“Mësimi 156 – Deklarata Zyrtare 2: Zbulesë mbi Priftërinë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Deklarata Zyrtare 2”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 156: Nenet e Besimit dhe Deklaratat Zyrtare 1 dhe 2
Deklarata Zyrtare 2
Zbulesë mbi Priftërinë
Ndërsa ungjilli u përhap anembanë botës gjatë shekullit të njëzetë, udhëheqësit e Kishës u lutën për udhërrëfim lidhur me një rregull që i kufizonte anëtarët e Kishës me prejardhje afrikane të merrnin priftërinë. Shumë shenjtorë zgjodhën të ushtronin besimin te Jezu Krishti ndërsa u përballën me pyetje rreth këtij rregulli. Më 8 qershor 1978, Presidenca e Parë njoftoi një zbulesë që i hoqi këto kufizime. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të veprojnë me besim kur përballen me situata të pasigurta ose pyetje shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shembuj besimi
Merreni parasysh ta filloni mësimin duke i ftuar nxënësit të mendojnë rreth njerëzve që njohin, të cilët ushtruan besim të madh te Jezu Krishti në një situatë të vështirë. Më pas shpjegoni se Plaku Elvesio Martins (1930–2005), i Të Shtatëdhjetëve, dhe bashkëshortja e Tij, Ruda, u përballën një herë me një situatë që kërkoi besim të madh. Ju ose një nxënës mund t’ia lexoni paragrafin vijues klasës.
Në prill të vitit 1972, misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme vizituan apartamentin e Elvesio dhe Ruda Martins në Rio de Zhaneiro, Brazil. Familja Martins fitoi shpejt një dëshmi për vërtetësinë e mesazhit të misionarëve. Gjithashtu, ata mësuan rreth një rregulli të Kishës që i kufizonte meshkujt me ngjyrë me prejardhje afrikane të shuguroheshin në priftëri. Elvesio dhe Ruda, të cilët ishin me prejardhje afrikane, patën pyetje për misionarët (shih te “Elder Helvécio Martins of the Seventy”, Ensign, maj 1990, f. 106; Mark Grover, The Autobiography of Elder Helvécio Martins [1994], f. 43).
-
Çfarë pyetjesh mund t’u kishe bërë misionarëve po të kishe qenë në këtë situatë?
-
Cilat janë disa nga mënyrat e mundshme se si mund të reagojë dikush ndaj një situate si kjo?
Ftojini nxënësit të mendojnë rreth situatave të pasigurta me të cilat po përballen ose janë përballur në jetën e tyre. Kjo mund të përfshijë pyetje shpirtërore pa përgjigje që ata i kanë aktualisht. Ata mund të shkruajnë rreth situatave ose pyetjeve në ditarët e tyre të studimit. Inkurajojini nxënësit t’u kushtojnë vëmendje mësimeve ose nxitjeve të Shpirtit që mund t’i ndihmojnë ata në rrethanat e tyre.
Të vepruarit me besim
Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin se si reagoi familja Martins ndaj kësaj situate, merreni parasysh ta ftoni një nxënës t’ia lexojë paragrafët vijues me zë të lartë klasës:
Pasi mësoi rreth kufizimit të priftërisë, familja Martins zgjodhi të vepronte me besim. Shpejt ata u pagëzuan dhe shërbyen me besnikëri në Kishë për shumë vjet. Plaku Martins më vonë kujtoi: “Ne e kishim gjetur të vërtetën dhe asgjë nuk do të na ndalonte për ta jetuar atë.”
Në vitin 1975, Kisha shpalli se një tempull do të ndërtohej në San-Paolo të Brazilit. “Ndonëse nuk prisnim të hynim në të, ne punuam për ndërtimin e tempullit njëlloj si anëtarët e tjerë”, – kujton Plaku Martins. ‘Tekefundit, ishte shtëpia e Zotit.’ Motra Martins shiti bizhuteritë e saj për të ndihmuar me mbledhjen e fondeve dhe Vëllai Martins shërbeu në komitetin e publicitetit” (te “Plaku Helvécio Martins of the Seventy”, Ensign, maj 1990, f. 106).
-
Çfarë të bën përshtypje në lidhje me reagimin e familjes Martins?
-
Pse mendon se ata zgjodhën të vepronin me besim në këtë situatë?
Nëse është e nevojshme, vini në dukje se në vend që të përqendrohej në atë që nuk dinte, familja Martins u përqendrua tek e vërteta që Perëndia ua kishte zbuluar nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë një listë të të vërtetave që dinë rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe ungjillit që mund t’i ndihmojnë të ecin përpara me besim kur përballen me pyetje ose situata të pasigurta. Më pas ftojini ta tregojnë atë që shkruan dhe të shpjegojnë mënyrën se si ato të vërteta mund t’i ndihmojnë të ecin përpara me besim.
Deklarata Zyrtare 2
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë rrethanat që lidhen me kufizimin e priftërisë dhe zbulesën që e hoqi atë, ftojini të gjejnë hyrjen te Deklarata Zyrtare 2 në shkrimet e tyre të shenjta. Nëse është e nevojshme, siguroni kopje të hyrjes për nxënësit që kanë botime më të vjetra të shkrimeve të shenjta.
Lexoje hyrjen te Deklarata Zyrtare 2, duke kërkuar informacion për kontekst historik që lidhet me këtë deklaratë.
-
Çfarë mendon se është e rëndësishme të kuptosh nga ky paragraf?
Shpjegoni se rreshti ku thuhet: “Analet e Kishës nuk japin pikëpamje të qarta lidhur me zanafillat e kësaj praktike”, – përfaqëson pozicionin zyrtar të Kishës për kufizimin e priftërisë. Është e rëndësishme që të mos spekulojmë rreth arsyes përse ishte vendosur kufizimi.
Mund të merrni parasysh të vini në dukje edhe referencën për vargun te 2 Nefi 26:33 në fjalinë e parë të hyrjes. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta lexojnë këtë varg dhe të tregojnë të vërtetat që do të ishin të rëndësishme për t’u mbajtur mend kur mendojnë për këtë rregull.
Deklarata Zyrtare 2 përmban njoftimin zyrtar të zbulesës së marrë nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve më 1 qershor 1978.
Në vend që të studioni materialin Deklarata Zyrtare 2 si klasë, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta studiojnë atë me një grup të vogël. Nëse janë në dispozicion, ata mund të përdorin burimet nga “The Long-Promised Day” (Liahona, qershor 2018, f. 34–37) për t’i ndihmuar t’i kuptojnë më mirë disa nga thëniet e bëra në Deklaratën Zyrtare 2.
Lexoji katër paragrafët e parë nën frazën “Të Dashur Vëllezër” te Deklarata Zyrtare 2. Merre parasysh të shenjosh fjalë ose fraza që ndien se janë të rëndësishme.
-
Çfarë të bëri përshtypje nga ajo që lexove?
-
Çfarë të ndihmon të kuptosh ose ndiesh kjo përvojë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Ndikimi i zbulesës
Kjo zbulesë pati një ndikim të thellë te burrat dhe gratë anembanë botës. Pak kohë pasi u mor, në Afrikë u dërguan misionarë. Që atëherë janë ndërtuar tempuj në atë kontinent dhe qindra mijëra njerëz me prejardhje afrikane anembanë botës kanë marrë ordinancat e ungjillit për veten dhe paraardhësit e tyre që kanë ndërruar jetë.
Shpjegoni se ndër ata që u ndikuan nga zbulesa ishin Elvesio dhe Ruda Martins. Merreni parasysh ta ftoni një nxënës t’ia lexojë paragrafët vijues me zë të lartë klasës:
Pasi mësoi rreth zbulesës që e shtriu priftërinë te të gjithë meshkujt e denjë, Elvesio kujtoi:
“Nuk mund ta përmbaja emocionin. Ruda dhe unë shkuam në dhomën e gjumit, ramë në gjunjë dhe u lutëm. Derdhëm lot teksa e falënderonim Atin tonë në Qiell për një ngjarje të cilën vetëm e kishim ëndërruar. Dita kishte mbërritur në të vërtetë dhe në jetën tonë në vdekshmëri” (The Autobiography of Elder Helvécio Martins [1994], f. 69–70).
Menjëherë pas zbulesës së vitit 1978, familja Martins u vulos në tempull. Elvesio u bë një udhëheqës i priftërisë vendore dhe përfundimisht u thirr për të shërbyer si një anëtar i Të Shtatëdhjetëve (shih te “Elder Helvécio Martins of the Seventy”, f. 106).
-
Si mund të kishin qenë gjërat ndryshe për familjen Martins nëse do të kishte zgjedhur të mos e ushtronte besimin te Jezu Krishti?
-
Çfarë mësove nga shembulli i familjes Martins që mund të të ndihmojë për situatat e pasigurta ose pyetjet pa përgjigje?
Si pjesë e diskutimit tuaj, merreni parasysh të shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Kur veprojmë me besim gjatë situatave të pasigurta, ne e përgatitim veten për të marrë bekimet e Zotit.
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të veprosh me besim kur përballesh me situata të pasigurta ose pyetje shpirtërore?
Nëse është e nevojshme, nxënësit mund të gjejnë ide në paragrafët 5–7 te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” e materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
-
Si të ka bekuar Zoti ty ose njerëzit që njeh për shkak të të vepruarit me besim?
Merreni parasysh të tregoni një shembull nga jeta juaj. Mund të shfaqni edhe materialin filmik “Struggling with the History of Race and the Priesthood” [“Problemet me Historinë e Racës dhe Priftërisë”] (4:04), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
Përveç kësaj, mund t’i ftoni nxënësit të kërkojnë shembuj nga shkrimet e shenjta që demonstrojnë se Zoti i bekoi njerëzit që vepruan me besim. Shembujt përfshijnë të venë nga Sarepta (1 Mbretërve 17:8–24); familjen e Lehit (1 Nefi 2:2–5; 17:1–3); dhe Profetin Jozef Smith (Joseph Smith – Historia 1:8–17).
Bëj një plan
Kujtojuni nxënësve situatën ose pyetjen nga jeta e tyre që e menduan në fillim të mësimit. Më pas ftojini ata t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit:
-
Çfarë ke mësuar ose ndier sot që mund të të ndihmojë për situatat e tua të pasigurta ose pyetjet shpirtërore?
-
Çfarë është diçka specifike që do ta bësh për të ushtruar besimin te Jezu Krishti në këto situata?