“25. Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare në Lagje dhe në Kunj”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“25. Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare në Lagje dhe në Kunj”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm
25.
Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare në Lagje dhe në Kunj
25.0
Parathënia
Puna në tempull dhe për historinë familjare është mjeti për bashkimin dhe vulosjen e familjeve për përjetësinë (shihni te Mateu 16:19). Kjo punë përfshin:
-
Bërjen e besëlidhjeve teksa kryejmë ordinancat për veten tonë në tempull (shihni tek Isaia 55:3; Doktrina e Besëlidhje 84:19–23).
-
Zbulimin e paraardhësve tanë të vdekur dhe kryerjen e ordinancave për ta në tempull, me qëllim që ata të mund të bëjnë besëlidhjet me Perëndinë (shihni te Malakia 4:5–6; 1 Korintasve 15:29; Doktrina e Besëlidhje 128:15–18).
-
Vajtjen në shtëpinë e Zotit rregullisht, atje ku është e mundur, për të adhuruar Perëndinë dhe për të kryer ordinanca për paraardhësit tanë (shihni te Lluka 24:52–53; Doktrina e Besëlidhje 109:13–14).
Më shumë informacion është në dispozicion tek “Temples” [“Tempujt”] dhe “Family History” [“Historia Familjare”] (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).
25.1
Pjesëmarrja e Anëtarëve dhe Udhëheqësve në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare
Anëtarët e Kishës kanë privilegjin dhe përgjegjësinë për të ndihmuar që t’i bashkojnë familjet e tyre për përjetësinë. Ata vetë përgatiten për të bërë besëlidhje teksa kryejnë ordinancat e tempullit dhe përpiqen fort që t’i mbajnë ato besëlidhje.
Anëtarët e Kishës nxiten të identifikojnë familjarët e tyre të vdekur që nuk i kanë kryer ordinancat e tempullit. Më pas, anëtarët i kryejnë ordinancat në emër të atyre familjarëve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:18). Në botën e shpirtrave, individët e vdekur mund të zgjedhin që t’i pranojnë ose refuzojnë ordinancat që janë kryer për ta.
25.1.1
Përgjegjësia Individuale për Frekuentimin e Tempullit
Anëtarët përcaktojnë vetë se kur dhe sa shpesh të adhurojnë në tempull. Udhëheqësit nuk vendosin synime statistikore ose sisteme raportimi për frekuentimin në tempull.
25.2
Organizimi i Punës në Tempull dhe për Historinë Familjare në Lagje
25.2.1
Peshkopata
Peshkopata bashkërendon me presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës teksa i udhëheqin përpjekjet e lagjes për punën në tempull dhe për historinë familjare. Këta udhëheqës këshillohen së bashku rregullisht.
Peshkopata gjithashtu ka përgjegjësitë vijuese për punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje:
-
Të sigurojë që doktrina dhe bekimet e punës në tempull dhe për historinë familjare jepen mësim në kishë.
-
Të sigurojë që puna në tempull dhe për historinë familjare bashkërendohet në mbledhjet e këshillit të lagjes dhe mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë.
-
Të mbikëqyrë organizimin e kurseve të përgatitjes për në tempull (shihni te 25.2.8).
-
Të lëshojë rekomandime të tempullit (shihni te kapitulli 26).
25.2.2
Presidencat e Kuorumit të Pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës
Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës udhëheqin përpjekjet e përditshme të punës në tempull dhe për historisë familjare në lagje (shihni te 8.2.4 dhe 9.2.4). Ato punojnë së bashku për t’i udhëhequr këto përpjekje me këshillin e lagjes, nën bashkërendimin e peshkopit.
Këta udhëheqës kanë përgjegjësitë vijuese:
-
T’i ndihmojnë anëtarët që të përgatiten për të kryer ordinancat e tempullit dhe për të bërë besëlidhje në tempull.
-
T’i nxitin anëtarët që të adhurojnë në tempull sa më shpesh që e lejojnë rrethanat e tyre.
-
T’i nxitin anëtarët që të mësojnë rreth paraardhësve të tyre dhe të kryejnë ordinancat e tempullit në emër të tyre.
-
Të udhëheqin punën e udhëheqësit të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Nëse ky udhëheqës nuk thirret, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve e përmbush këtë rol (shihni te 25.2.3).
Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës caktojnë secili një anëtar/e të presidencës që të ndihmojnë për ta udhëhequr punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje. Anëtarët e këtyre dy presidencave punojnë së bashku. Ata marrin pjesë në mbledhjet e bashkërendimit për tempullin dhe për historinë familjare në lagje (shihni te 25.2.7).
25.2.3
Udhëheqësi i Lagjes për Tempullin dhe për Historinë Familjare
Peshkopata këshillohet me presidentin e kunjit për të përcaktuar që të thërrasë apo jo një udhëheqës të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Ky person duhet të jetë një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke.
Udhëheqësi i lagjes për tempullin dhe për historinë familjare e përkrah presidencën e kuorumit të pleqve dhe presidencën e Shoqatës së Ndihmës lidhur me përgjegjësitë e tyre për tempullin dhe për historinë familjare. Ai gjithashtu ka përgjegjësitë vijuese:
-
Të udhëheqë mbledhjet e bashkërendimit për tempullin dhe për historinë familjare në lagje (shihni te 25.2.7).
-
Të udhëzojë këshilluesit/et e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Të bashkërendojë përpjekjet e tyre për t’i ndihmuar anëtarët për punën në tempull dhe për historinë familjare.
-
Të punojë me udhëheqësin e misionit të lagjes dhe misionarët për t’i ndihmuar ata që mësojnë për ungjillin, anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet, që të përfshihen në punën në tempull dhe për historinë familjare.
25.2.4
Këshilluesit/et e Lagjes për Tempullin dhe për Historinë Familjare
Këshilluesit/et e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare shërbejnë nën drejtimin e udhëheqësit të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare ose të anëtarit të presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol. Peshkopata i thërret këta anëtarë që të shërbejnë. Mund të thirren persona në moshë madhore, të rinj dhe të reja.
Këshilluesit/et kanë përgjegjësitë vijuese:
-
T’i ndihmojnë anëtarët që të përjetojnë bekimet e zbulimit të paraardhësve të tyre dhe të kryerjes së ordinancave të tempullit në emër të tyre.
-
T’i ndihmojnë anëtarët që të përgatiten për të kryer ordinancat e tempullit dhe për të bërë besëlidhje në tempull.
-
Të marrin pjesë në mbledhjet e bashkërendimit për tempullin dhe për historinë familjare (shihni te 25.2.7).
25.2.7
Mbledhjet e Bashkërendimit të Lagjes për Tempullin dhe për Historinë Familjare
Mbledhje bashkërendimi të shkurtra joformale të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare mbahen rregullisht. Nëse thirret një udhëheqës i lagjes për tempullin dhe për historinë familjare, ai i drejton këto mbledhje. Përndryshe i drejton anëtari i presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol.
Njerëz të tjerë që ftohen, përfshijnë:
-
Anëtarë/e të caktuar/a të presidencave të Shoqatës së Ndihmës dhe kuorumit të pleqve.
-
Një ndihmës në kuorumin e priftërinjve.
-
Një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe të Të Rejave.
-
Këshilluesit/et për tempullin dhe për historinë familjare.
Qëllimi i këtyre mbledhjeve është që:
-
Të planifikohet se si të ndihmohen anëtarë të caktuar të lagjes për punën e tyre në tempull dhe për historinë familjare sipas kërkesës.
Këto mbledhje mund të zhvillohen me prani fizike ose në distancë. Bashkërendimi mund të ndodhë edhe në mënyra të tjera, duke përfshirë telefonatat, mesazhet me celular dhe me postë elektronike.
25.2.8
Kursi i Përgatitjes për Tempullin
Nën drejtimin e peshkopit, një kurs i përgatitjes për tempullin mund të organizohet për t’i ndihmuar anëtarët që të përgatiten për të bërë besëlidhje teksa kryejnë ordinancat e tempullit. Këto kurse zhvillohen jashtë mbledhjeve të rregullta të së dielës në një kohë të volitshme për anëtarët. Ato mund të zhvillohen në një shtëpi mbledhjesh ose në një shtëpi banimi.
Mësimet dhe udhëzimet për organizimin e kursit janë në materialin I Dhuruar nga Lart: Manuali i Mësuesit për Seminarin e Përgatitjes për në Tempull. Pjesëmarrësve u jepen kopje të materialit Në Përgatitje për të Hyrë në Tempullin e Shenjtë. Për burimet e studimit vetjak dhe të mësimeve, shihni te temples.ChurchofJesusChrist.org.
25.4
Burimet e Historisë Familjare
25.4.1
Familja Ime: Historitë që na Bashkojnë
Broshura Familja Ime: Historitë që na Bashkojnë i ndihmon njerëzit që të zbulojnë familjarë dhe paraardhës dhe t’i mbledhin historitë e tyre. Kjo broshurë gjithashtu mund t’i ndihmojë anëtarët që të fillojnë të përgatitin emra familjarësh për ordinancat e tempullit.
Broshura mund të shkarkohet te ChurchofJesusChrist.org. Kopje të shtypura mund të porositen te store.ChurchofJesusChrist.org.
25.4.2
Faqja FamilySearch.org dhe Programet Kompjuterike të FamilySearch‑it
FamilySearch.org është këndi i internetit i Kishës për punën në tempull dhe për historinë familjare. Ajo mund t’i ndihmojë përdoruesit që:
-
Të krijojnë lidhje dhe marrëdhënie të pemës familjare.
-
Të zbulojnë paraardhësit dhe historitë e tyre.
-
Të tregojnë dhe ruajnë ngjarje, fotografi dhe histori familjare.
-
Të përgatitin emra të familjes për ordinancat e tempullit.
Programi Pema Familjare dhe programi Kujtimet në FamilySearch u mundësojnë njerëzve që të marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare prej aparateve elektronike.
25.5
Rekomandimi dhe Thirrja e Punonjësve të Tempullit
25.5.1
Rekomandimi i Punonjësve të Tempullit
Punonjësit e mundshëm të tempullit identifikohen në mënyrat vijuese:
-
Anëtarë të identifikuar nga peshkopi ose një udhëheqës tjetër i lagjes
-
Anëtarë që i kërkojnë peshkopit për të shërbyer
-
Anëtarë të rekomanduar nga presidenti i tempullit, kryekujdestarja ose një udhëheqës tjetër në tempull
-
Anëtarët që po përgatiten për një shërbim misionar ose që janë kthyer kohët e fundit nga shërbimi misionar (shihni te kapitulli 24)
Emrat e punonjësve të mundshëm të tempullit dorëzohen duke përdorur mjetin Rekomando Punonjës Tempulli. Ky mjet është në dispozicion të peshkopëve, presidentëve të kunjeve dhe presidencave të tempujve.