Seminari
Mësimi 198 – Mendësia që Synon Rritjen: Zhvillimi i Qëndrimeve dhe Veprimeve që Përmirësojnë Modelet Tona të të Menduarit


“Mësimi 198 – Mendësia që Synon Rritjen: Zhvillimi i Qëndrimeve dhe Veprimeve që Përmirësojnë Modelet Tona të të Menduarit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Mendësia që Synon Rritjen”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 198: Arritja e Suksesit në Shkollë

Mendësia që Synon Rritjen

Zhvillimi i Qëndrimeve dhe Veprimeve që Përmirësojnë Modelet Tona të të Menduarit

adoleshente e lumtur

Secili prej nesh do të përballet me pengesa ndaj të mësuarit dhe arsimimit tonë. Në varësi të mendësisë sonë, mund t’i shohim këto pengesa ose si barriera që do të na ndalojnë, ose si mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Zgjedhja për t’i përballuar pengesat me një mendësi që synon rritjen demonstron besimin tonë te Jezu Krishti. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të zhvillojnë një mendësi që synon rritjen për të kapërcyer pengesat ndaj të mësuarit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Pengesat ndaj të mësuarit

Merreni parasysh ta filloni mësimin duke treguar skenarin vijues. Përndryshe, mund t’i vini nxënësit të krijojnë një skenar ku një i ri përballet me një pengesë të perceptuar ndaj të mësuarit të tij ose të saj. Mund t’i përshtatni më pas pyetjet në mënyrë që ato të kenë më shumë lidhje me skenarin që u zgjodh.

Ndërsa Koli mëson rreth lëndëve që do të ketë në vitin e ardhshëm shkollor, ai vëren se ka lëndën e matematikës. Koli kujton se sa keq ka dalë në matematikë më parë. Ai beson se nëse e ndjek lëndën e matematikës, do të ngelë.

  • Çfarë të bie në sy rreth mendësisë së Kolit?

  • Çfarë këshille mund t’i jepje atij?

Mendësia që synon rritjen

Shpjegoni se kur përjetojmë sfida ose pengesa në arsimimin tonë dhe aspekte të tjera të jetës sonë, ne mund t’i shohim ato ose si një mendësi që synon rritjen, ose si një mendësi të pandryshueshme.

Paraqitini përkufizimet vijuese dhe ftoni dy nxënës t’i lexojnë ato në orën mësimore.

Mendësia që synon rritjen: Njerëzit me një mendësi që synon rritjen besojnë se mund të mësojnë dhe marrin forcë nga Jezu Krishti. Ata janë të shpejtë për të ndryshuar ndërsa mësojnë. Duke u mbështetur te Jezu Krishti, ata ia dalin edhe kur gjërat janë të vështira.

Mendësia e pandryshueshme: Njerëzit me një mendësi të pandryshueshme dyshojnë në aftësinë e tyre për të mësuar. Ata kanë frikë të dështojnë dhe besojnë se nuk mund të mësojnë gjëra të caktuara.

Për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë më mirë këto mendësi, merreni parasysh t’u tregoni disa prej thënieve vijuese. Mund të paraqitni thënien e parë nga secila kolonë për t’i ndihmuar nxënësit të shohin një shembull të lidhur. Mund t’u siguroni më pas nxënësve pjesën tjetër të thënieve për mendësinë e pandryshueshme. Ftojini ata të punojnë në grupe të vogla për të shkruar një thënie për të cilën dikush me një mendësi që synon rritjen mund të thotë se demonstron besimin e tij te Shpëtimtari.

Mendësia e pandryshueshme

Mendësia që Synon Rritjen

Mendësia e pandryshueshme

“Gabimet e mia tregojnë se nuk jam i zgjuar.”

Mendësia që Synon Rritjen

“Për shkak të Shpëtimtarit, unë mund të mësoj nga gabimet e mia dhe të bëhem më i mirë.”

Mendësia e pandryshueshme

“Nuk më pëlqen të provoj gjëra të reja se mbase do të dështoj.”

Mendësia që Synon Rritjen

“Duke e ditur se Jezu Krishti kënaqet me çdo përpjekje që bëj për t’u rritur, mund të provoj gjëra të reja dhe të shijoj sfidat.”

Mendësia e pandryshueshme

“Unë nuk mund të mësoj gjëra.”

Mendësia që Synon Rritjen

“Nëse dua të mësoj diçka, mund ta mësoj atë me ndihmën e Zotit.”

Mendësia e pandryshueshme

“Kur jam i shqetësuar, unë dorëzohem.”

Mendësia që Synon Rritjen

“Përballimi i vështirësive më ndihmon të rritem dhe të bëhem më shumë si Jezu Krishti.”

Ftojini nxënësit të mendojnë nëse i shohin zakonisht sfidat me një mendësi që synon rritjen ose të pandryshueshme. Ftojini ata ndërsa vazhdojnë studimin të kërkojnë të vërteta të dobishme dhe t’i kushtojnë vëmendje mbresave nga Fryma e Shenjtë që mund t’i ndihmojë të zhvillojnë një mendësi që synon rritjen.

Të vërteta të përjetshme që mund të na ndihmojnë të zhvillojmë një mendësi që synon rritjen

Vëllai Devin G. Durrant, dikur i Presidencës së Përgjithshme i Shkollës të së Dielës, shpjegoi pse dishepujt e Jezu Krishtit duhet të zhvillojnë një mendësi që synon rritjen:

Vëllai Devin G. Durrant

“Ati Qiellor na nxit të kërkojmë të zhvillojmë dhurata dhe të përmirësojmë veten për shkak se Ai, si një prind i dashur, beson se mund të arrijmë gjëra të mëdha, duke përfshirë në fund, ekzaltimin. Ai është një prind me një mendësi që synon rritjen. Nëse duam të bëhemi si Ai, është e nevojshme të përvetësojmë të njëjtën mendësi dhe të mësojmë të rritemi në të gjitha mënyrat që Ai pret.” (Devin G. Durrant, “Helping Children and Youth Develop a Growth Mind-Set”, Ensign, shkurt 2020)

  • Çfarë të ndihmon ky pohim të kuptosh rreth mënyrës se si një mendësi që synon rritjen mund të ndikojë në jetën tënde?

  • Çfarë mendon se mund të të ndihmojë të zhvillosh një mendësi që synon rritjen?

Nëse është e nevojshme, shpjegoni se të kuptuarit dhe të kujtuarit e të vërtetave rreth Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit mund t’i ndihmojë nxënësit të zhvillojnë një mendësi që synon rritjen kur përballen me pengesa, duke përfshirë pengesat në arsimimin e tyre.

Ftojini nxënësit të gjejnë disa prej këtyre të vërtetave në shkrimet e tyre të shenjta. Mund t’i ftoni ata të përcaktojnë shkrimet e shenjta që dinë ose të studiojnë disa prej vargjeve vijuese.

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i zbuluar të vërtetat, ftojini t’ia tregojnë atë që zbuluan klasës. Ata mund edhe t’i shkruajnë në tabelë të vërtetat që gjetën. Ata mund të zbulojnë të vërteta të ngjashme me vijuesen: Ne mund të bëjmë gjithçka me forcën e Perëndisë.

  • Si mund të të ndihmojë të kujtuarit e këtyre të vërtetave rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit të kesh një mendësi që synon rritjen në arsimimin tënd?

  • Cilët janë disa shembuj të njerëzve në shkrimet e shenjta që e përdorën besimin e tyre te Perëndia për t’iu qasur sfidave të tyre me një mendësi që synon rritjen?

    Si pjesë e diskutimit tuaj për pyetjen e mëparshme, mund t’i ftoni nxënësit të gjejnë shembuj nga jeta e Nefit. Gjithashtu, mund t’i vini nxënësit të shohin shembujt e Lamanit dhe Lemuelit që demonstrojnë një mendësi të pandryshueshme.

    Këta janë disa shembuj ku mund t’i drejtoni nxënësit: përgjigjja ndaj urdhërimit për t’u kthyer në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi nga Labani (shihni te 1 Nefi 3:4–7); përpjekjet për të marrë fletët prej tunxhi (shihni te 1 Nefi 3:24–31; 4:1–6); veprimet e vëllezërve pasi Lehi tregoi vegimin e tij për pemën e jetës (shihni te 1 Nefi 10:17–19; 11:1–6; 15:1–3, 8–9); Nefi që thyen harkun e tij (shihni te 1 Nefi 16:18–23, 30–32) dhe Nefi që urdhërohet të ndërtojë një anije (shihni te 1 Nefi 17:7–11, 17–18).

  • Si të ka ndihmuar Zoti, ose si mendon se mund të të ndihmojë Zoti të kesh një mendësi që synon rritjen dhe t’i kapërcesh pengesat në arsimimin tënd?

Merreni parasysh të jepni një shembull nga vetë jeta juaj.

Mund të merrni gjithashtu parasysh të shfaqni njërin prej materialeve filmikë te pjesa “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”.

Mendësia ime që synon rritjen

Ftojini nxënësit të mendojnë për disa prej pengesave me të cilat përballen në arsimimin ose të mësuarit e tyre për të cilat mund të ndihmojë një mendësi që synon rritjen. Ata mund t’i shkruajnë këto pengesa në ditarët e tyre të studimit. Ata mund të përmendin vështirësitë e leximit, vështirësitë me një lëndë në shkollë, ose mungesën e mundësive për arsimim në dispozicion. Më pas ftojini të bëjnë sa vijon.

Zgjidh dy ose tre pengesa të mundshme në arsimimin dhe në të mësuarit tënd. Për çdo pengesë shkruaj një thënie për mendësinë që synon rritjen që demonstron besimin tënd në aftësinë e Shpëtimtarit për të të ndihmuar të kesh sukses.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë një thënie që shkruan. Ata mund t’i tregojnë një fqinji, ose duke ecur rreth dhomës dhe folur me të tjerët.

Pasi nxënësit të kenë folur, inkurajojini ata të përcaktojnë mënyrat se si do t’i ndjekin thëniet që krijuan. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar sot. Inkurajojini nxënësit të përpiqen fort për të kapërcyer pengesat në arsimimin e tyre me një mendësi që synon rritjen.