“Mësimi 190 Ndërtimi i Marrëdhënieve të Shëndetshme: Krijimi i Lidhjeve të Forta me Familjen dhe Miqtë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Ndërtimi i Marrëdhënieve të Shëndetshme”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 190 – Shëndeti Fizik dhe Emocional
Ndërtimi i Marrëdhënieve të Shëndetshme
Krijimi i Lidhjeve të Forta me Familjen dhe Miqtë
Ati Qiellor dëshiron që ta duam Atë dhe njerëzit rrotull nesh. Ndërsa zhvillojmë lidhje të ngushta me familjen dhe miqtë, ne mund të bekohemi me ngushëllimin, forcën dhe përkrahjen e nevojshme gjatë kohëve të qeta si dhe ato sfiduese. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kërkojnë ndihmën e Zotit për të ndërtuar marrëdhënie që kontribuojnë në shëndetin dhe mirëqenien e tyre të përgjithshme.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë ka më tepër rëndësi?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të renditin në tabelë gjërat që ndiejnë se kanë më tepër rëndësi në jetë.
Paraqiteni thënien vijuese dhe ftojeni një nxënës ta lexojë.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, dha mësim këtë rreth gjërave që kanë më tepër rëndësi:
“Kur i referohemi Atit tonë Qiellor dhe kërkojmë urtësinë e Tij në lidhje me gjërat që kanë më shumë rëndësi, mësojmë sërish e sërish rëndësinë e katër marrëdhënieve kyç: me Perëndinë tonë, me familjet tona, me bashkënjerëzit tanë dhe me veten.” (Diter F. Uhtdorf, “Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi,” Liahona, nëntor 2010, f. 21)
-
Çfarë mësove nga thënia e Presidentit Uhtdorf?
Ftojini nxënësit të qarkojnë frazat që shkruan në tabelë të cilat tregojnë se marrëdhëniet tona me Perëndinë dhe të tjerët janë mes gjërave që kanë më tepër rëndësi në jetë. Nëse është e nevojshme, shtojini fjalët “marrëdhëniet tona me Perëndinë dhe të tjerët” te lista në tabelë.
Shpjegoni se ky mësim do të përqendrohet te marrëdhëniet tona me të tjerët. Ftojini nxënësit të mendojnë rreth disa prej marrëdhënieve të tyre të tanishme dhe nëse këto marrëdhënie i sjellin ata më pranë Perëndisë dhe u sigurojnë forcën dhe përkrahjen që u duhet në jetën e tyre. Ata mund edhe të përsiatin se si Zoti mund të dojë që ata të forcojnë marrëdhëniet ekzistuese ose të zhvillojnë marrëdhënie të reja.
Marrëdhëniet tona
Shpërndajeni fletushkën e titulluar “Shembuj të Marrëdhënieve Kuptimplota në Historinë e Kishës dhe te Doktrina e Besëlidhje” dhe ftojini nxënësit të kërkojnë prova për të vërtetën vijuese: Një mënyrë se si Perëndia mund ta bekojë jetën tonë dhe ta forcojë besimin tonë është nëpërmjet marrëdhënieve kuptimplota me të tjerët. (Nëse dëshironi, mund ta shkruani në tabelë këtë të vërtetë.)
Merrni parasysh mënyra për t’i ndihmuar nxënësit ta përdorin fletushkën. Një mënyrë është t’i ndani ata në grupe me nga tre dhe t’i caktoni çdo anëtar të grupit të studiojë njërin nga shembujt në fletushkë. Kur nxënësit të kenë mbaruar së studiuari shembullin e tyre, inkurajojini t’i tregojnë me radhë grupit të tyre atë që mësuan rreth mënyrës se si mund të na bekojë Perëndia nëpërmjet marrëdhënieve tona me të tjerët.
Shembuj të Marrëdhënieve Kuptimplota në Historinë e Kishës dhe te Doktrina e Besëlidhje
Shembulli 1
Pas vizitës së tij në Kodrën Kumorah në shtator 1823, Jozef Smithi i tregoi familjes hollësi rreth përvojës së tij dhe vizitave të engjëllit Moroni. Jozefi vazhdoi t’ua tregonte përvojat dhe vegimet e tij atyre që i kishte më të afërt. Duke i kujtuar këto takime të shenjta, nëna e Profetit, Lusi Mek Smithi, shënoi sa vijon:
“Çdo mbrëmje ne mblidhnim bashkë fëmijët tanë. Mendoj se ne paraqisnim skenën më të pazakontë të cilësdo familje që ka jetuar ndonjëherë në tokë, të ulur të gjithë në rreth, babai, nëna, bijtë dhe bijat duke dëgjuar me ankth të pafrymë mësimet fetare të një djaloshi. …
…Bashkimi dhe lumturia më e ëmbël mbushën shtëpinë tonë. Asnjë zënkë apo grindje nuk e shqetësoi paqen tonë dhe qetësia mbretëroi mes nesh.” (Lusi Mek Smithi, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 520)
-
Çfarë ju bie në sy nga familja Smith te ky tregim?
-
Si mund ta ketë ndihmuar dashuria që Jozefi ndjeu në shtëpi për ta përmbushur thirrjen e tij të rëndësishme?
-
Çfarë mësoni nga ky shembull rreth mënyrës se si Perëndia mund të të bekojë ty ose si mund t’i ndihmosh ti të tjerët të bekohen, nëpërmjet marrëdhënieve kuptimplota?
Shembulli 2
Ndërkohë që jetonte në Navu, Ilinois, Jozef Smithi reflektoi për dobitë e marrëdhënieve kuptimplota:
“Do ta vlerësoja si një prej bekimeve më të mëdha, nëse do të jem i pikëlluar në këtë botë, të më hedhë fati aty ku mund të gjej vëllezër e miq kudo rreth meje.” (Mësime: Jozef Smith, f. 497)
-
Si mund të na ndihmojnë familja dhe miqtë kur po përjetojmë sfida të vështira?
-
Cilat janë disa mënyra të tjera se si familja dhe miqtë mund të na e bekojnë jetën?
Shembulli 3
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 108:7, duke kërkuar këshillën e mëtejshme që Zoti i dha Liman Shermanit, të Të Shtatëdhjetëve.
-
Pse mund të jetë e vështirë nganjëherë të ndiqet kjo këshillë?
-
Kur je ndier i/e forcuar ose ngritur moralisht nga një ndërveprim me një person tjetër?
Ftojini nxënësit t’ia tregojnë klasës atë që mësuan dhe mënyrën se si Perëndia mund të na bekojë nëpërmjet marrëdhënieve tona.
-
Çfarë ke mësuar rreth vlerës së zhvillimit të marrëdhënieve kuptimplota me të tjerët në jetën tënde?
-
Si mund të ndikojë ndërtimi dhe forcimi i marrëdhënieve me të tjerët te marrëdhënia jonë me Perëndinë si dhe te shëndeti dhe mirëqenia jonë e përgjithshme?
Ndërtimi i marrëdhënieve
Ju mund të doni të shpenzoni kohë duke diskutuar zotësitë për ndërtimin e marrëdhënieve. Merreni parasysh t’i jepni një shirit letre bosh secilit nxënës. Inkurajojini ata të shkruajnë të paktën një gjë që mund ta ndihmojë dikë të zhvillojë ose forcojë një marrëdhënie me një person tjetër. Mblidhini shiritat e letrave dhe lexojini disa me zë të lartë për klasën. Nëse nevojitet, tregojuani nxënësve disa ose të gjitha idetë vijuese:
-
Kërko interesa të përbashkëta.
-
Mësoji dhe përdori emrat e njerëzve.
-
Buzëqesh.
-
Dëgjo me kujdes kur të tjerët flasin.
-
Lavdëroji dhe përgëzoji sinqerisht njerëzit.
-
Shmange gjykimin ose gjetjen e fajit.
-
Trego interes të çiltër.
-
Lutu për të tjerët me emër.
-
Syno dashurinë hyjnore.
-
Ji i/e duruar.
-
Kërko mundësi për shërbim.
Merreni parasysh t’u jepni nxënësve kohë në orën mësimore për të ushtruar disa nga këto zotësi për ndërtimin e marrëdhënieve. Shembulli vijues mund të jetë i dobishëm nëse nxënësit nuk i dinë shumë mirë emrat e njëri-tjetrit. Nëse nxënësit tashmë i dinë emrat e njëri-tjetrit, merreni parasysh të zgjidhni një zotësi të ndryshme për ta ushtruar.
Përkufizoni: Shpjegoni se përdorimi i emrave të njerëzve është një zotësi e dobishme për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme. Shpjegoni se Zoti na thërret ne në emër (shihni te Zanafilla 35:10; Lluka 19:5; Enosi 1:5; Joseph Smith – Historia 1:17). Merreni parasysh t’i pyesni nxënësit se si i bën të ndihen kur të tjerët ua dinë emrin dhe i thërrasin në emër.
Jepni modelin: Informojini nxënësit që ata do të sfidohen për të mësuar emrat e njëri-tjetrit dhe ta thërrasin njëri-tjetrin në emër. Shpjegoni se një mënyrë për t’i mbajtur mend emrat e njerëzve është t’i shkruajnë dhe t’i përsëritin. Ndërsa thoni emrat e të gjithë anëtarëve të klasës, ftojini nxënësit të shkruajnë çdo emër që nuk e dinin.
Mund të jetë gjithashtu e dobishme t’i pyesni nxënësit se çfarë i pengon të mbajnë mend emrat e njerëzve dhe si mund t’i kapërcejnë këto pengesa.
Ushtrohuni: Jepuni nxënësve disa minuta për të përsëritur emrat që kanë shkruar. Më pas lejojini të ushtrohen. Mund t’i vini në dyshe dhe të shihni a mund të punojnë bashkë për të thënë emrin e gjithsecilit në klasë. Pyetni se kush mund të thotë i vetëm emrin e secilit anëtar në klasë dhe nëse dikush mundet, ftojeni ta bëjë. Nëse është e përshtatshme një ftesë tjetër, ftojini nxënësit të ndryshojnë vendin ku ulen dhe të shohin a mund të thonë nxënësit ende emrin e gjithsecilit.
Nëse e lejon koha, përzgjidhni një zotësi shtesë. Për shembull, ftojini nxënësit të gjejnë gjërat që i kanë të përbashkëta me të tjerët. Ata mund të punojnë me dikë në klasë që nuk punojnë normalisht dhe t’i bëjnë njëri-tjetrit pyetje për të zbuluar interesa të përbashkëta. Më pas mund të kalojnë te një nxënës tjetër për ta përsëritur ushtrimin. (Për t’i ndërthurur të dyja zotësitë, inkurajojini nxënësit ta thërrasin njëri-tjetrin në emër gjatë procesit.)
Zbatimi në planin vetjak
Merreni parasysh të dëshmoni për dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për secilin nxënës. Jepni dëshmi se Perëndia mund ta bekojë dhe forcojë jetën e tyre nëpërmjet marrëdhënieve kuptimplota që ata kërkojnë të zhvillojnë dhe ushqejnë. Mund edhe të jepni një shembull kur u bekuat dhe u forcuat nga një marrëdhënie në jetën tuaj.
Ftojini nxënësit të kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të bërë sa vijon:
Mendo për mënyrën se si Zoti mund të dojë të të ndihmojë të forcosh një marrëdhënie ekzistuese ose të zhvillosh një të re. Duke përdorur atë që mësove sot, bëj një plan për ta thelluar marrëdhënien me këtë person. Përfshi se si do t’i drejtohesh Zotit për ndihmë në këtë proces.