“26. Rekomandimet e Tempullit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2025).
“26. Rekomandimet e Tempullit”, Manuali i Përgjithshëm.
26.
Rekomandimet e Tempullit
26.0
Parathënia
Hyrja në shtëpinë e Zotit është një privilegj i shenjtë. Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve i nxitin të gjithë anëtarët që të jenë të denjë për një rekomandim aktual tempulli dhe të kenë një rekomandim aktual tempulli edhe nëse nuk jetojnë pranë një tempulli.
Udhëheqësit e Kishës bëjnë çdo përpjekje për t’u kujdesur që të gjithë njerëzit që hyjnë në shtëpinë e Zotit, të jenë të denjë për të hyrë (shihni te Psalmeve 24:3–5). Udhëheqës të autorizuar të priftërisë kryejnë intervista për rekomandime tempulli dhe u lëshojnë rekomandime tempulli anëtarëve që u përgjigjen pyetjeve të intervistës siç duhet dhe sinqerisht (shihni te 26.3). Zoti premton që, në qoftë se njerëzit që hyjnë në shtëpinë e Tij janë të pastër, prania e Tij do të jetë atje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 97:15–16).
Anëtarët e moshës 8 vjeç e lart duhet të kenë një rekomandim aktual tempulli për të hyrë në tempull. Ata duhet të pagëzohen dhe konfirmohen që të kenë të drejtën të marrin një rekomandim.
Fëmijët nën moshën 8 vjeç që po vulosen te prindërit ose që vëzhgojnë vulosjen e vëllezërve dhe motrave të tyre te prindërit, nuk kanë nevojë për një rekomandim (shihni te 27.4.1 dhe 27.4.5). Gjithsesi, prindërit e tyre e verifikojnë informacionin e tyre nëpërmjet veçorisë Përgatitja për Ordinancat në LCR (shihni te 27.1.2).
Ky kapitull jep udhëzime për udhëheqësit që lëshojnë rekomandime tempulli. Një peshkop këshillohet me presidentin e tij të kunjit nëse ka pyetje rreth rekomandimeve të tempullit, të cilave nuk u jepen përgjigje në këtë kapitull. Presidenti i kunjit mund të vihet në kontakt me Zyrën e Presidencës së Parë për pyetjet.
26.1
Llojet e Rekomandimeve të Tempullit
Një rekomandim aktual tempulli e lejon një anëtar/e të hyjë në të gjithë tempujt. Udhëheqësit e priftërisë sigurojnë që anëtarët/et të marrin rekomandimin e duhur për rrethanat e tyre. Ka tri lloje rekomandimesh:
-
Rekomandime tempulli për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës. Këto rekomandime janë për anëtarët/et që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të cilët/at po kryejnë pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës. Ato lëshohen për anëtarin/en nëpërmjet sistemit Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (LCR). Anëtari/ja mund të zgjedhë të marrë një rekomandim tempulli ose të shtypur në letër, ose elektronik.
Për më shumë informacion, shihni te 26.3.1.
-
Rekomandim tempulli për anëtarët/et që e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Këto rekomandime janë për anëtarët/et që e kanë kryer më parë ordinancën e dhurimit. Ato i autorizojnë anëtarët/et që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, që të marrin pjesë në të gjitha ordinancat e tempullit për të vdekurit. Ato lëshohen për anëtarin/en nëpërmjet sistemit LCR. Anëtari/ja mund të zgjedhë të marrë një rekomandim tempulli ose të shtypur në letër, ose elektronik.
Për më shumë informacion, shihni te 26.3.2.
-
Rekomandime tempulli për ordinancat për të gjallët. Këto rekomandime janë për anëtarët/et që po kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre ose që po vulosen me një bashkëshort/e, te prindërit ose me fëmijët. Ato lëshohen në mënyrë digjitale nëpërmjet veçorisë Përgatitja për Ordinancat në sistemin LCR. Udhëheqësit e priftërisë e përdorin veçorinë Përgatitja për Ordinancat për t’ia dorëzuar rekomandimet e plotësuara tempullit ku do të zhvillohet ordinanca.
Për të hyrë në tempull, anëtarët/et që do të jenë 12 vjeç e lart deri në fund të vitit në të cilin ndodh ordinanca, gjithashtu duhet të kenë njërin nga dy llojet e tjera të rekomandimeve përveç një rekomandimi për ordinancat për të gjallët. Nëse është e nevojshme, udhëheqësit e priftërisë mund të lëshojnë njërin prej këtyre rekomandimeve dhe rekomandimin për ordinancat për të gjallët gjatë së njëjtës intervistë. Për më shumë informacion, shihni te 26.3.3.
Për informacion rreth ordinancave të tempullit për të gjallët, shihni te kapitulli 27.
26.2
Ruajtja e Rekomandimeve të Tempullit
26.2.1
Ruajtja e Rekomandimeve të Tempullit nga Udhëheqësit e Priftërisë
Udhëheqësit e priftërisë që autorizohen të kenë blloqe të rekomandimeve të tempullit, duhet t’i ruajnë ato me kujdes. Asnjë person tjetër nuk duhet të ketë leje përdorimi të atyre blloqeve. Kur Kisha i përditëson blloqet e rekomandimeve të tempullit, udhëheqësit i asgjësojnë blloqet e vjetruara.
Udhëheqësit e priftërisë gjithashtu sigurojnë që individë të paautorizuar nuk kanë të drejtë përdorimi të informacionit të rekomandimeve të tempullit në sistemin LCR.
26.2.2
Rekomandimet e Humbura ose të Vjedhura
Peshkopi u kërkon anëtarëve ta njoftojnë sa më shpejt që të jetë e mundur nëse rekomandimi i tyre humbet ose vidhet. Në qoftë se anëtari është ende i denjë, peshkopi ose një këshilltar i caktuar apo nëpunës futet në LCR që ta shtypë sërish rekomandimin. Rekomandimit të ri do t’i mbarojë vlefshmëria në të njëjtën datë si rekomandimit origjinal.
Nganjëherë një anëtar të cilit i vidhet ose i ka humbur rekomandimi, nuk po jeton më sipas standardeve të denjësisë. Në këto raste, peshkopi e anulon rekomandimin menjëherë (shihni te 26.2.3).
26.2.3
Mbajtësit e Rekomandimit që Nuk po i Jetojnë Standardet e Denjësisë
Nëse peshkopi përcakton se një anëtar që ka një rekomandim aktual, nuk po i jeton standardet e denjësisë (shihni te 26.3), ai përdor sistemin LCR për ta anuluar rekomandimin. Nëse ky sistem nuk është në dispozicion, peshkopi vihet në kontakt me zyrën e tempullit që ta anulojë rekomandimin. Nëse anëtari ka një rekomandim të shtypur në letër, peshkopi ia kërkon atë anëtarit.
26.3
Orientime të Përgjithshme për Lëshimin e Rekomandimeve të Tempullit
Udhëheqësit e autorizuar të priftërisë kryejnë intervista përpara se një anëtar/e të mund të marrë një rekomandim tempulli. Udhëzimet janë te sistemi LCR. Udhëheqësit e priftërisë duhet ta lëshojnë një rekomandim vetëm nëse anëtari/ja u përgjigjet siç duhet pyetjeve të rekomandimit të tempullit.
Intervistat për rekomandime tempulli i lejojnë anëtarët që të demonstrojnë se kanë një dëshmi dhe po përpiqen fort që t’u binden urdhërimeve të Perëndisë dhe t’i ndjekin profetët e Tij. Udhëheqësit e priftërisë gjithashtu vërtetojnë, nëpërmjet intervistës, se anëtari/ja është i/e denjë.
Shihni te 26.4 për informacion rreth kryerjes së intervistave për rekomandim tempulli.
26.3.1
Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit për Pagëzime dhe Konfirmime me Mëkëmbës
Rekomandimet e tempullit për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës i autorizojnë anëtarët që të marrin pjesë në pagëzime dhe konfirmime për të vdekurit. Ato lëshohen për anëtarët që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të cilët janë pagëzuar dhe konfirmuar.
Për anëtarët që e kanë kryer më parë ordinancën e dhurimit, nuk lëshohet një rekomandim për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës.
Anëtarët e kanë të drejtën për këto rekomandime duke filluar nga janari i vitit në të cilin mbushin 12 vjeç. Një anëtar mashkull i Kishës duhet të shugurohet në një detyrë në priftëri përpara se të marrë një rekomandim tempulli.
Në një lagje, peshkopi ose një këshilltar i caktuar interviston anëtarët që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, për rekomandime tempulli për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës. Në një degë, vetëm presidenti i degës kryen intervista për rekomandime tempulli. (Për një përjashtim, shihni te 23.6.1.)
Udhëheqësi që kryen intervistën, ndjek orientimet te pjesa 26.4. Intervistat për rekomandime tempulli nuk duhet të bëhen me nxitim. Ato duhet të jenë private. Megjithatë, personi që po intervistohet, mund të ftojë një prind ose një njeri tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm.
Udhëheqësi lëshon një rekomandim nëpërmjet sistemit LCR nëse anëtari është i denjë. Këto rekomandime kërkojnë vetëm nënshkrimet e anëtarit dhe të një anëtari të peshkopatës ose të presidentit të degës.
Rekomandimet për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës aktivizohen në LCR nga një anëtar i peshkopatës ose nga presidenti i degës.
Për informacion rreth lëshimit të rekomandimeve për anëtarët që po përgatiten të kryejnë ordinancën e tyre të dhurimit ose të vulosen me një bashkëshort/e, te prindërit ose me fëmijët, shihni te 26.3.3.
26.3.2
Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit për Anëtarët që e Kanë Kryer Ordinancën e Dhurimit
Rekomandimet e tempullit për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, i autorizojnë anëtarët që të marrin pjesë në të gjitha ordinancat e tempullit për të vdekurit. Ato lëshohen për anëtarët që e kanë kryer më parë ordinancën e dhurimit. (Për anëtarët që po kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre, shihni te 26.3.3.)
Në një lagje, peshkopi ose një këshilltar i caktuar kryen intervista për rekomandime tempulli dhe lëshon rekomandime. Në një degë, vetëm presidenti i degës kryen intervista për rekomandime tempulli dhe lëshon rekomandime.
Udhëheqësi që kryen intervistën, ndjek orientimet te pjesa 26.4. Intervistat për rekomandime tempulli nuk duhet të bëhen me nxitim. Ato duhet të jenë private. Megjithatë, personi që po intervistohet, mund të ftojë një bashkëshort/e, prind ose një njeri tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm.
Udhëheqësi lëshon një rekomandim nëpërmjet sistemit LCR nëse anëtari është i denjë.
Pas intervistës nga një anëtar i peshkopatës ose nga presidenti i degës, një anëtar i presidencës së kunjit i interviston anëtarët që jetojnë në një kunj. Ai nënshkruan rekomandimet e njerëzve që janë të denjë. Një anëtar i presidencës së misionit kryen intervistën e dytë për anëtarët që jetojnë në një distrikt. Ai gjithashtu nënshkruan rekomandimet e njerëzve që janë të denjë. Një president distrikti nuk kryen intervista për rekomandime tempulli përveçse kur autorizohet nga Presidenca e Parë.
Në kunje, një anëtar i presidencës së kunjit ose një nëpunës i kunjit e aktivizon rekomandimin e tempullit në sistemin LCR. Në distrikte, një anëtar i presidencës së misionit ose një nëpunës i misionit e aktivizon rekomandimin.
Për informacion rreth lëshimit të rekomandimeve të tempullit për anëtarët që po përgatiten të kryejnë ordinancën e tyre të dhurimit ose të vulosen me një bashkëshort/e, te prindërit ose me fëmijët, shihni te 26.3.3.
26.3.3
Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit për Ordinancat për të Gjallët
Rekomandimet e tempullit për ordinancat për të gjallët lëshohen kur anëtarët po përgatiten:
-
Të kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre (shihni te 27.2).
-
Të vulosen me një bashkëshort/e (shihni te 27.3).
-
Të vulosen te prindërit e tyre (shihni te 27.4).
-
Fëmijët e tyre të vulosen tek ata (shihni te 27.4).
Për të hyrë në tempull, anëtarët që do të jenë 12 vjeç e lart deri në fund të vitit në të cilin ndodh ordinanca, gjithashtu duhet të kenë një rekomandim për pagëzimet dhe konfirmimet me mëkëmbës ose një rekomandim për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Nëse është e nevojshme, udhëheqësit e priftërisë mund të lëshojnë njërin prej këtyre rekomandimeve dhe rekomandimin për ordinancat për të gjallët gjatë së njëjtës intervistë.
Peshkopi ose presidenti i degës dhe presidenti i kunjit personalisht intervistojnë anëtarët që po përgatiten për të marrë ordinancat e tempullit.
Në raste të ngutshme kur peshkopi ose presidenti i kunjit nuk është në dispozicion, ai mund të autorizojë një nga këshilltarët e tij për t’i kryer këto intervista. Në një degë, vetëm presidenti i degës mund t’i kryejë këto intervista.
Në lagje të mëdha për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, peshkopët dhe presidentët e kunjeve mund të autorizojnë këshilltarë me përvojë për t’i kryer këto intervista.
Në një distrikt, presidenti i misionit ose një këshilltar i caktuar i kryen këto intervista. Presidentët e distrikteve nuk i kryejnë këto intervista në qoftë se Presidenca e Parë nuk i ka autorizuar për të lëshuar rekomandime tempulli.
Udhëheqësi që kryen intervistën, ndjek orientimet te pjesa 26.4. Intervistat për rekomandime tempulli nuk duhet të bëhen me nxitim. Ato duhet të jenë private. Megjithatë, personi që po intervistohet, mund të ftojë një bashkëshort/e, prind ose një njeri tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm.
Përpara se të lëshojë një rekomandim për ordinancat për të gjallët, peshkopi ose presidenti i degës e shqyrton dokumentin e anëtarit për të verifikuar që nuk përfshin një shënim shpjegues rreth kufizimeve të anëtarësisë në Kishë. Ai gjithashtu shqyrton informacionin e anëtarit duke përdorur veçorinë Përgatitja për Ordinancat në LCR. Ai e nënshkruan në mënyrë digjitale rekomandimin për ordinancat për të gjallët nëse anëtari është i denjë dhe i përgatitur për të marrë ordinancat e tempullit. Më pas ia dorëzon presidentit të kunjit ose misionit duke përdorur veçorinë Përgatitja për Ordinancat në LCR.
Presidenti i kunjit ose një anëtar i presidencës së misionit më pas e interviston anëtarin. Ai e nënshkruan në mënyrë digjitale rekomandimin nëse anëtari është i denjë dhe i përgatitur për të marrë ordinancat e tempullit. Më pas ia dorëzon atë tempullit duke përdorur veçorinë Përgatitja për Ordinancat në LCR. Nëse nevojitet, ai gjithashtu nënshkruan rekomandimin e anëtarit për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit (shihni te 26.3.2).
Për informacion rreth anëtarëve që po përgatiten për të marrë ordinancat e tempullit, shihni te 27.1.1 dhe 27.1.2.
Për informacion rreth anëtarëve që po përgatiten të kryejnë ordinancën e dhurimit, shihni te 27.2.
Për informacion rreth anëtarëve që po përgatiten të vulosen me një bashkëshort/e, shihni te 27.3.
Për informacion rreth anëtarëve që po përgatiten të vulosen te prindërit, shihni te 27.4.
Shihni te 27.4.5 dhe 38.4.2 për rregullore shtesë lidhur me vëzhgimin e vulosjeve dhe vulosjen e tyre te prindërit.
26.3.4
Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit për Anëtarët në Zona të Izoluara
Disa anëtarë jetojnë në zona që do të kërkonin udhëtim të kushtueshëm ose vështirësi të madhe për t’u takuar me një anëtar të presidencës së kunjit apo misionit. Në këto situata, një anëtar i presidencës së kunjit ose të misionit, mund të takohet në mënyrë virtuale me anëtarin për të kryer një intervistë për rekomandim tempulli (shihni te 31.4).
Udhëheqësi e lëshon rekomandimin nëse anëtari është i denjë. Nëse anëtari kërkon një rekomandim të shtypur në letër, një anëtar i peshkopatës ose presidenti i degës e shtypin në letër rekomandimin për anëtarin.
Kjo rregullore zbatohet edhe për anëtarët në ushtri që janë në zona të izoluara.
26.4
Kryerja e një Interviste për Rekomandim Tempulli
Tempulli është shtëpia e Zotit. Hyrja në tempull dhe marrja pjesë në ordinanca atje është një privilegj i shenjtë. Ky privilegj rezervohet për ata që janë të përgatitur shpirtërisht dhe përpiqen fort t’i jetojnë standardet e Zotit, siç përcaktohen nga udhëheqësit e autorizuar të priftërisë.
Për ta bërë këtë përcaktim, udhëheqësit e priftërisë e intervistojnë anëtarin duke përdorur pyetjet më poshtë. Udhëheqësit nuk duhet të shtojnë ose të heqin ndonjë kërkesë. Megjithatë, ata mund t’i përshtatin pyetjet për moshën dhe rrethanat e anëtarit.
Ndonjëherë anëtarët kanë pyetje gjatë një interviste për rekomandim tempulli. Udhëheqësi i priftërisë mund të shpjegojë parimet bazë të ungjillit. Ai gjithashtu mund t’i ndihmojë anëtarët që t’i kuptojnë pyetjet e rekomandimit të tempullit nëse nevojitet. Gjithsesi, ai nuk duhet të paraqitë bindjet, parapëlqimet apo interpretimet e tij vetjake si doktrinë ose rregullore të Kishës.
Intervistat për rekomandime tempulli nuk duhet të bëhen me nxitim. Ato duhet të jenë private. Megjithatë, personi që po intervistohet, mund të ftojë një bashkëshort/e, prind ose një njeri tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm.
26.4.1
Pyetjet e Intervistës për Rekomandim Tempulli
-
A keni besim dhe një dëshmi për Perëndinë, Atin e Përjetshëm; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë?
-
A keni një dëshmi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj?
-
A keni një dëshmi për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?
-
A e mbështetni Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si profet, shikues dhe zbulues dhe si të vetmin njeri në tokë të autorizuar që t’i ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë?
A i mbështetni anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues?
A i mbështetni Autoritetet e tjera të Përgjithshme dhe udhëheqësit vendorë të Kishës?
-
Zoti ka thënë se të gjitha gjërat do të “bëhe[n] … në pastërti” përpara Tij (Doktrina e Besëlidhje 42:41).
A përpiqeni fort për pastërti morale në mendimet dhe sjelljen tuaj?
A i bindeni ligjit të dëlirësisë?
-
A i ndiqni mësimet e Kishës së Jezu Krishtit në sjelljen tuaj më vete dhe publike me pjesëtarët e familjes suaj dhe të tjerët?
-
A përkrahni ose nxitni ndonjë mësim, praktikë ose doktrinë në kundërshtim me ato të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
-
A përpiqeni fort ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit, si në shtëpi edhe në kishë; të frekuentoni mbledhjet tuaja; të përgatiteni për sakramentin dhe ta merrni atë me denjësi; dhe ta jetoni jetën tuaj në harmoni me ligjet dhe urdhërimet e ungjillit?
-
A përpiqeni fort të jeni i/e ndershëm/e në gjithçka që bëni?
-
A jeni pagues/e i/e së dhjetës së plotë?
Për anëtarët e rinj që kërkojnë një rekomandim për të kryer pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës: A jeni i/e gatshëm/e që t’i bindeni urdhërimit për të paguar të dhjetën?
-
A e kuptoni dhe i bindeni Fjalës së Urtësisë?
-
(Kjo pyetje nuk bëhet kur intervistohet një fëmijë ose një i ri apo e re.) A keni ndonjë detyrim financiar ose detyrime të tjera ndaj një bashkëshorteje të mëparshme apo ndaj fëmijëve?
Nëse po, a jeni i rregullt në përmbushjen e këtyre detyrimeve?
-
(Kjo pyetje nuk bëhet kur intervistohet një anëtar/e që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit.) A i mbani besëlidhjet që bëtë në tempull?
-
(Kjo pyetje nuk bëhet kur intervistohet një anëtar/e që nuk e ka kryer ordinancën e dhurimit.) A e nderoni privilegjin tuaj të shenjtë për ta veshur veshjen e brendshme të tempullit siç udhëzohet në ordinancat nistore? (Lexojani çdo anëtari/eje deklaratën “Mbajtja Veshur e Veshjeve të Brendshme të Tempullit”, të përfshirë më poshtë.)
-
A ka mëkate të rënda në jetën tuaj që nevojitet të zgjidhen me autoritetet e priftërisë si pjesë e pendimit tuaj?
-
A e konsideroni veten të denjë për të hyrë në shtëpinë e Zotit dhe për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit?
26.4.2
Mbajtja Veshur e Veshjeve të Brendshme të Tempullit
Presidenca e Parë ka dhënë orientimin vijues lidhur me mbajtjen veshur të veshjeve të brendshme të tempullit:
“Veshja e brendshme e priftërisë së shenjtë na kujton për velin në tempull dhe ai vel është një simbol për Jezu Krishtin. Kur e vishni veshjen tuaj të brendshme, ju vishni një simbol të shenjtë të Jezu Krishtit. Veshja e saj është një shprehje e jashtme e zotimit tuaj të brendshëm për ta ndjekur Atë. Veshja e brendshme është gjithashtu një kujtues i besëlidhjeve tuaja të tempullit. Ju duhet ta vishni atë veshje ditë e natë gjatë gjithë jetës suaj. Kur duhet të hiqet për veprimtari që nuk mund të kryhen në mënyrë të arsyeshme teksa e mbani të veshur atë, përpiquni ta vishni sërish sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërkohë që i mbani besëlidhjet tuaja, përfshirë privilegjin e shenjtë për të veshur veshjen e brendshme të tempullit siç udhëzohet në ordinancat nistore, ju do të keni qasje më të madhe te mëshira, mbrojtja, forca dhe fuqia e Shpëtimtarit.”
Nëse anëtarët kanë pyetje rreth mbajtjes veshur të veshjeve të brendshme, referojini te 38.5.
26.4.3
Drejtim Shtesë
Udhëheqësi i priftërisë ia thekson anëtarit nevojën për ta ruajtur rekomandimin e tij ose të saj. Ai nuk duhet të jepet kurrë hua dhe duhet t’i raportohet menjëherë atij që e ka lëshuar rekomandimin, nëse humbet apo e vjedhin.
26.5
Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit në Rrethana të Veçanta
26.5.1
Anëtarët e Sapopagëzuar
Peshkopi i interviston anëtarët e rinj që janë të një moshe të përshtatshme për të marrë një rekomandim tempulli për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës (shihni te 26.3.1). Ai e kryen këtë intervistë pak kohë pas konfirmimit të anëtarit, normalisht brenda një jave. Për vëllezërit, kjo intervistë mund të mbahet si pjesë e intervistës për të marrë Priftërinë Aarone. Një peshkop ose një president dege mund të caktojë njërin nga këshilltarët e tij që ta kryejë këtë intervistë. Anëtarët meshkuj të Kishës duhet të shugurohen në një detyrë në priftëri përpara se të marrin një rekomandim tempulli.
Gjatë intervistës, peshkopi mund të ofrojë që të përdorë mjetin Ndihma për Emrat e Familjes për ta ndihmuar anëtarin e ri të shtypë në letër emrin e një pjesëtari të vdekur të familjes për të cilin anëtari i ri mund të kryejë ordinancat e tempullit (shihni te “Ndihma për Emrat e Familjes” te 25.4.1).
Anëtarët në moshë madhore të denjë mund ta kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre një vit të plotë pasi të jenë konfirmuar anëtarë të Kishës (shihni te 27.2.1.1). Udhëheqësit e priftërisë sigurohen që data kur anëtari/ja do të kryejë ordinancën e dhurimit, do të jetë të paktën një vit të plotë pas datës së tij ose të saj të konfirmimit, jo të datës së pagëzimit. Vetëm Presidenca e Parë mund të autorizojë përjashtime.
26.5.2
Misionarët në Moshë të Re që Kthehen nga Shërbimi larg Shtëpisë
Përpara se një misionar/e në moshë të re që shërben larg nga shtëpia, ta përfundojë shërbimin e vet, presidenti i misionit kryen një intervistë për rekomandim tempulli. Në qoftë se misionari/ja është i/e denjë, ai i lëshon një rekomandim. Presidenti i misionit i vë datën dhe e aktivizon rekomandimin me qëllim që t’i mbarojë vlefshmëria tre muaj nga data që misionari/ja kthehet në shtëpi.
Peshkopi i interviston misionarët e kthyer nga misioni që të lëshojë një rekomandim të ri tempulli diku pranë fundit të periudhës tremujore të mbarimit të afatit. Në raste të ngutshme kur peshkopi nuk është në dispozicion, ai mund të autorizojë njërin prej këshilltarëve të tij që t’i kryejë këto intervista.
Në lagje të mëdha për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, peshkopët mund të autorizojnë këshilltarë me përvojë për t’i kryer këto intervista.
Misionarët e kthyer nga misioni më pas takohen me një anëtar të presidencës së kunjit të tyre për një intervistë për rekomandim tempulli.
Në këto intervista për rekomandime tempulli, peshkopi dhe anëtari i presidencës së kunjit gjithashtu shqyrton këshillën e dhënë në intervistën e lirimit të misionarit nga misioni (shihni te 24.8.2). Ata diskutojnë përparimin, mirëqenien dhe thirrjen aktuale në Kishë të misionarit të kthyer. Gjithashtu e nxitin atë që të vazhdojnë në një shteg të rritjes shpirtërore dhe shërbimit gjatë gjithë jetës.
Nëse misionari i kthyer nuk ka një thirrje në Kishë, peshkopi dhe presidenti i kunjit bëjnë ç’është e mundur që t’i ofrohet një thirrje. Misionarët e kthyer mund të rekomandohen që të shërbejnë si punonjës tempulli, në qoftë se një tempull është aty pranë (shihni te 25.5).
26.5.3
Anëtarët që Nuk Kanë Jetuar në të Njëjtën Lagje për të Paktën një Vit
Nëse një anëtar nuk ka jetuar në të njëjtën lagje në vazhdimësi për të paktën një vit, peshkopi e shqyrton dokumentin e anëtarit për të verifikuar që nuk përfshin ndonjë shënim shpjegues rreth kufizimeve të anëtarësisë në Kishë.
Peshkopi ose një këshilltar i caktuar vihet në kontakt me peshkopin e mëparshëm përpara se të kryejë një intervistë për rekomandim tempulli. Nëse një këshilltar mëson se ka informacion konfidencial, ai nuk e vazhdon më tej bashkëbisedimin. Ai e njofton peshkopin e tij që të vihet në kontakt me peshkopin e mëparshëm përpara një interviste.
26.5.4
Pas Shkurorëzimit, Ndarjes ose Anulimit
Peshkopi dhe presidenti i degës mund të ndiejnë mbresë që ta intervistojnë një anëtar/e që është shkurorëzuar ose ndarë ligjërisht apo i është anuluar martesa pas kohës kur e mori herën e fundit një rekomandim tempulli. Gjatë kësaj interviste, ata ndihmojnë për ta forcuar shpirtërisht anëtarin/en. Ata gjithashtu verifikojnë denjësinë e vazhdueshme të anëtarit/es për tempullin.
26.5.5
Anëtarët, Familjarët e Afërt të të Cilëve e Kundërshtojnë Publikisht Kishën ose u Përkasin Grupeve Braktisëse
Peshkopët dhe këshilltarët e tyre duhet të jenë të ndjeshëm kur u lëshojnë rekomandime anëtarëve familjarët e afërt të të cilëve e kundërshtojnë publikisht Kishën ose u përkasin grupeve braktisëse. Anëtarët në këto rrethana nuk duhet t’i bëjnë të ndiejnë se nuk mund të kenë një rekomandim tempulli për shkak të lidhjeve të tyre familjare. Ata duhet të nxiten që të ruajnë një marrëdhënie plot dashuri me familjarët e afërt. Atyre mund t’u lëshohet një rekomandim tempulli nëse u përgjigjen siç duhet dhe çiltërsisht të gjitha pyetjeve të rekomandimit të tempullit.
26.5.6
Individët që e Përcaktojnë Vetveten si Transgjinorë
Ordinancat e tempullit kryhen sipas seksit biologjik të personit në lindje. Anëtarët e denjë që nuk e kryejnë ndryshimin kirurgjikal, mjekësor ose shoqëror të seksit të tyre biologjik në lindje, mund të marrin një rekomandim tempulli dhe ordinanca në tempull. (Për një përkufizim të ndryshimit shoqëror, shihni te 38.6.23.)
Anëtarët që kanë ndërmarrë hapa drejt ndryshimit dhe më pas kthehen sërish në seksin e tyre biologjik në lindje dhe janë të denjë dhe të zotuar për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë, mund të marrin një rekomandim tempulli dhe ordinanca në tempull.
Peshkopët këshillohen me presidentin e kunjit që të trajtojnë rrethanat individuale me ndjeshmëri dhe dashuri si e Krishtit. Presidentët e kunjeve dhe të misioneve kërkojnë këshillë nga Presidenca e Zonës.
Për më shumë informacion, shihni te 38.6.23.
26.5.7
Anëtarët që Kanë Kryer një Mëkat të Rëndë
Një anëtari/e që ka kryer një mëkat të rëndë, nuk i lejohet të marrë një rekomandim tempulli derisa ai ose ajo të jetë penduar (shihni te 32.6). Periudha midis mëkatit dhe lëshimit të një rekomandimi i lihet maturisë së peshkopit dhe presidentit të kunjit. Kjo duhet të jetë e mjaftueshme për të përcaktuar që personi është penduar me të vërtetë.
26.5.8
Anëtarët që Janë Ripranuar pas Heqjes së Anëtarësisë ose Heqjes Dorë Vetë nga Anëtarësia në Kishë
26.5.8.1
Anëtarët që Nuk e Kishin Kryer më Parë Ordinancën e Dhurimit
Pasi një anëtar që nuk e kishte kryer më parë ordinancën e dhurimit, është ripranuar me anë të pagëzimit dhe të konfirmimit, peshkopi mund ta intervistojë atë që të marrë një rekomandim tempulli për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës (shihni te 26.4.2). Kjo intervistë normalisht ndodh brenda një jave nga konfirmimi i anëtarit. Anëtarët meshkuj të Kishës duhet të shugurohen në një detyrë në priftëri përpara se të marrin një rekomandim tempulli.
Nuk lejohet t’u jepen rekomandime këtyre anëtarëve për të kryer ordinancën e dhurimit për veten e tyre në tempull derisa të kalojë një vit i plotë pas datës së ripranimit të tyre në Kishë me anë të pagëzimit dhe konfirmimit.
26.5.8.2
Anëtarët që e Kishin Kryer më Parë Ordinancën e Dhurimit
Anëtarëve që e kishin kryer më parë ordinancën e dhurimit, nuk u lejohet të marrin ndonjë lloj rekomandimi tempulli derisa bekimet e tyre të tempullit të rivendosen nëpërmjet ordinancës së rivendosjes së bekimeve (shihni te 32.17.2). Kur rivendosen bekimet e tyre, atyre mund t’iu lëshohet një rekomandim tempulli për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit.