Seminari
Mësimi 149 – Doktrina e Besëlidhje 136: Udhëtimi drejt Perëndimit: Një Rrugëtim Besëlidhës drejt Luginës së Solt‑Lejkut


“Mësimi 149 – Doktrina e Besëlidhje 136: Udhëtimi drejt Perëndimit: Një Rrugëtim Besëlidhës drejt Luginës së Solt‑Lejkut” Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 136: Udhëtimi drejt Perëndimit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 149: Doktrina e Besëlidhje 135–136

Doktrina e Besëlidhje 136: Udhëtimi drejt Perëndimit

Një Rrugëtim Besëlidhës drejt Luginës së Solt‑Lejkut

grua dhe fëmijë duke punuar në fushë

Në shkurt të vitit 1846, grupi i parë i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme u largua nga Navuja dhe u drejtua për në tokat e panjohura të Perëndimit. Në Lagjet Dimërore në Nebraskë, Presidenti Brigam Jang mori atë që tani është Doktrina e Besëlidhje 136. Në këtë zbulesë, Shpëtimtari premtoi se do t’i bekonte shenjtorët ndërsa ata i mbanin me besnikëri besëlidhjet gjatë rrugëtimit të tyre drejt perëndimit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se Ati Qiellor do t’i bekojë ata ndërsa përpiqen ta mbajnë besëlidhjen e tyre për t’iu bindur urdhrave të Tij.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë

Për ta filluar orën mësimore, shfaqni një figurë të një karroce të mbuluar dhe një harte të shtegut të pionierëve. Ftojini nxënësit të përfytyrojnë se si do të ndiheshin po t’iu duhej të shkonin në një rrugëtim si ai që bënë shenjtorët e hershëm. Mund të lexoni ose përmblidhni paragrafin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë atë që sakrifikuan shenjtorët e hershëm, që t’i bindeshin urdhrit të Zotit për të bërë rrugëtimin e tyre drejt perëndimit.

karrocë e mbuluar
harta e udhëtimit drejt perëndimit

Më shumë se 60 000 shenjtorë të ditëve të mëvonshme udhëtuan me karrocë të mbuluar ose karrocë dore nga Navuja drejt Luginës së Solt‑Lejkut mes viteve 1846 dhe 1868. Familjet morën me vete vetëm atë që mund të futej në një karrocë të mbuluar ose karrocë dore. Gjithçka tjetër e lanë pas. Karrocat nuk do të kishin vend për pasagjerë përveç nëse ata do të ishin të sëmurë ose të lënduar. Shumicës së familjeve iu desh të ecnin në këmbë për 1900 km nga Navuja në Luginën e Solt‑Lejkut.

Si referencë, merreni parasysh të shfaqni një hartë të zonës suaj dhe të shenjoni një vendndodhje 1900 km larg.

  • Çfarë shqetësimesh mund të kishe pasur për këtë rrugëtim?

  • Si mund të të ndihmonte Shpëtimtari ta duroje këtë lloj rrugëtimi? Si mund të veproje me besim tek Ai ndërsa udhëtoje?

Mund t’i pyesni nxënësit se si rrugëtimi ynë individual përgjatë jetës mund të jetë i ngjashëm me udhëtimin e shenjtorëve drejt perëndimit. Për t’u shtuar përgjigjeve të nxënësve, jepuni thënien vijuese nga Presidenti M. Rasëll Ballard:

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Presidenti M. Rasëll Ballard

“Megjithëse është e përshtatshme dhe e rëndësishme që ta kujtojmë udhëtimin e vështirë historik të pionierëve mormonë të shekullit të 19‑të, ne kemi nevojë të kujtojmë se ‘udhëtimi i vështirë përmes jetës vazhdon’ për secilin prej nesh ndërsa e provojmë vetë ‘besimin [tonë] në çdo hap’. …

Një udhëtim i vështirë kthimi për tek Ati ynë Qiellor është udhëtimi i vështirë më i rëndësishëm në jetën tonë dhe vazhdon çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dhe çdo vit ndërsa e shtojmë besimin tonë tek Ai dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti. …

Qëndroni në shtegun e ungjillit duke pasur ‘besim në çdo hap’, në mënyrë që ju të ktheheni të sigurt në praninë e Atit Qiellor dhe të Zotit Jezu Krisht.” (M. Rasëll Ballard, “Udhëtimi i Vështirë Vazhdon!”, Liahona, nëntor 2017, f. 105–106).

  • Çfarë të bën përshtypje nga mësimi i Presidentit Ballard?

Ndërsa studion sot, reflekto për mënyrën se si po të shkon rrugëtimi i jetës. Si po vjen më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Si e ke parë ndihmën e Tyre gjatë gjithë këtij rrugëtimi? Përsiat plot lutje se si ndien se po përparon dhe si mund të jesh duke u munduar.

Inkurajojini nxënësit të kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit për t’i ndihmuar të dallojnë se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti po i bekojnë ata sot dhe mund të vazhdojnë t’i bekojnë ata vetë gjatë gjithë rrugëtimeve të tyre.

Fjala dhe vullneti i Zotit

Mund ta lexoni dhe përmblidhni paragrafin vijues për të dhënë kontekst historik për seksionin Doktrina e Besëlidhje 136. Ju mund edhe t’u kërkoni nxënësve të gjejnë Lagjet Dimërore në hartë.

Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë përmes Ajouas, shenjtorët kërkuan strehim të përkohshëm në një vend që e quajtën Lagjet Dimërore në Nebraskë. Të papërgatitur për ta kaluar dimrin atje, shenjtorët vuajtën urinë, sëmundjet dhe vdekjen, që ua vuri në provë forcën dhe durimin e tyre. Ishte në Lagjet Dimërore në janar të vitit 1847 që Presidenti Brigam Jang mori atë që tani është Doktrina e Besëlidhje 136. Në këtë zbulesë, Shpëtimtari i udhëzoi shenjtorët se si të përgatiteshin dhe të vazhdonin rrugëtimin e tyre më tutje në perëndim.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 136:1–11, duke kërkuar atë që u kërkoi Shpëtimtari shenjtorëve që të bënin ndërsa rrugëtonin drejt perëndimit.

  • Çfarë të bie në sy nga këto vargje?

Dëgjojini me kujdes përgjigjet e nxënësve. Nëse është e dobishme, bëni disa nga pyetjet vijuese: “Në vargjet 2 dhe 4, çfarë u mësoi Shpëtimtari shenjtorëve rreth bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve?” “Si duhej të kujdeseshin shenjtorët për njëri‑tjetrin dhe ata që i ndoqën pas?” “Sipas vargut 11, çfarë bekimesh u premtoi Shpëtimtari shenjtorëve nëse ata do t’i bënin dhe mbanin besëlidhjet gjatë gjithë rrugëtimit?”

Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë të vërtetën se kur i respektojmë besëlidhjet tona për t’i mbajtur urdhërimet e Zotit, Ai do të na bekojë në të gjitha gjërat.

Lexo te Mosia 18:8–10 dhe Doktrina e Besëlidhje 20:77, duke kërkuar ndonjë ngjashmëri me besëlidhjet që bëjmë në pagëzim dhe në sakrament.

Besim në çdo hap

Në pjesën tjetër të mësimit, merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në “kompani pionierësh”. Mund t’i rregulloni tavolinat ose karriget në formë rrathësh që kompanitë t’i diskutojnë vargjet dhe pyetjet së bashku. Çdo kompani mund të përzgjedhë një “kapiten” për t’i raportuar klasës atë që ndien se ishte kuptimplotë nga diskutimi i tyre.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 136:19–29 dhe shenjoji urdhërimet që u dha Shpëtimtari shenjtorëve ndërsa udhëtonin drejt perëndimit. Përzgjidh disa urdhërime që të bëjnë përshtypje.

  • Pse urdhërimet që zgjodhe, do të ishin të rëndësishme që të zbatoheshin nga kompanitë e pionierëve?

  • Si mund të na ndihmojë mbajtja e po atyre urdhërimeve?

  • Çfarë bekimesh mund të na japë Zoti për mbajtjen e atyre urdhërimeve sot?

Nxënësit mund të studiojnë historitë vijuese të pionierëve dhe të diskutojnë pyetjet vijuese në kompani ose si klasë. Nëse bëhet në kompani, sigurohuni që nxënësit të kenë të gjitha udhëzimet dhe pyetjet që do t’u nevojiten dhe që udhëheqësit e kompanive ta dinë se do të raportojnë pikat kulmore të diskutimit ose mund t’ia delegojnë një anëtari tjetër të kompanisë që të raportojë.

Shenjtorët me bindje përshkuan mijëra kilometra “drejt vendit ku Zoti do ta vendosë kunjin e Sionit” (Doktrina e Besëlidhje 136:10). Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë disa nga mënyrat se si Zoti i bekoi pionierët ndërsa përpiqeshin t’i mbanin besëlidhjet e tyre për t’iu bindur Zotit, mund të bëni një nga gjërat në vijim:

  • Ftojini nxënësit të përzgjedhin një histori të preferuar nga udhëtimi i pionierëve drejt Luginës së Solt‑Lejkut që t’ia tregojnë kompanisë së tyre.

  • Jepuni përzgjedhje historish nga Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëll. 2, No Unhallowed Hand [Asnjë Dorë Mëkatare], 1846–1893 (2020), f. 58–96 dhe nga “Pioneers” ose “The Trek West” te ChurchofJesusChrist.org që nxënësit mund t’i lexojnë në kompanitë e tyre.

  • Shfaqeni materialin filmik “Watched Over by God: Elizabeth Panting’s Journey to Zion” [“Nën Kujdesin e Perëndisë: Udhëtimi i Elizabeta Pantingut drejt Sionit”] nga kodi kohor 7:47 deri në 11:16, historia e një mrekullie në shtegun e pionierëve.

16:21
  • Si i demonstron kjo histori e pionierëve bekimet e Zotit ndërsa përpiqemi t’i mbajmë urdhërimet e Tij?

  • Si mund t’i ndihmojë kjo histori adoleshentët sot ndërsa ata besëlidhin që t’i mbajnë urdhërimet e Perëndisë?

Mësimet e rrugëtimit të pionierëve

Ftojini nxënësit të përsiatin se si i ka bekuar Ati Qiellor gjatë rrugëtimit të jetës së tyre ndërsa ata i kanë mbajtur urdhërimet e Tij. Pyetni a do ndonjë nxënës të tregojë përvojat e veta. Merreni parasysh të tregoni përvojat tuaja gjithashtu.

Ftojini të gjithë anëtarët e klasës të shkruajnë atë që mësuan sot, që mund t’ia tregojnë një pjesëtari të familjes ose një shoku apo shoqeje. Nxënësit mund të përfshijnë se si historitë e pionierëve mund të na ndihmojnë të jemi besnikë ndaj besëlidhjeve tona për t’i mbajtur urdhërimet e Zotit sot dhe mënyrës se si Zoti do të na bekojë në përpjekjet tona. Ftojini ata t’ia tregojnë atë që mësuan, një familjari ose një shoku apo shoqeje jashtë klasës.