar ose i njohur i familjes mban autoritetin vulosës dhe është i caktuar në tempullin ku do të martohet ose vuloset çifti, ata mund ta ftojnë që të kryejë martesën ose vulosjen.
27.3.2.6
Veshja e Duhur për një Martesë ose Vulosje në Tempull
Fustani i Nuses. Fustani që një nuse e vesh në tempull, duhet të jetë i bardhë, i thjeshtë në model e pëlhurë dhe pa zbukurime të ndërlikuara. Gjithashtu, duhet të mbulojë veshjet e brendshme të tempullit. Pëlhura e tejdukshme duhet të ketë shtresë të brendshme.
Që të përputhet me fustanet e tjera të veshura në tempull, një fustan nuseje duhet të ketë mëngë të gjata ose treçerekëshe. Fustanet nuk duhet të kenë bisht, në qoftë se bishti nuk mund të ngjitet me gjilpëra ose të hiqet për ceremoninë e vulosjes.
Tempulli mund të japë një fustan nëse nevojitet ose dëshirohet.
Veshja e Dhëndrit. Dhëndri vesh veshje normale tempulli gjatë ceremonisë së martesës ose vulosjes (shihni te 38.5.1 dhe 38.5.2).
Veshjet e të Ftuarve. Njerëzit që marrin pjesë në ceremoninë e një martese ose vulosjeje, duhet të veshin veshje të ngjashme me ato që do t’i vishnin në një mbledhje sakramenti. Anëtarët që vijnë në një vulosje drejtpërsëdrejti nga një sesion dhurimi, mund të veshin veshjet ceremoniale të tempullit.
Lulet. Çifti dhe të ftuarit nuk duhet të kenë lule në veshjet e tyre gjatë ceremonisë së martesës ose vulosjes.
27.3.2.7
Shkëmbimi i Unazave pas një Martese ose Vulosjeje në Tempull
Shkëmbimi i unazave nuk është pjesë e ceremonisë së vulosjes në tempull. Megjithatë, çiftet mund të shkëmbejnë unaza pas ceremonisë në dhomën e vulosjes. Çiftet nuk duhet të shkëmbejnë unaza në ndonjë kohë ose vend tjetër brenda në tempull ose në territorin përreth tempullit.
Çiftet që martohen dhe vulosen në të njëjtën ceremoni, mund të shkëmbejnë unaza në një kohë të mëvonshme për t’ua mundësuar pjesëmarrjen gjatë këtij veprimi pjesëtarëve të familjeve që nuk janë në gjendje të marrin pjesë në një martesë në tempull. Shkëmbimi nuk duhet të jetë një kopje e ndonjë pjese të ceremonisë së martesës ose vulosjes në tempull. Çifti nuk duhet të shkëmbejë zotime pasi të jetë martuar ose vulosur në tempull.
Çiftet që martohen në mënyrë civile përpara vulosjes së tyre në tempull, mund të shkëmbejnë unaza në ceremoninë e tyre civile, në vulosjen e tyre në tempull ose në të dyja ceremonitë.
27.3.4
Kush Mund të Jetë i Pranishëm në një Martesë ose Vulosje në Tempull
Çiftet duhet të ftojnë vetëm pjesëtarë të afërt të familjes dhe miq të ngushtë në një martesë ose vulosje në tempull. Anëtarët e përgjegjshëm duhet të kenë kryer ordinancën e dhurimit dhe të kenë një rekomandim aktual tempulli që të marrin pjesë.
Presidenti i kunjit mund të autorizojë një person që nuk është pagëzuar ose nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit për shkak të aftësive të kufizuara intelektuale, që ta shohë martesën ose vulosjen në tempull të vëllait ose motrës së vet të gjallë. Personi duhet:
-
Të jetë të paktën 18 vjeç.
-
Të jetë në gjendje që të qëndrojë nderues gjatë ceremonisë.
Presidenti i kunjit shkruan një letër që shpreh se personi autorizohet që ta shohë vulosjen. Kjo letër paraqitet në tempull.
27.4
Vulosja te Prindërit e Fëmijëve që Janë të Gjallë
Fëmijët që linden pasi nëna e tyre është vulosur me një bashkëshort në tempull, linden në besëlidhjen e asaj vulosjeje. Ata nuk kanë nevojë të marrin ordinancën e vulosjes te prindërit.
Fëmijët që nuk linden në besëlidhje, mund të bëhen pjesë e një familjeje të përjetshme duke u vulosur te prindërit e tyre biologjikë ose birësues. Këta fëmijë kanë të drejtën për të njëjtat bekime sikurse ata që kishin lindur në besëlidhje.
27.4.2
Vënia në Kontakt me Tempullin
Një çift që dëshiron që fëmijët e tyre të vulosen tek ata, ose fëmijët që dëshirojnë të vulosen te prindërit e tyre të vdekur, duhet të vihen në kontakt me tempullin përpara se të caktojnë një takim për ordinancën.