“Mësimi 195 – Përfshirja e Zotit në të Mësuarit Tënd: ‘Unë do të Jem me Ty’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Përfshirja e Zotit në të Mësuarit Tënd”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 195: Arritja e Suksesit në Shkollë
Përfshirja e Zotit në të Mësuarit Tënd
“Unë do të Jem me Ty”
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë të na ndihmojnë në çdo aspekt të jetës sonë, përfshirë përpjekjet tona për të mësuar dhe fituar arsimim formal. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta përfshijnë Zotin në çdo aspekt të arsimimit të tyre ndërsa kërkojnë të mësuarit me anë të studimit dhe besimit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Situata të vështira
Mund ta filloni orën mësimore duke treguar situatat vijuese dhe duke i diskutuar ato si klasë. Sipas nevojës, rregullojini situatat për t’iu përshtatur më mirë nevojave të nxënësve tuaj.
Imagjinoje veten në një ose më shumë prej situatave vijuese:
-
Je i shkurajuar në një lëndë në shkollë dhe dëshiron të heqësh dorë.
-
Ti ke pyetje në lidhje me vazhdimin e arsimimit tënd në vitet e rinisë në moshë madhore. Ti nuk e di se cilën shkollë duhet të vazhdosh të frekuentosh ose edhe nëse duhet ta frekuentosh.
-
Është java jote e parë në një punë të re dhe nuk ndihesh i përshtatshëm për punën ose detyrat.
Çfarë do të bëje po të ishe në një nga këto situata? Kujt do t’i drejtoheshe për ndihmë?
Merreni parasysh t’i pyesni nxënësit nëse ata ose njerëz që njohin kanë përjetuar situata të ngjashme me këto. Mund t’i ftoni të tregojnë atë që ata ose të tjerët bënë për të marrë ndihmë.
Shpjegoni se në këtë mësim nxënësit do të mësojnë rreth rëndësisë së përfshirjes së Zotit në çdo aspekt të jetës, duke përfshirë arsimimin e tyre. Për t’i ndihmuar të përgatiten për ta studiuar këtë temë, paraqitini pyetjet vijuese dhe ftojini nxënësit t’u përgjigjen atyre në ditarët e tyre të studimit.
Gjej kohë për të reflektuar për pohimet vijuese duke përdorur një shkallë nga 1 (kurrë) deri në 5 (shumë shpesh):
-
I lutem Atit Qiellor për ndihmë para se të studioj ose të filloj një projekt për shkollën.
-
Në lutjet e mia vetjake, unë i shpreh një dëshirë Atit tim Qiellor për të pasur Shpirtin me vete ndërsa mësoj në shkollë.
-
Përpiqem rregullisht të përmirësohem në përpjekjet e mia për të mësuar me ndihmën e Jezu Krishtit.
-
Unë mbështetem në ndihmën e Shpirtit dhe e dalloj atë në të mësuarit dhe arsimimin tim.
Ftojini nxënësit të kërkojnë mësimet që mund t’i ndihmojnë ta përfshijnë më plotësisht Zotin në të mësuarit dhe arsimimin e tyre.
Të mësuarit nga nxënësit në shkrimet e shenjta
Shpjegoni se shkrimet e shenjta përmbajnë shumë shembuj të njerëzve që e përfshinë Zotin për t’i ndihmuar të fitonin kuptueshmëri dhe kapërcyer sfidat. Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe për të plotësuar veprimtarinë vijuese të studimit. Caktojini çdo grupi njërin nga shembujt vijues për ta studiuar dhe më pas diskutoni dy pyetjet që vijojnë.
Studioji shkrimet e shenjta vijuese rreth njerëzve që u përballën me situata të vështira dhe të pasigurta. Kërko shembuj të mënyrës se si këta individë e përfshinë Zotin ndërsa kërkuan kuptueshmëri.
-
Jozef Smithi (Joseph Smith – Historia 1:10–18)
-
Nefi (1 Nefi 11:1–9)
-
Vëllai i Jaredit (Ethëri 1:38–42; 2:22–25; 3:1–6)
-
Si e përfshinë këta njerëz Zotin në të mësuarit e tyre?
-
Në ç’mënyra i ndihmoi Zoti?
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar dhe diskutuar, ftojini anëtarët e secilit grup të raportojnë për atë që diskutuan duke dhënë përgjigjet e tyre për pyetjet e mëparshme.
-
Nisur nga ajo që ke mësuar, si do ta plotësoje thënien vijuese? Ndërsa e përfshijmë Zotin në të mësuarin tonë, Ai mund …
Nxënësit mund ta plotësojnë këtë thënie në mënyra të ngjashme me vijuesen: Ndërsa e përfshijmë Zotin në të mësuarin tonë, Ai mund të na japë kuptueshmëri që mund të mos e kishim fituar vetë.
-
Çfarë di ti rreth Zotit që të jep vetëbesimin se Ai do të të ndihmojë në arsimimin tënd?
Mënyra për ta përfshirë Zotin në të mësuarit tënd
-
Kur bëhet fjalë për detyrat e shtëpisë, kur do të ishte e dobishme ta përfshije Zotin?
Nëse është e nevojshme, ftojini nxënësit të mendojnë përgjigje për pyetjen e mëparshme. Shembujt mund të përfshijnë gjatë bërjes së detyrave të shtëpisë, kryerjen e provimeve, të mësuarit në klasë dhe të punuarit për detyrat ose projektet e lëndës. Merreni parasysh t’i renditni idetë e nxënësve në tabelë.
Më pas jepuni nxënësve udhëzimet vijuese për t’i ndihmuar të mendojnë mënyrat se si mund ta përfshijnë Zotin në shembujt që përcaktuan. Nxënësit mund ta bëjnë këtë individualisht, me një partner ose në një grup të vogël.
Shkruaje frazën Unë mund ta përfshij Zotin në të mësuarit tim … në një faqe në ditarin tënd të studimit. Rendit sa më shumë ide që të vijnë në mendje për përfshirjen e Zotit në veprimtaritë e lidhura me shkollën që përcaktove.
Pasi nxënësit t’i krijojnë listat e tyre, ftojini t’ia tregojnë idetë e tyre klasës. Mund të krijoni një listë në tabelë dhe t’i shtoni idetë e nxënësve në të.
Nëse është e nevojshme, mund të jepni disa shembuj idesh: lutuni për ndihmë që ta mbani mend atë që studiuat para provimeve, projekteve ose detyrave: shprehni mirënjohje për ndihmën e Perëndisë dhe mundësitë që Ai ju ka dhënë për të mësuar; shënojini përvojat që keni pasur ndërsa e përfshitë Zotin në të mësuarit tuaj; agjëroni dhe lutuni për një dëshirë më të madhe për të mësuar; vendoseni Perëndinë të parin duke gjetur kohë për lutjen e përditshme dhe studimin e shkrimeve të shenjta.
-
Çfarë përvojash ke pasur ndërsa e ke përfshirë Zotin në arsimimin tënd?
Si pjesë e diskutimit, merreni parasysh të shfaqni “Të Zhvillohemi më Shumë në Krisht: Shëmbëlltyra e Pjerrësisë” nga kodi kohor 0:00 deri në 1:05. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Në këtë material filmik, Plaku Klark G. Gilbert, i Të Shtatëdhjetëve, përshkruan përvojën me përfshirjen e Zotit në të mësuarit e tij.
Reflekto dhe vepro sipas të vërtetave
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të reflektojnë për mënyrat se si mund ta zbatojnë atë që kanë mësuar rreth mënyrës për ta përfshirë Zotin në të mësuarit e tyre. Ata mund të përgjigjen për sa vijon në ditarët e tyre të studimit.
-
Çfarë ke mësuar ose ndier rreth Zotit që të bën të duash ta përfshish Atë në të mësuarin tënd?
-
Cilat janë një ose dy veprime që mund t’i ndërmarrësh për ta përfshirë Zotin në të mësuarin tënd?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë se çfarë kanë ndier dhe mësuar. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar dhe inkurajojini nxënësit të punojnë për planet e tyre dhe të veprojnë sipas mbresave që marrin nga Shpirti.