Seminari
Mësimi 187 – Mbajtja nën Kontroll e Stresit dhe Ankthit: Jezu Krishti Mund të na Forcojë


“Mësimi 187 – Mbajtja nën Kontroll e Stresit dhe Ankthit: Jezu Krishti Mund të na Forcojë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Mbajtja nën Kontroll e Stresit dhe Ankthit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 187 – Shëndeti Fizik dhe Emocional

Mbajtja Nën Kontroll e Stresit dhe Ankthit

Jezu Krishti Mund të na Forcojë

adoleshente e stresuar

Të gjithë ndiejmë stres. Stresi mund të na ndihmojë të kryejmë detyrat e përditshme dhe të përballemi me sfidat e jetës. Megjithatë, stresi i zgjatur dhe ndjenjat e ankthit mund të ndikojnë negativisht te ne. Zoti mund të na ndihmojë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë dhe ushtrojnë aftësitë për t’u drejtuar te Zoti për të mbajtur nën kontroll stresin dhe ankthin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Stresi dhe ankthi

Shënim: Mund të jetë e dobishme të dini se nuk është e nevojshme të jesh ekspert i kësaj teme për ta dhënë këtë mësim. Lutuni për udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë, ndiqni materialet dhe mirëbesojini nxënësit tuaj. Nëse nxënësit bëjnë pyetje që nuk dini se si t’i trajtoni ose nëse tregojnë vështirësitë vetjake me të cilat përballen, ftojini ata të kërkojnë ndihmë nga Zoti, prindërit e tyre, udhëheqësit e Kishës dhe profesionistët e shëndetit mendor.

Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për të studiuar rreth stresit dhe ankthit, ftojini ata të bëjnë në tabelë një listë të gjërave që shkaktojnë stres ose ankth në jetën e një adoleshenti. Nëse është e dobishme, ata mund të rrethojnë ato që e ndiejnë se janë tre ose katër shkaktarët kryesorë të stresit.

Shpjegojeni sa vijon:

Stresi dhe ankthi janë një pjesë normale e jetës. Kjo është mënyra se si truri dhe trupi ynë i përgjigjen çdo kërkese, të tilla si një problemi në shtëpi, një detyre kontrolli në shkollë ose një vendimi të rëndësishëm. Nivelet e duhura të stresit dhe të ankthit mund të na ndihmojnë të përqendrohemi, të arrijmë synime dhe ta mbrojmë trupin. Megjithatë, stresi ose ankthi i tepërt për një kohë tepër të gjatë mund të kthehet në problem.

  • Si mendon se mund ta kuptosh kur stresi dhe ankthi është normal dhe i shëndetshëm dhe kur është i tepruar?

Dëgjojini përgjigjet e nxënësve dhe shtoni ndonjë prej informacioneve vijuese.

Nëse po përballeni me shumë stres ose ankth, ju mund të sëmureni shpesh, të keni dhembje koke, të ndiheni të zemëruar në pjesën më të madhe të kohës, të keni ndryshime ekstreme në oreksin tuaj ose të përjetoni një mungesë përqendrimi. Ankthi i pashëndetshëm mund të manifestohet edhe në simptomat vijuese: ndenja paniku, frymëmarrje e shpejtë e vazhdueshme, dobësi ose letargji, vështirësi për të fjetur, probleme të tretjes, fiksim tek ankthi ose vështirësi për të menduar me qartësi.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Xhefri R. Holland

“Jini të vëmendshëm ndaj treguesve të stresit në veten tuaj dhe në të tjerët, që mund të jeni të gjendje t’i ndihmoni. Sikurse me makinën tuaj, jini vigjilentë ndaj temperaturave në rritje, shpejtësisë së tepruar apo një serbatori me pak karburant. … [Bëni] rregullimet e duhura. Lodhja është armiku i zakonshëm për ne të gjithë.” (Xhefri R. Holland, “Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 41)

ikona e fletushkësShpjegoni se ne mund të përjetojmë nivele të ndryshme të stresit dhe ankthit në kohë të ndryshme. Paraqiteni tabelën vijuese dhe ftojini nxënësit të alternojnë leximin nëpër të katër nivelet e stresit me një partner. Ftojini ata t’i tregojnë njëri-tjetrit një gjë që duan ta mbajnë mend për secilin nivel.

Katër Nivelet e Stresit

Katër Nivelet e Stresit

Jepuni nxënësve disa çaste për të përsiatur dhe vlerësuar nivelet e tyre të tanishme të stresit dhe të ankthit. Ftojini ata të përsiatin pyetjet vijuese:

  • Në përgjithësi, cili nivel i stresit e ndien se të përshkruan më mirë?

  • Si ndihesh rreth aftësisë sate për ta ulur nivelin tënd të stresit kur është e nevojshme?

Të gjithë ne mund ta përmirësojmë aftësinë tonë për ta kuptuar kur jemi nën një stres ose ankth shumë të madh. Ne gjithashtu mund ta përmirësojmë aftësinë tonë për t’u drejtuar te Zoti për ndihmë. Ndërsa e studion këtë mësim, kërko mënyrat për ta ftuar ndihmën e Zotit ndërsa e mban nën kontroll stresin dhe ankthin.

Ndihma e Zotit

Lexoji disa nga vargjet vijuese, duke kërkuar se si ata mund të gjejnë zbatim për ne kur ndiejmë tepër stres ose ankth: Psalmeve 55:22; Isaia 40:29; Mateu 11:28; Mosia 24:14–15.

  • Çfarë mësove nga këto shkrime të shenjta?

    Nxënësit mund të përcaktojnë disa të vërteta, si ato në vijim: ndërsa vijmë te Shpëtimtari me barrët tona, Ai mund të na japë paqe dhe prehje; ose ndërsa drejtohemi te Zoti, Ai mund të lehtësojë barrët tona dhe të na forcojë.

  • Si mund të gjejnë zbatim këto të vërteta për stresin dhe ankthin?

Një shembull në shkrimet e shenjta

Mund të jetë e dobishme të diskutoni disa shembuj të këtyre të vërtetave. Shpenzo disa minuta për të kërkuar në shkrimet e shenjta për shembuj të individëve që përjetuan stres ose ankth.

Shembujt përfshijnë sa vijon: Danielin në gropën e luanëve (shih te Daniel 6); Marien kur engjëlli lajmëroi se ajo do të bëhej nëna e Birit të Perëndisë (shih te Lluka 1:26–56); “shqetësimi[n e] madh” të Jakobit ndërsa i bënte thirrje popullit të tij për pendim (Jakobi [LiM] 4:18; shih edhe te Jakobi [LiM] 1:4–5; 2:3); Jozef Smithin kur nuk e dinte se cilën kishë të ndiqte (shih te Joseph Smith – Historia 1:1–20) ose kur ai u burgos në Burgun e Libertisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 121).

Pasi nxënësit të kenë gjetur një shembull, inkurajojini ata ta shqyrtojnë rrëfimin në shkrimet e shenjta dhe t’u përgjigjen pyetjeve vijuese me një nxënës tjetër. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa nxënës që t’ia tregojnë klasës atë që zbuluan.

  • Cili nivel stresi ndien se do të ishte i zakonshëm në këtë situatë?

  • Si mund të ketë ndikuar stresi dhe ankthi në këtë situatë në sjelljen e individit?

  • Çfarë bëri individi për t’u drejtuar te Zoti për ndihmë në lidhje me stresin ose ankthin?

Merreni parasysh t’i pyetni nxënësit se si mund të drejtohen te Zoti për ndihmë lidhur me stresin dhe ankthin e tyre. Ata mund të shohin “Reach Up to Him in Faith” [“Drejtohuni tek Ai me Besim”] (3:54) për ide shtesë.

3:57

Aftësitë për mbajtjen nën kontroll të stresit dhe ankthit

Për t’i ndihmuar nxënësit t’i ushtrojnë aftësitë që mund t’i ndihmojnë ata të mbajnë nën kontroll stresin dhe ankthin, merreni parasysh të bëni njërën ose të dyja veprimtaritë vijuese.

Mendo për streset ose ankthin që ndien. Ndërsa i provon zotësitë vijuese, kërko për ndonjë tregues që ato po të ndihmojnë.

  1. Ushtroje meditimin ndërgjegjësues.

    Përkufizoni: Shpjegoni se vëmendja është të qenit i pranishëm në atë çast, pa asnjë interpretim ose gjykim të asaj që po përjetojmë. Një mënyrë për ta bërë këtë është të përqendrohemi në frymëmarrjen tonë duke bërë ushtrime të thjeshta të frymëmarrjes.

    Jepni shembull: Megjithëse ju dhe nxënësit mund të ndiheni pak në siklet duke e bërë këtë si klasë, shprehni se kjo aftësi ia vlen të provohet dhe ka shumë dobi. Shpjegoni se nxënësit do të bëjnë sa vijon:

    • Merrni frymë disa herë dhe ngadalë me hundë, duke ndaluar pas çdo here.

    • Lërini supet e lira. Përpiquni të merrni frymë aq sa të vini në lëvizje barkun jo shpatullat.

    • Përpiquni të përqendroheni te frymëmarrja. Nëse mendimet tuaja enden, kthejeni me kujdes vëmendjen tuaj te ndjesitë e frymëmarrjes suaj.

    Përndryshe, ju mund t’i ftoni nxënësit të mbushen me frymë për katër sekonda, ta mbajnë atë për pesë sekonda dhe ta nxjerrin frymën për gjashtë sekonda. (Nxënësit mund ta përshtatin ushtrimin nëse është e nevojshme.)

    Përpara orës mësimore, merreni parasysh ta ushtroni vetë këtë aftësi. Mund të matni edhe pulsin para dhe pasi ta ushtroni këtë aftësi për të parë nëse rrahjet e zemrës ulen, një tregues i mundshëm që stresi juaj po ulet. Merreni parasysh t’i tregoni klasës se si ndikoi aftësia te ju.

    Ushtroni: Ftojini nxënësit ta plotësojnë veprimtarinë. Ndërsa e bëjnë, inkurajojini ata të vënë re ndjesitë fizike të mushkërive të tyre që zgjerohen dhe tkurren ndërsa ata marrin frymë. Ftojini të vënë re nëse shpërqendrohen dhe cilat lloje të mendimeve, ndjenjave dhe ndjesive i shpërqendrojnë ata. Vëzhgojini nxënësit pa u përpjekur që t’i kontrolloni ose t’i gjykoni ata dhe thjesht rikthejeni vëmendjen e tyre te frymëmarrja.

    Ftojini nxënësit të tregojnë se si u ndien. Nëse do të doni, ju mund t’i vini ata të matin pulsin para dhe pas ushtrimit dhe të raportojnë nëse ai ulet.

    • Përse mund të ndihmojë kjo aftësi kur ndihemi të stresuar ose në ankth?

  2. Përqendrohu te mirënjohja.

    Përkufizoni: Shpenzoni kohë për të vënë re se çfarë është e mirë dhe pozitive rreth vetes suaj dhe botës. Veçanërisht përsiatni se çfarë ka bërë Zoti për ju dhe ata që ju rrethojnë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 59:7). Një mënyrë për ta bërë këtë është duke shkruar në një ditar të mirënjohjes pesë gjëra për të cilat jeni mirënjohës çdo ditë.

    Jepni shembull: Shpjegoni se nxënësit mund të kenë një ditar të veçantë ose të përdorin një pjesë të një ditari që e kanë tashmë, siç është ditari i tyre i studimit për seminarin. Ata gjithashtu mund t’i shkruajnë mendimet e tyre në një shënim në telefonin e tyre. Kjo veprimtari përfshin hapat vijues:

    • Shkruani të paktën pesë gjëra të veçanta për të cilat jeni mirënjohës, sidomos gjëra që Zoti i ka bërë për ju.

    • Shkruani përse jeni mirënjohës për këto gjëra.

    • Përpiquni fort ta vazhdoni ushtrimin çdo ditë.

    Merreni parasysh ta provoni vetë këtë aftësi përpara klasës. Ju mund të tregoni pjesë të përvojës suaj dhe se si ajo ju bëri të ndiheni.

    Ushtroni: Ftojini nxënësit të shkruajnë pesë gjëra të veçanta për të cilat janë mirënjohës, sidomos gjëra që Zoti i ka bërë për ta, familjen e tyre dhe njerëz të tjerë të dashur. Kërkojuni gjithashtu të shkruajnë përse ata janë mirënjohës për ato gjëra.

    • Si ndihesh pasi e ushtrove këtë aftësi?

    • Përse mund të të ndihmojë kjo aftësi kur ndihesh i stresuar ose në ankth?

Ftojini nxënësit të tregojnë aftësi të tjera që ata i përdorin për t’i ndihmuar të mbajnë nën kontroll stresin dhe ankthin. Sa vijon janë disa shembuj: lutjuni Zotit, kufizojeni përdorimin e teknologjisë, bëni një pushim të shkurtër, jini aktivë, shqyrtojini pritshmëritë tuaja, jini dashamirës me veten tuaj dhe përqendrohuni te dikush tjetër.

Përmbylle duke kërkuar udhërrëfim nga Zoti për të bërë një plan se çfarë të bësh dhe kur dhe sa shpesh ta ftosh Shpëtimtarin të të ndihmojë ta mbash nën kontroll stresin dhe ankthin tënd.