“Mësimi 164 – Forcimi i Themelit Tuaj Shpirtëror”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Forcimi i Themelit Tuaj Shpirtëror”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 164: Zotërimi Doktrinor: Gjetja e Përgjigjeve për Pyetjet e Mia
Forcimi i Themelit Tuaj Shpirtëror
Hyrje në Zotërimin Doktrinor
Si dishepuj të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme, ne përballemi me shumë rreziqe dhe vështirësi shpirtërore. Për të qëndruar të fortë kundër ndikimeve të kundërshtarit, ne duhet ta ndërtojmë jetën tonë mbi të vetmin themel të sigurt, Jezu Krishtin. Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si zotërimi doktrinor mund t’ua bekojë jetën dhe t’i ndihmojë ta ndërtojnë themelin shpirtëror mbi Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ky mësim mund të përdoret për t’u paraqitur nxënësve qëllimet e zotërimit doktrinor. Mund të përdoret edhe për t’u kujtuar nxënësve që kanë njohuri për zotërimin doktrinor vlerën e kësaj pjese të rëndësishme të përvojës së tyre në seminar. Mund ta jepni këtë mësim në fillim të një viti kalendarik të ri, por mund edhe t’i riktheheni nëse po i jepni mësim një grupi të ri nxënësish.
“Trajnimi për Zotërimin Doktrinor” për mësuesit mund të jetë një burim i dobishëm për të kuptuar se si ta zbatoni zotërimin doktrinor në mësimdhënien tuaj. Ky trajnim mund të gjendet në ChurchofJesusChrist.org.
Themeli ynë shpirtëror
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë rëndësinë e ndërtimit të themelit shpirtëror mbi Jezu Krishtin. Mund ta bëni këtë duke diskutuar për restaurimin e Tempullit të Solt-Lejkut, duke theksuar punën që është bërë për të forcuar themelin nga tërmetet dhe rreziqe të tjera të mundshme. Nëse dëshironi, mund të paraqitni figura. Mund të shfaqni edhe materialin filmik “President Nelson – Temple Foundation” [“Presidenti Nelson – Themeli i Tempullit”] (2:03).
-
Pse mendon se iu kushtuan kaq shumë kohë dhe burime restaurimit të Tempullit të Solt-Lejkut dhe përmirësimit të themelit të tij?
-
Si mund ta krahasojmë atë që i është bërë tempullit me vetë jetën tonë?
Lexo te Helamani 5:12, duke kërkuar të vërteta dhe parime që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë nevojën për ndërtimin e një themeli shpirtëror mbi Jezu Krishtin.
-
Çfarë të ndihmoi ky varg të kuptosh rreth arsyes përse kemi nevojë për forcën që vjen nga Jezu Krishti?
-
Cila është një e vërtetë që mësove nga ky varg për atë që mund të ndodhë kur e përqendrojmë jetën tonë te Shpëtimtari?
Mund t’u kërkoni nxënësve ta shkruajnë atë që mësuan në një thënie në tabelë. Mund t’u jepni më pas një mundësi për t’i shpjeguar përgjigjet e tyre. Ata mund të thonë diçka si: Nëse e ndërtojmë themelin tonë shpirtëror mbi Jezu Krishtin, ne nuk mund të biem.
-
Si mendon, çfarë do të thotë ta ndërtojmë themelin shpirtëror mbi Jezu Krishtin?
Nxënësit mund të japin ide si përqendrimi i jetës sonë në Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij, ndjekja e shembullit të Tij dhe pendimi i rregullt.
Presidenti Rasëll M. Nelson përshkroi arsyet përse është e nevojshme ta ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin:
“Është koha që secili prej nesh të zbatojë masa të jashtëzakonshme – ndoshta masa që nuk i kemi marrë kurrë më parë – për të forcuar themelet tona vetjake, shpirtërore. Kohët e pashembullta kërkojnë masa të pashembullta.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, këto janë ditët e mëvonshme! Nëse ju dhe unë do t’u bëjmë ballë rreziqeve dhe trysnive të ardhshme, është e domosdoshme që secili prej nesh të ketë një themel të fortë shpirtëror të ndërtuar mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. …
Zoti ka shpallur se pavarësisht nga sfidat e sotme të pashembullta, ata që i ndërtojnë themelet e tyre mbi Jezu Krishtin dhe kanë mësuar se si të mbështeten te fuqia e Tij, nuk kanë nevojë t’u dorëzohen shqetësimeve të pashoqe të kësaj epoke.” (Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93)
-
Çfarë të ndihmon kjo thënie të kuptosh rreth nevojës sate për një themel shpirtëror të fortë?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë rreth asaj që po përjetojnë në jetë, që i ndihmon të dallojnë nevojën për ndërtimin e tempullit të tyre mbi Shpëtimtarin. Më pas ftojini të vlerësojnë forcën e themelit të tyre shpirtëror. Një mënyrë për ta bërë këtë është të paraqitni vlerësimin vijues të vetes që lidhet me rezultate të ndryshme të zotërimit doktrinor për të cilat nxënësit do të mësojnë në këtë mësim. Nxënësit mund të vlerësojnë veten në heshtje ose t’i shkruajnë përgjigjet në ditarët e tyre të studimit.
Për secilin prej pohimeve vijuese, vlerësoje veten në një shkallë nga 1 (aspak dakord) deri në 5 (plotësisht dakord).
-
Unë mbështetem te Jezu Krishti dhe mësimet e Tij kur tundohem ose ndikohem nga kundërshtari.
-
Unë di se si të marr përgjigje për pyetjet e mia doktrinore, vetjake, shoqërore ose historike.
-
Unë mund t’ua shpjegoj doktrinën e Jezu Krishtit të tjerëve.
-
Unë mund të gjej fragmente të rëndësishme të shkrimit të shenjtë që përmbajnë doktrinën e Krishtit.
-
Unë mbështetem te shembulli dhe mësimet e Jezu Krishtit për të më ndihmuar të bëj zgjedhjet e përditshme.
Zotërimi doktrinor
Shpjegoni se një nga mënyrat se si nxënësit mund ta ndërtojnë themelin e tyre mbi Jezu Krishtin nëpërmjet përvojës në seminar është nëpërmjet zotërimit doktrinor. Nëse keni nxënës që kanë marrë pjesë më parë në seminar, merreni parasysh t’u kërkoni ta shpjegojnë atë që dinë rreth zotërimit doktrinor. Mund edhe t’ua paraqitni zotërimin doktrinor nxënësve duke shfaqur materialin filmik “What Is Doctrinal Mastery?” [“Çfarë Është Zotërimi Doktrinor?”] (3:56), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Lexoje pjesën “Hyrje në Zotërimin Doktrinor” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Mendo se si pjesëmarrja në zotërimin doktrinor mund të të ndihmojë të ndërtosh një themel të fortë mbi Jezu Krishtin.
Mund t’u kërkoni nxënësve të lexojnë së bashku në grupe të vogla. Një nxënës mund të jetë përgjegjës për t’i caktuar nxënësit në grupe për të lexuar paragrafë të ndryshëm, një tjetri mund t’i caktohet të renditë gjetje të rëndësishme dhe një tjetër mund t’i raportojë klasës për gjetjet e grupit.
-
Cilat janë dy rezultatet kryesore të zotërimit doktrinor?
Sigurohuni që nxënësit të kuptojnë se këto rezultate janë 1) të nxënit dhe zbatimi i parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe 2) zotërimi i fragmenteve të shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor dhe i doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit që mësohet prej tyre.
Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se, gjatë të gjithë vitit, nxënësit do të marrin pjesë në mësime të cilat përqendrohen në këto rezultate. Ata do të kenë mundësi ta shpjegojnë doktrinën me vetë fjalët e tyre, të mësojnë përmendsh fraza kyç të shkrimit të shenjtë për fragmentet e zotërimit doktrinor dhe t’i përdorin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për ta zbatuar doktrinën në situata nga jeta reale.
-
Si mendon se zotërimi doktrinor mund të të ndihmojë ta ndërtosh themelin mbi Jezu Krishtin?
-
Si mund të të mbrojë pjesëmarrja në zotërimin doktrinor nga sfidat e ardhshme dhe sulmet e kundërshtarit?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se një përpjekje për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zotërimin doktrinor mund t’i ndihmojë të drejtohen te Jezu Krishti me më shumë vetëbesim. Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve që kanë marrë pjesë më parë në zotërimin doktrinor të tregojnë se si ua ka bekuar jetën. Dëshmoni se, ndërsa mbështeten te Jezu Krishti, ata do të jenë në gjendje t’u bëjnë ballë sfidave me të cilat përballen sot dhe të përgatiten për ato që do të vijnë në të ardhmen.