“Mësimi 165 – Kërkimi i Zbulesës Vetjake për Pyetjet e Mia”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Kërkimi i Zbulesës Vetjake për Pyetjet e Mia”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 165: Zotërimi Doktrinor: Gjetja e Përgjigjeve për Pyetjet e Mia
Kërkimi i Zbulesës Vetjake për Pyetjet e Mia
Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 1
Ati Qiellor i do fëmijët e Tij dhe dëshiron që ne të bëhemi si Ai. Ndërsa kërkojmë të mësojmë rreth Tij, Ati Qiellor ka premtuar t’ia zbulojë të vërtetën mendjes dhe zemrës sonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 8:2; Moroni 10:5). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si mund të marrin udhërrëfim dhe zbulesë nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Të mbijetuarit shpirtërisht
Merreni parasysh ta filloni mësimin duke vizatuar një figurë njeriu në tabelë që përfaqëson një adoleshent ose adoleshente. Nxënësit mund ta kopjojnë gjithashtu këtë figurë njeriu në ditarët e tyre të studimit. Nxënësve mund t’u pëlqejë të sajojnë një emër për figurën e njeriut, si dhe disa karakteristika bazë të tilla si mosha, pasionet dhe ushqimet e parapëlqyera.
Ndërsa nxënësit përgjigjen për pyetjen e parë nga pyetjet vijuese, shkruajini përgjigjet e tyre rreth figurës së njeriut në tabelë.
-
Çfarë mund t’ua bëjë të vështirë adoleshentëve që të mbijetojnë shpirtërisht në botën e sotme?
-
Çfarë mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë këto sfida ose ndikime?
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi një mënyrë se si mund të mbijetojmë shpirtërisht gjatë sfidave dhe ndikimeve me të cilat përballemi:
“[Prania e vazhdueshme] e media[ve] shoqërore … dhe cikli 24‑orësh i lajmeve na bombardojnë me mesazhe të pamëshirshme. Nëse duam të kemi ndonjë shpresë për ta shoshitur morinë e zërave dhe filozofive të njerëzve që e sulmojnë të vërtetën, ne duhet të mësojmë të marrim zbulesë. …
… Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë.” (Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96)
-
Cilat fjalë ose fraza nga ky pohim qenë veçanërisht kuptimplota për ty? Përse?
-
Si mendon, përse marrja e zbulesës nga Fryma e Shenjtë është thelbësore për ne që të mbijetojmë shpirtërisht në botën tonë?
Ftojini nxënësit të përsiaten për nevojën e tyre për zbulesë. Mund t’i ftoni ata të shënojnë në ditarët e tyre të studimit pyetjet që kanë ose arsyet pse kanë nevojë për zbulesë pikërisht në këtë çast në jetën e tyre. Ose mund edhe t’i vini nxënësit të tregojnë disa nga pyetjet ose sfidat e tyre me të cilat janë përballur ndërsa kanë kërkuar zbulesë në të shkuarën.
Inkurajojini ata ndërsa studiojnë sot që të kërkojnë sfida dhe ftesa që mund t’i ndihmojnë të përgatiten për të marrë zbulesë nga Perëndia për jetën e tyre.
Marrja e udhërrëfimit dhe zbulesës nga Perëndia
Lexo te Mosia 4:9 dhe Doktrina e Besëlidhje 38:1–3, duke kërkuar karakteristika rreth Perëndisë që mund të na ndihmojnë ta dëshirojmë udhërrëfimin e Tij.
-
Çfarë të mësojnë këto shkrime të shenjta për Perëndinë?
Jepuni shumë nxënësve një mundësi për t’iu përgjigjur pyetjes së mëparshme. Mes përgjigjeve të shumta që mund të japin nxënësit, ata mund të përmendin një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Perëndia e ka të gjithë urtësinë dhe i di të gjitha gjërat.
-
Si mund të ndikojë fakti që i di këto karakteristika të Perëndisë, te dëshira jote që Ai të të udhërrëfejë dhe të të japë mësim?
Shkruajeni titullin vijues në tabelë: Si mund të marr përgjigje nga Perëndia?
Studioji paragrafët 1–3 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Nënvizoji fjalët ose frazat që përshkruajnë atë që mund të bësh për të marrë përgjigje nga Perëndia për pyetjet tona shpirtërore.
Përveç studimit nga Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, mund t’i ftoni nxënësit edhe që t’i hetojnë shkrimet e shenjta për mësime që përshkruajnë atë që mund të bëjmë për të marrë përgjigje nga Perëndia. Shembuj shkrimesh të shenjta që mund t’i ftoni nxënësit t’i studiojnë, përfshijnë ato te 2 Nefi 32:3–5; Moroni 10:4–5; Doktrina e Besëlidhje 9:7–9; 42:61.
-
Çfarë mësove rreth asaj që mund të bëjmë për ta rritur aftësinë tonë për të marrë përgjigje për pyetjet tona nga Perëndia?
Mund t’i ftoni nxënësit që ta renditin në tabelë atë që gjetën.
Në vend që të bëni pyetjen vijuese, mund t’u kërkoni nxënësve të ndryshëm të zgjedhin një nga fjalët ose frazat në tabelë që u duket veçanërisht domethënëse. Ata mund të shpjegojnë më pas pse ndiejnë se ajo fjalë ose frazë është një mënyrë e rëndësishme që ne të përgatitemi për të marrë përgjigje për pyetjet tona.
-
Si mendon, pse këto veprime janë mënyra të rëndësishme për të na përgatitur të marrim zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Çfarë përvojash ke pasur me marrjen e zbulesës vetjake? Çfarë veprimesh të ndihmuan të përgatitesh për ta marrë atë?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se nuk duhet të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale ose e shenjtë. Gjithashtu mund të merrni parasysh të tregoni një përvojë nga vetë jeta juaj.
Zbatimi i saj në jetën tënde
Ftojini nxënësit të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar sot, që mund t’i ndihmojë ata për pyetjet që kanë. Më pas tregoni sa vijon për t’i ndihmuar nxënësit t’i vënë në zbatim mësimet që kanë mësuar sot.
Sille ndër mend këshillën nga Presidenti Nelson që studiove në fillim të mësimit: “Ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, f. 96).
Merre parasysh atë që ke mësuar dhe ndier sot, që mund të të ndihmojë ta ndjekësh këtë këshillë. Shkruaj në ditarin tënd të studimit atë që do të bësh për ta rritur aftësinë tënde për të marrë zbulesë vetjake nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Kur nxënësit të kenë mbaruar së shkruari në ditarët e tyre të studimit, merreni parasysh t’u kërkoni disa vullnetarëve që t’ia tregojnë planet e tyre klasës.
Po të ketë kohë të mjaftueshme, nëse dëshironi, mund t’u bëni të ditur nxënësve se në mësimet e ardhshme ata do të mësojnë rreth tre parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore që do t’i ndihmojnë edhe për të marrë përgjigje për pyetjet e tyre. Mund të keni tashmë disa nxënës që i dinë të tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Merreni parasysh t’i pyesni ata a i dinë ose t’i vini nxënësit t’i gjejnë ato te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Sigurojini ata se do të kenë mundësi në seminar që ta rritin aftësinë e tyre për të marrë zbulesë.