“Mësimi 157 – Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10: Reflektim mbi Studimin Tuaj të Librit Doktrina e Besëlidhje”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 157: Nenet e Besimit dhe Deklaratat Zyrtare 1 dhe 2
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10
Reflektim mbi Studimin Tuaj të Librit Doktrina e Besëlidhje
Reflektimi për të mësuarit tonë shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të na ndihmojnë të vijmë më pranë Shpëtimtarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kujtojnë dhe vlerësojnë se si studimi i librit Doktrina e Besëlidhje i ka ndihmuar të rriten shpirtërisht.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kujtime shpirtërore
Merreni parasysh të sillni një fotografi personale në klasë. Paraqiteni fotografinë dhe përshkruajini shkurtimisht kujtimet tuaja që lidhen me njerëzit ose ngjarjet në fotografi. Nëse nxënësve iu kërkua ta bënin veprimtarinë e përgatitjes së nxënësve, ftojini t’i tregojnë shpejt fotografitë dhe kujtimet e tyre në grupe të vogla ose klasës. Ata gjithashtu mund të tregojnë fotografitë që kanë në telefonat e tyre.
-
Pse mendon se njerëzve u pëlqen të shohin fotografitë e njerëzve ose ngjarjeve nga e kaluara e tyre?
-
Cilët janë disa shembuj të kujtimeve që mund të kemi, që nuk mund të kapen në një fotografi?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për kujtimet tona shpirtërore.
“Përqafojini kujtimet tuaja të shenjta. Besojini ato. Hidhini në letër. Tregojuani familjes suaj. Mirëbesoni se ato ju vijnë nga Ati juaj Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur. Le t’ju sjellin ato durim ndaj dyshimeve tuaja dhe kuptueshmëri ndaj vështirësive tuaja! Ju premtoj se ndërsa i pranoni me gatishmëri dhe i ruani me kujdes si thesar ndodhitë që ju përcaktojnë shpirtërisht në jetën tuaj, shumë e më shumë të tilla do t’ju vijnë. Ati Qiellor ju njeh dhe ju do!” (Nil L. Andersen, “Kujtime që të Përcaktojnë Shpirtërisht”, Liahona, maj 2020, f. 22)
-
Pse mendon se është e rëndësishme të reflektojmë mbi kujtimet tona shpirtërore?
Shpjegoni se ky mësim do t’u japë nxënësve një mundësi për të reflektuar mbi disa kujtime ose përvoja shpirtërore që i kanë pasur ndërkohë që studionin librin Doktrina e Besëlidhje dhe historinë e Kishës përgjatë vitit të kaluar.
Para se t’u jepni nxënësve kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese, merreni parasysh t’i referoheni thënies te parathënia e librit Doktrina e Besëlidhje që thotë: “Në zbulesat, lexuesi dëgjon zërin e butë, por të prerë, të Zotit Jezu Krisht”. Nxënësit mund të ftohen t’i shqyrtojnë pikëpamjet që kanë shënuar në ditarët e tyre të studimit gjatë gjithë vitit ose shenjimet apo shënimet që kanë bërë në shkrimet e tyre të shenjta për t’i ndihmuar t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.
-
Çfarë ke mësuar rreth Jezu Krishtit ndërsa i studiove fjalët e Tij këtë vit te libri Doktrina e Besëlidhje?
-
Si ka ndryshuar marrëdhënia jote me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin gjatë vitit të kaluar?
-
Cilat janë disa fragmente të shkrimit të shenjtë që i ke studiuar, që kanë ndikuar tek ti? Si u ndikove nga këto fragmente?
-
Cilat janë disa të vërteta të ungjillit që je përpjekur t’i zbatosh? Çfarë ke parë ose shpreson të shohësh për shkak të përpjekjeve të tua?
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit t’ia tregojnë disa nga kujtimet e tyre shpirtërore klasës, si të jenë të përshtatshme për t’u treguar. Ndërsa nxënësit shprehen, inkurajojini të tjerët të kontribuojnë në diskutim duke bërë pyetje si: “Kush ka përjetuar diçka të ngjashme?”, ose “Çfarë mund t’i shtoni asaj që tregoi shoku juaj i klasës?”
Marrja e zbulesës
Kujtojuni nxënësve se ata janë ftuar gjatë gjithë vitit të ushtrojnë dhe mësojnë se si të marrin zbulesë vetjake.
“Ju nxit të shtriheni përtej aftësisë suaj të tanishme shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake. …
Ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë. … Zgjidhni të bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta pasur dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për ta dëgjuar zërin e Shpirtit më shpesh e më qartë.” (Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95–96)
Për të ndihmuar të ilustrohet ftesa e Presidentit Nelson për ne për t’u shtrirë përtej aftësisë sonë për të marrë zbulesë, merreni parasysh të tregoni tullumbace të ndryshme të fryra në madhësi të ndryshme. Ftojini nxënësit të konsiderojnë se cila tullumbace e përfaqëson më mirë zbulesën e tyre vetjake në fillim të vitit dhe cila përfaqëson aftësinë e tyre tani. Si pjesë e reflektimit të tyre, nxënësit mund të përsiatin pyetjet vijuese. Ftojini disa nxënës që të flasin.
-
Çfarë të ka ndihmuar ta “shtrish” dhe “rritësh aftësinë tënde shpirtërore për të marrë zbulesë” këtë vit?
-
Cilat janë disa fragmente të shkrimit të shenjtë nga Doktrina e Besëlidhje që e kanë rritur kuptueshmërinë tënde rreth marrjes së zbulesës?
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, mund të jepni disa shembuj si Joseph Smith – Historia 1:5–20 dhe Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 9:7–9; 11:12–13; 88:118.
-
Çfarë përvojash ke pasur kohët e fundit me zbulesën vetjake?
Shpjegimi i Rivendosjes
Ekspozoni figura të shumta nëpër klasë që përshkruajnë ngjarje të rëndësishme të Rivendosjes, si ato në vijim. Përndryshe, mund t’i kërkoni klasës të renditë ngjarje të rëndësishme të Rivendosjes në tabelë. Si klasë, zgjidhni katër ose pesë për të diskutuar. Shkruajini këto në copa letre të ndryshme dhe vendosini letrat përreth dhomës.
Vegimi i Parë
Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke
Ardhja në Dritë e Librit të Mormonit
Themelimi i Tempujve
Vendosini nxënësit në grupe dhe ftojeni secilin grup të mblidhet te një figurë ose letër e ndryshme. Caktoni një udhëheqës grupi për të ndërmjetësuar një diskutim rreth asaj ngjarjeje të Rivendosjes. Inkurajojeni udhëheqësin të ftojë cilindo në grup të tregojë diçka. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini grupet të lëvizin te një figurë e re dhe të përzgjedhin një udhëheqës të ri grupi. Nxitjet vijuese mund ta ndihmojnë udhëheqësin e grupit të drejtojë diskutimin në çdo stacion.
-
Trego atë që mban mend rreth kësaj ngjarjeje.
-
Shpjego përse do të ishte e dobishme që njerëzit anembanë botës të dinë rreth kësaj pjese të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit.
-
Diskuto se si kjo pjesë e Rivendosjes ka ndihmuar që të rritet besimi yt tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Profeti Jozef Smith
Veprimtaria vijuese mund të përdoret krahas veprimtarisë së reflektimit që nxënësit bënë në fillim të mësimit.
Paraqitni një figurë të Profetit Jozef Smith. Pyetini nxënësit a e mbajnë mend se cili fragment i zotërimit doktrinor e përshkruan veprën e madhe që përmbushi Jozefi në jetën e tij. Më pas lexoni ose thoni përmendsh vargun te Doktrina e Besëlidhje 135:3 së bashku. Kujtojuni nxënësve që kjo dëshmi e Jozef Smithit u shkrua menjëherë pas martirizimit. Ndihmojini të përgatiten për t’i treguar njëri-tjetrit dëshmitë e tyre për Jozef Smithin si profeti i Zotit.
Mendo se si kanë ndryshuar ndjenjat dhe dëshmia jote për Jozef Smithin gjatë vitit. Nëse do, mund t’i shkruash mendimet e tua ndërsa reflekton për sa vijon:
-
Si ke arritur të mësosh vetë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit në Korijen e Shenjtë?
-
Si mund të të ndihmojë puna që Zoti e frymëzoi Jozef Smithin të bënte të vish më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Nëse nuk je i sigurt për thirrjen e Jozef Smithit si një profet i Perëndisë, çfarë mund të bësh për të mësuar vetë?
Merreni parasysh ta përmbyllni duke i ftuar disa nxënës të tregojnë dëshminë e tyre për Jozef Smithin.