Seminari
Mësimi 161 – Ushtrimi 10 i Zotërimit Doktrinor: Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore


“Mësimi 161 – Ushtrimi 10 i Zotërimit Doktrinor: Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Ushtrimi 10 i Zotërimit Doktrinor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 161: “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”

Ushtrimi 10 i Zotërimit Doktrinor

Zbatoji Parimet e Marrjes së Njohurisë Shpirtërore

nxënës duke marrë pjesë në orën mësimore

Zotërimi doktrinor mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndërtojnë themelin për jetën e tyre mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Ky mësim do t’u japë nxënësve mundësinë të tregojnë fragmente të zotërimit doktrinor që janë kuptimplota në jetën e tyre dhe i ndihmojnë të mësojnë dhe zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përsëritja e zotërimit doktrinor: Trego

Për t’i ndihmuar nxënësit ta shqyrtojnë shkurtimisht atë që kanë mësuar këtë vit dhe për t’i përgatitur të tregojnë fragmente të zotërimit doktrinor që kanë ndikuar në jetën e tyre, merreni parasysh të shkruani frazën e paplotë Një nga … e/të parapëlqyer/a për mua … në tabelë.

Mund ta përfundoni frazën në disa mënyra të ndryshme, si për shembull: njerëzit në historinë e Kishës, historitë që i kemi mësuar këtë vit, ose gjërat që i mësova nga një shok i klasës. Për çdo mënyrë se si e përfundoni frazën, lejojini nxënësit t’ia tregojnë shkurtimisht një partneri përgjigjet e tyre dhe arsyen përse i zgjodhën ato.

Në fund, plotësojeni frazën me fragmente të zotërimit doktrinor. Jepuni nxënësve kohë të shqyrtojnë listën e fragmenteve të zotërimit doktrinor te materiali Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023). Ftojini t’ia tregojnë një partneri fragmentin që përzgjodhën dhe çfarë kuptimi ka për ta. Sigurohuni që të lini kohë të mjaftueshme për veprimtarinë vijuese të ushtrimit të vënies në zbatim.

Mësoji dhe zbatoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore

Para se të paraqitni rrëfimin vijues, mund të jetë e dobishme t’i lejoni nxënësit t’i shqyrtojnë shkurtimisht parimet në paragrafët 5–12 te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” e materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. (Veprimtaritë e sugjeruara për përsëritjen përfshihen te “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor” në shtojcën e këtij manuali.)

Shënim: Tema e sugjeruar në këtë mësim mund të jetë shumë e ndjeshme dhe vetjake për shumë nxënës. Ndërsa klasa diskuton rrëfimin vijues, kujtojuni atyre dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij dhe dëshirën e Tij për ne që t’i trajtojmë të gjithë njerëzit me respekt dhe dashuri.

Shihni pjesën “Skenar ndryshe” te “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” nëse e ndieni se do të ishte më mirë që nxënësit të ushtrojnë vënien në zbatim të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore në një situatë të ndryshme.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi një të ri që u përball me një sfidë shumë të vështirë. Ndërsa lexon rreth situatës së këtij të riu, përsiat përse zbatimi i parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore do të ishte i rëndësishëm për të.

Plaku Xhefri R. Holland

“Flas për një të ri që hyri në fushën e misionit me denjësi por, duke e zgjedhur vetë, u kthye në shtëpi shpejt për shkak të tërheqjes fizike ndaj së njëjtës gjini dhe të tronditjes që përjetoi për sa i përket asaj. Ishte ende i denjë, por besimi i tij ishte në një nivel krize, barra e tij emocionale u bë edhe më e rëndë dhe dhembja e tij shpirtërore ishte gjithnjë dhe më e thellë. Ai ishte herë pas here i lënduar, i pështjelluar, i inatosur dhe i dëshpëruar.” (Xhefri R. Holland, “Ja Nëna Jote”, Liahona, nëntor 2015, f. 49)

Mund t’i ndihmoni që nxënësit të përgatiten për të parë lidhjen në këtë mësim duke i lejuar ata të përpunojnë kuptueshmëritë dhe ndjenjat e tyre që lidhen me situata si kjo. Mund t’i inkurajoni nxënësit t’i shkruajnë mendimet e tyre në ditarët e tyre të studimit duke paraqitur nxitje si vijueset:

  • Çfarë pyetjesh ose shqetësimesh rreth planit të Atit Qiellor ose rreth Kishës mendon se mund të ketë ky i ri?

  • Si mund të ndikohet marrëdhënia e tij me Atin Qiellor nga këto pyetje ose shqetësime?

  • Pse është e rëndësishme për njerëzit në situata të ngjashme që t’i kuptojnë dhe zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore? Pse është e rëndësishme që edhe shokët dhe familja e tyre t’i zbatojnë ato parime?

Kini parasysh se ky mësim nuk mund t’i përgjigjet çdo pyetjeje që mund të kenë nxënësit. Perëndia nuk e ka zbuluar ende çdo përgjigje. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të bëhen dishepuj më besnikë të Jezu Krishtit nëpërmjet zbatimit të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore ndërsa përballen me pyetje dhe shqetësime në jetën e tyre.

Ftojini nxënësit t’ia tregojnë klasës atë që kanë mësuar rreth parimeve të marrjes që njohurisë shpirtërore që e ndiejnë se do të ishte më e dobishme për këtë të ri, shokët e tij ose familjen e tij. Lejoni kohë të bollshme për këtë diskutim.

Në varësi të kohës në dispozicion pas diskutimit, mund të zgjidhni nga materiali mësimor i mbetur për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë më mirë këto parime.

Çfarë bëri i riu?

Merreni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të klasës të gjejnë një partner dhe t’i siguroni çdo dysheje një kopje të pjesës tjetër të historisë së treguar nga Plaku Holland. Ftojini ata të nënvizojnë provat se si ky i ri dhe të tjerët i zbatuan parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Më pas merreni parasysh të paraqitni pyetjet më poshtë që partnerët t’i diskutojnë.

Plaku Xhefri R. Holland

“Presidenti i tij i misionit, presidenti i tij i kunjit, peshkopi i tij harxhuan orë të panumërta duke u përpjekur e duke vajtuar dhe duke e bekuar. … [Nëna e tij] ia dha birit të saj dëshminë e saj për fuqinë e Perëndisë, për Kishën e Tij, por veçanërisht për dashurinë e Tij për këtë fëmijë. Me po atë frymë ajo dëshmoi për vetë dashurinë e saj të paepur e të pavdekshme për të gjithashtu. …

Orientimi seksual i këtij [të riu] nuk ndryshoi në ndonjë mënyrë disi të mrekullueshme – askush nuk hamendësoi se do të ndryshonte. Por, pak nga pak, zemra e tij ndryshoi.

Ai filloi të merrte pjesë sërish në kishë. Zgjodhi që ta merrte sakramentin me dëshirë dhe denjësi. Ai fitoi sërish një rekomandim tempulli dhe pranoi një thirrje për të shërbyer si mësues seminari herët në mëngjes, ku ai ishte jashtëzakonisht i suksesshëm. Dhe tani, pas pesë vjetësh, ai, me vetë kërkesën e tij dhe me ndihmën e shumtë të Kishës, ka hyrë përsëri në fushën e misionit për ta përfunduar shërbimin e tij për Zotin. Unë kam vajtuar për shkak të kurajës, integritetit moral dhe vendosmërisë së këtij të riu.” (Xhefri R. Holland, “Ja Nëna Jote”, Liahona, nëntor 2015, f. 49)

  • Si e tregojnë zgjedhjet që bëri i riu besimin e tij te Jezu Krishti? Si mendon se ndikuan zgjedhjet e tij në marrëdhënien e tij me Atin Qiellor?

  • Pse mendon se është e rëndësishme që nëna e tij zgjodhi t’i dëshmonte për dashurinë e Perëndisë për të?

  • Çfarë prove sheh që ai u drejtua te burimet e caktuara në mënyrë hyjnore? Si mendon se zgjedhja e tij e burimeve mund të ketë ndikuar në besimin e tij te Jezu Krishti?

  • Ta zëmë se ky i ri nuk është në gjendje të gjejë përgjigje për disa prej pyetjeve ose shqetësimeve të tij. Çfarë di ti rreth Atit Qiellor dhe planit të Tij që mund të jetë e dobishme për të që ta mbajë mend?

Plotësoje hapësirën bosh

Për këtë veprimtari, merreni parasysh të shkruani në tabelë tre thëniet e paplotësuara më poshtë.

Zgjidh një prej thënieve vijuese nga Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor dhe përpiqu ta plotësosh atë përmendsh. Më pas kontrolloje përgjigjen tënde duke përdorur paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”.

  1. “Gjatë kohëve kur mund të mos gjejmë menjëherë përgjigje për pyetjet tona …”

  2. “Ne kërkojmë ndihmën e Frymës së Shenjtë në mënyrë që të …”

  3. “Të mësosh të dallosh dhe të shmangësh burimet jo të besueshme mund të …”

Mendo rreth arsyes pse parimet në thënien që zgjodhe janë të rëndësishme që i riu dhe shokët e familja e tij t’i kuptojnë.

Ftojini nxënësit të lëvizin nëpër dhomë dhe t’ia tregojnë pikëpamjet njëri-tjetrit. Mund t’i inkurajoni ata të vazhdojnë të gjejnë partnerë të rinj derisa t’ia kenë treguar mendimet e tyre të paktën një personi që zgjodhi mundësinë 1, njërit që zgjodhi mundësinë 2 dhe njërit që zgjodhi mundësinë 3.

Burimet e caktuara në mënyrë hyjnore

Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet e mëposhtme. Më pas jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për të kërkuar shkrime të shenjta dhe thënie përpara se t’i ftoni të përgjigjen me zë të lartë.

Nëse është e nevojshme, mund t’u siguroni nxënësve burimet e sugjeruara në pjesën “Burime Shtesë”.

  • Cilat fragmente të zotërimit doktrinor nga Doktrina e Besëlidhje (ose libra të tjerë të shkrimit të shenjtë) mendon se mund ta ndihmojnë këtë të ri?

  • Cilat deklarata nga udhëheqësit e Kishës do të ishin të dobishme për të ose njerëzit e tij të dashur për t’i studiuar?