“Mësimi 166 – Të Vepruarit me Besim për të Gjetur Përgjigje”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Të Vepruarit me Besim për të Gjetur Përgjigje”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 166: Zotërimi Doktrinor: Gjetja e Përgjigjeve për Pyetjet e Mia
Të Vepruarit me Besim për të Gjetur Përgjigje
Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 2
Jezu Krishti na fton të shohim tek Ai dhe të veprojmë me besim gjatë gjithë jetës sonë. Është vendimtare që ne të përqendrohemi te Shpëtimtari, veçanërisht kur nuk mund t’u japim zgjidhe me lehtësi pyetjeve ose situatave. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si të veprojnë me besim te Jezu Krishti teksa kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Rëndësia e bërjes së pyetjeve
Përpara orës mësimore, nëse dëshironi, mund ta shkruani pyetjen vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf në tabelë. Ndërsa nxënësit hyjnë në klasë, ftojini ata të përsiatin se si mund t’i përgjigjeshin pyetjes së tij dhe pse do t’i përgjigjeshin në atë mënyrë. Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të përsiatur, ftojini ata t’i japin përgjigjet e tyre.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, shtroi pyetjen vijuese:
“A është mirë të kemi pyetje mbi Kishën apo doktrinën e saj?” (Dieter F. Uchtdorf, “The Reflection in the Water” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 1 nëntor 2009], thechurchnews.com)
-
Si do t’i përgjigjeshe kësaj pyetjeje? Përse do të përgjigjeshe në atë mënyrë?
Ndërsa e lexon pjesën e mbetur nga thënia e Presidentit Uhtdorf, kërko mënyrën se si krahasohen përgjigjet e tua me të tijat.
“Miqtë e mi të dashur, ne jemi njerëz që bëjmë pyetje, sepse e dimë që kërkimi çon tek e vërteta. Ajo është mënyra [se] si e pati Kisha nisjen e saj, nga një i ri që pati pyetje. Në fakt, nuk jam i sigurt se si dikush mund ta zbulojë të vërtetën pa bërë pyetje. …
… Kërkimi është vendlindja e dëshmisë. … Bërja e pyetjeve nuk është një shenjë dobësie; është një pararendëse e rritjes.” (Dieter F. Uchtdorf, “The Reflection in the Water” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 1 nëntor 2009], thechurchnews.com)
-
Çfarë shembujsh ke parë në shkrimet e shenjta, historinë e Kishës ose vetë jetën tënde që e ilustrojnë faktin që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duan që ne të bëjmë pyetje?
Nganjëherë ne mund të zbulojmë informacion të ri për sa i përket doktrinës, praktikave apo historisë së Kishës, i cilit duket i vështirë për t’u kuptuar. Ne gjithashtu mund të kemi pyetje që janë të vështira t’u japësh përgjigje. Pasja e pyetjeve nuk është njësoj si të dyshosh. Bërja e pyetjeve me besnikëri mund ta rritë kuptueshmërinë dhe dëshminë tonë për Jezu Krishtin. Të ushqyerit e dyshimit mund të ndikojë negativisht në besimin tonë tek Ai (shih tek Tema dhe Pyetje, “Answering Gospel Questions” [“Përgjigje për Pyetje mbi Ungjillin”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Kërkojuni nxënësve të mendojnë rreth pyetjeve që mund të kenë për Kishën ose doktrinën e saj, të cilave nuk mund t’u përgjigjen me lehtësi. Mund t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë këto pyetje në ditarët e tyre të studimit. Ftojini ata të kërkojnë të vërteta në këtë mësim që mund t’i ndihmojnë kur të ngrihen pyetje të vështira.
Dhënia e përgjigjeve për pyetjet e vështira
Për të ilustruar rëndësinë e bërjes së pyetjeve dhe për të dhënë modelin se si duhet vepruar me besim, paraqitini një skenar klasës. Përdorni përshkrimin më poshtë ose shfaqni materialin filmik “Marrja e Njohurisë Shpirtërore: Historia e Medisonit”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 1:44.
Në seminar, Medisoni mësoi se Jozef Smithi e ushtroi martesën me shumë bashkëshorte. Pasi e dëgjoi këtë, i erdhën disa pyetje në mendje.
Për t’i ndihmuar nxënësit të diskutojnë pyetjet vijuese, mund ta ndani klasën në dyshe ose grupe të vogla. Pasi t’i diskutojnë pyetjet, nxënësit mund t’ia raportojnë përgjigjet e tyre klasës.
-
Cilat janë disa qasje negative dhe pozitive që mund të ketë Medisoni për t’u përballur me pyetjet e saj?
-
Pse e ndien se këto qasje do të ishin negative ose pozitive?
Kur hasim pyetje të vështira, mund të jetë e dobishme të përdorim parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
Disa nxënës mund të kenë përvojë të mëparshme me studimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore në seminar. Nëse po, pyetini nxënësit a mund t’i thonë përmendsh tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Nëse nevojitet, ftojini ata të lexojnë paragrafin 4 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Merreni parasysh t’i shkruani këto parime në tabelë:
-
Vepro me besim.
-
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.
-
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.
Vepro me besim
Përvoja e sotme e të mësuarit do të përqendrohet te parimi i të vepruarit me besim.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 6:36. Përcakto se si kjo ftesë nga Shpëtimtari mund të na ndihmojë të veprojmë me besim.
-
Cilat fjalë ose fraza në këtë varg mund ta ndihmojnë Medisonin ose të tjerët që kanë pyetje rreth ungjillit ose Kishës?
-
Pse do të ishin të dobishme ato fjalë ose fraza?
Ndërsa nxënësit i japin përgjigjet e tyre, ndihmojini ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kur kemi pyetje pa përgjigje, mund të shohim te Jezu Krishti dhe të mos dyshojmë.
Shpjegojuni nxënësve që shumë shembuj të mënyrës se si mund të shohim te Jezu Krishti, gjenden te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.
Lexoji paragrafët 5–7 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, duke kërkuar mënyra se si mund të veprosh me besim kur ke pyetje shpirtërore.
-
Cilat nga thëniet nga këta paragrafë ndien se mund të ishin më të dobishme për dikë me një pyetje sfiduese? Përse?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të gjejnë shkrime të shenjta që i përkrahin përgjigjet e tyre. Për shembull, nëse nxënësit përmendin lutjen, ata mund t’u referohen vargjeve te 2 Nefi 32:8–9 ose Jakob [Bibël] 1:5–6. Nëse përmendin studimin e shkrimeve të shenjta, ata mund t’u referohen vargjeve te 2 Nefi 32:3 ose 2 Timoteut 3:15–17.
Gjeni mundësi të natyrshme për t’u kujtuar nxënësve rëndësinë e bërjes së këtyre veprimeve me një përqendrim te Jezu Krishti. Mund t’i ftoni nxënësit të marrin parasysh se si veprimet që përcaktojnë, mund të jenë shembuj të të parit te Jezu Krishti.
Shembuj të të vepruarit me besim
Tregojeni përfundimin e skenarit rreth Medisonit. Ftojini nxënësit të përcaktojnë se si Medisoni zgjodhi të vepronte me besim ndërsa përballej me pyetjet e saj. Mund të shfaqni materialin filmik “Marrja e Njohurisë Shpirtërore: Historia e Medisonit” nga kodi kohor 1:44 deri në 8:35; nëse materiali filmik nuk është në dispozicion, lexojeni paragrafin vijues.
Pas orës mësimore, Medisoni iu afrua mësueses dhe e pyeti pse Jozef Smithi e ushtroi martesën me shumë bashkëshorte. Mësuesja e inkurajoi të vazhdonte ta jetonte ungjillin dhe të bënte një lutje të sinqertë ndërsa kërkonte përgjigje. Ndërsa Medisoni lutej dhe i shqyrtonte shkrimet e saj të shenjta, mori një nxitje se do të merrte një përgjigje në kohën e duhur. Medisoni vazhdoi të vepronte me besim dhe të mbështetej te dëshmia që kishte për Atin Qiellor dhe planin e Tij dhe ajo gradualisht filloi të gjente përgjigje që e ndihmuan atë të ndihej në paqe. Gjatë gjithë procesit, Medisoni ndjeu se marrëdhënia e saj me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin u zhvillua. Ajo arriti të dinte se, ndërsa veprojmë me besim, Perëndia do të na japë përgjigjet ose paqen që po kërkojmë.
Si pjesë e diskutimit për pyetjen vijuese, kërkojuni nxënësve të vënë në dukje se cili nga veprimet e Medisonit lidhet me atë që studiuan te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.
-
Si e dëftuan veprimet e Medisonit besimin e saj te Jezu Krishti?
-
Çfarë mund të mësojmë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga përvoja e Medisonit?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë dhe të tregojnë raste kur janë bekuar ngaqë vepruan me besim kur u përballën me pyetje të vështira. Më pas ftojini nxënësit të mendojnë rreth asaj që mësuan dhe ndien sot, që mund t’i ndihmojë ata për rrethanat dhe pyetjet e tyre vetjake. Merrni parasysh t’u jepni kohë atyre për t’i shënuar mendimet dhe përshtypjet në ditarët e tyre të studimit.
Mbylleni me dëshminë tuaj për rëndësinë e të vepruarit me besim me një përqendrim te Jezu Krishti ndërsa kërkojmë përgjigje për pyetjet tona.