Seminari
Mësimi 150 – Pionierë në Çdo Vend: Përgatitja e Udhës për të Tjerët


“Mësimi 150 – Pionierë në Çdo Vend: Përgatitja e Udhës për të Tjerët” Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën dhe Besëlidhjet (2025)

“Pionierë në Çdo Vend” Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 150: Doktrina e Besëlidhje 135–136

Pionierë në Çdo Vend

Përgatitja e Udhës për të Tjerët

pionierë duke shtyrë një karrocë dore

Nga viti 1847 deri në 1868, mijëra pionierë demonstruan besim të madh te Jezu Krishti ndërsa udhëtuan me karroca ose karroca dore për t’u mbledhur me shenjtorët në Luginën e Solt‑Lejkut. Sot, pionierë nga e gjithë bota vazhdojnë të demonstrojnë besim të madh ndërsa mblidhen me shenjtorët kudo që jetojnë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë për të qenë pionierë duke përgatitur udhën që të tjerët ta ndjekin Jezu Krishtin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Pionierët

Shënim: Mund të jetë e efektshme të gjeni shembuj pionierësh në kunjin, lagjen ose vendin tuaj dhe të përgatiteni për t’i treguar historitë e tyre si pjesë e mësimit. Nëse është e mundur, mund edhe t’i ftoni ata të vijnë në klasë dhe të paraqitin përvojën e tyre.

Merreni parasysh ta paraqitni veprimtarinë vijuese për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë përkufizimin e një pionieri. Nxënësit mund t’ia tregojnë hamendësimet e tyre klasës ose në grupe të vogla. Mund ta përshtatni këtë veprimtari për të përfshirë pionierët, jeta e të cilëve ndikoi te njerëzit në zonën tuaj.

Përkoji njerëzit me arritjet e tyre.

Njerëz

Arritjet

Njerëz

1. Johan Gutenbergu

Arritjet

A. Presidentja e parë e Shoqatës së Ndihmës në Tajvan

Njerëz

2. Elizabeta Xheksoni

Arritjet

B. Gruaja e parë që mori çmimin Nobel, i dhënë për kërkimet e saj mbi rrezatimin

Njerëz

3. Çen Lin Shu‑liangu

Arritjet

C. Shpiku shtypshkronjën

Njerëz

4. Edmond Hilari dhe Tenzing Norgei

Arritjet

D. Të parët që u ngjitën në majën e Malit Everest

Njerëz

5. Mari Kyri

Arritjet

E. Udhëtoi me karrocë dore drejt Luginës së Solt‑Lejkut

Kur nxënësit të kenë mbaruar së gjeturi përgjigjet, jepuni përgjigjet e sakta (1‑C, 2‑E, 3‑A, 4‑D, 5‑B).

  • Çfarë kanë të përbashkët këta njerëz?

    Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se një nga gjërat që këta njerëz patën të përbashkët, ishte fakti që ishin pionierë. Një pionier mund të përkufizohet si një njeri që shkon i pari dhe përgatit udhën që ta ndjekin të tjerët. Mund të shihni edhe “I Am a Pioneer” (1:16), në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

    1:16
  • Si kanë përgatitur arritjet e këtyre pionierëve një udhë për t’u ndjekur nga të tjerët?

Shembulli i Jezu Krishtit

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi sa vijon rreth Jezu Krishtit:

Presidenti M. Rasëll Ballard

“Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është pionieri kryesor në përgatitjen e udhës. Njëmend, Ai është ‘udha’ që të përmbushet plani i shpëtimit në mënyrë që ne të mund të pendohemi dhe, nëpërmjet besimit tek Ai, të kthehemi tek Ati ynë Qiellor.” (M. Rasëll Ballard, “Ndiqeni Jezu Krishtin me Hapa Besimi”, Liahona, nëntor 2022, f. 35)

Për t’i ndihmuar nxënësit ta analizojnë këtë thënie, merreni parasysh t’i ftoni ata të përcaktojnë shkrime të shenjta që ilustrojnë mënyrat në të cilat Jezu Krishti ishte një pionier. Nëse kanë nevojë për ndihmë, mund t’u jepni fragmentet vijuese ose të tjera që i zgjidhni vetë.

Lexo disa nga vargjet vijuese: Gjoni 13:15; 14:2–6; 2 Nefi 31:5–12 dhe Mosia 16:7. Kërko mënyrat në të cilat Jezu Krishti mund të konsiderohet një pionier.

  • Çfarë gjete?

  • Si kanë qenë një bekim në jetën tënde veprimet e Shpëtimtarit për të përgatitur një udhë për ty?

    Shpjegojuni nxënësve që ka mënyra të shumta në të cilat Shpëtimtari është një pionier, që mund të bëhen vetëm prej Tij. Sidoqoftë, ka shumë mënyra se si mund ta ndjekim “shembullin [e Tij]… [dhe] siç ka bërë [Ai] [të] bë[jmë] edhe [ne]” (Gjoni 13:15) që të jemi pionierë për të tjerët. Ftojini nxënësit të shkruajnë sa vijon si një titull në ditarin e tyre të studimit: “Ashtu si Shpëtimtari, unë mund të jem një pionier duke u treguar të tjerëve me besnikëri udhën që duhet të ndjekin”.

    Merreni parasysh t’i paraqitni pyetjet e mëposhtme dhe ftojini nxënësit të përgjigjen për to nën titullin e mësipërm në ditarët e tyre të studimit:

  • A ndien se po lë një shembull të cilin do që ta ndjekin të tjerët?

  • Çfarë të entuziazmon rreth të qenit një pionier/e? Çfarë të vë në siklet?

  • Si mendon se mund të të ndihmojë Jezu Krishti që të jesh një pionier/e për të tjerët?

Gjatë gjithë pjesës tjetër të këtij mësimi, ftoje ndikimin e Frymës së Shenjtë që të ta shtojë dëshirën për të qenë një pionier i ngjashëm me Krishtin që të tjerët ta ndjekin.

Pionierët me karroca dore

Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mbajnë mend se mësuan rreth udhëtimit drejt perëndimit dhe seksionit Doktrina e Besëlidhje 136. Merreni parasysh të rishikoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 136:6–7 për të ilustruar një mënyrë se si shenjtorëve të parë që udhëtuan drejt perëndimit, iu kërkua të ishin pionierë.

Merreni parasysh të paraqitni një figurë të një karroce dore dhe të përmblidhni informacionin vijues.

karrocë dore

Pasi shumë kompani kishin udhëtuar drejt Solt‑Lejk‑Sitit me karroca, zakonisht të tërhequra nga qetë, Brigam Jangu i inkurajoi shenjtorët të përdornin karroca dore. Pionierët i tërhiqnin vetë karrocat e dorës duke iu mundësuar udhëtim më pak të kushtueshëm dhe më të shpejtë. Vetëm 10 nga më shumë se 350 kompani migruese, udhëtuan me karroca dore. Megjithëse shumica e kompanive të karrocave të dorës e kryen udhëtimin pa probleme madhore, stuhitë dimërore në vitin 1856 shkaktuan bllokimin e kompanive të karrocave të dorës të Uillit dhe Martinit përgjatë shtegut. Shumë humbën jetën për shkak të urisë dhe temperaturave ekstreme. Përpjekjet e shpëtimit, të bëra nga anëtarët e Kishës në Jutë, siguruan furnizimet e nevojshme dhe i ndihmuan udhëtarët ta përfundonin rrugëtimin e tyre, duke shpëtuar mbi 1200 jetë (shih te Church History Topics, “Handcart Companies”, ChurchofJesusChrist.org/study/history/topics).

Merreni parasysh të tregoni një histori ose dëshmi nga një pionier me karrocë dore të tillë si ajo në vijim. Ftojini nxënësit të kërkojnë mënyra se si mund ta zbatojnë shembullin e pionierëve në jetën e tyre.

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi rrëfimin vijues të një pioniereje me karrocë dore.

16:18
Plaku Kuentin L. Kuk

“Unë jam mallëngjyer nga tregimi i Elizabeth Xheksonit, bashkëshorti i së cilës, Aaroni, vdiq pas kalimit të fundit të lumit Pllat me kompaninë Martin të karrocave të dorës. Ajo shkroi:

‘Unë nuk do të përpiqem t’i përshkruaj ndjenjat e mia kur mbeta e ve me tre fëmijë, në rrethana kaq torturuese. … Unë besoj … se vuajtjet e mia për hir të ungjillit do të [shenjtërohen] për të mirën time. …

Unë i [thirra] Zotit, … Atij që pati premtuar të ishte bashkëshort për të venë dhe baba për jetimin. Unë i thirra Atij dhe Ai më erdhi në ndihmë.’

Elizabeta tha se ajo po shkruante historinë në emër të atyre që kaluan skena tё ngjashme me shpresën se pasardhësit do të kenë vullnet të vuajnë dhe të sakrifikojnë të gjitha gjërat për Mbretërinë e Perëndisë.” (Kuentin L. Kuk, “Gratë SHDM Janë të Jashtëzakonshme”, Liahona, maj 2011, f. 18)

  • Çfarë dëshmoi Elizabeta për Zotin?

  • Çfarë shpresoi ajo se të tjerët do të mësonin nga shembulli i saj?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përcaktojnë fragmentet e zotërimit doktrinor ose shkrime të tjera të shenjta që ilustrojnë se si Elizabeta qe në gjendje të merrte forcë nga Shpëtimtari. Disa shembuj mund të jenë Mateu 11:28–30; Alma 7:11–13; ose Doktrina e Besëlidhje 6:36.

Pyetni se si mund të ndihmojnë këto shkrime të shenjta për dëshirën tonë për të qenë një pionier/e për të tjerët.

Shembujt e pionierëve

Shpjegoni se shenjtorëve nuk u kërkohet më të mblidhen në Luginën e Solt‑Lejkut. Ata ftohen të bëhen pionierë duke u mbledhur në kunjet e Sionit kudo që jetojnë, dhe duke përgatitur udhën që të tjerët të ndjekin Jezu Krishtin. Shembujt e pionierëve në të gjithë botën mund të na ndihmojnë të ndjekim Jezu Krishtin dhe të jemi pionierë kudo qofshim.

ikona e fletushkësPër veprimtarinë vijuese, jepuni nxënësve fletushkën “Pionierë nëpër Botë”, e cila përmban histori të përshtatura nga Global Histories që janë në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

Përndryshe, mund t’i ftoni nxënësit të lexojnë historitë e paraardhësve të tyre në FamilySearch.org ose të reflektojnë mbi ato që përcaktuan, nëse e përfunduan veprimtarinë e përgatitjes së nxënësve. Ata mund të lexojnë edhe rreth pionierëve në vendin e tyre që gjenden te Global Histories në pjesën Church History [Historia e Kishës] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Plotësoje veprimtarinë vijuese, duke kërkuar se si shembujt e pionierëve në të gjithë botën mund të të ndihmojnë për përpjekjet e tua për të qenë pionier/e.

  1. Lexoje historinë e një ose më shumë pionierëve.

  2. Përcakto mënyrën në të cilën ata qenë një pionier/e.

  3. Kërko mënyrat në të cilat Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i ndihmuan ata.

  4. Shkruaj në ditarin e studimit se si shembujt e ngjashëm me të Krishtit mund të të frymëzojnë të jesh një pionier/e për të tjerët.

Pionierë nëpër Botë

Samoa Amerikane

“Perëndia Tha Po”

Leva ‘aia Levao jetonte me probleme të rënda shëndetësore. Në vitin 2015, asaj i dolën lunga në sy. Lungat u shëruan pasi misionarët i dhanë një bekim priftërie. Ata filluan të lexonin Librin e Mormonit me të.

Disa njerëz në komunitetin e vogël të ishullit nuk u gëzuan kur e panë Levaon të merrte në konsideratë një fe të re. Ata i përqeshën përpjekjet e saj dhe e nënçmuan. Gjithsesi, ajo qëndroi e patundur dhe shpejt u pagëzua. Bashkëshorti i saj, Tui, dhe tre fëmijët e saj shpejt e ndoqën atë në besim dhe Levao më vonë shërbeu në degën e saj si presidente e Shoqatës së Ndihmës. Të tjerët, të ndikuar nga shembulli i përkushtimit të saj, e quanin atë zemrën e Kishës në Olosega.

Koreja e Jugut

“Nuk do të Kem më Kurrë Ftohtë Vërtet”

Çoi Dong Sulli ishte një shërbestar presbiteran i cili ndjeu se kishte përgjegjësinë t’i mbronte anëtarët e bashkësisë së tij nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Megjithatë, ai filloi të takohej me misionarët dhe të gjente qartësi për çështjet doktrinore që e kishin trazuar. Ai e dinte se bindjet e tij të reja do t’i kërkonin një ndryshim të karrierës dhe ta vinin në rrezik marrëdhënien e tij me të atin, i cili ishte kryetari i Kishës Presbiterane të Koresë në atë kohë.

Dong Sulli zgjodhi të pagëzohej në lumin Han. “Doja që pagëzimi im të ishte një përvojë sa më e ngjashme me të Jezu Krishtit që të ishte e mundur”, – shpjegoi ai. Mëngjesin e mjegullt të 5 shtatorit 1981, ujërat e lumit Han ishin të ftohta, por kur doli nga uji, Dong Sulli përshkroi një ngrohtësi të brendshme. “Tani i përkas Kishës së vërtetë të Perëndisë”, – tha ai. “Nuk do të kem më kurrë ftohtë vërtet.” Dy javë më vonë, bashkëshortja e tij dhe dy bijtë u pagëzuan gjithashtu – këtë herë në një shtëpi mbledhjesh të ngrohtë. Bashkimi me Kishën nuk ia bëri të lehtë jetën Dong Sullit dhe familjes së tij, por bëri bekime të reja të mundura. “Përndjekjet dhe vuajtjet … pas pagëzimit tim e kalojnë aftësinë time për t’i treguar”, – tha Dong Sulli. “Ne humbëm shumë gjatë procesit [të bashkimit me Kishën], megjithatë kemi fituar më shumë nga sa kemi ëndërruar ndonjëherë.”

Bregu i Fildishtë

“Dyert e Jetës dhe Lumturisë”

Lidi Xebo Bahi ishte fëmija i fundit i familjes së saj që jetonte në shtëpi kur të dy prindërit vdiqën. Kjo humbje çoi në depresion të rëndë. Nipi i saj, djali i motrës, Faet Nadexhi, e njohu atë me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Kur shkoi në kishë për herë të parë, Lidi ndjeu dashuri të madhe nga motrat e organizatave të Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave. Megjithëse kishte ndaluar së lexuari gjatë periudhës së depresionit, ajo e gjeti veten të aftë për t’u përqendruar përsëri kur studionte Librin e Mormonit. Ajo u pagëzua më 18 nëntor 1995.

Jo shumë kohë pas pagëzimit të saj, ajo pati një mundësi për ta kthyer dashurinë që i qe treguar asaj duke shërbyer në organizatat e Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave. Ajo gjithashtu shërbeu si misionare e degës, duke i ftuar të tjerët të zbulonin të njëjtin shoqërim dhe të njëjtën paqe që ajo kishte gjetur kohët e fundit. “Të gjitha këto thirrje më forcuan dhe më ndihmuan të përparoj, shpirtërisht si edhe mendërisht”, – tha Lidi.

Lidi u bë një nga misionaret e para motra që shërbyen në Misionin e Kinshasës në Republikën Demokratike të Kongos.

Kur nxënësit të kenë mbaruar së studiuari, merreni parasysh t’i vini ata në grupe të vogla që të tregojnë atë që mësuan.

Ftojini nxënësit të shkruajnë atë që mësuan ose studiuan sot, që i ndihmon t’iu shtohet dëshira për të qenë pionier/e. Ata mund të shkruajnë gjithashtu mënyrat se si mund të duan të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe të jenë një pionier/e për të tjerët dhe arsyen përse.