Seminari
Mësimi 188 – Përballja me Trishtimin dhe Depresionin: Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, Mund të na Ndihmojnë t’i Kapërcejmë Sfidat Emocionale të Jetës


“Mësimi 188 – Përballja me Trishtimin dhe Depresionin: Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, Mund të na Ndihmojnë t’i Kapërcejmë Sfidat Emocionale të Jetës”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Përballja me Trishtimin dhe Depresionin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 188: Shëndeti Fizik dhe Emocional

Përballja me Trishtimin dhe Depresionin

Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, Mund të na Ndihmojnë t’i Kapërcejmë Sfidat Emocionale të Jetës

e re e trishtuar e ulur pas murit

Shpëtimtari premtoi se në Të ne mund të kemi plotësinë e gëzimit (shih te Doktrina e Besëlidhje 101:36). Megjithatë, çastet e trishtimit dhe shkurajimit janë një pjesë normale e përvojës sonë në vdekshmëri. Ndonjëherë mund të përjetojmë ndjenja më të rënda dëshpërimi dhe depresioni. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti siguruan burimet për të na ndihmuar të ecim para me besim gjatë periudhave të vështirësisë emocionale. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë mënyrat se si mund të marrin ndihmë për ndjenjat e trishtimit dhe depresionit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Emocionet janë si valët e detit

Shënim: Mund të jetë e dobishme të dini se nuk është e nevojshme të jesh ekspert i kësaj teme për ta dhënë këtë mësim. Lutuni për udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë, ndiqni materialet dhe mirëbesojini nxënësit tuaj. Nëse nxënësit bëjnë pyetje që nuk dini se si t’i trajtoni ose nëse tregojnë vështirësitë vetjake me të cilat përballen, ftojini ata të kërkojnë ndihmë nga Zoti, prindërit e tyre, udhëheqësit e Kishës dhe profesionistët e shëndetit mendor.

Për të filluar, paraqitni një figurë ose material filmik të valëve të detit. Tregojeni ose përmblidheni paragrafin vijues.

këmbë në rërë/dallgë

Imagjino sikur po qëndron në këmbë në plazh dhe po shikon valët e oqeanit. Valët janë si ndjenjat tona. Disa valë përplasen pas këmbëve të tua me butësi ndërsa ti qëndron në këmbë ose shllapuritesh në ujë. Në raste të tjera mund të jesh në ujëra më të thella dhe valët mund të të godasin më fort ose edhe papritmas, duke bërë që ta humbësh ekuilibrin. Ndonjëherë dallgët e mëdha mund të të godasin me forcë dhe ndoshta njëra menjëherë pas tjetrës. Mund ta kesh të vështirë të zësh pozicion ose edhe të mbytesh nga uji apo ta kesh të vështirë të marrësh frymë.

Ndaluni një çast për të përsiatur se si kjo metaforë mund të gjejë zbatim në vështirësitë emocionale si trishtimi, shkurajimi dhe depresioni.

Për t’i ndihmuar nxënësit ta vlerësojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë temë, mund të jepni disa nga thëniet vijuese që nxënësit t’i marrin parasysh.

Reflekto me lutje për thëniet vijuese. Shëno në ditar se sa gjen zbatim secila thënie tek ti (duke përdorur përgjigjet “po”, “më së shumti”, “pak a shumë” dhe “aspak”).

  • Unë e dalloj ndryshimin ndërmjet trishtimit, shkurajimit dhe depresionit.

  • Unë i di shenjat e depresionit.

  • Unë e di se ku të marr ndihmë nëse ndihem në depresion.

  • Unë e dalloj se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të më ndihmojnë kur jam i trishtuar ose në depresion.

Trishtimi dhe depresioni

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se trishtimi dhe shkurajimi janë elemente të vështira por thelbësore në rritjen tonë. Ato janë si valët më të vogla, reagime normale ndaj sfidave dhe zhgënjimeve të jetës. Shpjegoni se depresioni është më shumë sesa thjesht trishtim. Depresioni ndikon vazhdimisht dhe negativisht në mënyrën se si mendon, ndihet dhe vepron një person (si dallgët më të mëdha). Simptomat e depresionit përfshijnë trishtimin, dëshpërimin, ndjenjat e padenjësisë së vazhdueshme, mungesën e energjisë, humbjen e interesit në veprimtaritë që më parë ishin të këndshme, ndjenjën sikur jeni një barrë për njerëzit që ju rrethojnë dhe mendimet e vdekjes dhe vetëvrasjes. Gjithashtu, kur disa njerëz janë në depresion, ata mund të ndihen të penguar në aftësinë e tyre për ta dalluar Shpirtin. (Shih te “Të Kuptuarit e Trishtimit dhe Depresionit”, te Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale [2021], f. 75.)

Duke menduar për vetë jetën tënde, përsiat se cilat lloje valësh mund të përshkruajnë gjendjen tënde të tanishme emocionale.

Ndërsa studion sot, kërko me lutje nxitjet e Shpirtit për të të ndihmuar ty dhe ata që ti e di se po përjetojnë trishtim dhe depresion.

Isaia 61:1–3 përshkruan shumë mënyra se si Shpëtimtari mund të na ndihmojë. Lexoji këto vargje, duke kërkuar frazat që ti mendon se mund të gjejnë zbatim për të ndihmuar dikë që është i trishtuar ose në depresion. Fjala “mua” në këto vargje i referohet Jezu Krishtit, Mesias.

  • Cilat fjalë ose fraza ishin kuptimplota për ty? Çfarë zbulove që mund ta ndihmojë dikë që ka vështirësi me trishtimin ose depresionin?

Nxënësit mund të përmendin aftësinë e Shpëtimtarit për të ndihmuar, ngushëlluar, ngritur moralisht zemërthyerit, ata që janë ose ndihen të burgosur, ata që vajtojnë dhe ata që ndiejnë një shpirt të rënduar.

Pasi t’u jepni nxënësve një mundësi për të folur, paraqiteni thënien vijuese nga Motra Reina I. Aburto. Thënia e saj mund t’i ndihmojë nxënësit ta dallojnë atë që mund të bëjnë për të kërkuar lehtësim.

Motra Reina I. Aburto, ish‑Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:

11:33
Motra Reina I. Aburto

“Si çdo pjesë e trupit, truri u nënshtrohet sëmundjeve, traumave dhe mungesës së ekuilibrit kimik. Kur mendja jonë vuan, gjëja e duhur është që të kërkojmë ndihmë nga Perëndia, nga ata përreth nesh e nga mjekët dhe profesionistët e shëndetit mendor. …

… Është normale që të ndihemi të trishtuara ose të shqetësuara njëherë në kaq kohë. Trishtimi dhe ankthi janë emocione njerëzore të natyrshme. Sidoqoftë, nëse jemi vazhdimisht të trishtuara dhe nëse dhembja jonë e bllokon aftësinë për ta ndier dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë, atëherë ne mund të jemi duke vuajtur nga depresioni, ankthi ose një gjendje tjetër emocionale.” (Reina I. Aburto, “N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!”, Liahona, nëntor 2019, f. 57)

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga mesazhi i Motrës Aburto?

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se kur mendja jonë vuan, ne duhet të kërkojmë ndihmë nga Perëndia, nga ata që na rrethojnë dhe nga mjekët dhe profesionistët e shëndetit mendor.

Kërko ndihmë nga Perëndia, të tjerët dhe profesionistët

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë këtë parim, ftojini ata të palosin një letër në tri pjesë për të krijuar një broshurë. Në broshurë, ata mund të shënojnë atë që mësojnë rreth të kërkuarit të ndihmës për trishtimin ose depresionin. Kjo mund të jetë e dobishme tani ose në të ardhmen për ata ose dikë që e duan. Nxënësit mund t’i emërtojnë të tria pjesët “Kërko ndihmë nga Perëndia”, “Kërko ndihmë nga të tjerët” dhe “Kërko ndihmë nga profesionistët”. ikona e fletushkës Më pas jepni fletushkën “Të Kërkuarit e Ndihmës”. Nxënësit mund të punojnë individualisht ose në grupe të vogla dhe t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet e fletushkës në broshurat e tyre.

Të Kërkuarit e Ndihmës

Kërkoni ndihmë nga Perëndia

Ati Qiellor ka premtuar ndihmë hyjnore në mënyrë që ne të mund t’i durojmë të gjitha sfidat në vdekshmëri. Ai ka premtuar shumë mënyra se si do të vijë ndihma e Tij. Nëse nuk e shohim ndihmën e Tij në një mënyrë, është gjithmonë e rëndësishme të mos heqim dorë. Vazhdo kërko. Ai është pranë.

  • Çfarë di ti rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që të jep vetëbesimin se Ata mund të ndihmojnë për trishtimin dhe depresionin tënd?

Lexo te Jakobi [LiM] 2:8; Alma 26:27–28; Doktrina e Besëlidhje 6:36; 136:29. Kërko mënyrat se si mund të kërkojmë ndihmën e Zotit kur jemi të trishtuar ose në depresion?

  • Çfarë na mësojnë këto vargje të bëjmë kur jemi të trishtuar ose në depresion?

  • Cilat janë disa mënyra të tjera se si mund të kërkojmë ndihmë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Nëse nuk është tepër vetjake, trego një përvojë që ke pasur duke kërkuar ndihmë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.


Kërko ndihmë nga të tjerët

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Perëndia na vë re vërtet dhe vëzhgon mbi ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona.” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 82)

Kur ndihemi të trishtuar ose në depresion, mund të ndihemi të tunduar të tërhiqemi ose të izolohemi nga të tjerët. Bërja e kësaj mund të kufizojë aftësinë tonë për të parë ndihmën që po na dërgon Ati Qiellor. Komunikimi me të tjerët mund të përfshijë të folurit me prindërit, pjesëtarë të mirëbesuar të familjes ose udhëheqës të Kishës.

Rendit dy ose tri gjëra që dikush që ka vështirësi mund t’i bëjë për të komunikuar me të tjerët ose t’i lërë të tjerët ta ndihmojnë.

Nëse nuk është tepër vetjake, trego një kohë kur një pjesëtar i familjes ose shok të ka ndihmuar gjatë kohëve të trishtimit ose depresionit.


Kërko ndihmë nga profesionistët

Një burim i rëndësishëm i ndihmës që mund të kërkojmë është urtësia e mjekëve dhe ofruesve të mirëbesuar të shëndetit mendor. Mendo për krahasimin e mëparshëm të trishtimit dhe depresionit me valët e oqeanit. Kur jemi të trishtuar (duke u përballur me valët e vogla), duhet të ndjekim udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të ditur kur të kërkojmë ndihmën e profesionistëve. Megjithatë, nëse ndihemi në depresion ose duam të kryejmë vetëvrasje (duke u përballur me dallgët e mëdha), kërkimi i ndihmës së profesionistëve është kritik.

Lexoje këtë thënie nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar atë që ka siguruar Ati Qiellor për të na ndihmuar kur kemi vështirësi:

Plaku Xhefri R. Holland

“Kërkoni këshillën e njerëzve të respektuar, me trajnim të vërtetuar, me aftësi profesionale dhe vlera të mira. Jini të ndershëm me ta rreth historisë suaj dhe vështirësive tuaja. Me lutje dhe përgjegjësi merrni parasysh këshillën që japin dhe zgjidhjet që rekomandojnë ata. Nëse do të kishit apendicit, Perëndia do të priste që ju të kërkonit një bekim të priftërisë dhe të merrnit përkujdesin më të mirë mjekësor të gjindshëm. Po ashtu edhe me çrregullimet emocionale. Ati ynë në Qiell pret nga ne që t’i përdorim të gjitha dhuratat e mrekullueshme që Ai ka dhënë në këtë periudhë të lavdishme ungjillore.” (Xhefri R. Holland, “Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 41)

Në broshurën tënde, shkruaj një pjesë të thënies së Plakut Holland që ishte kuptimplotë për ty.

  • Pse mendon se është e rëndësishme që dikush të kërkojë ndihmën e specialistit për depresionin?

Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë se ku do të drejtoheshin për të kërkuar ndihmën e specialistit. Idetë mund të jenë të thjeshta, si të flasin me një këshillues në shkollë, prind ose udhëheqës të mirëbesuar të Kishës për t’i ndihmuar të gjejnë një profesionist të përshtatshëm. Mund t’i ftoni nxënësit të përcaktojnë linjën e ndihmës ose faqen e internetit për parandalimin e vetëvrasjes për zonën tuaj (shih te suicide.ChurchofJesusChrist.org për linjat e ndihmës dhe burimet). Ata mund t’i shkruajnë këto burime në broshurën e tyre. Nxënësit mund të shënojnë si referencë faqen për parandalimin e vetëvrasjes nga faqja e internetit e Kishës në një pajisje elektronike.

Burimet për të folur rreth vetëvrasjes mund të gjenden në faqen suicide.ChurchofJesusChrist.org dhe te pjesa “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” në këtë mësim.

Disa që kanë vështirësi me depresionin mund të ndiejnë se u bëhen një barrë tepër e madhe të tjerëve dhe madje edhe Zotit. Ndihmojini nxënësit të kujtojnë dashurinë e përsosur, durimin dhe fuqinë e Zotit në jetën e tyre dhe se Ai dëshiron të na ndihmojë t’i mbajmë barrët tona. Mund t’u kujtoni me dashuri nxënësve se ka gjithmonë shpresë për këdo që po përjeton depresion ose mendime për vetëvrasje.

Rishikoje atë që ke mësuar

Ftojini nxënësit të diskutojnë përse të kërkuarit e ndihmës nga Perëndia, të tjerët dhe profesionistët janë të gjitha të rëndësishme kur përballen me trishtim dhe depresion. Disa nxënës mund ta tregojnë atë që kanë mësuar dhe ndier sot, nëse nuk është tepër vetjake.

Ftojini nxënësit të kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa plotësojnë sa vijon.

Shkruaje sa vijon në ditarin tënd të studimit ose në broshurën tënde:

  • Çfarë do të bëje për të kërkuar ndihmën e Zotit nëse ndihesh i trishtuar ose i dëshpëruar (kjo mund të përfshijë shkrimet e shenjta që do të lexoje ose muzikën e shenjtë që të sjell shpresë)

  • Çfarë do të bëje për të komunikuar me të tjerët kur ndihesh i/e trishtuar ose në depresion

  • Çfarë mund të bëje për ta ndihmuar dikë që ndihet i/e trishtuar ose në depresion

  • Çfarë mund t’i thoshe dikujt që ka vështirësi dhe pyet veten nëse ai ose ajo duhet të kërkojë një këshillues për shëndetin mendor

Merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të “thajë çdo lot nga sytë [tanë]” (Zbulesa 21:4) dhe të na “rrethoj[ë] me krahët e dashurisë [së Tij]” (Doktrina e Besëlidhje 6:20).