“Mësimi 154 – Nenet e Besimit: Të Mësuarit e të Vërtetave Themelore të Ungjillit të Shpëtimtarit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Nenet e Besimit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 154: Nenet e Besimit dhe Deklaratat Zyrtare 1 e 2
Nenet e Besimit
Të Mësuarit e të Vërtetave Themelore të Ungjillit të Shpëtimtarit
Më 1 mars 1842, Profeti Jozef Smith iu përgjigj një kërkese nga Xhon Uentuorthi, një redaktor gazete, për të dhënë informacion rreth historisë dhe bindjeve të Kishës. Si pjesë e përgjigjes së tij, Jozefi deklaroi 13 parimet themelore të ungjillit të njohura sot si Nenet e Besimit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për doktrinën e Shpëtimtarit duke i studiuar të vërtetat që përmbahen te Nenet e Besimit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shpjegimi i bindjeve tona
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore me skenarin vijues.
Imagjino sikur ke një shok që dëshiron të dijë më shumë rreth asaj që besojnë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Shoku yt është shumë i interesuar, por ka vetëm disa minuta kohë për të dëgjuar përpara se të hyjë në mësim.
-
Çfarë do të doje që shoku yt të kuptonte rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij?
Ju mund t’u jepni nxënësve tri minuta për t’i shkruar përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit. Përndryshe, ata mund të diskutojnë se çfarë do të thoshin si klasë ose ta interpretojnë me role skenarin me një partner.
-
Çfarë burimesh mund t’i tregoje shokut tënd për ta ndihmuar atë të mësojë më shumë rreth Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij?
Nëse është e nevojshme, vini në dukje se një burim i dobishëm janë Nenet e Besimit. Sigurohuni që nxënësit të mund t’i gjejnë Nenet e Besimit në shkrimet e tyre të shenjta. Ju mund t’u jepni atyre disa çaste për ta vlerësuar nivelin e njohurisë së tyre për Nenet e Besimit. Për shembull, mund t’i pyesni nxënësit a e kanë mësuar ndonjëherë përmendsh njërin nen ose a kanë përdorur disa nene gjatë dhënies së një mësimi, të shkruarit të një bisede ose shpërndarjes së ungjillit të Shpëtimtarit tek të tjerët.
Nenet e Besimit
Për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë rreth mënyrës se si i morëm Nenet e Besimit, merreni parasysh t’u paraqitni atyre materialin filmik “The Articles of Faith” [“Nenet e Besimit”] (4:43), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ju mund të përmblidhni edhe informacionin vijues për rrethanat:
Në vitin 1842, Jozef Smithi iu përgjigj një letre që kishte marrë nga Xhon Uentuorthi, që jetonte në Çikago të Ilinoisit. Uentuorthi ishte redaktori i një gazete të titulluar “Chicago Democrat” dhe dëshironte të dinte më shumë rreth bindjeve dhe historisë së Shenjtorëve që jetonin në Navu të Ilinoisit. Në disa pjesë të letrës, Jozefi dha hollësi rreth themelimit dhe fatit të Kishës së Shpëtimtarit. Profeti e përfundoi letrën me 13 thënie të shkurtra që përmbanin të vërteta themelore dhe doktrinën e Kishës. Më vonë këto thënie u titulluan Nenet e Besimit dhe u botuan në vitin 1851 në botimin e parë të librit Perla me Vlerë të Madhe.
Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi sa vijon rreth mënyrës se si mund të na ndihmojë të mësuarit e Neneve të Besimit.
“Unë ju nxis t’i përdorni mendjet tuaja të ndritura për të studiuar dhe mësuar Nenet e Besimit dhe doktrinat që na mësojnë. Ato janë midis deklarimeve më të rëndësishme dhe me siguri më të sakta të doktrinës në Kishë. Nëse do t’i përdorni si udhëzues për të drejtuar studimet tuaja të ungjillit të Jezu Krishtit, ju do ta gjeni veten tuaj të përgatitur për t’i shpallur botës dëshminë tuaj për të vërtetën e rivendosur. Ju do të jeni në gjendje të deklaroni në mënyra të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe të thella bindjet kryesore që i çmoni shumë si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.” (L. Tom Peri, “Doktrinat dhe Parimet që Përmbahen në Nenet e Besimit”, Liahona, nëntor 2013, f. 48)
-
Çfarë mësove nga kjo thënie rreth rëndësisë së studimit dhe njohjes së Neneve të Besimit?
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për ndonjë bekim që e keni vënë re nga studimi i Neneve të Besimit dhe ta përdorni atë për të shpallur ungjillin e Shpëtimtarit.
Të mësuarit e ungjillit të Jezu Krishtit bashkë me Nenet e Besimit
Ideja vijuese është një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit të kenë një përvojë kuptimplotë me Nenet e Besimit. Merreni parasysh ta shpërndani fletushkën vijuese të titulluar “Veprimtaritë e Studimit të Neneve të Besimit”. Jepuni nxënësve kohë për t’i plotësuar veprimtaritë në fletushkë. Inkurajojini ata t’u kushtojnë vëmendje nxitjeve ose pikëpamjeve shpirtërore që i marrin nga Fryma e Shenjtë ndërsa studiojnë. Ju mund të doni të siguroheni që disa nxënës do të përqendrohen në katër nenet e para të besimit që japin mësim të vërteta themelore të rëndësishme rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe doktrinës së Tyre.
Jini të gatshëm për t’i ndihmuar nxënësit, por ftojini ata t’i përdorin aftësitë e studimit që kanë mësuar në shtëpi, kishë dhe seminar për t’i plotësuar veprimtaritë. Nëse nxënësit e përfundojnë shpejt veprimtarinë, ftojini ata të zgjedhin një nen të ndryshëm të besimit dhe ta përsëritin procesin.
Veprimtaria e Studimit të Neneve të Besimit
Hapi 1: Zgjidh njërin nga Nenet e Besimit që do të doje ta studioje sot dhe përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Çfarë të vërtete ose të vërteta të përjetshme mëson nga ky nen i besimit?
-
Si mund të ndikojnë mësimet nga ky nen i besimit në marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Hapi 2: Zgjidh të paktën dy prej mundësive vijuese për të të ndihmuar të mësosh më shumë rreth nenit të besimit që zgjodhe:
-
Mëso Përmendsh. Mendo për një ide që të ndihmon të mësosh përmendsh nenin tënd të besimit dhe shpenzo kohë duke e mësuar atë përmendsh.
-
Gjej burime të lidhura me temën. Gjej shkrime të shenjta ose thënie të lidhura me to nga udhëheqësit e Kishës që lidhen me nenin e besimit që zgjodhe. Ti mund të përdorësh mjete si poshtëshënimet në shkrimet e tua të shenjta ose Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta për të të ndihmuar.
-
Krijo një paraqitje pamore. Përdore artin për të të ndihmuar të komunikosh ose paraqitësh mësime nga neni i besimit që zgjodhe. Shembujt mund të përfshijnë një vizatim, kolazh, grup fjalësh ose meme. (Për shkak të natyrës së shenjtë të Hyjnisë, shmange vizatimin e pjesëtarëve të Kreut-Perëndi.)
-
Krijo një skenar. Mendo për situata me të cilat përballeni ti ose adoleshentë të tjerë, ose pyetje të ungjillit për të cilat mund të ndihmojë neni yt i besimit. Shkruaji skenarin ose pyetjet dhe shpjegoje se si ose përse të vërtetat që jepen mësim në këtë nen të besimit do të ndihmonin.
-
Dëshmo. Shkruaje dëshminë tënde për të vërtetat që jepen mësim në nenin tënd të besimit. Përshkruaje se si këto mësime ta kanë bekuar jetën dhe të kanë sjellë më pranë Perëndisë.
Tregoje atë që mësove
Merrni parasysh mënyra për t’i ndihmuar nxënësit ta tregojnë dhe paraqitin atë që kanë mësuar. Ju mund t’i shkruani numrat 1–13 në 13 copa të vogla letrash dhe t’i vendosni ato në një kapelë. Nxirreni njërën në mënyrë rastësore dhe pyetni nëse ndonjë nxënës që e studioi atë nen të besimit do të ishte i gatshëm të flasë. Për një klasë më të madhe, merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në dyshe ose grupe të vogla dhe t’i ftoni ata të flasin me njëri-tjetrin.
Pasi të flasin, nxënësit e gatshëm mund t’i paraqitin letrat e tyre nëpër të gjithë dhomën që t’i shohin të tjerët.