“Mësimi 147 – Doktrina e Besëlidhje 135: Martirizimi i Jozef Smithit, Profetit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 135”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 147: Doktrina e Besëlidhje 135–136
Doktrina e Besëlidhje 135
Martirizimi i Jozef Smithit, Profetit
Pas vitesh duke udhëhequr shenjtorët, Profeti Jozef Smith dhe vëllai i tij, Hajrëmi, u burgosën në burgun e Karthixhit. Më 27 qershor 1844, një turmë keqbërësish i sulmoi dhe të dy burrat u martirizuan. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta forcojnë dëshminë e tyre për Jozef Smithin si Profetin e Perëndisë për Rivendosjen.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
“Profeti dhe Shikuesi i Zotit”
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Jozef Smithit dhe t’i ftoni nxënësit të imagjinojnë sikur sapo do të flasin me dikë që nuk di asgjë rreth tij. Kërkojuni atyre të bëjnë një listë të atyre që mendojnë se janë katër ose pesë gjërat më të rëndësishme që Zoti bëri për ne nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë:
-
Si do të ndryshonte jeta jote pa bekimet që Zoti na dha nëpërmjet Profetit Jozef Smith?
-
Si është ndikuar njohuria dhe marrëdhënie jote me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nga Jozef Smithi dhe puna e tij profetike?
Shpjegoni se në këtë mësim, nxënësit do të mësojnë rreth martirizimit të Jozef Smithit dhe asaj që bëri Zoti nëpërmjet tij. Ndërsa studiojnë, ftojini ata të kërkojnë ta kuptojnë më mirë se si i ka bekuar Zoti nëpërmjet Profetit.
Rruga drejt burgut të Karthixhit
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për të studiuar seksionin Doktrina e Besëlidhje 135, merreni parasysh t’i përmblidhni këta paragrafë me fjalët tuaja.
Jozef Smithi dhe shenjtorët jetuan në paqe në Ilinois për rreth tre vjet. Në vitin 1842, ata filluan të përjetonin kundërshtim përsëri. Mospajtuesit brenda Kishës dhe kundërshtarët jashtë Kishës i ndërthurën përpjekjet e tyre kundër Profetit dhe shenjtorëve. Disa qytetarë të Ilinoisit filluan të frikësoheshin dhe ta kishin zët ndikimin politik të shenjtorëve. Të tjerët u bënë ziliqarë për rritjen ekonomike të Navusë. Përndjekja ndaj shenjtorëve gjithashtu rezultoi nga keqkuptimet rreth praktikave, si martesa me shumë bashkëshorte, për të cilën kishin dhënë dëshmi të rreme disa anëtarë që e kishin braktisur Kishën. Në verën e vitit 1844, armiqësia kundër Kishës ishte shtuar shumë.
Më 7 qershor 1844, Uilliam Lo, i cili kishte shërbyer si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, dhe braktisës të tjerë shtypën numrin e parë të një gazete të quajtur Nauvoo Expositor [Komentuesi i Navusë] për ta zemëruar publikun me profetin dhe Kishën. Jozef Smithi dhe pjesa më e madhe e këshillit bashkiak të Navusë e konsideruan gazetën një bezdi publike dhe urdhëruan që të shkatërrohej shtypshkronja e gazetës Nauvoo Expositor. Ky urdhër qe në përputhje me ligjin në kohën e Jozef Smithit.
Disa banorë të zonës përreth protestuan kundër shenjtorëve dhe shkatërrimit të shtypshkronjës. Guvernatori Tomas Ford i Ilinoisit i këshilloi Jozef Smithin dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që të udhëtonin drejt qytezës së Karthixhit dhe ta zgjidhnin situatën në rrugë ligjore. Ai u premtoi mbrojtje të plotë dhe një gjyq të drejtë nëse ata do të vinin vullnetarisht. Pavarësisht nga këto premtime, Profeti qe i bindur se do ta vrisnin po të shkonte (shih te Doktrina e Besëlidhje 135:4). Sidoqoftë, më 24 qershor 1844, Jozefi dhe Hajrëm Smithi dhe disa të tjerë u larguan nga Navuja drejt Karthixhit në përpjekje për t’i mbajtur shenjtorët të mbrojtur nga dhuna e turmave keqbërëse.
Pasi Jozefi dhe Hajrëmi kaluan disa ditë në burg, një turmë keqbërësish i sulmoi.
Martirizimi
Përpara se nxënësit të lexojnë fragmentin vijues të shkrimit të shenjtë, merreni parasysh t’u kërkoni atyre të tregojnë ndonjë gjë që mund ta dinë tashmë rreth martirizimit të Jozef dhe Hajrëm Smithit.
Doktrina e Besëlidhje 135, e botuar fillimisht më pak se tre muaj pas martirizimit, e përshkroi atë që ndodhi. Lexo te Doktrina e Besëlidhje 135:1–2, duke kërkuar hollësi rreth martirizimit dhe personave që e dëshmuan atë. (Nëse do të doje më shumë hollësi, lexo te Doktrina e Besëlidhje 135:4–7.)
-
Çfarë zbulove?
-
Çfarë mund të kishe menduar ose ndier po të kishe qenë dëshmitar i kësaj ngjarjeje të tmerrshme?
Për t’i ndihmuar nxënësit të imagjinojnë atë që ndodhi, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Joseph Smith – Prophet of the Restoration” [“Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes”] (nga kodi kohor 0:00 deri në 3:06) ose “Joseph Smith: The Prophet of the Restoration” [“Jozef Smithi: Profeti i Rivendosjes”] (nga kodi kohor 55:50 deri në 59:51).
Nëse është nevoja, shpjegoni se Plaku Xhon Tejlor (1808–1887) ishte njëri nga dëshmitarët okularë të martirizimit. Ai përfundimisht e mori veten nga plagët që mori atë ditë, dhe vazhdoi të shërbente si Presidenti i tretë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 135:3, duke kërkuar disa mënyra se si Zoti na bekoi nëpërmjet Profetit Jozef Smith.
Doktrina e Besëlidhje 135:3 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
-
Cilat të vërteta janë kuptimplota për ty? Përse?
Ftojini nxënësit të renditin në tabelë të vërteta kuptimplota nga vargu 3 dhe të japin mendimet e tyre për to.
Ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, por një e vërtetë që ka të ngjarë të përcaktojnë nxënësit, është: Jozef Smithi ka bërë më shumë, përveç Jezu Krishtit, për shpëtimin e botës sesa çdo person tjetër. Merreni parasysh ta shkruani një të vërtetë si kjo në tabelë. Mund të jetë e rëndësishme të sqaroni se shpëtimi është i mundur vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili është Shpëtimtari i të gjithë njerëzimit. Megjithatë, Jezu Krishti punoi nëpërmjet Profetit Jozef Smith për t’i shtrirë bekimet e Shlyerjes së Tij te fëmijët e Atit Qiellor në këtë periudhë ungjillore.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të ndalen disa çaste dhe të përsiatin domethënien e kësaj të vërtete në jetën e tyre.
Ndonëse jeta e Jozef Smithit në vdekshmëri mbaroi më 27 qershor 1844, puna, dëshmia dhe ndikimi i tij kanë ndihmuar miliona fëmijë të Atit Qiellor të vijnë te Jezu Krishti dhe të marrin bekimet e shpëtimit.
“Misioni i tij dhe veprat e tij”
Për t’i ndihmuar nxënësit ta dallojnë më mirë se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e përdorën Jozef Smithin për të na ndihmuar të vijmë më pranë Tyre, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë tre hapat vijues. Disa shembuj përfshihen në germa të pjerrëta.
Ftojini nxënësit të flasin: Për të mësuar më shumë se si t’i ftoni të tjerët të flasin, shihni trajnimin e titulluar “Jepni dëshmi shpesh dhe ftojini nxënësit t’i shprehin ndjenjat, t’i tregojnë përvojat dhe të japin dëshmitë e tyre”, që gjenden te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve: Jepni Mësim me Anë të Shpirtit. Merreni parasysh ta ushtroni zotësinë “Krijoni nxitje që i ndihmojnë studentët t’i shprehin me fjalë ndjenjat, përvojat dhe dëshminë e tyre.”
-
Shkruaj “Puna e Zotit nëpërmjet Jozef Smithit” në mes të një faqeje në ditarin e studimit.
-
Përqark kësaj fraze, shkruaj ose vizato 4–5 gjëra që dhanë mësim ose bënë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti nëpërmjet Jozef Smithit. Nëse është e mundur, përfshi një referencë të shkrimit të shenjtë për secilën mënyrë. Shembull: “Vegimi i Parë” (Joseph Smith – Historia 1:17–19).
-
Përfshiji mendimet dhe ndjenjat e tua rreth mënyrës se si çdo gjë që rendite të ndihmon të vish më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Shembull: Nëpërmjet Jozef Smithit kuptoj më shumë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. E di se Ati Qiellor do t’u përgjigjet lutjeve të mia dhe se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe janë dy qenie të ndara.
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë për të menduar shembuj të tjerë për ato që duhet të shkruajnë ose vizatojnë, ata mund të rishikojnë temat dhe vargjet vijuese: priftëria (Doktrina e Besëlidhje 13:1); Libri i Mormonit (Doktrina e Besëlidhje 17:5–6; 135:3); puna misionare (Doktrina e Besëlidhje 4; 110:11); fuqia vulosëse (Doktrina e Besëlidhje 110:13–16).
Ndërkohë që nxënësit përsiatin dhe shkruajnë, mund të vini këngën “Lavdi Burrit” (Himne, nr. 19). Shpjegoni se ky himn u shkrua nga Uilliam W. Felpsi pas vdekjes së Profetit si një homazh ndaj tij.
Ftoni sa më shumë nxënës që të jetë e mundur që të japin mendimet e tyre për mënyrën se si Zoti i ka bekuar ato nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe merreni parasysh të bëni një listë në tabelë. Ndërsa nxënësit shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre mbi një temë, merreni parasysh të bëni pyetje si: “A mendoi ndonjë tjetër për të njëjtin bekim? A do të donit t’i shtonit ndonjë mendim diskutimit tonë?” ose “Si do të ishte e ndryshme jeta juaj pa këtë bekim?” Ftojini nxënësit të flasin rreth bekimeve të shumta. Merreni parasysh të shprehni edhe mendimet dhe ndjenjat tuaja.
Për ta mbyllur, mund edhe të tregoni thënien vijuese nga Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Presidenti Ballard është stër‑stërnipi i Hajrëm Smithit.
“Ne duhet ta kujtojmë gjithmonë çmimin që paguan Jozef dhe Hajrëm Smithi, së bashku me kaq shumë burra, gra e fëmijë të tjerë besnikë, për të themeluar Kishën në mënyrë që ju dhe unë të mund të gëzojmë bekimet e shumta dhe të gjitha këto të vërteta të zbuluara që kemi sot. Besnikëria e tyre nuk duhet të harrohet kurrë!” (M. Rasëll Ballard, “A Nuk do të Vazhdojmë në një Kauzë Kaq të Madhe?”, Liahona, maj 2020, f. 11)
-
Nëse dikush do që ta kuptojë më mirë se si e bekoi Zoti atë nëpërmjet Profetit Jozef Smith, çfarë do t’i rekomandoje atij ose asaj të bënte?
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë te Doktrina e Besëlidhje 135:3 dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për këtë fragment është “Jozef Smithi ka sjellë Librin e Mormonit, të cilin e përktheu me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.