“28. Ordinancat e Tempullit për Të Vdekurit”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“28. Ordinancat e Tempullit për Të Vdekurit”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm
28.
Ordinancat e Tempullit për Të Vdekurit
28.0
Parathënia
Ordinancat e kryera në tempuj e bëjnë të mundur që familjet të jenë së bashku në përjetësi dhe të përjetojnë plotësi të gëzimit në praninë e Perëndisë.
Në mënyrë që fëmijët e Atit Qiellor të kthehen tek Ai, secili prej tyre duhet të pendohet, të bëhet i denjë për të marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit dhe t’i nderojë besëlidhjet që lidhen me secilën ordinancë.
Ati Qiellor e dinte se shumë nga fëmijët e Tij nuk do t’i merrnin këto ordinanca gjatë jetës së tyre në vdekshmëri. Ai siguroi një mënyrë tjetër që ata t’i marrin ordinancat dhe të bëjnë besëlidhje me Të. Në tempuj, ordinancat mund të kryhen me mëkëmbës. Kjo do të thotë që një njeri i gjallë kryen ordinanca në emër të dikujt që ka vdekur. Në botën e shpirtrave, personat e vdekur mund të zgjedhin t’i pranojnë ose refuzojnë ordinancat që janë kryer për ta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:19, 32–34, 58–59).
Anëtarët e Kishës nxiten t’i identifikojnë të afërmit e vdekur që nuk i kanë marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Pastaj, anëtarët i kryejnë ordinancat në emër të atyre të afërmve.
Nëse anëtarët nuk kanë përgatitur emra të familjes për punën në tempull (shihni te 28.1.1), emrat e personave të vdekur që kanë nevojë për ordinanca, do të jepen në tempull.
28.1
Orientime të Përgjithshme për Kryerjen e Ordinancave me Mëkëmbës
Për personat e vdekur që ishin të moshës 8 vjeç e lart në kohën e vdekjes së tyre, mund të kryhen ordinanca me mëkëmbës në emër të tyre. Përveç rasteve që shënohen te 28.3, ordinancat me mëkëmbës mund të kryhen për të gjithë personat e vdekur sapo të kenë kaluar 30 ditë nga data e vdekjes së tyre, në qoftë se gjen zbatim cilido nga kushtet vijuese:
-
Një familjar i afërt i personit të vdekur (një bashkëshort/e i/e pashkurorëzuar, një fëmijë në moshë madhore, një prind, një vëlla ose motër) e dorëzon emrin për ordinancat e tempullit.
-
Leja për t’i kryer ordinancat merret nga një familjar i afërm i personit të vdekur (një bashkëshort/e i/e pashkurorëzuar, një fëmijë në moshë madhore, një prind, një vëlla ose motër).
Nëse asnjëri nga kushtet e mësipërme nuk gjen zbatim, ordinancat e tempullit me mëkëmbës mund të kryhen 110 vjet pasi u lind personi i vdekur.
28.1.1
Përgatitja e Emrave të Personave të Vdekur për Ordinancat e Tempullit
Atje ku është e mundur, informacioni që identifikon pjesëtarë të vdekur të familjes, duhet të hidhet në FamilySearch.org përpara se të kryhen ordinancat e tempullit (shihni te 25.4.2).
28.1.1.1
Dorëzimi i Emrave të Pjesëtarëve të Familjes
Kur dorëzojnë emra për ordinanca tempulli me mëkëmbës anëtarët, në përgjithësi, duhet të dorëzojnë vetëm emrat e personave me të cilët kanë lidhje familjare.
28.1.2
Kush Mund të Marrë Pjesë në Ordinancat për të Vdekurit
Të gjithë anëtarët që kanë një rekomandim aktual tempulli, mund të marrin pjesë në pagëzime dhe konfirmime për të vdekurit. Anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit për vete dhe kanë një rekomandim aktual tempulli, mund të marrin pjesë në të gjitha ordinancat për të vdekurit. Shihni te 26.3.
28.1.4
Caktimi i Takimeve
Anëtarëve mund t’iu nevojitet të caktojnë një takim përpara se të kryejnë ordinanca për të vdekurit. Shihni tek temples.ChurchofJesusChrist.org për informacionin e kontaktit të secilit tempull dhe të kërkesave për caktimin e një orari.
28.2
Kryerja e Ordinancave të Tempullit për Persona të Vdekur
Kur kryen ordinanca me mëkëmbës, një anëtar mund të veprojë si mëkëmbës vetëm për një person të vdekur që ka të njëjtë gjini nga lindja sikurse anëtari.
28.2.1
Pagëzimet dhe Konfirmimet për të Vdekurit
Çdo anëtar që ka një rekomandim aktual tempulli, mund të ftohet të shërbejë në një ose më shumë detyra që lidhen me pagëzimet. Disa nga detyrat mund të përfshijnë:
-
Të vepruarit si mëkëmbës për pagëzimet.
-
Të vepruarit si dëshmitar për pagëzimet me mëkëmbës.
-
Të vepruarit si mëkëmbës për konfirmimet.
-
Përkrahjen ndaj frekuentuesve të tempullit.
Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke dhe priftërinjtë në Priftërinë Aarone mund të ftohen të kryejnë pagëzime për të vdekurit. Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke gjithashtu mund të ftohen për të kryer konfirmimet për të vdekurit.
Vetëm burra që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, mund të ftohen që:
-
Të shërbejnë si regjistrues te vaska e pagëzimit.
-
Të shërbejnë si regjistrues të konfirmimeve.
28.2.2
Dhurimi (Përfshirë Nistoren)
Kur kryhen dhurimet me mëkëmbës për të vdekurit, pjesa nistore e ordinancës së dhurimit kryhet dhe regjistrohet më vete (shihni te 27.2). Çdo anëtar që e ka kryer ordinancën e dhurimit dhe ka një rekomandim aktual tempulli, mund të veprojë si mëkëmbës për t’i marrë këto ordinanca.
28.2.3
Vulosja me Bashkëshortin/en dhe Vulosja e Fëmijëve te Prindërit
Në tempull, personat e vdekur mund të vulosen me bashkëshortin/en që u martuan sa ishin gjallë. Për personat e vdekur, edhe fëmijët e tyre të gjallë ose të vdekur mund të vulosen tek ata. Një anëtar që ka kryer ordinancën e dhurimit dhe ka një rekomandim aktual tempulli, mund të veprojë si mëkëmbës për ordinancat e vulosjes.
28.3
Rrethana të Veçanta
Kjo pjesë shpjegon rrethanat në të cilat disa prej orientimeve në pjesën 28.1 mund të mos gjejnë zbatim.
28.3.1
Fëmijët që Vdiqën para se të Lindin (Fëmijët që Lindin të Vdekur dhe Fëmijët e Vdekur prej Dështimit të Barrës)
Ordinancat e tempullit nuk janë të nevojshme ose nuk kryhen për fëmijët që vdesin para lindjes. Për më shumë informacion, shihni te 38.7.3.
28.3.2
Fëmijët që Vdiqën përpara Moshës Tetë Vjeç
Fëmijët e vegjël shëlbohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe “shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit” (Doktrina e Besëlidhje 137:10). Për këtë arsye, asnjë pagëzim ose dhurim nuk kryhet për një fëmijë i cili vdiq përpara moshës 8 vjeç. Sidoqoftë, vulosja te prindërit mund të kryhet për fëmijët që nuk u lindën në besëlidhje, ose që nuk e kishin marrë atë ordinancë gjatë jetës (shihni te 18.1).