“Mësimi 184 – Kujdesi për Trupin Tonë Fizik: Respektimi i Ligjeve të Shëndetit Fizik”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Kujdesi për Trupin Tonë Fizik”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
Mësimi 184: Shëndeti Fizik dhe Emocional
Kujdesi për Trupin Tonë Fizik
Respektimi i Ligjeve të Shëndetit Fizik
Trupi ynë fizik është një dhuratë e jashtëzakonshme nga një Atë Qiellor i dashur. Ne e nderojmë këtë dhuratë duke bërë zgjedhje të mençura për kujdesin ndaj trupit tonë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të tregojnë mirënjohje ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit duke u kujdesur për trupin e tyre fizik.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Trupi ynë fizik
Shënim: Gjatë dhënies së këtij mësimi, është e rëndësishme të kujtoni se kjo temë mund të jetë e vështirë për disa nxënës. Kujdesi për trupin fizik është veçanërisht sfidues për ata me çrregullime të ushqyerjes, aftësi të kufizuara, sëmundje të rënda dhe rrethana të tjera.
Ndihmojini nxënësit të përgatiten për ta studiuar këtë mësim duke i ftuar ata të tregojnë presionet që ndiejnë njerëzit dhe qëndrimet që kanë njerëzit për paraqitjen e tyre fizike. Një mënyrë për ta bërë këtë është t’i shkruani fjalët Trup fizik në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të tregojnë mendimet e tyre rreth pyetjeve vijuese:
-
Cilat janë disa presione të ndryshme që mund të ndiejnë njerëzit lidhur me trupin e tyre?
-
Cilat janë disa qëndrime të ndryshme që kanë njerëzit lidhur me trupin e tyre?
Ftojini nxënësit t’iu përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarin e tyre të studimit:
-
Si ndihesh lidhur me trupin tënd? Përse?
-
Sa mirë e ndien se mund të kujdesesh për trupin tënd? Përse?
Ndërsa e studion këtë mësim, kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë për të ditur se si mund të kujdesesh për trupin tënd fizik.
E vërteta nga Zoti për trupin tonë
Lexoje paragrafin e parë të pjesës “Trupi Juaj Është i Shenjtë” te broshura Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve ([2022], f. 23).
-
Çfarë të bëri përshtypje?
Ndërsa nxënësit flasin, shkruajeni në tabelë çdo të vërtetë që ata përmendin. Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të shpjegojnë se përse e ndiejnë se ajo e vërtetë është e rëndësishme për adoleshentët sot.
Nëse nxënësit nuk e përmendin, shtojeni të vërtetën vijuese te lista në tabelë: Trupi juaj është një dhuratë e mrekullueshme nga Ati Qiellor.
-
Si mund të ndikojë njohuria se trupi ynë është një dhuratë nga Perëndia në qëndrimin tonë kundrejt tij?
-
Si mund të ndikojë njohuria për këtë të vërtetë në mënyrën se si kujdesemi për trupin tonë?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë këtë parim dhe se si të kujdesen për dhuratën e trupit fizik, ju mund ta ndani fletushkën “Kujdesi për Trupin Tonë Fizik” në katër stacione mësimi. Mund ta organizoni klasën në grupe të vogla që lëvizin nëpër çdo veprimtari të të mësuarit. Mund të siguroni një copë letër që qëndron në secilin stacion që nxënësit ta plotësojnë te pjesa për të shkruar në fund të secilës pjesë. Më pas nxënësit mund të lexojnë çfarë shkruan grupet e tjera dhe ta zgjerojnë atë.
Kujdesi për Trupin Tonë Fizik
Imazhi i Trupit Tonë
-
Si mund të ndikojnë mendimet e të tjerëve në mënyrën se si ndihemi për trupin tonë?
-
Në ç’mënyrë janë të vërtetat te Zanafilla 1:26–27 dhe 1 Korintasve 6:19–20, që Zoti dëshiron që t’i dimë, të ndryshme nga mesazhet që mund të marrim nga të tjerët?
Studioje këshillën vijuese që Zoti dha nëpërmjet Presidentit Rasëll M. Nelson dhe Plakut Xhefri R. Holland, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar atë që mund të ndihmojë për imazhin e trupit tonë:
“Sa herë që shikoheni në pasqyrë, shiheni trupin si tempullin tuaj. Kjo e vërtetë – e përtërirë me mirënjohje përditë – mund të ndikojë pozitivisht në vendimet tuaja për mënyrën se si do të kujdeseni për trupin tuaj e si do ta përdorni atë. Dhe ato vendime do të përcaktojnë fatin tuaj.” (Rasëll M. Nelson, “Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 107)
“Ju lutem … jini më miratuese ndaj vetes, duke përfshirë formën dhe stilin e trupit tuaj, me më pak dëshirë për t’u dukur si dikush tjetër. Jemi të gjithë të ndryshëm. Disa janë të gjatë dhe disa janë të shkurtër. Disa janë të mbushur dhe disa janë të dobët. Dhe pothuajse gjithkush në [një moment ose një tjetër] dëshiron të jetë diçka që nuk [është]! Por ashtu si tha një këshilluese për vajzat adoleshente: ‘Ju nuk mund ta jetoni jetën duke u shqetësuar se bota [jua ka ngulur sytë]. Kur i lejoni opinionet e njerëzve t’ju bëjnë të ndrojtur, ju largoni fuqinë tuaj. … Çelësi për t’u ndier [mirë] është që të dëgjoni gjithmonë veten tuaj të brendshme – [veten tuaj të vërtetë.]’ Dhe në mbretërinë e Perëndisë, vetja juaj e vërtetë është “më e çmuar se perlat” [Fjalët e Urta 3:15].” (Xhefri R. Holland, “Drejtuar të Rejave”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 40–43)
-
Çfarë mësove nga këto thënie?
Shkruaj diçka që ti mendon se Zoti do të donte që t’ia thoshe dikujt që e ka të vështirë të ndihet mirë për trupin e tij.
Gjumi
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 88:124, duke kërkuar atë që dha mësim Zoti rreth gjumit.
-
Përse mendon se gjumi është i rëndësishëm?
Mungesa e gjumit të mjaftueshëm mund të jetë një problem shëndetësor madhor. Shumica e ekspertëve u rekomandojnë adoleshentëve të flenë 8–10 orë çdo natë (shih National Sleep Foundation, “How Much Sleep Do You Really Need?”, 1 tetor 2020, thensf.org). Gjumi i pamjaftueshëm mund ta lërë një person të lodhur, pak efikas dhe të cenueshëm ndaj problemeve shëndetësore fizike dhe mendore. Ndjesia e lodhjes mund të na bëjë më të tundueshëm.
-
Si i ke parë zakonet e gjumit të ndikojnë në jetën tënde?
-
Si mund t’i përmirësojnë zakonet e gjumit të shëndetshëm aftësinë tona për t’i shërbyer Zotit?
Diskutoje me grupin tënd këshillën që do t’i jepje dikujt që donte t’i përmirësonte zakonet e tij të gjumit ose të cilit do t’i rekomandoje që të kërkonte këshillë. Shkruaji mendimet e tua në letrën që të është dhënë.
Ushtrimet Fizike dhe një Mënyrë Jetese Aktive
Të qenit përtac i referohet harxhimit të kotë të kohës, të qenit dembel ose shmangies së punës. Lexoje një ose dy prej vargjeve vijuese, duke kërkuar ndjenjat e Zotit rreth fëmijëve të Tij që janë përtacë: Doktrina e Besëlidhje 42:42; 60:13; 75:3.
-
Përse mendon se Zoti dëshiron që ne të jemi aktivë dhe shumë punëtorë dhe jo përtacë?
-
Si të ka bekuar Zoti kur je përpjekur të jesh aktiv/e dhe shumë punëtor/e?
-
Si mund ta përmirësojnë ushtrimet fizike dhe mënyra e jetesës aktive shëndetin tonë mendor? Si mund të na ndihmojë kjo t’i shërbejmë Zotit?
Shkruaje këshillën tënde për një adoleshent që dëshiron të përmirësojë nivelet e ushtrimeve fizike dhe aktivitetit të tij.
Zakonet e të Ngrënit Shëndetshëm
Lexoji vargjet vijuese, duke kërkuar këshillën e Shpëtimtarit lidhur me zgjedhjet e ushqimit të shëndetshëm: Doktrina e Besëlidhje 59:16–20; 89:10–16.
-
Çfarë ndikimi kanë zgjedhjet tona të ushqimeve në jetën tonë?
Diskutoji disa nga pengesat ndaj të ushqyerit të shëndetshëm. Trego disa mënyra se si ne mund ta kërkojmë ndihmën e Zotit dhe t’i kapërcejmë këto pengesa.
-
Çfarë dobish afatgjata mund të ketë në ndjekjen e këshillës së Shpëtimtarit rreth të ngrënit mirë sa je i ri/e re?
Si grup, shkruani tri lista të titulluara “Shmange”, “Me raste” dhe “I shëndetshëm”. Duke punuar së bashku, zgjidhni disa ushqime të zakonshme që i shihni çdo ditë. Diskutoje se cila kategori mund të jetë e përshtatshme për atë ushqim.
Pas lëvizjes nëpër stacione, ftojini nxënësit ta tregojnë atë që mësuan dhe çdo shqetësim që mund të kenë. Pyetjet vijuese mund të jenë të dobishme:
-
Përse mund të jetë sfiduese të zhvillojmë zakone të shëndetshme dhe të kujdesemi siç duhet për trupin tonë?
-
Si mendon se mund të ndihmojë të kujtuarit se trupi ynë është dhurata nga Perëndia?
-
Si të ka ndihmuar Zoti ty ose dikë që ti e njeh të zhvillosh zakone të shëndetshme?
Ftojeni klasën të tregojë të vërteta ose përvoja që mund të ndihmojnë me sfidat ose shqetësimet që përmendin nxënësit.
Për ta përmbyllur, ftojini nxënësit ta shkruajnë në ditarin e studimit atë që ndiejnë se Zoti do të donte që ata ta bënin për t’u kujdesur më mirë për trupin e tyre.