Seminari
Mësimi 159 – Proklamata mbi Familjen, Pjesa 2: “Fëmijët Janë një Trashëgimi që Vjen nga Zoti”


“Mësimi 159 – Proklamata mbi Familjen, Pjesa 2: ‘Fëmijët Janë një Trashëgimi që Vjen nga Zoti’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Proklamata mbi Familjen, Pjesa 2”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 159: “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”

Proklamata mbi Familjen, Pjesa 2

“Fëmijët Janë një Trashëgimi që Vjen nga Zoti”

fëmijë duke buzëqeshur

Profetët e Zotit shpallën rëndësinë e fëmijëve në planin e Atit Qiellor. Gratë dhe burrat mund të marrin pjesë në planin e Perëndisë duke sjellë fëmijë në jetë dhe duke i rritur ata me dashuri dhe drejtësi. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë rëndësinë e pasjes së fëmijëve dhe përkujdesjes për ta në planin e Atit Qiellor.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Drejtim hyjnor nga proklamata mbi familjen

Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke dhënë skenarin vijues ose diçka të ngjashme që i plotëson më së miri nevojat e nxënësve tuaj. Mund t’i organizoni ata në dyshe për të diskutuar pyetjen pas skenarit.

Klara dhe dy shoqet e saj po diskutojnë të ardhmen e tyre dhe atë që duan nga jeta. Meqë tema është për familjen, Klara thotë se është e emocionuar që do të martohet dhe do të bëhet me fëmijë kur të jetë më e madhe. Një nga shoqet e saj thotë: “Unë dua të martohem, por as bëhet fjalë që të përpiqem të rrit fëmijë në këtë botë të çmendur.” Shoqja tjetër thotë: “Nuk do ta kisha problem të bëhesha me fëmijë një ditë, por nuk mendoj se dua të martohem.” Pasi i dëgjon mendimet e shoqeve të saj, Klara pyet veten përse ndjenjat e saj rreth bërjes së fëmijëve duken kaq të ndryshme.

  • Pse mund të ndihen shoqet e Klarës në këtë mënyrë?

    Kërkojuni disa dysheve të nxënësve të tregojnë disa nga përgjigjet e tyre. Gjithashtu, mund t’i ftoni të tregojnë shqetësimet ose pyetjet shtesë që kanë rreth fëmijëve dhe prindërimit. Siguroni kopje të materialit “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” që t’i përdorin nxënësit. Ftojeni secilën dyshe të studiojë paragrafët 4–6, duke kërkuar fjalët ose frazat që shpallin doktrinën e Zotit lidhur me fëmijët dhe prindërimin. Inkurajojini nxënësit të shenjojnë fjalët ose frazat kuptimplota ndërsa studiojnë. Nëse është e nevojshme, vini në dukje se fraza “shumëzohuni, mbushni tokën”, i referohet bërjes së fëmijëve dhe fraza “fuqitë e shenjta të krijimit të jetës” u referohet marrëdhënieve seksuale. Merreni parasysh të bëni pyetje si vijueset.

  • Çfarë të vërtetash rreth fëmijëve dhe prindërve zbulove?

  • Pse mendon se Zoti dëshiron që burrat dhe gratë të kenë fëmijë nëse e kanë mundësinë?

  • Cilat janë disa arsye përse një çift i martuar mund të mos dojë të ketë fëmijë?

Para se të vazhdoni më tutje, mund t’i ftoni nxënësit të shënojnë disa nga mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth doktrinës së Zotit lidhur me fëmijët dhe prindërimin. Inkurajojini nxënësit të kërkojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë për t’i ndihmuar të kuptojnë rëndësinë e bërjes së fëmijëve dhe përkujdesjes për ta si pjesë e planit të Atit Qiellor.

Kërkimi i burimeve të tjera për kuptueshmëri

Merreni parasysh t’i paraqitni tri thëniet vijuese për të vërtetën nga proklamata mbi familjen. Shpjegoni se nxënësit do t’i përdorin këto thënie për të ushtruar kërkimin e burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore për kuptueshmëri shtesë. Mund t’i organizoni nxënësit në grupe me nga tre veta, ku secili nxënës të studiojë një të vërtetë të ndryshme. Mbase nxënësit mund t’i zgjedhin thëniet e tyre në një mënyrë krijuese; për shembull, nxënësi më i ri ose më i gjatë në secilin grup mund të zgjedhë i pari se kë të studiojë.

  • “Urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe ta mbushin tokën, mbetet i vlefshëm.”

  • “Fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte.”

  • “Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi.”

    Inkurajojini nxënësit të përdorin burime si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta për të gjetur informacion shtesë rreth thënieve të tyre për të vërtetën. Nëse kanë nevojë për udhërrëfim, sugjeroni terma kërkimi si “shumëzohuni, mbushni tokën”, “fuqitë e krijimit të jetës”, ose “prindër të drejtë”. Ftojini të kërkojnë thënie nga udhëheqësit e Kishës, fragmente të shkrimeve të shenjta ose artikuj të revistave të Kishës që e thellojnë kuptueshmërinë e tyre.

    Kur nxënësit të kenë mbaruar së përgatituri, inkurajojini t’ia tregojnë atë që mësuan grupit të tyre. Merreni parasysh të bëni disa nga pyetjet në vijim.

  • Çfarë mësove rreth këtyre pohimeve të së vërtetës që e ndien se është e rëndësishme?

  • Pse duhet besim te Jezu Krishti për t’i jetuar këto të vërteta në botën e sotme?

  • Çfarë shembujsh ke parë të mënyrës se si të jetuarit e këtyre të vërtetave mund të çojë në më shumë dashuri, ndërkohë që shpërfillja e këtyre të vërtetave mund të çojë në dhembje ose keqardhje?

  • Çfarë mund të bësh tani për t’u përgatitur t’i jetosh këto të vërteta me besnikëri në të ardhmen?

Doktrina e përjetshme rreth fëmijëve

Merreni parasysh të dëshmoni për rëndësinë e fëmijëve në planin e përjetshëm të Perëndisë dhe të shpërndani thënien vijuese.

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, shpjegoi rëndësinë e fëmijëve në planin e Perëndisë.

14:47
Presidenti Dallin H. Ouks

“Doktrina e përjetshme … jep një këndvështrim të dallueshëm lidhur me fëmijët. Nëpërmjet këtij këndvështrimi ne e shohim lindjen dhe rritjen e fëmijëve si pjesë të planit hyjnor. Është një detyrë e gëzueshme dhe e shenjtë për ata të cilëve u është dhënë fuqia për të marrë pjesë në të. Si rrjedhim, ne urdhërohemi të japim mësim dhe të mbrojmë parime e praktika që sigurojnë kushtet më të mira për zhvillimin dhe lumturinë e fëmijëve sipas planit të Perëndisë.” (Dallin H. Ouks, “Dashuria Hyjnore në Planin e Atit”, Liahona, maj 2022, f. 102)

  • Si i ke parë fëmijët ta bekojnë familjen tënde ose persona të tjerë që ti i njeh?

  • Si mund të të ndihmojë sjellja e fëmijëve në jetë dhe rritja e tyre me dashuri që të bëhesh më shumë si prindërit tanë qiellorë?

Merreni parasysh të shfaqni nxitjet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit të vlerësojnë në heshtje kuptueshmërinë e tyre rreth asaj që mësuan sot.

Vlerëso kuptueshmërinë tënde për thëniet vijuese duke u përgjigjur në ditarin tënd të studimit me frazat shumë dakord, dakord, disi dakord, ose jo i sigurt. Shkruaj shkurtimisht përse e përzgjodhe secilën përgjigje.

  • E kuptoj përse urdhërimi i Perëndisë për t’u shumuar dhe mbushur tokën mbetet në fuqi sot.

  • E kuptoj përse fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm ndërmjet një gruaje dhe burri që janë ligjërisht të martuar.

  • E kuptoj përse prindërit duhet t’i rritin fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi.

Nëse nxënësit kanë pyetje ose shqetësime shtesë rreth doktrinës së Zotit lidhur me fëmijët ose rreth ligjit të dëlirësisë, inkurajojini t’i ndjekin me prindërit ose udhëheqësit e Kishës.

Për ta përmbyllur, ftoni disa nxënës ta përmbledhin atë që mësuan rreth rëndësisë së bërjes së fëmijëve dhe përkujdesjes për ta si pjesë e planit të Atit Qiellor.