Manualet dhe Thirrjet
26. Rekomandimet e Tempullit


“26. Rekomandimet e Tempullit”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).

“26. Rekomandimet e Tempullit”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm

peshkop duke intervistuar një burrë

26.

Rekomandimet e Tempullit

26.0

Parathënia

Hyrja në shtëpinë e Zotit është një privilegj i shenjtë. Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve i nxitin të gjithë anëtarët që të jenë të denjë për një rekomandim aktual tempulli dhe të kenë një rekomandim aktual tempulli edhe nëse nuk jetojnë pranë një tempulli.

Udhëheqësit e Kishës bëjnë çdo përpjekje për t’u kujdesur që të gjithë njerëzit që hyjnë në shtëpinë e Zotit, të jenë të denjë për të hyrë (shihni te Psalmeve 24:3–5).

Anëtarët duhet të kenë një rekomandim aktual tempulli për të hyrë në tempull.

Një peshkop këshillohet me presidentin e tij të kunjit nëse ka pyetje rreth rekomandimeve të tempullit, të cilave nuk u jepen përgjigje në këtë kapitull. Presidenti i kunjit mund të vihet në kontakt me Zyrën e Presidencës së Parë për pyetjet.

26.1

Llojet e Rekomandimeve të Tempullit

Ka tri lloje rekomandimesh:

  1. Rekomandim tempulli për anëtarët që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Këto rekomandime janë për anëtarë që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të cilët po vulosen me prindërit e tyre ose po kryejnë pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës. Ato lëshohen nëpërmjet sistemit Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (BUN) [LCR]. Për më shumë informacion, shihni te 26.4.

  2. Rekomandim tempulli për ordinanca për të gjallët. Këto rekomandime janë për anëtarët që kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre ose që po vulosen me një bashkëshort/e. Rekomandimi për ordinancat për të gjallët i bashkëlidhet një rekomandimi të rregullt tempulli për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit (të përshkruar më poshtë).

  3. Rekomandim tempulli për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Këto rekomandime janë për anëtarët/et që e kanë kryer më parë ordinancën e dhurimit. Ato lëshohen nëpërmjet sistemit BUN [LCR]. Ato e autorizojnë një anëtar/e që të marrë pjesë në të gjitha ordinancat e tempullit për të vdekurit. Ato gjithashtu përdoren kur një anëtar/e që e ka kryer ordinancën e dhurimit, vuloset me prindër ose fëmijë të gjallë apo të vdekur. Për më shumë informacion, shihni te 26.3.

26.2

Ruajtja e Rekomandimeve të Tempullit

26.2.1

Ruajtja e Rekomandimeve të Tempullit nga Udhëheqësit e Priftërisë

Udhëheqësit e priftërisë që autorizohen të kenë blloqe të rekomandimeve të tempullit, duhet t’i ruajnë ato me kujdes.

Udhëheqësit e priftërisë sigurohen gjithashtu që individë të paautorizuar nuk kanë të drejtë përdorimi të informacionit të rekomandimeve të tempullit në sistemin BUN [LCR].

26.2.2

Rekomandimet e Humbura ose të Vjedhura

Peshkopi u kërkon anëtarëve ta njoftojnë sa më shpejt që të jetë e mundur nëse rekomandimi i tyre humbet ose vidhet. Ai ose një këshilltar apo nëpunës i caktuar përdor sistemin BUN [LCR] për ta anuluar rekomandimin sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse ky sistem nuk është në dispozicion, peshkopi vihet në kontakt me zyrën e tempullit që ta anulojë rekomandimin.

26.2.3

Mbajtësit e Rekomandimit që Nuk po i Jetojnë Standardet e Denjësisë

Nëse peshkopi përcakton se një anëtar/e që ka një rekomandim aktual, nuk po i jeton standardet e denjësisë (shihni te 26.3), ai ia merr rekomandimin anëtarit/es. Ai përdor sistemin BUN [LCR] për ta anuluar rekomandimin. Nëse ky sistem nuk është në dispozicion, peshkopi vihet në kontakt me zyrën e tempullit që ta anulojë rekomandimin.

26.3

Orientime të Përgjithshme për Lëshimin e Rekomandimeve të Tempullit

Udhëheqësit e priftërisë duhet ta lëshojnë një rekomandim vetëm nëse anëtari/ja u përgjigjet siç duhet pyetjeve të rekomandimit të tempullit.

Në kunje, një anëtar i presidencës së kunjit ose një nëpunës i kunjit e aktivizon rekomandimin e tempullit në sistemin BUN [LCR] pasi ai lëshohet. Në distrikte, një anëtar i presidencës së misionit ose një nëpunës i misionit e aktivizon rekomandimin. Rekomandimet për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës aktivizohen kur ato shtypen në letër nga një anëtar i peshkopatës ose nga presidenti i degës.

26.3.1

Intervistat për Rekomandime Tempulli për Anëtarët në Lagjet dhe Degët

Në një lagje, peshkopi ose një këshilltar i caktuar kryen intervista për rekomandime tempulli dhe lëshon rekomandime për ata që janë të denjë. Në një degë, vetëm presidenti i degës kryen intervista për rekomandime tempulli dhe lëshon rekomandime.

Në një lagje, peshkopi personalisht interviston anëtarët që:

  • Po marrin ordinancën e tyre vetjake të dhurimit (shihni te 27.1 dhe 27.2).

  • Po vulosen me një bashkëshort/e (shihni te 27.3).

Në raste të ngutshme kur peshkopi nuk është në dispozicion, ai mund të autorizojë njërin prej këshilltarëve të tij që t’i kryejë këto intervista.

Përpara se të lëshojë një rekomandim në situatat e renditura më lart, peshkopi e shqyrton dokumentin e anëtarit për të verifikuar që nuk përfshin ndonjë shënim shpjegues rreth kufizimeve të anëtarësisë në Kishë. Për anëtarët që marrin ordinancën e dhurimit për veten e tyre ose që po vulosen me një bashkëshort/e, ai gjithashtu sigurohet që:

  • Pagëzimi dhe konfirmimi i personit shënohen në dokumentin e anëtarësisë.

  • Vëllezërit e kanë marrë Priftërinë Melkizedeke.

Pas intervistës nga një anëtar i peshkopatës ose nga presidenti i degës, një anëtar i presidencës së kunjit i interviston anëtarët që jetojnë në një kunj. Një anëtar i presidencës së misionit kryen intervistën e dytë për anëtarët që jetojnë në një distrikt. Një president distrikti nuk kryen intervista për rekomandime tempulli përveçse kur autorizohet nga Presidenca e Parë.

26.3.2

Intervistat për Rekomandime Tempulli për Anëtarët në Zona të Izoluara

Disa anëtarë jetojnë në zona që do të kërkonin udhëtim të kushtueshëm ose vështirësi të madhe për t’u takuar me një anëtar të presidencës së kunjit apo misionit. Në këto situata, një president tempulli mund ta intervistojë personin dhe ta nënshkruajë rekomandimin. Përpara kryerjes së intervistës, ai këshillohet me presidentin e kunjit ose misionit. Peshkopi, një këshilltar i autorizuar ose presidenti i degës duhet ta ketë intervistuar tashmë anëtarin/en dhe ta ketë nënshkruar rekomandimin.

26.3.3

Kryerja e një Interviste për Rekomandim Tempulli

Udhëheqësit nuk duhet të shtojnë ose të heqin ndonjë kërkesë.

Intervistat për rekomandime tempulli nuk duhet të bëhen me nxitim. Ato duhet të jenë private. Megjithatë, personi që do të merret në intervistë, mund të ftojë bashkëshortin/en, prindin ose një person tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm.

26.4

Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit për Anëtarët që Nuk e Kanë Kryer Ordinancën e Dhurimit

26.4.1

Orientime të Përgjithshme

Rekomandime tempulli u lëshohen anëtarëve që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, sipas mënyrës që vijon:

  • Për anëtarët e moshave 11 vjeç e lart që të pagëzohen dhe konfirmohen për të vdekurit. (Të rinjtë e shuguruar dhe të rejat do të kenë të drejtën për një rekomandim tempulli duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeç.)

  • Për anëtarët/et e moshave 8 deri në 20 vjeç që të vulosen te prindërit e tyre. Fëmijëve nën moshën 8 vjeç nuk u nevojitet një rekomandim që të vulosen te prindërit e tyre (shihni te 26.4.4).

  • Për anëtarët e moshave 8 deri në 20 vjeç që të shohin vulosjet e vëllezërve e motrave, fëmijëve të njerkut/ës ose gjysmëvëllezërve e gjysmëmotrave të tyre te prindërit e tyre.

Anëtarëve që e kanë kryer ordinancën e dhurimit më parë, nuk u lëshohet ndonjë rekomandim i shpjeguar në këtë pjesë.

Një anëtar mashkull i Kishës, i cili ka moshë të mjaftueshme sa të mbajë priftërinë, duhet të shugurohet në një detyrë në priftëri përpara se atij të mund t’i lëshohet një rekomandim tempulli.

26.4.2

Rekomandime Tempulli për Anëtarët e Sapopagëzuar

Peshkopi i interviston anëtarët e rinj që janë të një moshe të përshtatshme, për të marrë një rekomandim tempulli vetëm për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës. Ai e kryen këtë intervistë pak kohë pas konfirmimit të anëtarit, normalisht brenda një jave (shihni te 26.4.1). Për vëllezërit, kjo intervistë mund të mbahet si pjesë e intervistës për të marrë Priftërinë Aarone.

26.4.3

Rekomandime Tempulli Vetëm për Pagëzime dhe Konfirmime me Mëkëmbës

Rekomandimet e tempullit që lëshohen për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës, mund të përdoren vetëm për atë qëllim.

26.4.4

Rekomandime Tempulli për Vulosjen te Prindërit të Fëmijëve që Janë të Gjallë

Anëtarët që janë të moshës 21 vjeç e lart, mund të vulosen te prindërit e tyre ose të shohin një vulosje vetëm në qoftë se 1) e kanë kryer ordinancën e dhurimit dhe 2) kanë një rekomandim aktual tempulli.

26.5

Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit në Rrethana të Veçanta

26.5.1

Anëtarët që Marrin Ordinancën e Dhurimit për Veten e Tyre

Anëtarët e denjë që dëshirojnë të kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre, mund ta bëjnë këtë gjë kur i plotësojnë të gjitha kushtet vijuese:

  • Janë të paktën 18 vjeç.

  • E kanë përfunduar ose nuk po vazhdojnë më një shkollë të mesme, një shkollë profesionale apo një të barasvlershme me to.

  • Një vit i plotë ka kaluar që nga konfirmimi i tyre.

  • Ata ndiejnë dëshirë për t’i marrë dhe nderuar besëlidhjet e tempullit gjatë gjithë jetës së tyre.

Përveç këtyre, një burrë duhet të mbajë Priftërinë Melkizedeke përpara se të kryejë ordinancën e dhurimit për veten e tij. Për informacion rreth anëtarëve që po përgatiten të kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre, shihni te 25.2.8. Për informacion se kush mund ta kryejë ordinancën e dhurimit, shihni te 27.2.1.

26.5.3

Misionarët në Moshë të Re që Kthehen nga Shërbimi larg Shtëpisë

Presidenti i misionit i vë datën dhe e aktivizon rekomandimin me qëllim që t’i mbarojë vlefshmëria tre muaj nga data që misionari kthehet në shtëpi.

Peshkopi i interviston misionarët e kthyer nga misioni që të lëshojë një rekomandim të ri tempulli diku pranë fundit të periudhës tremujore të mbarimit të afatit.

26.5.4

Anëtarët që Nuk Kanë Jetuar në të Njëjtën Lagje për të Paktën një Vit

Peshkopi ose një këshilltar i caktuar vihet në kontakt me peshkopin e mëparshëm përpara se të kryejë një intervistë për rekomandim tempulli.

26.5.7

Anëtarët që e Përcaktojnë Vetveten si Transgjinorë

Presidenti i kunjit duhet të këshillohet me Presidencën e Zonës që t’i trajtojë rrethanat individuale me ndjeshmëri dhe dashuri si e Krishtit (shihni te 38.6.23).

26.5.8

Anëtarët që Kanë Kryer një Mëkat të Rëndë

Një anëtari që ka kryer një mëkat të rëndë, nuk i lejohet të marrë një rekomandim tempulli derisa ai ose ajo të jetë penduar (shihni te 32.6).

26.5.9

Anëtarët që Janë Ripranuar pas Heqjes së Anëtarësisë ose Heqjes Dorë Vetë nga Anëtarësia në Kishë

26.5.9.1

Anëtarët që Nuk e Kishin Kryer më Parë Ordinancën e Dhurimit

Këtyre anëtarëve nuk u lejohet t’u jepen rekomandime për të kryer ordinancën e dhurimit për veten e tyre në tempull derisa të kalojë një vit i plotë pas datës së ripranimit të tyre në Kishë me anë të pagëzimit dhe konfirmimit.

26.5.9.2

Anëtarët që e Kishin Kryer më Parë Ordinancën e Dhurimit

Anëtarëve që e kishin kryer më parë ordinancën e dhurimit, nuk u lejohet të marrin ndonjë lloj rekomandimi tempulli derisa bekimet e tyre të tempullit të rivendosen nëpërmjet ordinancës së rivendosjes së bekimeve.