Seminari
Mësimi 196 – Integritet në Arsimimin Tonë: “Ne Besojmë në të Qenit të Ndershëm”


“Mësimi 196 – Integritet në Arsimimin Tonë: ‘Ne Besojmë në të Qenit të Ndershëm’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Integritet në Arsimimin Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 196: Arritja e Suksesit në Shkollë

Integritet në Arsimimin Tonë

“Ne Besojmë në të Qenit të Ndershëm”

të reja duke punuar me detyrat e shkollës

Ndërsa përpiqemi fort të bëhemi dishepuj të aftë dhe të mirëbesuar të Jezu Krishtit, është e rëndësishme të kemi ndershmëri dhe integritet moral në zemrat tona. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të sillen më mirë me ndershmëri dhe integritet moral në arsimimin e tyre.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Zgjedhja e ndershmërisë dhe integritetit moral

Ftojini nxënësit të tregojnë skenarë ose situata në shkollë në të cilat mund të vihet në provë integriteti moral i dikujt. Jepni shembujt vijues sipas nevojës.

  1. Po të afrohet një provim i rëndësishëm. Një shok klase vë re një kopje të përgjigjeve të provimit mbi tavolinën e mësuesit dhe i bën një fotografi me telefonin e tij. Ai të dërgon ty dhe disa nxënësve të tjerë një kopje të fotografisë.

  2. Ty të nevojitet të shkruash një ese për një lëndë, por nuk ke gjetur kohë për ta bërë atë. Një mik sugjeron se mund të përdorësh programe në internet që e shkruajnë artikullin për ty. Ose mund të ngjitësh pjesë nga artikuj të ndryshëm nga interneti dhe të përfshish disa prej fjalive të tua për ta bërë atë të duket si shkrim i yti. Shoku yt përmend se i ka bërë këto gjëra më parë dhe mësuesi nuk e vuri re asnjëherë.

    • Çfarë mund ta shtyjë dikë të mendojë se këto veprime janë një ide e mirë?

    • Çfarë mund të të ndihmojë të dish se çfarë të bësh në situata si këto?

Shpjegoni se ky mësim do të përqendrohet në rëndësinë e ndershmërisë dhe integritetit moral në arsimimin tonë. Ftojini nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth integritetit moral. Deklarata vijuese nga Plaku Xhozef B. Uirthlin mund të jetë një burim i dobishëm.

Plaku Xhozef B. Uirthlin (1917–2008), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përkufizoi integritetin moral në mënyrën vijuese:

Plaku Xhozef B. Uirthlin

“Integritet moral do të thotë të bëjmë gjithmonë atë që është e drejtë dhe e mirë, pavarësisht nga pasojat e drejtpërdrejta. Do të thotë të jemi të drejtë nga vetë thellësia e shpirtit tonë, jo vetëm në veprimet tona por, më e rëndësishmja, në mendimet tona dhe në zemrën tonë. Integriteti moral vetjak nënkupton besueshmëri dhe pakorruptueshmëri të tillë, saqë ne jemi të paaftë të jemi të gënjeshtërt ndaj një mirëbesimi apo besëlidhjeje. …

Bota ka nevojë të dëshpëruar për burra dhe gra me integritet moral. Pothuajse çdo ditë dëgjojmë për mashtrime, keqpërdorime fondesh, reklama të rreme ose veprime të tjera që kanë për qëllim fitimin me anë të kopjimit ose mashtrimit. Zoti i urren thellësisht këto praktika.” (Joseph B. Wirthlin, “Personal Integrity”, Ensign, maj 1990, f. 30, 32)

  • Në ç’mënyrë e ke vënë re nevojën për integritet moral në botën e sotme?

Sugjerimi vijues mund t’i ndihmojë nxënësit t’i vlerësojnë vetë mendimet e tyre rreth rëndësisë së të vepruarit me integritet moral në arsimimin e tyre: Ftojini ata të gjejnë një faqe bosh në ditarin e studimit dhe ta emërtojnë atë “Përse integriteti moral në arsimim është i rëndësishëm për mua”. Kërkojuni nxënësve të renditin të gjitha arsyet përse integriteti moral është i rëndësishëm për ta. Kur të kenë mbaruar, disa vullnetarë mund t’ia tregojnë disa prej arsyeve të tyre klasës.

Inkurajojini nxënësit të vazhdojnë të shtojnë ide, të vërteta dhe shkrime të shenjta në listën e tyre gjatë gjithë mësimit.

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duan që të veprojmë me integritet moral

Shpjegoni se kuptueshmëria e karakterit dhe mësimeve të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit mund të na shtyjë të veprojmë me integritet moral. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta bëjnë veprimtarinë vijuese të studimit me një partner ose në një grup të vogël.

Lexoji shkrimet e shenjta vijuese, duke kërkuar mësimet që mund të na ndihmojnë të ndiejmë një dëshirë më të madhe për të vepruar me integritet moral: 3 Nefi 27:18; Ethëri 3:11–12; Doktrina e Besëlidhje 3:2; 51:9; 124:15, 20; Nenet e Besimit 1:13.

  • Çfarë të vërtetash mësove nga këto vargje rreth rëndësisë së ndershmërisë dhe integritetit moral në jetën tonë?

    Ftojini nxënësit të tregojnë të vërtetat e shumta që mësuan. Ata mund të përcaktojnë të vërteta të ngjashme me vijueset: Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë përsosurisht të ndershëm. Kur veprojmë me ndershmëri dhe integritet moral, ne bëhemi më të ngjashëm me Ta.

  • Çfarë mund të na e bëjë të vështirë të veprojmë me ndershmëri dhe integritet moral në arsimimin tonë?

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth efektit që mund të ketë integriteti moral në rritjen tonë shpirtërore:

Plaku Nil L. Andersen

“Ka një fuqi të jashtëzakonshme shpirtërore nëse mbetemi të vërtetë dhe të ndershëm, kur pasojat e ndershmërisë sonë mund të duken se janë një mospërfitim. Secili prej jush do të përballet me vendime të tilla. Këto çaste përcaktuese do ta vënë në provë integritetin tuaj moral. Teksa zgjidhni ndershmërinë dhe të vërtetën – pavarësisht nëse situata zgjidhet ashtu siç shpresoni apo jo – ju do ta kuptoni se këto udhëkryqe të rëndësishme bëhen shtylla themelore të forcës në rritjen tuaj shpirtërore.” (Neil L. Andersen, “The Divine Standard of Honesty”, Ensign, gusht 2017, f. 40)

  • Cilat janë dobitë dhe bekimet e të qenit të ndershëm dhe pasjes së integritetit moral në punë dhe në shkollë?

Ftojini nxënësit të tregojnë përvojat që kanë pasur duke parë bekimet e Zotit për demonstrimin e integritetit moral në arsimimin e tyre. Mund të shfaqni materialin filmik “Honesty: You Better Believe It!” [“Ndershmëria: Bëni Mirë ta Besoni!”] (4:46), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, për t’i ndihmuar nxënësit të shohin shembuj të integritetit moral.

4:47

Zbatoje atë që mësove

Kujtojuni nxënësve identitetin e tyre hyjnor si fëmijë të prindërve qiellorë të dashur. Kjo është pjesë e asaj që ata janë, përfshirë edhe në shkollë. Ndërsa e ndjekin Jezu Krishtin dhe veprojnë me ndershmëri dhe integritet moral, këto cilësi do t’i dallojnë ata nga pjesa tjetër e botës.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Identiteti juaj i çmuar meriton integritetin tuaj moral të çmuar! Ruajeni atë si çmimin e paçmuar që është.” (Russell M. Nelson, “Integrity of Heart” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 23 shkurt 1993], f. 7, speeches.byu.edu)

Për t’i ndihmuar nxënësit të marrin parasysh se si do ta mbrojnë ose shtojnë ndershmërinë dhe integritetin moral të tyre, kërkojuni t’u përgjigjen disa ose të gjitha pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  • Çfarë ke ndier sot rreth integritetit moral në arsimim që dëshiron ta mbash mend?

  • Çfarë mësove rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që do të të ndihmojë kur tundohesh të veprosh pa ndershmëri?

  • Cilat janë një ose dy veprime që do të ndërmarrësh për ta rritur ndershmërinë dhe integritetin tënd moral në shkollë?

Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës të gatshëm t’i tregojnë përgjigjet e tyre. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar dhe inkurajojini nxënësit të veprojnë sipas planeve të tyre.